Jovan BASHO/ Vështroj liqenin, që s’ka gojë të flasë

1871
Sigal

Është koha për të thënë e rithënë disa të vërteta, që duhet të mbahen mirë parasysh, përsa i takon gjendjes së liqenit të Pogradecit

Combien j’ai douce souvenance  du joli lieu de ma naissance

                   (Chateaubriant)

 Disa vite më parë, botova në gazetën lokale “Nositi”, shkrimin “Poradeci, ëndërr në një natë vere”, shkrim që pati mjaft jehonë në Pogradec, e mbi atë temë shkruan edhe mjaft të tjerë, e ai debat qytetar vazhdoi për më se një vit. Bazuar në një pjesë të atij shkrimi, mendoj se ka ardhur e kaluar përsëri koha për të thënë e rithënë disa të vërteta, që duhet të mbahen mirë parasysh, veçanërisht përsa i takon liqenit.

Shkak për këtë shkrim u bë rruga automobilistike në ndërtim e sipër, bregut të liqenit, me atë mur mbajtës të stërmadh betoni mbi bregun litoral të tij, që ashtu si Muri i Madh Kinez pengonte hordhitë e fiseve pushtuese, ai do të pengojë zhvillimin e turizmit përgjatë bregut.         Paraprakisht, po jap disa mendime për mënyrën e lëvizjes së ujit në liqen, të nevojshme për të kuptuar faktin e rëndësishëm se nëse duam natyrën, ndërtimet në zonën litorale të liqenit duhet të jenë rreptësisht të ndaluara.

*  *  *

I. Uji i liqenit lëviz drejt Shën Naumit!

 

                                    “Mi zall të pyllit vjeshtarak

                                      Dremit liqeri pa kufi,

                                      Aty ndaj fundesh u përflak

                                      Porsi me zjarr e me flori”

                                    (Lasgush Poradeci, “Dremit liqeri”)

Me një bukuri magjepsëse, rrethuar nga male të lartë, shtrihet liqeni i Poradecit 695 metra mbi nivelin e detit. Studimet e kryera vite më parë kanë vërtetuar se burimi kryesor i furnizimit të tij me ujë është liqeni i Prespës, gjë që vërtetohet thjeshtë nga prania e burimeve të shumta në rrëzë të Malit të Thatë dhe nga fakti i rëndësishëm se sasia e ujit që del nga liqeni (Drini i Zi në Strugë), është shumë herë më e madhe se sa prurjet e të ashtuquajturve lumenj (në fakt përrenj) rreth e përqark pellgut ujëmbledhës. Burimet e ujit në breg të liqenit si dhe ato nënujore janë nga fshati Guras deri në Ohër, d.m.th., liqeni furnizohet me ujë nga pjesa jugperëndimore deri në pjesën juglindore të tij (Kryesisht në Tushemisht e Shën Naum) dhe zbraz ujë në pjesën verilindore (Strugë). Zona e burimeve nënujore është edhe pjesa më e thellë e liqenit, duke arritur thellësinë më të madhe (286 m) afër fshatit Terpezicë (Zaum).

Nga ana tjetër liqeni rrethohet nga male të lartë, por këto janë kryesisht në anën perëndimore dhe lindore të tij, d.m.th. në pjesën lindore vazhdimi i Malit të Thatë, Galiçica (me lartësi mesatare rreth 2000 m mbi nivelin e detit), ndërsa në pjesën perëndimore lartësitë e Çervenakës (rreth 1500 m mbi nivelin e detit). Pjesa veriore është e hapur, duke vazhduar pastaj me ultësirën maqedonase e fushën e Kosovës. Pjesa jugore është pjesërisht e hapur, sepse fusha e Korçës mbyllet me male të lartë si Valamara, Guri i Topit, Gramozi e Morava. Këto rrethana gjeografike kanë bërë që rajoni rreth e qark liqenit të ndikohet fuqishëm nga erërat që fryjnë nga kontinenti (pra veriu) dhe më pak ato mesdhetare (pra juga). Erërat me pikënisje nga perëndimi dhe lindja thuajse nuk ndihen fare në këtë rajon, pikërisht për shkak të këtyre veçorive gjeografike.

Këta dy faktorë të rëndësishëm, pra mënyra e furnizimit dhe daljes së ujit nga liqeni dhe regjimi i erërave ndikojnë drejtpërsëdrejti në mënyrën e lëvizjes së ujit në të. Këto më bëjnë të mendoj e konstatoj se uji i liqenit lëviz ngadalë përgjatë brigjeve perëndimore nga verilindja në jugperëndim (nga rajoni afër Strugës në Lin e përgjatë brigjeve shqiptare deri në Shën Naum). Pikërisht këtu (kufiri i sotëm shqiptaro-maqedonas në këtë vend është një rastësi) fillon rryma nënujore me drejtim të kundërt (e favorizuar nga burimet nënujore), d.m.th. nga Shën Naumi, përgjatë brigjeve lindore, drejt Strugës (prania e vorbullave pikërisht në këtë zonë e vërteton më së miri këtë).

Pra, uji i liqenit lëviz, ngadalë e sipërfaqësorisht në anën perëndimore (d.m.th. në brigjet tona) dhe si rrymë nënujore në pjesën lindore.

“Ky është i vetmi liqen në botë, ku është e pamundur të lundrohet me vela”, kam lexuar në një libër me kujtime, shkruar nga Mehdi Frashëri, konstatim që mbështetej në të dhënat e disa oficerëve të huaj gjatë Luftës së Parë Botërore. Çdo peshkatar i vjetër pogradecar të tregon se kur fryn veriu është e pamundur të dilet me varkë në liqen nga Poradeci dhe po të zuri juga në mes të tij e ke shumë të vështirë të kthehesh në breg se era të shtyn drejt Strugës.

I përmenda të gjitha këto për të thënë se një objekt i cili noton mbi ujë, i hedhur në njëfarë largësie nga bregu, lëviz ngadalë nga Lini në drejtim të Tushemishtit.

Për të vërtetuar faktin e rëndësishëm të lëvizjes së ujit të liqenit përgjatë brigjeve tona nga Lini në drejtim të Shën Naumit ka fakte të shumta.

Unë po përmend disa:

  1. Që në moshë të vogël, kur peshkoja, në ujin atëherë të tejdukshëm të liqenit, më kishte bëre përshtypje se si grepi, megjithëse edhe në mungesë të çdo lloj ere, lëvizte ngadalë mbi rërë, nga e djathta ime, pra drejt Shën Naumit.
  2. Peshkatarët që peshkojnë me rrjeta (trama) apo stava të lëna përgjatë natës në fund të liqenit, më kanë treguar se të nesërmen kur i nxjerrin ato nga liqeni, i gjejnë të zhvendosura gjithmonë në drejtim të Shën Naumit dhe asnjëherë të Linit.
  3. Kur një njeri mbytet në Poradec (jo në thellësi të mëdha), trupin e tij liqeni e nxjerr në breg, duke e zhvendosur në drejtim të Shën Naumit.
  4. Në dimrin e fillimit të viteve ‘80-të, pas një defekti teknik në vendgrumbullimin e ujërave të ardhura nga miniera e hekur-nikelit apo fabrika e pasurimit të mineralit, uji i përzier me mineral u derdh në liqen, duke e skuqur atë prej Gurit të Kuq deri në afërsi të lumit të Buçimasit, në largësi nga bregu që mund të ishte deri një kilometër.
  5. Liqeni gërryen bregun në anën verilindore dhe e mbush atë në anën jugperëndimore të tij. Në fundin e viteve ’70-të, të shekullit që sapo kaloi, u mbush gjiri i vogël midis dy hoteleve të atëhershëm të qytetit (Turizmit të Ri e të Vjetër). Kur u ndërtua, në mesin e kësaj mbushjeje, thellësia e ujit ishte mbi 1.5 metra. Tani liqeni e ka mbushur këtë pjesë e aty është formuar breg (kryesisht me mbeturinat që sjell lumi i qytetit që rryma nën ujore i zhvendos drejt Shën Naumit). Me të njëjtën logjikë mund të shpjegohet edhe ekzistenca e fushës së Buçimasit, nga mbushja mijëravjeçare, pasojë e kësaj mënyre të lëvizjes së ujit në liqen. Për më tepër, në Strugë, çdo vit hedhin rërë në breg të liqenit për të ndihmuar turizmin, rërë të cilën liqeni e merr gjatë stinës së dimrit (se në atë anë gërryen). Kur hapet ndonjë pus në zonën bregliqenore shqiptare, p.sh nga Udënishti në Tushemisht, pas njëfarë trashësie toke, del rërë që vazhdon deri thellë nën tokë, gjë që e kam vërejtur edhe unë gjatë një shpimi me sondë në oborrin e shtëpisë sime (rreth 10 metra mbi nivelin e liqenit), ku rëra nëntokësore filloi nga metri i tretë i shpimit, e deri 27 metra që u bë pusi doli vetëm rërë.

Të tjerë që i njohin gjërat më mirë se unë mund të përmendin shumë më tepër konstatime.

Kjo shpjegon më së miri faktin e rëndësishëm pse sot pjesa ranore e liqenit (nga Poradeci në Tushemisht) është më e ndotur dhe pjesa tjetër (nga Lini në Poradec) shumë herë më e pastër, dhe pastaj ndotja sipërfaqësore ndërpritet si me thikë në Shën Naum, sepse rryma nënujore i merr me vete ndotjet në thellësi. Po të pyesësh sot peshkatarët tushemishtarë, që peshkojnë me rrjeta në thellësi e pranë kufirit shtetëror me Maqedoninë, përballë Shën Naumit, të tregojnë se kanë nxjerrë e nxjerrin nga thellësia e liqenit objekte të ndryshme të hedhura rëndom përgjatë bregut tonë, madje edhe nga bashkëfshatarët e tyre tushemishtarë në lumin e këtij fshati.

Liqeni vetëpastrohet kur fryn veriu, duke nxjerrë në breg bimët e ndryshme që rriten në fundin e tij. Në disa pjesë që nuk i zë mirë veriu, vetëpastrimi është i pakët gjë që duket fare mirë në dy vende të bregliqenit tonë, para gadishullit të Linit dhe para se të shkosh në Gurin e Kuq, ku vetëpastrimi i pakët (për shkak të gjireve të vegjël natyrorë) ka bërë që në këto dy vende bimësia bregliqenore të jetë mjaft e shtuar e në fakt mjedisi përreth i ngjashëm me një moçalishte.

Këto i përmenda për të thënë se duhet të jemi tepër të kujdesshëm me ndërtimet në bregun e liqenit, e nga sa konstatohet me keqardhje, këto veçori natyrore të sipërtreguara, nuk janë marrë fare parasysh në ato ndërtime.

Ndërtimi i objekteve në bregun e liqenit, bie ndesh me ligjet natyrore të vetëpastrimit të tij, gjë që është mjaft e dukshme në të dy anët e objekteve të ndërtuara mbi liqen (tek urat në vendin e ish-Klubit të Gjahtarëve dhe në Plazh, para mbushjes midis Turizmit të Ri e të Vjetër etj).

Shembuj të tjerë ka plot. Shikojeni me vëmendje bregun e liqenit përgjatë vendeve ku janë ngritur lokalet në pjesën shkëmbore apo ranore të tij. Bregun e kanë betonuar për të përfituar sipërfaqe toke. Është bërë si modë ndërtimi i urave apo mbushjeve me inerte të çfarëdollojshme mbi liqen jo vetëm për tu përdorur si trampolina, por kryesisht si mjedise ku shërbehet si restorant apo si bar.

Në të gjitha këto vende, liqeni është i ndotur, janë shtuar shumë algat dhe sasira të mëdha llomi përplasen me bregun e betonuar e kthehen përsëri në liqen.

Unë shtroj pyetjen: këto lokale, ku i derdhin ujërat e bardha e të zeza? Me çfarë detergjentesh pastrohen enët e kuzhinës? Me siguri me ata me përmbajtje fosfori (faktori kryesor për shtimin e algave). A ju ka shkuar ndonjëherë nëpër mend pushuesve se kënaqen në ujin e liqenit të përzierë me mbeturinat e ushqimit dhe të jashtëqitjeve të tyre?

Kjo nuk do të thotë se unë jam kundër lokaleve dhe mjediseve çlodhëse në breg të liqenit. Përkundrazi! Por, unë jam kundër masakrimit të natyrës. Betonimi i brigjeve (tani së fundi, edhe përgjatë rrugës që po ndërtohet) nuk duhet lejuar, sepse është provuar botërisht që sjell më shumë dëme sesa të mira. Në rastin e liqenit të Poradecit është edhe kundër ligjeve të natyrës, sepse pengon lëvizjen natyrale të ujit në liqen, gjë që krahas ndotjes ka sjellë atë moçalizim që e shohim përditë.

Kur isha në shkollë të mesme më pati pëlqyer shumë një poezi e Zhaneta Shqepës për liqenin tonë, në dy vargje të së cilës thuhet:

                                    “… ku vala bregut kompozon,

                                    melodi me vargje të Lasgushit.”

…të tillë e përfytyroja atëherë bregun e liqenit, e dëshiroja të mbetej i tillë! Po a mund të kompozojë vala e bregut, kur përplasët mbi masive amorfe betoni? A mund të dremisë liqeri lasgushian kur ja heqim zallin vjeshtarak?

                                                            *  *  *

II. Bregut të liqenit po i marrin frymën!

  “Jo veprimet e gabuara të njerëzve të këqij, por heshtja e njerëzve të mirë është ajo që prish një komb”  (Martin Luter King)

 “Asfiksi” për liqenin do ta quaja murrin prej betoni që po ngrihet mbi bregun litoral të tij, si mur mbajtës për rrugën automobilistike në ndërtim e sipër.

Rreth 4 vjet më parë u përuruan punimet për rikonstruksionin e rrugës automobilistike nga Lini në Pogradec. Natyrisht çdo rikonstruksion rruge, a ndërtim i një rruge të re, duhet përshëndetur, se është gjithmonë për të mirën e vendit. Atëherë, u bë edhe një të themi “paraqitje e mënyrës se si do të ndërtohej projekti” deri në Gurin e Kuq (d.m.th pa projektidenë se si kjo rrugë do të lidhej me rrugët e Poradecit). U fol për shëtitore, si më e gjata në Ballkan etj, etj, shoqëruar me shumë propagandë. Kur sheh se si ky “projekt” po realizohet, pavarësisht ngadalësisë bezdisjellëse të punimeve, është shumë pak të thuash: rruga po bëhet me mënyrën më të mirë për të shkatërruar përfundimisht bregun e liqenit dhe turizmin përgjatë tij. Po mundohem të argumentoj për sa më sipër (pengimin që ajo mënyrë ndërtimi do të sjellë në vetëpastrimin e liqenit e shpjegova më sipër).

Kur isha nxënës në vitet e fundit të shkollës së mesme u ndërtua hekurudha Përrenjas-Guri i Kuq, për ndërtimin e së cilës u zgjodh projekti që është realizuar, d.m.th hekurudhë paralelisht me rrugën automobilistike në breg të liqenit. Më kanë thënë që midis projekteve të diskutuara ishte edhe një variant, sipas të cilit kjo hekurudhë, duke filluar nga Qukësi, të merrte djathtas në anë të Shkumbinit, duke u futur pastaj  në grykën e Homezhit, e më në fund një tunel (i gjatë po aq sa ai i Qafë Thanës) do ta nxirrte pikërisht mbi Hudënisht, fare pranë Gurit të Kuq. Nuk di të them pse nuk u miratua ai projekt, veç po të ishte bërë do të ishte projekti më largpamës për ta ruajtur bregun e liqenit për turizëm.

Këto vitet e fundit është folur shumë për Turizmin, si dhe për faktin që Shqipëria do ta ketë kurdoherë përparësi atë. Edhe Europa, ku duam të integrohemi, ka përcaktuar që vendi ynë mund ti ofrojë asaj dy gjëra: 1. Turizëm 2. Ujë të pijshëm. Të dyja këto Perëndia ia ka dhënë me bollëk shqiptarit, por duhet t’i kishte dhënë më shumë dashuri e dhembshuri për vendin e vet.

Kur një zonë e terrenit mendohet se do të shërbejë për turizëm, atëherë çdo gjë që do të  ndërtohet aty përgjatë viteve (me projekte të mirë studiuara, natyrisht nga instancat përgjegjëse shtetërore, të cilat të zbatohen me përpikëri), duhet të jetë tërësisht në shërbim të kësaj logjike.

Nuk është e nevojshme të jesh inxhinier ndërtimi e projektimi rrugësh për ta kuptuar që varianti më i mirë për rrugën Qafë Thanë – Pogradec do të ishte varianti në mes të kodrave e pak mbi zonat e banuara duke lënë të lirë bregun e liqenit, e nga kjo rrugë (që do të ishte gjithashtu mjaft piktoreske) të kishte dalje anësore në të dy drejtimet për tu lidhur me objektet turistike afër bregut dhe me zonat e banuara (në të gjitha bregdetet e bregliqenet europianë është ndërtuar vetëm në këtë mënyrë). Ruajtja e këtij niveli do të bënte që edhe hyrja në qytetin e Poradecit të bëhej nga prapa Kalasë së qytetit (tek lumi i Tërhanit) e duke çarë (apo me një tunel të vogël) lartësinë që pogradecarët i thërrasin “Guriçka”, të kalonte mbi qytet, për t’u bashkuar në fshatin Vërdovë, me rrugën e miratuar për ndërtim Qukës – Qafë-Plloçë. Kjo do të ishte mbase mënyra e vetme që rrugët e qytetit të liroheshin nga trafiku i madh i automjeteve në brendësi të tij, që nuk arriti kurrë ti zgjidhë e ashtuquajtura unazë gjysmake e qytetit. Për më tepër, kjo e fundit është mbushur me ndërtime informale, mjerisht të legalizuara nga subjekti i pakuptimtë, i quajtur ALUIZNI.  Me mënyrën si po ndërtohet rruga automobilistike në bregun e liqenit, pogradecarëve u hiqet njëherë e përgjithmonë mundësia për zhvillim turistik bregliqenor për kilometra të tëra (më shumë se gjysma e gjithë gjatësisë së kësaj rruge).

Kur i sheh e risheh të gjitha këto, njeriu vetvetiu i bën pyetje vetes: a kanë mbetur në këtë vend njerëz të zotë, me personalitet e me karakter që të argumentojnë profesionalisht ç’duhet bërë në realitet, p.sh. në një zonë të mrekullueshme si bregu i liqenit të Poradecit? A kanë mbetur vallë të tillë në Ministritë e Turizmit e të Mjedisit? Po edhe po të ketë, a i ka pyetur e u ka marrë kush mendim?

Gjyshja më pat treguar se në Pogradec, në kohën e Turqisë, për të parët e vendit, që i bënin gjërat ashtu si donin, pa pyetur askënd, populli thoshte:

Vetë qefali, vetë mardallos,

Vetë shkruaj, vetë vulos,

Kush të thotë se mos”.

Veç, nuk duhet harruar se sot jetojmë në sistemin, që kemi qejf ta quajmë demokraci, parimet e së cilës janë shumë larg këtij realiteti e kësaj mënyre të menduari. Me që ra fjala, kur këto dy institucione nuk merren me ruajtjen dhe zhvillimin turistik të një perle të natyrës si liqeni i Poradecit (kur për ironi thuhet se do të futet në trashëgiminë e ruajtjes së UNESKO, etj), me ç’farë merren? Për propagandë flitet papushim kundër betonizimit të brigjeve, ndërsa në realitet …, ejani në Pogradec e shikoni vetë ç’po i bëjnë bregut të liqenit! Mendoj se për to, është fare e tepërt të përmend, që për ndërtimet në brigjet e një liqeni duhet të merren parasysh normat hidroteknike e hidrosanitare, veçoritë e pastrimit e vetëpastrimit të bregut, veçoritë e shumëzimit të peshqve (veçanërisht atyre endemikë), ndikimi në florën dhe faunën e rajonit, etj., etj. Kujt i shkon ndërmend për këto?

Përkundrazi, realiteti i tanishëm të kujton kohën e shkuar. Në verën e vitit 1980, bashkë me babanë, patëm rastin të shihnim te RAI 1 (ky televizion shihej atëherë në Pogradec në kohën kur E. Hoxha vinte aty me pushime), një emision me titullin “Dopo Tito” . Nga ai emision më ka mbetur në mendje një pyetje, të cilën një gazetar italian i kishte bërë Titos, gjatë një interviste me të në Brioni (vend i rezidencës së tij në Istria), 2-3 vjet para vdekjes.

A mendoni se ka ndryshime midis socializmit që ju po ndërtoni, me socializmin e vendeve të tjera të Lindjes ?”, – e pyeti gazetari.

Socializmi ynë, – u përgjigj Tito, ndryshon shumë nga socializmi i vendeve të tjera, dhe ndryshimi më i rëndësishëm është se ne nuk ndërtojmë për propagandë”.

Nuk ka rëndësi në kishte apo jo të drejtë Tito, por kjo shprehje më është ngulitur në kokë që atëherë, teksa mendoj që këtu në vendin tone, ka mbi 60 vjet që ndërtohet vetëm për propagandë, e me sa duket, kjo logjikë, atavizëm nga periudha e socializmit, do të vazhdojë gjatë.

Një prej karakteristikave kryesore të socializmit është mungesa e cilësisë së punës”,- më pat thënë dikur Zef Rakacolli, intelektual i shquar e njeriu i afërt i familjes. E këtë mjerisht e sheh kudo, jo vetëm në periudhën që shkoi, por fatkeqësisht më shumë sot, e një nga shembujt më tipikë të kësaj gjëje, është rruga që po ndërtohet në breg të liqenit, rrugë që varros shpresën për turizëm në pjesën më të bukur të tij. E më në fund, kur do të kujtohen të flasin drejtësisht e denjësisht bashkëqytetarët e mi pogradecarë, apo kur murri monstruoz prej betoni tu vijë deri te dera e shtëpisë, duke ua prishur përfundimisht plazhin e preferuar të tyre te “Fortesat”, apo do të mjaftohen duke përsëritur dhimbshëm atë që Lasgushi i pati shkruar Dr. Jani Bashos në tetor të vitit 1929: “Ky është Atdheu jonë i dhembshur!?”.

  *   *   *

Që gjërat të bëhen serioze në drejtim të mbarëvajtjes së mirë të punës në bregun e liqenit e atë në tërësi, mendoj se duhet që çdo gjë që lidhet me liqenin të administrohet nga një dorë e vetme, pavarësisht emrit që do të kishte, me qendër në Pogradec, e me këshill vendimmarrës të përbërë nga njerëzit më të zgjuar e më të përgjegjshëm të zonës, jashtë çdo ndikimi partiak, e cila të të merrej dhe të miratonte të gjitha normat ndërtimore, hidroteknike, higjienike, të peshkimit etj., pra, një strukturë shtetërore dhe qytetare që të drejtonte, koordinonte dhe miratonte punën e të gjitha njësive të tjera që merren me liqenin.

Duke mbyllur këto rreshta mendoj se e kam për detyrë të konstatoj e të them se intelektualët dhe opinioni mbarëqytetar pogradecar, dhe jo vetëm pogradecar, duhet të jenë aktivë e të luajnë rolin e tyre në mbarëvajtjen e liqenit dhe zhvillimin pozitiv të qytetit. Shoqatat dhe grupet e ndryshme intelektuale e qytetare mund dhe duhet të bëjnë shumë. Në vendet e zhvilluara, roli i këtyre grupimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm e në fakt, janë ato që vendosin në shumë drejtime në qytetet e tyre. Sepse për çdo njeri, kushdo qoftë, e kudo që të jetë, qyteti i lindjes është i pazëvendësueshëm e i patjetërsueshëm. Ndaj, jo më kot, anglezi George Moore ka thënë: “Njeriu vete nga vete për të gjetur atë që kërkon dhe më në fund e gjen në vendin e tij”