Ismail Islamaj/ Për Asllanin tim!

137
Është një kënaqësi e veçantë kur njeriut i bie rasti në jetën e tij të takojë individ me virtyte të kompletuara, të cilët i duhen shoqërisë njerëzore. Kështu më ndodhi edhe mua kur njoha të nderuarin Asllan Musai. Ishte shtatori i vitit 1973 dhe shumë djem e vajza, burra dhe gra, të martuar e me fëmijë, studionin ideologjinë M-L për të mbajtur në këmbë regjimin monist që na drejtonte. Ishim në grupin e dytë, por nuk njiheshim me asnjë, por në ditët në vijim prezantoheshim dhe secili sipas natyrës së vet, bënte “zgjedhjen” e pranueshme edhe me nivelin kulturor, por edhe krahinor, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Asllani m’u afrua dhe pasi bëmë njohje të hollësishme, përfytyrova se do të bëhemi miq të ngushtë së bashku. Asllani ishte në bankën, rreshti i parafundit, sepse kishte ardhur para meje, kurse unë në bankën e parë. Megjithëse unë dhe Asllani kishim gjendje sociale të ndryshme, unë vija nga radhët e oficerëve të ushtrisë, Asllani nga klasa punëtore e Uzinës Ushtarake të Poliçanit. Por të dy ne kishim një të përbashkët, origjinën. Asllani ishte nga fshati Vëndreshë, Skrapar, unë nga fshati Kremenar-Mallakastër. Të dyja këto krahina kanë karakteristika të përbashkëta, jo vetëm në histori, por më kryesorja është mikpritja, e cila përmban dashurinë, respektin e të tjera. Këto virtyte na afruan më shumë me njëri-tjetrin që na çuan në miqësi, edhe pas mbarimit të shkollës. Për dy vjet, ne fjetëm në një dhomë me Asllanin. Vitin e parë ishim 5-6 vetë bashkë, ndërsa në vitin e dytë tre veta, me Kasëm Kapastra nga Shkodra. Meqenëse Kasëmi ishte sekretar dhe ne të dy, anëtarë të Byrosë së Organizatës së Partisë (kishim dhe dy gra në byro), dhomën tonë, si me shaka, e quanim “dhoma e udhëheqjes së grupit”. E kishim bërë si ritual me Asllanin, pa mbaruar orari i studimit të pasdites, do të dilnim afër qendrës, pinim nga një gotë birrë dhe më pas hanim darkë. “Çohu o Malo, çohu”, më thoshte Asllani, “të freskojmë trutë”. Asllani ishte njeri i thjeshtë, shumë i komunikueshëm, gojëmbël me të gjithë, shakaxhi, por edhe i matur në trajtimin e problemeve, larg ekstremizmave. Më tepër anonte nga liberalizmi, si një shprehje demokracie. Miqësia po konsolidohej kur unë i ftova Kasëmin dhe Asllanin në shtëpi, në Fushë Krujë. Të nesërmen u ngjitëm në Krujë dhe vizituam Kalanë e Skënderbeut. Pas mbarimit të studimeve, mbanim lidhje me telefon. Shansi surprizë për karrierën në ngritje për Asllanin, në nëntor 1976, ndodhej në Tiranë, më telefonon, shkova dhe e mora me makinë dhe kjo qe darka e dytë në shtëpinë time në Tiranë. Ai shoqërohej nga Syrja Dosti. Kur u vendos me punë dhe familje në Tiranë, ne vazhduam vizita të ndërsjella, por kjo nuk do të shkonte më tej. Jeta e Asllanit u ndal në moshën më të bukur 42-vjeçare. Më bëhet shumë qejfi që fëmijët e tij po ecin në jetë. Kjo i dedikohet nënës së tyre, Sadijes, e cila e zbatoi mirë amanetin e Asllanit.