“Kirurgu mjeshtër” Kafaz Xhuveli, që e mbylli jetën si “Qytetar Nderi” në Tepelenë

1329
Kirurgun Kafaz Xhuveli, nga Vërmiku i Vlorës e kam njohur në vitin 1955, pas transferimit tim infermier nga spitali rural i Delvinës, në spitalin e Përgjithshëm Civil Nr. 1 Tiranë, për të vazhduar Politeknikumin Mjekësor pa shkëputje nga puna. Ai punonte kryeinfermier në klinikën e kirurgjisë të përgjithshme me detyrë shef pavjoni, Dr. Llambi Ziçishti. Në atë kohë në shërbimin e kirurgjisë, punonin kirurgë me famë si Frederik Shiroka, që njihej dhe jashtë vendit si “kirurg i duarve të arta”, Petro Cani, Ferdinand Paparisto, Petrit Gaçe, Simon Çapeli, Besim Elezi, Maksut Drrasa etj. Ne të “rinjtë” vinim në Tiranë, nga gjithë trojet e vendit, si Korça, Gjirokastra, Tepelena, Vlora, Fieri, Kavaja, Shkodra, Kruja etj. Ishim në hapat e parë të profesionit të infermierit. Jetonim në bujtina përdhese me çati eterniti të braktisura, në panik nga pushtuesit fashistë italian gjatë Luftës Nac-Çl. Ushqeheshim në gjellëtoren e spitalit, kundrejt pagesës. Doktor Kafazi, djali nga Vërmiku i Vlorës, ishte në moshë më të rritur nga ne. E trajtonim në vend të “vëllait të madh”, mbasi edhe ai si i tillë sillej e ashtu na trajtonte. Na këshillonte, na shoqëronte në aktivitete kulturore e sportive, na jepte libra shkencorë e artistikë nga biblioteka e tij. Emri “Kafaz Xhuveli” kishte vrarë mendjen e poetit lirik Lasgush Poradeci, i cili (siç më kujtohet) me humor, teksa një ditë kalonte në sallën me mbi 20 njerëz të sëmurë, ku ish i shtruar dhe poeti i madh Poradeci, dëgjon thirrmën; – “Kafazin po e shohim, po nuk dimë se ç’ka brenda”?! Ky “kafaz”, nuk ndrynte brenda pëllumba e kanarina, por ëndrra rioshe për ardhmëri. Dr. Kafaz Xhuveli, vazhdoi pa shkëputje nga puna, shkollën e mesme të përgjithshme, që quhej “gjimnaz” me rezultate të mira. Kërkesa për studime të larta, i’u aprovua në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Tiranë. Në përfundim të studimeve, doli me titullin “Mjek i Përgjithshëm”. Dëshira e tij, ishte të bëhej kirurg. U specializua mes kirurgëve më të mirë të asaj kohe dhe e ushtroi profesionin në spitalin e Tiranës. Më vonë, Ministria e Shëndetësisë e transferoi në Burrel, për të hapur shërbimin e kirurgjisë në këtë qytet. Aty punoi disa vite deri sa u kualifikuan e u specializuan mjekët kirurgë të këtij rrethi. Prej andej e transferuan në Tepelenë, ku aksidentet në minierën e qymyrgurit në Memaliaj ishin të shpeshta. Duhet kuptuar një gjë për kohën kur Kafaz Xhuveli ishte mjek kirurg: Të hapej repart kirurgjie në dy qytete periferike, nuk ishte punë e thjeshtë, nuk ishte ndërrim zyre e kolltukësh, por mund e mundim, shqetësim, përgjegjësi, pasion, dashuri për profesionin dhe këtë dr. Kafaz Xhuveli ynë i paharruar e bëri realitet dhe si detyrë e mision profesional dhe human e përmbushi me dinjitet deri në fund të jetës së tij. Që të përmbushësh këtë detyrë, profesion e mision human, sipas dr. Xhuvelit, duhej respektuar një rregull: Duhet të zgjedhësh personelin më të mirë, të ndërgjegjshmit, më të aftin profesionalisht, të sigurosh mjetet e punës, mbështetjen e kolegëve etj. Dhe për ta arritur sa më funksionalisht, dr. Xhuveli bashkëpunoi edhe me specialistët e ofiçinës mekanike të Minierës Qymyrgurit të Memaliaj, me dy emrat e njohur të paharruar të kësaj ofiçine, mjeshtrat Fejzo Malkaj e Koço Rajdho, me të cilët përgatiti instrumente për sallën e operacionit dhe mjete të tjera për spitalin. Roli në detyrën e drejtorit të spitalit të Tepelenës “Përparim Tepelena”, si nismëtar i hapjes të shkollës së infermierisë e mësimdhënies në të, mbetet simbol i profilit të këtij njeriu me zemër e aftësi të mëdha.
Dr. Kafaz Xhuveli, njeriu me virtyte, që ishte i gatshëm të ndihmonte këdo që kishte nevojë 
Edhe pse nuk e kishte detyrim zyrtar, dr. Kafaz Xhuveli ndihmonte spitalet në Memaliaj, Krahësit, Buz, Progonat, Sinanaj, duke dërguar ekipe mjekësh për konsulta, pajisje e ilaçe. Gjithmonë i thjeshtë, i urtë, korrekt, i dashur, njeri dhe mjek më botë të pastër. Në ndërhyrjet kirurgjikale deri tek operacionet më të vështira, urgjenca dhe të planifikuara, bashkë me kolegët mjekë Xhemali Koçi, Xhafer Ruçi, Sotir Ceka, Abaz Progonati, ndihmësmjeku i Qendrës të Konservimit të Gjakut, himarjoti Thoma Kumi, infermieri Elez Shehu etj, kanë qenë prova të suksesshme në punën e tij në grup. Dr. Kafaz Xhuveli, ka pasur vetëm një “siklet”: Në punën e tij, për shkak të aftësive të tij të shkallës sipërore si kirurg me “Pasaportë të shkëlqyer aftësie profesionale” është ndeshur me egoizma, smirë, sulme e qëndrime të tjera banale që servireshin në ato vite prej vemjeve që vegjetonin me “letra”, situata të cilat dr. Xhuveli, ose “Kirurgu i madh i Tepelenës” i ka zgjidhur përherë me durim e urtësi. Në punën shumëvjeçare pa orar natë e ditë, në fshat e në qytet, ku e kërkonte nevoja për shpëtimin e jetëve të njerëzve që edhe në reanimacion, përmendnin emrin “Doktor Kafazi”. Ai provoi emocione, gëzime e pikëllime. Ai kujtonte vajzën adoleshente nga Turani i Tepelenës, që erdhi në spital, me të dy krahët e prera gjatë punës në makinën shirëse të grurit në ish-kooperativë. Kur vajza u kthye nga trajtimi mjekësor që bëri në Rumani me proteza në të dy duart, erdhi në spital të takonte Dr. Kafazin. Por jo me duar (i mungonin), por me sytë dhe fjalët e një fëmije që vazhdoi të jetonte prej profesionalizmit të dr. Kafaz Xhuvelit. Kur ai i zgjati dorën për ta takuar, ajo tha gjithë gëzim: “Doktor, më lejo të puth duart e tua që më shpëtuan jetën”. Kaq mjaftoi në këtë skenë të përjetuar realisht në spitalin e Tepelenës, që të vërshonin lotët e pastra si ujëvarë të dr. Kafazit, djalit nga Vërmiku i Vlorës, që ka mbetur në kujtesën e të gjithëve, si “Doktor Kafaz Xhuveli i Tepelenës”. Doktor Kafazi doli në pension dhe jetoi me bashkëshorten Lirinë, me profesion mësuese. Në fillim banoi në Vlorë, mandej në Tiranë. Aty u punësua në një qendër azilante, me orar të reduktuar. Çdo vit, bashkë me njeriun e mirë, bashkëshorten e tij model Lirinë, shkonin në Spanjë dhe Kanada, ku kanë emigruar fëmijët e tyre. Për kontributin e dhënë në shërbimin shëndetësor e shoqëror, ai ka marrë disa vlerësime nga qarqet Gjirokastër, Vlorë. Ndërsa Bashkia e Tepelenës, i ka dhënë titullin: “Qytetar Nderi”, sepse tepelenas ka mbetur… (Çerçiz N. MYFTARI, Mjek pediatër, Memaliaj)
Sigal