Gjurmë të pashlyera shkencore të profesorit të paharruar

1338
Sigal

 Me rastin e 100 vjetorit të lindjes të profesor Sotir Kuneshkës

 Që kur mori drejtimin e katedrës së Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, puna e Prof. S. Kuneshkës u përqendrua tërësisht në përgatitjen sa më cilësore të mësuesve dhe fizikanëve të Shqipërisë. Grumbulloi rreth vetes një grup specialistësh nga më të mirët dhe shumë entuziastë si S.Koja, F.Zela, N..Thomo, K.Qendro, R. Bezhani, P.Skënde e më vonë gjeneratën e re të studentëve më të mirë që mbaruan degën e Fizikës. Nën drejtimin e prof. S. Kuneshkës u arrit që për një kohë të shkurtër Katedra e Fizikës të kishte plane dhe programe mësimore mjaft të mira, madje shumë më të mira se sa mund të pritej nga një katedër e re, siç ishte ajo e jona. Prof. Kuneshka zhvilloi një punë shumë të mirë dhe të kujdesshme duke hartuar një tekst voluminoz të kursit të fizikës së përgjithshme që përdorën studentët dhe mësuesit e fizikës. Gjithashtu ai është autor i një sërë tekstesh të tjera të fushave të ndryshme të fizikës me të cilët janë përgatitur studentët tanë dhe ata të Universitetit të Prishtinës, ku Prof. S.Kuneshka ka qenë ftuar për të mbajtur leksione. Një shqetësim të vazhdueshëm kishte Prof. S.Kuneshka për ngritjen e laboratorëve mësimore për studentët, duke i konsideruar ato si mjetin më të mirë që u jep atyre mundësinë për të njohur konkretisht thelbin e dukurive fizike, pra si të thuash “për të prekur me dorë” cilësitë thelbësore të këtyre dukurive. Kjo nevojë u bë më e mprehtë kur u hap dega 5 vjeçare e fizikës, nismëtari dhe organizatori entuziast i së cilës ka qenë Prof. S.Kuneshka. Kjo degë do të përgatiste specialistë të fizikës që duheshin për të punuar në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare, siç ishte ajo e kërkimit të naftës dhe mineraleve, në laboratorët e mjekësisë apo të studimit të ndotjeve të mjedisit etj. Kështu e tërë katedra me Prof. S.Kuneshkën në krye u mobilizua për të ngritur laboratorë të përshtatshëm sipas tematikave të programeve mësimore që kishim. Me shumë vështirësi u realizua përgatitja e laboratorëve speciale, ku studentët kryenin punë laboratorike që në fakt përmbanin elementët e një kërkimi të vogël shkencor. Te puna e tij e devotshme dhe plotësisht e motivuar për hartimin e planeve dhe programeve mësimore, te përpjekjet e vazhdueshme të tij për rritjen cilësore të procesit të mësimdhënies në shkollat tona të larta si dhe në hedhjen e shtatit të brishtë të fizikës shqiptare, sidomos me hapjen e degës 5 vjeçare të fizikës në universitetin tonë gjejmë gjurmët e pashlyeshme të përpjekjeve dhe të sakrificave, të aktivitetit të frytshëm të Prof. S. Kuneshkës. Prandaj me të drejtë ai konsiderohet si pionieri i arsimit të lartë në fushën e fizikës në vendin tonë. Megjithë mundësitë e vogla që ofronte koha, ai bëri përpjekje të mëdha për të organizuar elementët e parë të punës kërkimore në katedrën e fizikës që ai drejtonte. Kështu filloi punën grupi i parë i fizikës në vendin tonë që u angazhua në veprimtari shkencore të pavarur duke studiuar radioaktivitetin e ujërave sipërfaqësore, të mineraleve dhe më vonë edhe të mjedisit rrethues. Duke e përmbledhur shumë shkurt aktivitetin e prof. S. Kuneshkës mjafton të themi se: Teksti i parë i fizikës universitare në vendin tonë mban emrin e prof. S.Kuneshkës, artikulli i parë shkencor në fushën e fizikës ka si autor prof. S.Kuneshkën, titujt e parë të docentit, të profesorit të fizikës dhe të akademikut te ne i janë dhënë atij. Duke mos qenë anëtar i asnjë forumi politik, vlera e këtyre titujve si dhe e dekorimeve: Medalje pune, Urdhër pune i kl.II, Mësues i merituar, Urdhri “N.Frashëri” i kl.I, Mësues i Popullit, merr kuptim të plotë dhe sintetizojnë punën vetëmohuese, djersën dhe sakrificat e tij, pasionin e madh dhe motivimin e jetës së tij. Prof. S. Kuneshka në punën e tij ka demonstruar vetitë më humane: ndershmërinë, idealizmin, mençurinë, përkushtimin, dashurinë për vendlindjen. Njëherazi ai ishte shumë i dashur dhe i sjellshëm me të gjithë kolegët dhe studentët e tij. Me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe të lehtë, që rrezatonte mirësi të thellë, ai u drejtohej studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të rinj me fjalët më të ëmbla dhe fisnike “biri im” ose “bija ime”. Ishin fjalë të zemrës së tij që shprehnin një dashuri prindërore dhe që dëshmonin më saktë se çdo gjë tjetër karakterin e tij tepër human dhe dashamirës. I tillë ishte prof. S.Kuneshka deri sa mbylli sytë përgjithmonë, duke mbetur kështu shumë i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.

Kush ishte Profesor Sotir Kuneshka

Prof. Sotir Kuneshka ka lindur më 15 korrik të vitit 1912 në fshatin Boboshticë të rrethit të Korçës Në kohën kur po rritej Sotiri në Boboshticë në këtë fshat kishte dy shkolla fillore, njëra në shqip dhe tjetra në greqisht dhe më vonë, me ndihmën e shoqërisë “Vllazëria Boboshtare” të Bukureshtit, u hap edhe shkolla e vajzave. Sotiri ndoqi shkollën në gjuhën shqipe dhe me mbarimin e saj, më 1924 u regjistrua në liceun e Korçës. Në këtë shkollë ai mësoi 9 vjet. Por ishte një zhgënjim i madh për të, kur me gjithë rezultatet e shkëlqyera të arritura në Lice, nuk iu dha bursa e kërkuar për të vazhduar studimet universitare, por i ati i Prof. Sotirit, që ishte mësues, megjithëse jo në gjendje të mirë financiare e dërgoi djalin për të studiuar në Paris në këtë tempull të kulturës botërore.  Regjistrohet në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Parisit. Duke parë rezultatet shumë të mira të studentit korçar në Paris Ministria e Arsimit të Shqipërisë, në vitin 1935 i akordoi atij një gjysmë burse, duke ia lehtësuar disi vështirësitë ekonomike dhe duke i lënë më shumë kohë të lirë për studime. Kështu në sajë të një këmbëngulje të veçantë, të një shpirti të sakrificës së lartë dhe të etjes së padiskutueshme për dije të plota ai mundi që për 3 vjet të plotësojë me sukses studimet universitare. Në vjeshtën e vitit 1937 u thirr me urdhër urgjent të Ministrisë së Arsimit, pasi ishte emëruar profesor i Fizikës dhe Kimisë në Liceun e Korçës. Këtu ai punoi me pasionin karakteristik të tij deri në vitin 1940. Me çlirimin e vendit dhe me rihapjen e Liceut të Korçës Prof. S. Kuneshka mori detyrën e nëndrejtorit të kësaj shkolle, por nuk qëndroi gjatë në këtë detyrë sepse në shkurt të vitit 1945  u thirr në Ministrinë e Arsimit për të drejtuar sektorin e shkollave. Këtu ai u ndesh me detyra shumë të vështira për ringritjen e sistemit arsimor të Shqipërisë. Hapja e Institutit Pedagogjik dy vjeçar shënon fillimin e ngritjes së sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri dhe shumë shpejt ai ftohet që të japë aty mësime si pedagog i Fizikës. Në vitin 1948 ai emërohet pedagog në këtë Institut dhe një vit më vonë merr detyrën e drejtorit të tij. Në tetor të vitit 1951 kur u hap Instituti Pedagogjik 4 vjeçar Prof. S.Kuneshka është zv. Drejtor i Institutit dhe këtë detyrë ai e kryen deri në vitin 1957 kur me hapjen e Universitetit të Tiranës ai ngarkohet me detyrën e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Natyrore. Një vit më vonë me kërkesën e tij ai lë detyrën e dekanit dhe i përkushtohet tërësisht drejtimit të katedrës së Fizikës, detyrë të cilën ai e kryen deri në vitin 1982. Ai vazhdoi punën e pedagogut të Fizikës deri në moshën 74 vjeçare, kur doli në pension.

Kredoja e jetës së Profesorit

Në një autobiografi të Prof. Kuneshkës, shkruar 63 vjet më parë të bën shumë përshtypje ajo që mund të konsiderohet si  kredoja e jetës së tij, e cila është mbrujtur qysh kur ai ishte fëmijë dhe e realizuar me saktësi gjatë gjithë jetës së tij. Ai shkruante:  “Që  kur isha i vogël,  prindërit e mijë janë munduar të më japin një edukatë siç mund të jepnin dy fshatarë me një farë kulture: të dua dhe të respektoj të afërmit, të jem i drejtë, i ndershëm dhe punëtor. Janë munduar të rrënjosin në shpirtin tim faktin se puna e lartëson njeriun kur kjo bëhet me ndërgjegje, me nder dhe jo në dëm të tjetrit. Ata më kanë ngjallur dëshirën për studimin”. Kjo kredo e jetës së tij shërbeu si baza e pandryshuar e gjithë veprimtarisë së tij, e moralit të tij të lartë. Duke vlerësuar sot aktivitetin e Prof. S.Kuneshkës, si një aktivitet shumë të suksesshëm duhet të themi se në bazën e këtyre sukseseve qëndron motivimi i saktë i jetës së tij. Ai, ashtu si dhe kolegët e tij të nderuar, Prof. K.Popa, K.Paparisto, L.Zeko, M.Karajani, P.Pilika S.Koja e plot të tjerë që janë nderi i Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës,  punoi për një sistem arsimor universitar të pastër dhe modern, ku cilësia është gjëja për të cilën duhet treguar kujdesi më i lartë dhe ku nuk mund të tolerohet asnjë lloj degradimi.