Kozma Gjini/ Pali Dani, ikona e mësuesit metodist

866
Sigal

 Ishin vitet 1950-‘60. Atëherë, fshiheshim fiereve, teksa shikonim të kalonte rrugës si një i shenjtë mësuesi, ikona e mësuesisë së trevës së Myzeqesë, zoti Pal Dani, i cili bridhte shtëpive të fshatit që t’u mbushte mendjen prindërve tanë që t’i lejonin fëmijët e tyre të vazhdonin shkollën e mesme, për të cilat ndjehej më shumë nevoja e vendit. I ruheshim vështrimit e përballjes me të, jo se ishte i rreptë, por sepse ishte një mësues e drejtues i kulturuar, metodist, pedagog e psikolog që zotëronte artin e mësimdhënies dhe të komunikimit e si i thonë fjalës, të vriste me pambuk. I kishte peshë fjala dhe të mëdhenjtë i thërrisnin me respekt “zoti Pali”. Gjithmonë mendojmë se kemi marrë prej tij jo vetëm edukatën, por edhe metodikën e mësuesit. Z.Pali ishte drejtori i parë i shkollës shtatëvjeçare të Gorresë në rrethin e Lushnjës. Këto ditë u nda nga jeta mësuesi ynë i shtrenjtë dhe drejtuesi i talentuar. Me dhimbje e hidhërim të thellë e përcollën ish-nxënës, bashkëfshatarë, ish-mësues e banorë të fshatrave të komunës Kolonjë, ku ai shërbeu si drejtor me autoritet të padiskutueshëm

 Z. Pal Dani lindi më 1920 në fshatin Bishqethëm. Ishte stërnip i një fisi me emër, prej një trungut familjar “Dani”, me tradita atdhetare e arsimdashëse. (Babai i tij, Lluk Dani, mësimet e para i mori në qytetin e Beratit nga mësuesi patrioti Babë Dudë Karbunara, ku mësoi aty greqishten dhe frëngjishten. Më pas Lluka rrugëtoi deri në Mal të zi e Slloveni për t’u arsimuar. U kthye në vendlindje dhe për një kohë të gjatë shërbeu si prift i respektuar në kishën e fshatit. Kushëriri i tij, Prof Dani, ka qenë mësuesi i parë i shqipes që kontribuoi për çeljen e shkollës së parë shqipe në fshat më 1915, me 30 nxënës.). Pas arsimit bazë në fshatin e lindjes (klasën e katërt fillore e vazhdova në Krutjen e Poshtme-, shkruante z.Pali në kujtimet e tij-, sepse nuk kishte dhoma në Bishqethëm), ai do të arsimohej në shkollën Normale të Elbasanit të cilën do ta përfundonte në vitin 1941. Hapat e para në karrierën e mësuesisë i hodhi në shkollën fillore të Herbelit, komuna Maqellarë (Peshkopi), ku shërbeu deri në vitin 1942. Në sezonin e vjeshtës së këtij viti, me aprovimin e ministrisë së Arsimit, iu nënshtrua provimeve për të marrë maturën në gjimnazit e Tiranës, gjë që i krijonte mundësinë e i hapte rrugën për të vazhduar studimet jashtë shtetit (Fakultetin e Mjekësisë në Itali, por që pas një viti, për arsye të situatës së luftës, u kthye në atdhe). Në vitin 1944 shërbeu si mësues në shkollën Krutje e Sipërme, kurse dy vjet më vonë emërohet inspektor në Seksionin e Arsimit të Qarkut të Beratit, ku punoi një vit, bashkë me Aleks Danin, Hysen Dervishin, Irfan Roshin dhe Emin Shtinon.

 Në shtator 1947 Pal Danit do t’i besohej detyra Shef i Seksionit të Arsimit të rrethit të Skraparit, detyrë që e mbajti për një vit. Në vitin 1948 e gjejmë si mësues të Historisë e Gjeografisë në shkollën e mesme Pedagogjike të Beratit, deri në vitin 1952. Në vitet 1952-1959 z. Pali ka punuar me emërim drejtor i shkollës 7-vjeçare të Gorresë në Lushnjë. Gjatë kësaj periudhe, kur vendi bënte përpjekje për të dalë nga prapambetja, analfabetizmi dhe gjendja ekonomike, ai mori përsipër një angazhim madhor, transformimin rrënjësor të kësaj shkolle në një shkollë eksperimentale e cila në pak vite u bë model i përhapjes së përvojës mësimore-metodike në gjithë republikën. Në krye të mësuesve dhe së bashku me ta, ai shpyllëzoi, zgjeroi e pastroi territorin e oborrit të shkollës dhe e ktheu mjedisin në një hapësirë të lulëzuar. Në shkollë u ngritën disa kabinete mësimore, kopshti didaktik, këndi gjeografik, parku sportiv dhe grupi artistik. Nuk është rastësi që në historikun e shkollës lexohet se ato vite kanë lënë përshtypjet e tyre delegacionet e vendeve që e kanë vizituar si të: ish-BS, Rumanisë, Bullgarisë, Francës, Vietnamit etj. Drejtor Pali së bashku me mësuesit e atyre viteve si: Myfit Juka, Gjergj Kola, Sezai e Hysen Bungo, Ramazan Zekthi, Qani Pollozhani, Ernesta Sotiri, Afërdita Babameto, Kremhilda Shuteriqi, Llazar Xhamo, Loni Mino, Jorgji e Urani Papa, Rrapi Halili, Anastas Paparisto, Leonidha Kice, Drita e Jorgji Velo, Lefteri Ngjeliu, Faika Nurihana, Vule Myftiu, Edmond Doko, Vasil Ngjela, Llazar Gjermeni, Urani e Todi Papa, Filip Bame etj. e shndërruan shkollën e Gorresë në një qendër të punës shkencore metodike ku merrnin shembull gjithë shkollat e Shqipërisë. Shkrimtari Petro Marko, kur do të vinte për vizitë në këtë shkollë, i mahnitur me mjedisin e sistemuar këndshëm, gjithë gjelbërim e lule, ka lënë si kujtim: “Shkolla juaj më bën përshtypje të madhe, sepse ju, mësues e nxënës, keni krijuar një mjedis aq të bukur, saqë nuk e gjen në asnjë shkollë, jo vetëm brenda vendit, por me aq sa kam parë unë, as jashtë Shqipërisë. Ju lumshin duart për këtë punë shembullore!”.

 Z.Pali ishte një mësues dhe drejtues me horizont e kulturë të thellë pedagogjike e shkencore, komunikues dhe prind e mësues novator, me iniciativë e praktik. Ishte një drejtor autoritar që gëzonte respektin e mësuesve, nxënësve dhe komunitetit prindëror. Për sa kohë drejtoi shkollën e Gorresë, z.Pali Dani i kushtonte vëmendje të veçantë kualifikimit të mësuesve. Në kontrollet që ushtronte e vinte theksin në përvetësimin e vetëdijshëm të njohurive që jepeshin për nxënësit, kundër të mësuarit mekanik e sjelljes formale. Kërkonte prej mësuesve një përgatitje shkencore dhe metodike të tillë që të ndikonte në përvetësimin e mësimit brenda orës së mësimit. Në këto vite bëhej një luftë e madhe kundër analfabetizmit, ku mësuesi dhe drejtuesi Pali Dani, në krye të mësuesve dhe bashkë me ta, i shëtiste gjithë fshatrat përreth duke bërë të pamundurën që të ndërgjegjësoheshin prindërit për perspektivën e fëmijëve dhe të shkollës. Ai do të ishte edhe një përhapës i përvojës pozitive duke shkruar në shtypin e asaj kohe si në revistat “Arsimi popullor” etj.. Nisur nga fakti që mësuesit e shtatëvjeçares ishin me arsim të mesëm, ai i regjistroi ata në arsimin e lartë dhe profesional të dëshiruar dhe i ndihmoi që ta mbaronin atë në degët përkatëse. Vëmendje të veçantë ai i kushtonte kontrollit të mësimdhënies në shkollën fillore si baza e nisjes së njohurive të qëndrueshme për në ciklin e lartë. Paraqitjes së jashtme të mësuesve dhe të shkollës i kushtonte rëndësi dhe kështu nxënës e mësues e kthyen shkollën e Gorresë në një mjedis lulesh, ku prindërit do të gjenin kënaqësi dhe merrnin përvojë për lulëzimin e mjediseve familjare. Në oborrin e shkollës do të ngriheshin kopshti didaktik për drithërat, perimet e pemët frutore, pasurimin e kopshtit zoologjik që do të shërbenin për konkretizimin e lëndëve mësimore. Në ato vite i kushtohej vëmendje edhe pjesëmarrjes së mësuesve në ngritjen e punës kulturore në fshat nëpërmjet bisedave dhe aktiviteteve praktike, sportive e artistike. Pal Dani ishte njeri i korrekt në detyrë dhe familjar model. Ai kurrë nuk e ulte dinjitetin e mësuesit, por insistonte në ngritjen e autoritetit të tij.

 Vitet e fundit, për nevoja të rrethit në shërbimin mjekësor, ai kërkohet të vazhdonte studimet e larta në këtë degë dhe në shtator të vitit 1959 shkoi për studime në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Pas mbarimit të Universitetit, tashmë me dy fakultete, do të kryente detyra të ndryshme si Shef i Seksionit të Shëndetësisë së rrethit të Lushnjës për plot 10 vjet, deri sa doli në pension. Edhe pas daljes në pension z, Pali, njeri tepër humanitar, punoi vullnetarisht, pa pagesë, si mjek pediatër, në repartin e Pediatrisë, të spitalit të Lushnjës. Më pas drejtoi për dy vjet kursin dy vjeçar të infermiereve dhe si mësues i gjuhës latine në këtë kurs. Mban disa vlerësime e stimuj moralë nga rrethi dhe ministria. Ishin këto disa nga arsyet që këshilltarët e komunës së Kolonjës, mbështetur në kompetencat e pushtetit vendor i dhanë njëzëri emrin “Pali Dani” shkollës së mesme të Gorresë më dt . 5 mars 2008. Do të mbahet mend kjo ceremoni madhështore. Në përshëndetjen që z, Pali u dërgoi nxënësve dhe mësuesve të shkollës me rastin e vënies së emrit të shkollës, shkruante: “…Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë ceremoni, po ju dërgoj përshëndetjet e mia të sinqerta për vlerësimin e punës sonë, që së bashku i kemi dhënë një emër kësaj shkolle të trevës sonë… e cila u shpall model në shkallë republike dhe gëzohem që edhe sot kjo shkollë e mban lart traditën e vlerave mësimore dhe edukative”. Z.Pal Dani ndërroi jetë më 07 korrik 2014, duke lënë pas bashkëshorten, mësuesen e respektuar, idhulli i sa e sa mësueseve dhe nxënësve që ka nxjerrë nga duart e saj, znj. Evanthi Dani; djalin e tij Alfredin, i cili vazhdoi e mbaroi shkëlqyeshëm Universitetin në degën e Fizikës ( në vitet ‘80, kur mungonin mjetet e duhura teknike, mësuesi i ri i gjimnazit “18 Tetori” të qytetit, me mjete të thjeshta laboratorike ndërtoi orën elektronike dhe e vendosi në tarracën e shkollës duke bërë kureshtjen e shumë njerëzve dhe duke marrë mijëra vështrime falënderimi nga qytetarët dhe nxënësit e shkollës) si dhe vajzën e tij znj, Elida mesuese… etj.. Do të kalojnë vitet, por emri dhe kujtimi i z. Pal Dani nuk kanë për t’u harruar, sepse ai është regjistruar në memorien e shoqërisë si njeriu misionar që e shkriu jetën për përhapjen e arsimit dhe të kulturës në Myzeqe e më gjerë.