Ing Qerim Ismeni:Tirana është në kufirin kritik që të quhet e pa banueshme nga ndërtimet

685
Sigal

Intervista/ Flet Ing Qerim Ismeni- Kryetar i Shoqatës Mjedisore “Për një Zhvillim të Qëndrueshëm e Racional” 

Problemi i gjelbërimit në kryeqytetin tonë është shumë problematik. Ndërtimi i shumë objekteve në qendër të Tiranës më shumë se 25 kate, ku janë dëmtuar hapësirat e gjelbërta ka sjellë shqetësimin e ambientalistëve, të cilët këto ndërtime i kanë quajtur dënimin më të rëndë që i është bërë kryeqytetit tonë. Leja e dhënë së fundi për ndërtimin e një xhamie në sheshin e Namazgjazë, ku u prenë rreth 22 pisha 80-vjeçare, është skandali i radhës i Bashkisë që ka irrituar ambientalistët, pasi leja e ndërtimit është dhënë pa kaluar disa procedura të detyrueshme për ndërtime në vende të tilla me gjelbërim

 Çfarë politike ka ndjekur shteti  për mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta në Tiranë kur është rritur numri i banorëve, çfarë ka sjellë kjo rritje e popullsisë dhe si i vlerësoni ato?

Rritja e dendësisë (nr. të banorëve për njësi  sipërfaqe) është problem kryesor i qytetit të Tiranës si dhe i disa qyteteve të tjera të vendit. Kjo rritje e dendësisë vjen për disa shkaqe:

1. Neglizhencë në kërkesat për standarde  në projektim si rezultat i presioneve korruptive të individëve dhe të biznesit të ndërtimit.

2. Bizneset e ndërtimit dhe individët kërkojnë të maksimalizojnë fitimet duke përdorur kapacitetet ekzistuese infrastrukturore.

3. Paaftësia e drejtuesve të mandatuar për të rezistuar presionit korruptiv të biznesit dhe individëve që shpërfillin rregullat (normativat) urbanistike.

Politikat e gabuara qendrore në drejtim të decentralizimit gjë që ka reflektuar shpesh në vendimmarrjet në nivele të ndryshme të hierarkisë shtetërore, të cilat kanë qenë në kundërshtim me standardet shkencore të urbanistikës për të mos thënë edhe me legjislacionin në fushën e urbanistikës! Të mandatuarit tanë marrin mandatin me be e rrufe (premtime) për t’i shërbyer qytetarëve dhe sapo e përfitojnë atë, mendojnë të ngrenë Lavdinë (me fal Pasurinë) e tyre mbi mjerimin e të tjerëve.

5. Mungesa e kulturës së nevojshme të vendimmarrësve për të vlerësuar fjalën “gjelbërim” në qytete, duke e quajtur atë luks (salltanet).

6. Ligjërimi  i ndërtimeve të pa ligjshme,  LEGALIZIMI  në çdo 2 apo 4 vjet, sa herë kemi zgjedhje elektorale (shyqyr që jemi popull i urtë politikisht, se po të ishim si disa popuj të tjerë, që kanë  bërë  Zgjedhje çdo vit, kush e di se çdo ishte bërë) Kjo praktikë ka bërë që jo vetëm të humbasim sipërfaqet e gjelbërta në qytete, por deri diku shumë shqiptarë të humbin shpresën se do të bëhemi ndonjëherë shtet. Politikanët tanë më së shumti gjatë këtyre 23 viteve tranzicion me veprimet e mosveprimet e tyre, kanë ngatërruar sistemin Ekonomiko shoqëror me SHTETIN. Pikërisht këto janë në vija të trasha disa nga shkaqet e pakësimit të hapësirave të gjelbërta dhe “bukosjes”  në qytete  me pasojë rëndimin e mjedisit (vështirësimi i kushteve të jetesës). Unë në Forumin “për mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta të Tiranës”  të mbledhur para disa ditësh mes argumenteve të tjerë thashë se  numri i njerëzve të sëmurë në Tiranë nga sëmundjet me shkaktar mjedisin urban të rënduar –si  Asthma, kanceri etj, janë 5- fishuar në raport me vitin 1989, në një kohë që në qytetin e Tiranës nuk kemi ndonjë TEC-që djeg qindra ton qymyr guri në ditë, apo ndonjë objekt  tjetër të industrisë së rëndë që  emërton miliona metro kub gaz/vit.

Cili është impakti në shëndet për mungesën e këtyre hapësirave të gjelbërta në Tiranë?

Qyteti i Tiranës shtrihet në një sipërfaqe prej 31 km katror dhe ka një popullsi afër 726000 banorë (2009), ndodhet në një lartësi mbi nivelin e detit 110 metër dhe karakterizohet nga një klimë mesdhetare, me dimër të butë, por me një numër të vogël  ~ 10 deri 15 ditë me erë në drejtimin veri-jug si dhe me një nr. ditësh relativisht të madh afër 70 deri në 90 ditë me presion atmosferik të ulët, si dhe me 60 deri në 70 ditë me lagështi relative të ajrit mbi normalen-që është ~60%. U përqendrova tek këto tregues, të cilët në kushtet e ndotjes së ajrit -impakti në shëndet është i lartë. Pra mungesa e korrenteve të ajrit, presioni i ulët atmosferik si dhe lagështira relative e ajrit mbi normalen faktor që nuk varen nga ne (njeriu), por që minimizohen efektet negative të tyre me disiplinë të rreptë në administrim territori, duke hapur korridore ajri atje ku mungojnë,duke mos lejuar “Çibane” bashkëngjitur pallateve të banimit si dhe duke mos cenuar as edhe një metër sipërfaqe të gjelbërt të trashëguar nga paraardhësit. Tirana është dyfishuar në këto 23 vjet nga 350 000 në 726 000 në 2009, në pothuajse shumë pak hapësira të reja, por vetëm në hapësirat e quajtura “boshe”, që në fakt nuk ishin boshe, por hapësira të gjelbërta e kënde lojrash.  Aktualisht, gjelbërimi në Tiranë është 2.7 metër katrorë për banorë, kundrejt 7 metër katrorë në vitin 1989, por dhe kjo shifër është e dyshimtë . Ndërkohë po japim sipërfaqen e gjelbërt për frymë në disa qytete të Evropës sa më poshtë: Budapesti  9.9 metër katrorë për fryme, qytetet e Bashkimit Evropian në mesatare 12 metër katrorë për frymë, Brukseli – kryeqyteti i BE, 27 metër katrorë, Hamburgu  në Gjermani 34 metër katrorë për frymë. Vlen të theksohet se Budapesti me sipërfaqe të gjelbër  4 herë më shumë se Tirana përshkohet nga lumi i Danubit  mes për mes, që krahas freskisë që jep uji, shërben edhe si korridor ventilimi, po kështu Hamburgu, megjithëse është qytet-port ku numri i ditëve me erë është shumë i lartë, ka sipërfaqe të gjelbërt 13 herë më shumë se Tirana. Shtrohet pyetja, pse Tirana u mbipopullua, pse u zunë hapësirat e gjelbërta mes pallateve, të trashëguara nga sistemi i kaluar, me kaq lehtësi, pse akoma edhe ato pak hapësira të mbetura duhet të betonizohen!? A thua vërtetë  këta qeveritarë kanë menduar për qytetarët (popullin), apo e thënë copë – ngrenë lavdinë (me fal pasurinë) e tyre mbi mjerimin e të tjerëve. A nuk u mjaftuan me faktin se sipërfaqet e gjelbërta, nga 7 metër katrorë për frymë në vitin 1990, sot është 2.7 metër katrorë për frymë kur në mesataren e BE është 12 metër katrorë e luftohet për ta rritur edhe më tepër. Dua të theksoj, se Tirana është në kufirin kritik që të quhet e pa banueshme nga ndërtimet (Çibanët) me leje apo pa leje që legalizohen në zgjedhjet elektorale të radhës. Banorët e Tiranës nuk po ngopen me ajër (oksigjen), ngaqë ajri i ndotur nga aktiviteti njerëzor në mungesë të korrenteve ajrore nuk lëviz, nga lagështia relative e ajrit mbi normalen gjatë gjithë stinës së dimrit, nga temperaturë ekstreme me 5 – 7 gradë celsius mbi ato që shënon stacioni meteorologjik në verë si rezultat i nxehtësisë së akumuluar nga sipërfaqet beton- xham- asfalt dhe askund bimë – gjelbërim që të absorbojnë gazin karbonik, të çlirojnë oksigjen dhe të freskojnë ambientin.

Po kush ndihet më fajtor në këtë masakër mjedisore?

Sa më sipër, nqs i referohemi teorisë së hierarkisë të nevojave sipas sociologut Maslow, i cili ndërton një piramidë me 5 nivele, ku niveli parë përmbledh nevojat biologjike, ose nevojat minimale për mbijetesë ku renditen ajri, uji, gjumi, ushqimi etj. Në këtë këndvështrim mund të them se autoritetet përgjegjëse për administrimin e territorit si dhe ligjvënësit (deputetët) me veprimet e mos veprimet e tyre na mohojnë të drejtat minimale për ekzistencë duke na keqësuar mjedisin. Në mungesë të hapësirave të gjelbërta, duke dendësuar banimin, duke lejuar çibanët në faqen e dritës të pallateve na privohet e drejta për ajër më të pastër, e drejta për gjumë të qetë nga që është pijetorja, apo vendet e bixhozit ne një mur tek tulle në mes (na rroftë ligji për ndalimin e zhurmave), na privohet e drejta për ujë të pastër sepse ndërtimi i egër me leje jashtë kritereve urbane, apo pa leje që legalizohet kur të bëhen zgjedhjet e radhës është bërë mbi kolektorin e ujërave të zeza duke ndërhyrë edhe në rrjetin e ujësjellësit me pasojë rriskim mbi cilësinë e ujit.

Si mund të përballemi me këto shkatërrime?

Është për  t’u përshëndetur aksioni i marrë nga drejtori i urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, z.Florenc Hoxha,  para disa ditësh për çlirimin e hapësirave publike të zëna, por aksioni kërkon mbështetje nga të gjitha nivelet e piramidës shtetërore dhe mediat. Shpresoj dhe dëshiroj që ky aksion të përfshihet në historikun e zhvillimit urban të Tiranës dhe të jetë shembull për të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Cilat janë kërkesat e forumit të shoqatave ambientaliste për ruajtjen e hapësirave të gjelbra?

Sa më sipër, unë dhe të gjithë pjesëmarrësit e mbledhur në forumin “për mbrojtje e hapësirave publike dhe të gjelbërta të Tiranës” kërkojmë nga kryetari i bashkisë Tiranë anulimin e vendimit (lejes) për tjetërsimin e hapësirës së gjelbërt pranë Parlamentit (lulishtja e Namazgjasë) për llogari të ndërtimit të 2 kullave biznesi dhe xhamisë së përdorur si kamuflazh për 2 kullat. Kjo kërkesë mbështetet në sa argumentova më lart si dhe për arsyet juridike sa më poshtë.

1. Në planin rregullues të Tiranës të miratuar në mbledhjen e këshillit bashkiak, dt. 15. 02. 2013 thuhet se nuk është përfshirë tjetërsimi i lulishtes pranë parlamentit.

Shtroj pyetjen- A nuk mjafton fakti që është ndërtuar Kisha Ortodokse midis 3 Ministrive (Min.Mbrojtjes, Bujqësisë dhe asaj të Ekonomisë) e ashtuquajtura qendra Historike e Tiranës dhe se për karshillëk, tani duhet dhënë leje për 2 kulla biznesi nën kamuflazhin e xhamisë? Sipas mendimit tim as Kisha Ortodokse e as 2 kullat dhe xhamia nuk duhet të ndërtohen dhe se firmëtarët e lejes së ndërtimit të kishës duhet të mbajnë përgjegjësi si dhe duhet të futen në listën e zezë të pushtetarëve që kanë bërë dëm të pakorrigjueshëm në mjedisin ambiental e historik të Tiranës. Në të njëjtën kohë, i kërkoj kryetarit të Bashkisë Tiranë, të anulojë vendimin për tjetërsimin e lulishtes pranë parlamentit për këto arsye: së pari, as 2 kullat e as xhamia nuk janë të përfshira në planin rregullues të Tiranës të miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dt. 15.02.2013.; së dyti, Tirana është e bukosur (pa frymëmarrje) dhe se sipërfaqja e kësaj lulishteje është shumë pak nga sa i takon këtij komuniteti, prandaj mos e pakësoni më tepër. Së treti, për objekte në hapësira publike si lulishte, sheshe, etj., askush nuk mund t’i tjetërsojë pa pyetur komunitetin siç është vepruar,  sepse Shqipëria është palë nënshkruese në Konventën Ndërkombëtare të Aarhusit qysh më 25 qershor 1998, Konventë e ratifikuar nga Parlamenti Shqipërisë me Ligjin nr 8672 datë 26.10.2000. Kjo Konventë ka hyrë në fuqi me 30 tetor të 2001. Pra kemi 12 vjet që ne duhet ta zbatojmë atë. Konventa qëndron në majën e piramidës Juridike. Në këtë kontekst edhe sikur të jetë përfshirë në planin rregullues të Tiranës dhe miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, zënia e kësaj hapësire të gjelbërt pa marrë mendimin e komunitetit, neni 3 i kësaj Konvente, kjo leje nuk ka vlerë.

Numri i njerëzve të sëmurë për shkaqe ambientale në Tiranë është 5- fishuar, gjithashtu edhe numri i vdekjeve për shkaqe ambientale është rritur. Sipas ekspertit të njohur të Institutit të Shëndetit Publik Agron Deliu, çdo qytetari të Tiranës për shkaqe ambientale i është ulur jetëgjatësia 2- 3 vjet. Sa më sipër edhe një herë ju bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndalojnë zënien qoftë edhe të një metri katror sipërfaqe publike, apo të gjelbërta, sepse hapësirat e gjelbërta në qytete nuk janë luks, por nevoja biologjike.

Evropa lufton për të rritur sipërfaqet e gjelbërta për t’ju përgjigjur ndryshimeve klimatike globale, ndërsa ne deri më tani kemi ecur në drejtimin e kundërt.