Ilir Bezhani:Dramaturgjia është nëna e teatrit, regjia babai i spektaklit

1071
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktori, regjisori dhe autori i komedive Ilir Bezhani: Njeriu që bën më shumë  humor është më seriozi

 Autor, regjisor, aktor. Një trio që ai  po e vazhdon me të njëjtin pasion qysh në kohën kur doli nga auditorët e Akademisë së Arteve. Mund të themi se në të tre këta profesione, ai i ka ngjitur shkallët me kujdes, për të mos u dhënë kurrë pas sasisë, por pas cilësisë. Disa komedi të tij janë përkthyer në gjuhën franceze dhe ai ka krijuar jo pak, por rreth 30 të tilla. Në skenë dy nga rolet e tij Rrushka tek komedia “Shoku Niqifor” dhe Sandri tek “Pallati 176” mbeten dy role të arrirë që koha sa më shumë ikën atë aq më shumë e afron me spektatorin. Sipas tij, Rushka, kjo figurë pati vështirësi teknike për tu luajtur sepse atëherë ishte një aktor i ri  dhe nuk arrinte dhe ta kuptonte mirë tragjikomizmin e figurës së Pëllumb Kullës, por Pëllumbi si regjisor interesant bëri të pamundurën për t’ja thjeshtësuar. Ne e dimë shumë mirë, se vetëm njerëzit qeshin dhe kafshët nuk e njohin këtë dhunti. Pra, duhet të jetë i vetmi instinkt që na çon drejt inteligjencës. Ose më mirë të themi njeriu që bën më shumë  humor është më seriozi, thekson Bezhani. Ndërsa roli i tij i Sandër Mafishes tek komedia “Pallati 176”, mbetet ndër rrolet më të arrirë, që sa më shumë e shikon, aq më shumë mendon se ky rol ka arritur perfeksionin në portretin e Ilir Bezhanit.

  -Autor komedish, aktor, regjisor ku e ndjeni veten më mirë. A ka lidhje mes këtyre tre profesioneve?

Në asnjërën, besoj ose përpiqem ta ndjej veten komod pasi arti ka lindur për të torturuar artistin ai është element që nuk mposhtet. Nëse dramaturgjinë do ta quanim nënën e teatrit, regjisurën nuk meriton ta quajmë babain e spektaklit.

Po fëmijët kush janë? Personazhet, domethënë aktorët. Këta të tre kundërshtarë që e urrejnë njëri-tjetrin, vetëm kur harmonizohen ekstremist (vëllazërohen) kemi bukurinë skenike që të tërë e adhurojmë.

-Sa drama dhe komedi ka krijuar Iliri dhe cilat janë vlerësimet për ta?

Mbi 30, vlerësimet e shkrimeve të mia nuk i njoh. Nga këto kam vënë në skenë mbi 15, të tëra komedi. Por veprat e mia nuk kanë pranuar kurrë të flasë sepse ato duhet të kenë gojë vetë. Në të kundërt do të bëjnë mirë të heshtin.

-Cila ka qenë drama ose komedia që ju ka nxjerrë më shumë telashe gjatë vënies në skenë si regjisor?

Për këtë duhen pyetur nënat a kanë a kanë rritur ato një fëmijë pa telashe. Unë s’besoj kë kanë dashur më shumë, besoj atë që është më sakatë.

-Si aktor ju keni dy role brilantë “Rrushka” dhe tek Sandri  “Pallati 176”. Pse keni spikatur në rolet komike?

Këtu meriton të përmendet ajo fraza steriotipe “dashuria e parë që për mua ishte Rrushka” tek komedia e Pëllumb Kullës “shoku Niqifor” nën këtë titull u luajt një komedi  që habiti tërë opinionin publik. Dhe ky spektakël me thjeshtësi dhe humor çarmatosësh detyroi një njeri skeptik si Aleksandër Baben të shkruajë një artikull që për nga thellësia i ngjan metaforave të Niçes. Kjo figurë pati vështirësi teknike për tu luajtur sepse unë isha aktor i ri  dhe nuk arrija dhe ta kuptoja mirë tragjikomizmin e figurës të Pëllumb Kullës, por ai si regjisor interesant bëri të pamundurën për të ma thjeshtësuar. Ne e dimë shumë mirë, se vetëm njerëzit qeshin dhe kafshët nuk e njohin këtë dhunti. Pra, duhet të jetë i vetmi instinkt që na çon drejt inteligjencës. Ose më mirë të themi njeriu që bën më shumë  humor është më seriozi.

-Cilët janë rolet që i keni peng dhe doni që t’i luani në skenë?

Njeriut pengjet nuk i ndahen deri sa të vdesë. Por kjo s’do të thotë se ai mund t’i realizojë  të gjitha. Vudi Alen thotë: “Megjithëse, doja të shkruaja romane  tragjike mua zoti më kishte lindur për të parë botën në mënyrë komike”. Pra, edhe atij që ishte i famshëm në botë, pengu s’ju nda.

-Çfarë mund të na thoni për kritikën teatrore. A është ajo profesioniste?

Në qoftë se artikujt nuk paguhen. Në qoftë se në shkollën e gazetarëve s’ka profil të veçantë për këtë gjë atëherë duhet t’i themi lamtumirë kritikës. Teatri është gjini e vështirë për t’u zbërthyer. Sot gazetarët që mbulojnë artin  bëjnë gabime aq infantile sa ne na vjen për të qeshur.

-Përse tentohet gjithmonë për të vënë në skenë drama apo komedi të autorëve të huaj?

I keni parë fshatarët kur duan të tregohen qytetarë të klasit të parë. Vishen me ekstravagancë aq qesharake sa bien në sy për kloun. Kështu ndodh edhe me këta pseudo-regjisorë që majën e kthejnë kokëposhtë. Çështja është tek zbërthimi në art i ADN- së së kombit pa këtë, nuk do të ketë kurrë teatër. Ne e mbajmë mend teatrin kombëtar vetëm për ty tre tituj (Prefekti, Karnavalet e Korçës, Hijet e natës, Pallati 176), të tjerët as kanë  hyrë kurrë në memorien e kombit. Snobët shpesh herë i përdorin si parashutë  kryeveprat e letërsisë botërore që t’i shpëtojë nga paaftësia e tyre.

-Ku e gjen më mirë veten Iliri në film apo në teatër?

Teatri është një profesion i vështirë dhe këtë rrugë e ndjekin vetëm ata që rrezikun e quajnë dëfrim.

-Kur e ke ndjerë veten më keq në  skenë dhe pse? Si keni  vepruar?

Kur roli ishte skematik dhe nuk i jepte dot jetë asnjë njeri. Si kam vepruar? E kam lënë turpin në shtëpi.

-Në regjimin komunist thuhet se kishte më shumë interes për teatrin.  A kanë ardhur ish- udhëheqësit në teatër dhe a kanë dhënë vlerësim?

Është e vështirë të them se po, por  interesi ishte shumë më i madh sepse lidhej me propagandën. Ata vinin shpesh për të verifikuar ndonjë gabim ideologjik, por në përgjithësi zhvillohej  anti-kulturë. Raporti me lirinë ishte në kuotën zero, atëherë si mund të flitej për krijimtari!

-Shkolla shqiptare e aktrimit a konkurron me ato europiane?

Ti lëmë europianët në punët e tyre se ata janë univers tjetër, s’besoj se i arrijmë dot. Por shkolla jonë e aktrimit është diçka me vlerë sepse teknikat e saj fillestare vijnë nga rusët (Stanislavski), i cili ka qenë pa diskutim një filozof dhe patriark i madh i teatrit botëror.

ESSE/ Qeshja buron nga zemra, pa ankthet e të priturave dhe të papriturave

 Filozofia e një roli-Rrushka dhe Ilir Bezhani

(Këtë vit komedia “Shoku Niqifor” mbush 30- vjetorin e shfaqjes. Një komedi që koha për çdo ditë i jep nota pozitive).

 Fillimisht le të gjejmë një gjuhë të përbashkët mbi konceptin e korrelacionit (lidhjes, marrëdhënies) së aktorit me rolin. Nuk është e rastit përgjigja e Lorenc Oliverit një adhuruesi të tij mbi interpretimin e Hamletit, i cili ndoshta edhe për kompliment, i tha se kishte lozur shumë bukur. Dhe Lorenci iu përgjigj: “Unë nuk loza por, isha dy orë Hamlet”.

të bëjmë pak humor; të jesh luan, nuk mjafton “veshja” e lëkurës së tij, sepse luani i vërtetë, si mbret i kafshëve, nuk dallohet vetëm nga lëkura por nga një mori të veçantash të trashëguara prej kodit gjenetik.  Të kthehemi në temë. Të jesh Hamleti, nuk mjafton “veshja”, e cila do të të japë të drejtën, ose më saktë, do të lejojë të hysh në atë mjedis aq patetik që është bota gjigande e ndërtuar nga dramaturgu Shekspir.  Do të vijë një moment kur do të të duhet të përballosh një “stuhi” mikrodramash, si të themi, një vargëzim dallgësh, të cilat prej teje do të vërshojnë në sallë, ku spektatori do hyjë në rezonancë me atë valëzim, do të përjetojë atë? Si mbret i kafshëve, nuk dallohet vetëm nga lëkura, por nga një mori të veçantash të trashëguara prej kodit gjenetik. Të kthehemi në temë. Të jesh Hamleti, nuk mjafton “veshja”, e cila do të japë të drejtën, ose, më saktë, do të lejojë të hysh në atë mjedis aq patetik që është bota gjigande e ndërtuar nga dramaturgu Shekspir.

Një moment do të të duhet të përballosh një “stuhi’ mikrodramash, si të themi, një vargëzim dallgësh, të cilat prej teje do të vërshojnë në sallë, ku spektatori do hyjë në rezonancë me atë valëzim, do të përjetojë atë realitet, tashmë subjektiv, jo objektiv.

Që të jetë sa më i vërtetë ky fenomen duhet, t’i “Hamleti”, në radhë të parë, të jesh i vërtetë. Aty është, ose më mirë fshihet, “çelësi magjik”, sinapi, nyja lidhëse e neuronit dhe dendritin.

 Aktori që duhet të bëhet Hamlet

Fillon e ngjizet procesi më i vështirë i aktorit në të cilën hyn ndihmesa e regjisorit; kush është Hamleti dhe aktori që duhet të bëhet Hamlet. Çfarë pikash të përbashkëta i lidh dhe çfarë i largon, në veçoritë dalluese.

Mjedisi është po ai. i përjetshëm. Sepse gjenia e Shekspirit e tejkalon shekullin e vet.

Ti, aktori, je “Hamleti i ri”, por, gjithmonë Hamleti. Atëherë, le të bëjmë një pyetje paradoksale: Si evoluuat, zoti “Hamlet i ri” deri në ditët tona, deri në shekullin tim; e kam fjalën tek unë – spektatori?

Që ta argumentosh këtë pyetje aq të thjeshtë në aparencë (në dukje të parë) nuk mjafton vetëm gnoseologjia, rezervati; fondi arkivial. Në këtë rast ndihmesë frutdhënëse jep vetëm filozofia. Dhe jo filozofia referente, domethënë prej nga mund të pozicionohet sepse, dashje pa dashje do të bjerë ne dogmatizëm. Në këtë rast vet aktori me simbiotikun regjisor, do të jenë filozofët që do të japin një “akord” të ri në “pentagramin” e mirënjohur të historisë së filozofisë.

Vetëm atëherë “heroi tragjik” do të jetë prej “mishi”, ndryshe do të mbesë në suazën e një marionete kartoni dhe apriori do të na imponohet neve, spektatorëve, të cilët një ditë do të largohemi për fare, duke i fshirë edhe nga kujtesa, duke e mohuar.

Kjo është akoma më e vështirë tek heroi komik ku, veç sa thamë, do drejtuar akrepi i “busullës” drejt asaj që quhet komike.

 Komikja është e paarsyeshme por, e vërtetë

Për shembull, është e paarsyeshme, një idiotizëm, të mendojmë se përbindëshat, apo heronjtë mitikë të situatave misteriozë, madje edhe vetë Dulqina e Tobozës, të ekzistojnë në shekullin e Don Kishotit. Megjithatë ato janë sepse i dëshiron Don Kishoti. Ato ekzistojnë jo më objektivisht, jo si objekte të gjalla që i percepton çdo organ i gjallë, i ndijon çdo organizëm i gjallë, por, ekzistojnë subjektivisht, sepse i dëshiron Don Kishoti, ose Don Kishotët. Dhe kur kjo dëshirë ka trajtat e domosdoshmërisë fillon tragjikomedia. Nuk na bën të qeshim heroi i Molierit, as ganja i “Idiotit” të Dostojevskit, as, heroi i Gogolit apo heroi komik i Çehovit, etj., deri tek Shvejku i ditëve tona, megjithatë, ne, spektatorët përjetojmë një situatë komike brenda së cilës është, rron, ai personalitet, d.m.th., me ato veçori psikologjike që duhen për të qenë  një hero komik. Dhe kur ky, “heroi komik” ka përmasa të mëdha që varen nga autori, dramaturgu dhe aktori, ne, spektatorët, përjetojmë një të vërtetë që ekziston, tashmë; objektivisht. Ja, ku e kemi para syve tona, në skenë, apo ekran, që vjen deri këtu, për të na dhënë një mesazh, pas së cilës, ndodh ajo që e thotë aq bukur Molieri: “Njeriu ndahet nga e kaluara e vet, duke qeshur”.

Që ta kuptojmë më mirë këtë le të bëjmë një retorikë hipotetike: Cili është moderni i vërtetë dhe cili është snobi. Kam mendimin se moderni është ai që çdo të re e ka ndërgjegjësuar, domethënë e ka integruar në ndërgjegjen e vet. Fjala vjen, tek kjo formë shpirtërore është mohuar me delirin i xhelozisë, (apo hakmarrja, racizmi etj.). Ndërsa tek snobi nuk ka ndodhur ky integrim. Tek ky i dyti, vetëm sa është pohuar dhe vetëgënjehet duke “humbur” edhe vetveten. Nuk di cili është. Kjo e tremb. E alarmon dhe e degjeneron deri në një “dikush” jo të vërtetë, të vërtetë. Atëherë ai imiton duke dëshpëruar në një skenë të stërmadhe, pa “busull”: Nuk ka retorikë hipotetike. Cili është moderni i vërtetë dhe cili është snobi. Kam mendimin se moderni është ai që çdo të re e ka ndërgjegjësuar, domethënë e ka integruar në ndërgjegjen e vet. Fjala vjen, tek kjo formë shpirtërore është mohuar me delirin e xhelozisë, (apo hakmarrja, racizmi etj.). Ndërsa tek snobi nuk ka ndodhur ky integrim. Tek ky i dyti vetëm sa është pohuar dhe vetëgënjehet duke “humbur” edhe vetveten. Nuk di cili është. Kjo e tremb. E alarmon dhe e degjeneron deri në një “dikush” jo të vërtetë, të vërtetë. Atëherë ai imiton në një skenë të stërmadhe, pa “busull”: Nuk ka besim në atë që bën, ose, thotë.

Momentin kur ndahet nga kjo gjendje, tallet me veten, qesh, sepse tashmë i përket një tjetre bashkësie, një tjetër integrali.

Fjala vjen; cili është tregtari i vërtetë i kohëve moderne dhe cili matrapazi i qëmotshëm, anakronik, i cili nuk njeh asnjë lig të kësaj shkence dhe mjaftohet vetëm me faktin; të ketë mall dhe treg për ta shitur këtë mall. Ose, gjendja e posedimit të asaj që nuk të takon…etj.. Në këto raste ka humbur “veten dhe nuk do, ose nuk di, cili gënjen, sepse është i gënjyer. Mashtron, sepse është i mashtruar. Dëshiron, sepse është i dhunuar. S’mund të qeshë. E qeshura është një zgërdhimë. Guimpleni. Një alotropi e ulërimës. Qeshja ngjan, por nuk është përqeshja. Qeshja buron nga zemra, pa ankthet e të priturave dhe të papriturave. Tashmë nuk loz një rol, por, jeton një realitet, përjeton. Gëzon në një botë të vërtetash, i paarsyeshëm.

 Rushka, baza e interpretimit

Tani më le të kthehemi tek Rushka që do të jetë baza e interpretimit. Thënë në një plan filozofik.

Fillimisht, mendoj se është e domosdoshme të njohim mjedisin, ku “merr frymë” kjo gjallesë. Si lindi dhe ç’të veçanta ka nga “gjallesat” e tjera të cilat, bashkërisht, thurin një ngjarje, d.m.th., ndërtojnë një subjekt inkluzivisht në llojin e komedisë.

Pra, është fjala, për “heroin komik” më të goditur, më të gjetur të komedisë së Pëllumb Kullës, “Shoku Niqifor” aq i suksesshëm në kohën e vet.

Vet subjekti është një “alotropi” e standardit “fabrikat” të periudhës diktatoriale, ku çdo gjë diktohej dhe aq më shumë arti. Djali i drejtorit, shokut Niqifor, dashuron me Valmirën, inxhinieren në një situatë kur ajo ka një mori kontradiktash, me të atin. Kontradikta jo antagoniste, që sot mund ta kuptojmë si kontradikta të llojit transit; sot janë, nesër nuk do të jenë. Një lloj snobizmi në art që koshienca e autorit të talentuar, Pëllumb Kullës e vuante por…

Talenti i autorit, paralel me këta heronj “parafabrikat” lindi dhe një ekspresion, rast të veçantë, që i dha komedisë një “fllad” rinor, Rushkën, i cili e shpërqendroi pikën gravitacionale të komikes duke përthithur vëmendjen e spektatorit.

Tashmë “rëndësia” nuk binte në “koordinatën” e projektuar të tërësisë kompozicionale, por diçka më larg kësaj qendre. Rrezikonte ekuilibrin. Në këto raste shpëtimtare është loja e aktorit, e cila duhet ta fshehë shkëlqimin e kësaj vlere për t’i dhënë precedencë “koordinatës” së projektuar në kompozicioni. Është, si të themi, një disk nuk do të vërtitet me ëndresën e vet por jashtë saj në një pikë tjetër, ekscentrike. Natyrisht ky disk do të shkatërrohet. Loja e aktorit, duhet të ndjekë “parimin e ajsbergut”. Ai që mund të shohë nën det do të njohë madhështinë e këtij masivi.

 Le të shohim një herë, kush është ky Rushka në komedi

Rushka, heroi komik i vërteti, na shfaqet si një lloj kontrapunkti, si një “anë tjetër e medaljes”. Ai dashuron, por nuk dashurohet nga Valmira. Një lloj Don Kishoti, ku Valmira është shndërruar në Dulqinë e Tobozës. Përballë saj ai është kalorësi, kavalieri, fisniku, poetik që gjendet mjerisht në mjedis prozaik. Spektatori, fillimisht do të qajë për të, (i mjeri Rushkë) siç qau admiruesi i Idiotit, Knjaz Mishkinit të Dostojevskit.

Rushka është një “bisk” delikat i brishtë që u ngrit mbiu në një mjedis të ashpër dhe ligjet e mbrojtjes së qenies e shndërruan në një lloj Don Kishoti, ku ndasia mes asaj që ekziston u zbeh, u mjegullua. Lindi “mirazhi”, ajo që është dhe nuk është kur ndijojmë një mirazh, dimë se diku është, por ku pikërisht, nuk mund të themi me përgjegjësi.

Ai, Rushka, pa dikur realitetin në trajta mirazhi që i dha forcë të përballojë atë “Vetmi Sahare”. Ndjeu se brishtësia e tij vetëm në ato trajta mund ta përballonte atë realitet shoqëror aq të ashpër dhe krijoi stereotipin Rushkë.

“Rrushka i ri” filloi të jetojë mes “mirazheve”, ku shihte atë që nuk ishte dhe në të njëjtën kohë ishte. Instinkti i vetëmbrojtjes së llojit krijoi një “sy” që shihte, perceptonte, ndryshe nga “sytë e tjera”. Në këtë gjendje u fut në mjedisin shoqëror dhe dha të veçantën e tipit, prototipin.

Tashmë “Hamleti komik” u gjend në jetë nga forca e talentit të autorit dhe u inkludua në subjektin e komedisë si pjesëz organike (jo elektrike) e atij subjekti.

Rushka, krahas bukurisë, të veçantës, në vepër solli edhe mesazhin filozofik. Spektatori pa përçudnimin e personalitetit në mjedisin diktatorial, ku duhej të shihnim atë që nuk ishte, do të mendonim ashtu si nuk duhej, etj.. Le të kujtojmë Lei Fenin, Heroin Socialist “modelin” e sjellë nga largësitë aziatike, ku vetësakrifikohet për pronën sociale, kuajt apo karron, nuk më kujtohet mirë, i cili dha “frytet” e veta edhe këtu. Ose klithmën patetike të autoriteteve, “shërbëtor i popullit” kur populli i shërbente atij në trajtat e një skllavi, etj..

Në këto kushte lindi Rushka, “Hamleti komik”. Don Kishoti modern ishte gati, kush do të bëhej “ai”?

Natyrisht, as që mund të mendojmë se regjisori me aftësi profesionale, nuk e zgjodhi aktorin e talentuar Ilir Bezhanin.