Fatos Qerimi:Shkolla shqiptare e klarinetës është e nivelit Evropian

3977
Sigal

INTERVISTA/  Flet pedagogu dhe klarinetisti Fatos Qerimi, pjesë e familjes instrumentiste Qerimi

Ai flet me pasion për muzikën, pasi gjithë familja e tyre është përdorues i një vegle muzikore. Vetë Fatosi përdor klarinetën që sipas tij është instrumenti domethënës sidomos nga pikëpamja tradicionale. Gjithë muzika popullore ka pasur dhe ka instrumentistë që kanë avancuar  në këtë drejtim, qoftë ata të Shqipërisë Jugore, qoftë ata të Shqipërisë së Mesme dhe qoftë ata Verior. Mendoj  se emrat e fuqishëm të klarinetës  janë  Laver Bariu,  por  veçoj Çobanin (Remzi Lela) thotë ai. Vetë përdor një klarinetë 75-vjeçare që e ka blerë në Hollandë të cilën nuk e ndërron as me klarinetën më moderne. Sipas tij, e keqja muzikës popullore shqiptare i vjen nga tallavaja.

 Ç’rol luan klarineta sot ndër veglat e shumta muzikore?

Klarineta ka një dimension gjithëpërfshirës në muzikën qoftë klasike, qoftë moderne, qoftë atë  muzikës së dhomës, qoftë në atë muzikës xhaz apo muzikës popullore. Pra është një ndër instrumentet që jo vetëm në çdo lloj orkestre ,jo vetëm është përfaqësues, i muzikës, por mund të them është lider i muzikës. Pra në këtë kontekst, klarineta është instrumenti domethënës sidomos nga pikëpamja tradicionale. Gjithë muzika popullore ka pasur dhe ka instrumentistë që kanë avancuar  në këtë drejtim, qoftë ata të Shqipërisë Jugore, qoftë ata të Shqipërisë së Mesme dhe qoftë ata Verior. Mendoj  se emrat e fuqishëm të klarinetës  janë  Laver Bariu,  por  veçoj Çobanin ( ky mbahet si klarinetisti i parë  shqiptar virtuoz,  që preku majat e muzikës  me klarinetë dhe që ka bërë epokë me këtë vegël, në muzikën tradicionale shqiptare. Emri i tij i vërtetë është Remzi Lela) që populli i vuri një emër artistik për vlerat e tij duke e vënë në ballin e klarinetistëve. Të gjithë klarinetistët  shqiptarë, me dëshirën e madhe për ta evidentuar këtë vegël muzikore, kanë bërë art dhe e kanë trumbetuar shumë këtë vegël. Në Universitetin e Arteve kemi një klasë shumë të mirë me klarinetistë, një klasë me pjesëmarrje të gjerë, që është zgjeruar përsa i përket numrit të studentëve, ku nqs para viteve 1990 një klasë e tillë kishte një numër të kufizuar klarinetistësh deri në 6 studentë, sot kemi 26 studentë, pra 4 herë më shumë. Pra është një numër shumë i madh, që tregon se kërkesat për këtë instrument në treg janë të mëdha.

Ne kemi hapur dyert e Universitetit, për  t’i dhënë traditës sonë një kualitet më të mirë profesional.

 Kjo do të thotë që shkolla jonë e muzikës konkurron me atë Evropiane?

 Ne kemi studentë  shumë të mirë të klarinetës të cilët, pasi studiojnë këtu, kanë shkuar dhe jashtë shtetit, janë pjesë e orkestrave dhe formacioneve dhe jashtë shtetit, ku të gjitha orkestrat janë rinovuar me instrumentistë të dalë gjatë këtyre viteve,  tregon se shkolla jonë ka ardhur me tregues më të lartë, dhe me cilësi më të mirë se më parë.

 Flitet shumë për prodhimin e klarinetave në vende të ndryshme. Cili vend prodhon klarineta më të mira?

 Prodhimi i klarinetave dihet që tradita më e mirë, që është e prekshme dhe evidente në treg,  ka qenë “Bufett”, një prodhim francez, tradicional që ka bërë emër në botë. Ndërsa sot kemi të bëjmë me shumë klarineta të tjera, me prodhime të reja, që konkurrojnë.  Një nga këto me teknologji moderne të avancuar që po merr emër , që është trendi në treg është “Bakun”, kanadez. Është një klarinetë me teknologji, frekuencë dhe me një dru ndryshe  nga “Bufet-i” francez. Gjithashtu ka dhe klarineta gjermane që janë konkurruese dhe që kanë ndoshta po aq frekuentim.

 Po ju vetë çfarë klarinete përdorni?

 Unë kam vite që përdor “Bufett” francez. Unë kam një klarinetë shumë të mirë, që krenohem me të, dhe pse ajo është shumë e vjetër. Që është e vjetër unë se këmbej me asnjë tjetër. Kjo klarinetë është 75 vjeçare dhe unë e ruaj si sytë e ballit.

 75 vjeçare, si e keni mbajtur?

 Unë e mbaj si fëmijë, aq shumë kujdesem për të. Kjo klarinetë ka një timbrikë, frekuencë shumë të bukur, shumë të ëmbël, ka një dru krejtësisht ndryshe nga druri i teknologjisë moderne. Pra këtu qëndron bukuria e saj.

Ku e ke  blerë këtë klarinetë kaq interesante?

Është një histori shumë e veçantë. Kam pasur shans  që e kam blerë këtë klarinetë. E kam blerë tek një koleksionist veglash muzikore, një hollandez. Pra nga Hollanda e kam marrë. Kur e gjeta, u mbusha me gëzim. E kisha ëndërr një klarinetë të tillë dhe së fundi rastësia ma solli në duar. Kur e mora në duar nuk e besoja. Tashmë ka shumë vite në duart e mia dhe unë ndihem i sigurt me të, por duke i bërë një kujdesje krejt të veçantë, nga lagështira, përplasjet, goditjet, nxehtësia e tepërt, etj…Se ndërroj me asnjë..

 Ku e ndjen veten më mirë Fatosi si klarinetist, apo si pedagog?

 Në këtë moshë që jam dhe me këtë eksperiencë që kam, sigurisht më mirë ndihem si pedagog. U them shumë gjëra studentëve, pasi duke qenë vetë instrumentist, që këto që po ju tregoj nuk do ti gjeni as në libra. Eksperiencë  e cila do kohë për t’u hedhur në libra.

 Pse zgjodhët klarinetën dhe nuk trashëguat violinën si yt atë?

 Edhe unë studimet e mia i fillova si violinist, por në vitin e parë gjimnaz fillova klarinetën. Pra studiova 8 vjet në violinë pastaj kalova në klarinetë. Pra violinën e njoh shumë mirë. Kisha një shkëndijë pozitive, pasi mendova se sa po kaloja në shkollë të mesme, nuk kisha atë zhvillim që duhej në violinë, pra nuk e shihja me shumë perspektivë. Ndërsa klarinetën e fillova nga fillimi, kisha një  bagazh shumë të mirë muzikor, në atë kohë, bagazh që më dha shumë qartë idenë që mund të bëhesha një klarinetist i mirë. Janë dy gjëra të ndryshme. Violina është institucion me vete, është instrumenti më i vështirë, por më i bukur.

 Si ka mundësi që babai juaj në një moshë kaq të madhe dhe luan si një i ri, por me shumë virtuozitet?

Babai im ka një jetë të tërë që ka investuar në atë instrument. Ai ju përkushtua atij instrumenti, është i veçantë, ka mendësi tjetër  dhe ka formuar një individualitet për këtë instrument. Ai ka një bagazh të madh në këtë instrument,  pra janë shumë gjëra që kanë të bëjnë me një eksperiencë të madhe. Ndaj unë them që pedagog i mirë është ai që ka një bagazh të madh dhe eksperiencë të drejtpërdrejt në përdorimin e instrumentit që jep mësim. Edhe im  atë e zgjedh repertorin dhe e përdor vazhdimisht instrumentin. Kështu dhe një pedagog duke përdorur vetë instrumentin di të thotë defektet, anët e mira dhe të këqijat, ku duhet të ruhet, etj..

 Në sa vende Evropiane keni dhënë koncerte si familje Qerimi?

Janë shumë. Kemi përfaqësuar shumë mirë vendin tonë por edhe familjen tonë. Kemi dhënë në Gjermani, Francë, Itali, Greqi, Spanjë në Festivale  të rëndësishme, që kemi marrë çmime  të ndryshme. Pra, në të gjitha këto aktivitete kemi luajtur pjesë shumë të vështira që bota muzikore evropiane i ka vlerësuar.

 Sa instrumentistë bëheni brenda familjes?

Bëhemi rreth 9. Jo gjithmonë shkojmë të gjithë bashkë jashtë. Por kryesorja është se ne punojmë shumë me repertorin. Kërkojmë shumë nga vetja. Zgjedhim pjesë që të jenë virtuoze brenda instrumenteve që përdorim brenda familjes. Brenda familjes, kemi organo,  që luan rolin e pianos,  që është vëllai Bruno, pastaj kemi tre violina. (babai, mbesa dhe djali im), unë në klarinetë etj.. Pra është një orkestër pa timbrika ekstreme, por ka një melodi shumë të bukur.

 Pse djalit tuaj i keni dhënë violinën?

Djali im studion jashtë dhe e orientova tek violina, pasi ajo është mbretëresha e instrumenteve. Violina mbetet e veçantë, ndaj ai studion në Vjenë. Shkolla vjeneze mbahet sot më e mira.

 Cili është mendimi juaj për muzikën popullore shqiptare dhe huazimet me tallava?

 Muzika jonë është një thesar i madh i cili është si një bizhu ku ndonjëherë njerëzit nuk dinë kur ta venë në dorë dhe e shpërdorojnë. Kjo është një fatkeqësi që kjo muzikë transferohet me tallava, thelbi i muzikës sonë aq të bukur popullore.  Thelbi është formacioni, akustika  e formacionit, proshimi  timbrik i energjisë dhe i asaj elegance që ka ajo muzikë. Muzika e transformuar vjen për arsye të mos kreativitetit, por të marrjes dhe të ndryshimit të formës në mënyrën më të keqe. Psh Isuf Myzyri  që ka shkruar 14 këngë popullore elbasanase, kurrsesi s’mund ta ndryshosh atë muzikë.