Hysen Çobani, simbol i shkencës dhe personalitet i agronomisë shqiptare

1443
Sigal

Njeriu që një jetë të tërë kërkoi vizione të reja në shkencën bujqësore

Ishte 21 shkurt i vitit 1991. Një ditë më parë ishte rrëzuar statuja e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Tirana ziente si vullkan. Turmat e irrituara dukeshin se ishin të pakënaqura me atë që kishte ngjarë dhe kërkonin shumë më tepër. Ndaj pasi u mblodhën në sheshin qendror të kryeqytetit, mësynë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u drejtuan për nga blloku, ku vazhdonin të jetonin ish-udhëheqësit komunistë të kohës. Mirëpo, blloku dhe jo vetëm blloku ishin të blinduar. Tanket kishin dallë në rrugë dhe garda e kishte gishtin në këmbëz. Tek ura e Lanës, karshi hotel “Dajtit” turma u ndalua nga ushtarët e armatosur. Nga momenti në moment mund të niste një gjakderdhje e paparë. Mund të vriteshin kushedi sa njerëz të pafajshëm dhe ngjarjet e Rumanisë mund të përsëriteshin fare lehtë në Tiranë. Pikërisht në këtë moment, mbi turmat u ngrit figura vigane e Hysen Çobanit. Me një megafon në dorë ai iu drejtua qytetarëve të Tiranës të zmbrapseshin dhe të mos sulmonin. Nuk duhet të derdhim gjakun tonë të pafajshëm, i tha ai turmës së përndezur. Dhe fjala e tij ngjiti. Në krah të tij ishte Neritan Ceka, i cili përcolli të njëjtin mesazh. Dhe turma e dëgjoi fjalën e tyre. U qetësua. Ja kështu e shmangu gjakderdhjen intelektuali i shquar Hysen Çobani.

***

Ky njeri të bën për vete që në paraqitjen e parë. Syri si ndjesia e parë e pranon si shumë të vlerësuar. Duke ditur se formimi i parë fillon që në familje dhe më tej me rrethin shoqëror të arsimimit dhe të punës, nga kjo kornizë zor se doli dhe Hyseni. Ai që i ri donte dhe çmonte si dajë dhe më vonë si mik e koleg mendimtarin dhe mjeshtrin e pemëve frutore e bimëve dekorative të madhin Abedin Çiçi. Hyseni  e pa këtë njeri të veçantë, me flokë të gjata, përjashtim për kohën, si idhullin e tij më të madh dhe më të dashur, i cili shpaloste dije për frutat e lulet, si baza e jetës së njeriut. Duke parë interesin e nipçes Abedini filloi ta merrte me vete kur shkonte për vizita pune në familje me kopshte private dhe më vonë edhe në fidanishten e ngritur prej tij në Laprakë. Kaq është dashur që djali i ri të hynte, të mendonte dhe ëndërronte për botën bimore aq e lidhur dhe e rëndësishme për njeriun, duke arritur të bëhet një nga specialistët më të njohur të bujqësisë shqiptare. Në të gjitha punët ku ka qenë duket se Hyseni ka qenë me fat. Por thuhet se dhe fatit i duhet bërë “hyzmeti”që të jetë me ty dhe në ndihmën tënde. Pra fillimi i punës në një institucion shkencor është vlerësuar edhe si fat, sepse jo të gjithë ata me rezultate të shkëlqyera e preknin atë. Hyseni në dallim këtë mundësi e shndërroi në thellim të njohurive të marra në formimin si agronom. Njohurit dhe dijet ishin pa fund, por ato që të merrnin vlera prodhimi e cilësie duhet t’u nënshtroheshin disa ligjeve  dhe rregullave që Hyseni i zbatonte me rigorozitet shkencor. Për pesë vjet ajo punë e përditshme me shumë të njohura e të panjohura e plotësuan Hysenin në rritje të dijeve, të besimit dhe përballjeve me burrëri dhe sukses të të gjitha problemeve që i dolën përpara në jetën reale të prodhimit. Hyseni tani e ndjente se ishte një specialist i ri me njohuri dhe kulturën e duhur që asnjëherë nuk mendonte se dikush i ka ruajtur apo jo një vend nën diell, sepse brenda tij kishte energji që asgjë për të nuk ishte e paarritshme dhe pa kuptuar rriste e forconte vetëdijen krenare për veten. Nga puna studimore në institut kishte krijuar bindjen se rezervat e prodhimit të misrit ishin në disa herë se rendimenti që merrej në sipërfaqet e mbjella në Cakran ku varka e tij do të përballet me dallgët e këtij oazi  prodhimi. E thëna duhej bërë. Këtë objektiv Hyseni me një grup shkencëtarësh e kishte arritur në Institutin e Lushnjës duke prodhuar në parcela eksperimentale jo pak, po 103 kw/ha. E veçanta e Hysenit ishte se, “armatosja” me dije e njohuri agronomiko-shkencore ishte e efektshme fal dhe oratorisë që ai zotëronte dhe transmetonte tek bashkëpunëtorët dhe punonjësit e thjeshtë. Teknikat e reja të ujitjes e kullimit u bënë shpejt pronë e punonjësve. Besimi i krijuar bëri që cakranjotët ta ndiqnin edhe për teknika të reja që atyre në pamjen e parë u dukeshin të pa pranueshme. Kështu ullinjtë shekullorë, jo pak, por 60 mijë rrënjë, pothuajse në degradim e sipër kërkonin ndërhyrje të cilën ai pasi e studioi e u bind, ia shtroi për zgjidhje bashkëdrejtuesve dhe vetë punonjësve, se, me riformimin e tyre me krasitje të rëndë, do të arrinin stabilizim të prodhimit. Njohje. Bindje. Veprim dhe rezultat. Theksojmë se ajo nuk qe kaq e thjeshtë sa sipër, sepse re të zeza erdhën nga lartë. Instanca dhe persona të pushtetshëm iu kundërvunë duke kërkuar dhe vënë para përgjegjësisë penale. Por argumentimi dhe këmbëngulja e Hysenit i detyroi t’i linin kohë në pritje se çfarë do të ndodhte. Koha i dha të drejtë shkencëtarit. Besimi dhe lufta për të renë edhe më vonë e kanë vënë Hysenin në situata te tilla, situata gjithmonë të fituara me prestigj nga ai. Një specialist i formatit si Hyseni mund të ishte i suksesshëm në ekonomi me veçanti ndodhje, lartësie, larmi tokash në përbërje dhe relieve me kultura mozaikë dhe destinacione të ndryshme. Një nga ato ishte dhe ndërmarrja bujqësore “Gjergj Dimitrov”, ku Hyseni si të reja solli kultivimin e hardhisë në spalier, konceptin e ri  të krasitjes së pjeshkës dhe objektivi madhor, të realizonte në sipërfaqe të gjerë marrjen e 100 kw misër për hektar. Në vitin 1970 do përballej me terrenin e vështirë bujqësore të zonës së Ndroqit ku nëpërmjet vendosjes së një disiplinë agronomie specifike të zbatueshme për ato kushte në shtatë vite të punës arriti të dyfishojë prodhimin e misrit edhe të perimeve. Nisur nga gjendja e ullinjve për të marrë maksimumin e mundshëm të prodhimit mendoi dhe zbatoi krasitje graduale ripërtëritëse për një masiv prej 80 mijë rrënjë. Jo pa gjurmë ngeli  dhe krijimi i një plantacioni me destinacion furnizimin e Tiranës me pjeshkë me rreth 18 mijë rrënjë te trajtuara me teknikën moderne e të panjohur për kohën “forma palmet” që horizontalisht toka shfrytëzohej për mbjellje e prodhim perimesh. Edhe sot vendasit e thërrasin, “tek pjeshkorja e Hysenit”. Vitet e fundit bagazhin e përvojës si shkencëtar, agronom, drejtues dhe organizues, Hyseni i shpalosi në statusin e kryespecialistit dhe  të drejtorit të Institutit të Perime-Patateve, Tiranë. Instituti në pak vite u kthye në pikë referimi ku u gjeneruan ide, teknologji, farëra cilësore në shkallë vendi. Me përvojën e tij ristrukturoi gjithë metodikat eksperimentale ku edhe bashkëpunëtorët e brezit të ri në mbështetje të përvojës së Hysenit arritën nivele shkencore të sakta dhe me vlera për prodhimin. Nga stafi shkencor flitet për qindra e qindra eksperimente të ngritura. Nga vetë Hyseni u ndoqën mbi 60 eksperimente dhe mijëra kryqëzime dhe krijoi 300 linja të pastra. Edhe sot në strukturën e mbjelljes së domates vazhdon mbjellja dhe prodhimin me sukses e hibrideve 1431 F1 dhe ZKC F1 nga 6 hibride të prodhuara. Vlen të përmendet puna e madhe e bërë edhe në grumbullimin dhe vlerësimin e 40 populacioneve të vendit si: domate, speca, patllixhana, qepë, presh dhe 7 kultura të tjera. Në saje të një pune serioze dhe me përkushtim në prodhimin e farërave të zgjedhura nga instituti u arrit të prodhoheshin rreth 60-70 % të nevojave në rang vendi. Në fondin e Hysen Çobanit janë mbi 70 artikuj shkencorë, 40 metodika shkencore, 15 zëra në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” etj. Ka botuar 11 libra e broshura për misrin, ullirin dhe kultura perimore. Hysen Çobani jashtë profesionit ishte i përmasave me vlera të veçanta. Të ishe në bashkëbisedim për kulturën, librin, teatrin, filmin apo arritjeve të shkencës e teknikës, ndjeheshe i privilegjuar, se, veç kënaqësisë ndjeje se edhe diçka të re më shumë kishe marrë me vete. Në një bisedë që kam patur shumë kohë përpara me përgjegjësin e bibliotekës së Lushnjës mësova se një ndër intelektualët e rrallë që dendur vinte e merrte libra ka qenë Hysen Çobani. Gjatë kohës në Lushnjë vetë Hyseni me nostalgji kujton bisedat e bëra për muzikën me këngëtaren e talentuar, të madhen e të papërsëritshmen Vaçe Zela. Me konsideratë dhe respekt për bagazhin kulturor të Hysenit më ka folur dhe aktori i mirënjohur i humorit, Luftar Paja. Në kohën e fillimeve të mia, thotë aktori, Hyseni punonte në Cakran. Kemi shkëmbyer mjaft mendime. Në mendje më kanë ngelur midis të tjerave fjalët: “të jesh krijues, i larmishëm, shprehës, frymëzues duke qenë gjithmonë në kërkim të vizioneve të reja, por që paraqesin realitetin”. Në punë Hyseni nuk lëshonte pe, drejtonte me kompetencë dhe me autoritetin që ia jepte statusi. Megjithatë mediokri që ai asnjëherë nuk pajtohej, herë-herë me të sajuarat “prepotent”, i krijonin probleme, probleme që i kanë marrë kohë dhe nerva, se në fund triumfonte puna dhe vlerat profesionale si një “Mjeshtër i Madh i Punës”.

____________________________________________________________________________________

KUSH ËSHTË HYSEN ÇOBANI

Hysen Çobani u lind në qytetin e Libohovës në vitin 1932. Arsimimin e kreu në Tiranë. Në vitin 1955 përfundoi studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor me cilësinë e diplomës “Shkëlqyeshëm”. Me  këtë cilësi vlerësimi u emërua dhe punoi për 5 vjet (1955-1960) në Institutin e Kërkimeve Bujqësore Lushnjë. Në vitet 1960-1966 punoi si kryeagronom në kooperativën bujqësore “Skënderbeu” Cakran-Fier. Në 1966-1969, kryeagronom  N.B Vorë-“Gjergj Dimitrov”, Tiranë. Për 7 vjet (1970-1977), kryeagronom në kooperativën bujqësore “Myslym Peza”, Tiranë. Së fundi për 12 vjet punoi si kryespecialist dhe drejtor për 10 vjet i Institutit të Perime Patateve në Tiranë. Të gjitha vendet ku punoi ishin institucione dhe ekonomi me potencial të lartë prodhimi dhe niveli. Sa më sipër për kontributin nga instancat është vlerësuar me “Urdhri e Punës së Klasit I”, “Bashkëpunëtor i Vjetër”, “Profesor” dhe së fundi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, për kontribut të shquar në shkencën bujqësore shqiptare i jepet dekorata më e lartë, “Mjeshtër i Madh i Punës”.