Fatos Kongoli: “Dragoi i fildishtë”, romani që më ka lodhur më shumë

1177
Sigal

INTERVISTA/ Flet Akademiku, shkrimtari Fatos Kongoli: Ruaj marrëdhënie shumë të mira me Kadarenë dhe Agollin

Para disa ditësh ai mbushi 70 vjeç. Në atë ditë të festimit të ditëlindjes në Akademinë e Shkencave ai theksoi se, “dhe pse mbusha 70 vjeç më duket sikur jam më i ri. Dikur këtë moshë  e quanin të thyer, sot e quajnë normale, moshë të re”. Krijimtaria e tij ka njohur vetë kurbë rritjeje dhe ai sot është përkthyer në 15 gjuhë të botës, duke u bërë kështu së bashku me Kadarenë dhe Agollin në treshen e shkrimtarëve shqiptarë më të përkthyer në botë. Për ‘të, romani më i vështirë mbetet “Dragoi i fildishtë”, një roman i nisur kur ishte në Kinë. Për Kongolin, Kadareja me veprën e tij duhej ta kishte marrë çmimin “Nobel”. Njëkohësisht, ai tregon se ruan miqësi shumë të mirë me dy gjigandët e letërsisë shqipe dhe pse jeta tashmë i ka larguar gjeografikisht. Për letërsinë e diktaturës ai sqaron se çdo letërsi ka vendin e vet pavarësisht regjimeve apo pushteteve.

 Në këto 70 vjet të jetës po të ndalemi në krijimtarinë tuaj, çfarë do t’i hiqni asaj?

Krijimtaria mbetet krijimtari dhe unë nuk mund t’i heq asgjë. Ajo në të gjitha vitet mbetet krijimtaria ime. Me të mirat dhe të këqijat, të shkruara në këtë kohë apo në kohë tjetër, unë nuk përjashtoj asnjë nga veprat e mia. Për mua mbeten krijesa që kanë gjurmët e veta, kohët e tyre. Po të më jepej rasti mund të përzgjidhja nuk e di ç’do të bëja, por mbetemi tek ajo, veprat që kam bërë nuk i përjashtoj dot dhe t’i ndaj. Aspak. Koha, vendi, mënyra e të shkruarit të një vepre ka specifikën e saj dhe të veçantat e saj.

 Kush ishin ngushtësitë e të shkruarit në regjimin komunist?

Ishte censura. Nuk ishte si sot. Absolutisht nuk kishe këtë hapësirë të shkruari, madje mund të themi se, kishte dhe autocensurë. Sot shikon libra të gjithfarëllojshëm, me tema nga më të ndryshmet, libra pa fund, që as mund të mendoheshin në atë kohë. Censura e asaj kohe ishte e pamenduar, por në drejtimin artistik kishte dhe të mirat e veta. Jo çdo gjë ishte e zezë. Them vetëm censura pasi çdo vepër duhet të kishte boshtin ideologjik të regjimit që jetonim.

 Jo çdo vepër artistike, ka të njëjtat vështirësi apo afate kohore për të realizuar. Për ju cila vepër letrare ka qenë më e vështira për t’u realizuar?

 Libri që më ka lodhur më shumë dhe ka zgjatur më shumë për përfundimin e tij është “Dragoi i fildishtë”, një roman që mendova se do ta mbaroja shumë shpejt, por ndodhi e kundërta. Ky libër lidhet me kohën kur unë isha student në Kinë në vitet 1961-1963. Por e kam filluar ta shkruaj në vitet e demokracisë. Në atë periudhë as më shkonte ndërmend ndonjë gjë e tillë. Botimi ka përfunduar në vitin 1999. E kam kthyer disa herë dhe se zgjidhja dot idenë që kisha në mendje, por pas shumë pune e mbarova. Këtë vepër që mendoja se e kisha më të lehtë më doli më e gjatë në kohështrirjen e daljes në botim. Ky libër  më ka lodhur.

Tematika e tij është kineze?

Jo me temë shqiptare, por ngjarjet zhvillohen në Kinë, pasi kur isha aty më lindi ideja për këtë libër. Kina ishte dhe mbetet një shtet komunist, ku unë me ngjarjet e asaj kohe, duke i parë në këndvështrimin shqiptar postkomunist, u iniciova për këtë libër.

 Si ka qenë Kina e atyre viteve që ke njohur?

Kjo nuk mund të thuhet me dy fjalë. Sot ka ndryshuar shumë, nuk është më ajo Kina e 50 viteve më parë, por mund të them se ishte një Kinë e varfër madje, mund të them shumë më e varfër dhe se ne. Një varfëri e tejskajshme.

 Po thuhet se në regjimin komunist kanë dalë vepra që dhe sot vlerësohen në botë. Këtu mund të themi disa vepra të Kadaresë, Agollit, tuajin, si shpjegohet kjo?

 Letërsia ka vendin e vet në çdo epokë. Ka pozicionin e vet dhe pse ka regjime. Në këto kohëra dalin talente shumë të fuqishme që janë vetvetja. Kështu mund të them dhe për Dritëro Agollin dhe Isamil Kadarenë. Letërsia ka ligjet e veta të zhvillimit, ka mënyrën e vet të komunikimit dhe nuk mund të ndalohet tërësisht edhe në shtetet më të ideologjizuara.

 Në Shqipëri përkthimet më shumë janë iniciativa private dhe menaxhime të shtëpive botuese se sa nisma shtetërore për përkthime sistematike dhe të ndihmuara për njohjen sa më shumë të letërsisë shqipe në botë. Si do ta komentonit këtë indiferencë të shtetit?

 Nuk e di si funksionon, pasi vetë nuk jam marrë kurrë me këtë punë. Por dua të them se duhen përkthyer veprat më të mira, më dinjitoze, më konkurruese që të njihet letërsia shqiptare kudo në botë. Për mua kjo rrugë duhet gjetur sipas rregullave dhe normave që zbatohen dhe në vendet e tjera europiane.

 Cilat janë momentet tuaja më të vështira në krijimtarinë gjatë regjimit komunist? A ka ndikuar në formimin tuaj si shkrimtar?

Unë jam produkt i asaj epoke, atëherë kam filluar të shkruaj, atëherë kam filluar të botoj. Mund të them se shumë nga krijimet e mia janë grumbullim ngjarjesh të kohës së diktaturës, të asaj epoke, me të mirat dhe të këqijat e saj. Të gjitha vështirësitë e mia të asaj kohe, unë i kam shkruar në romanin “Iluzione në sirtar”. Jap shumë detaje nga peripecitë e jetës së mundimshme për të gjithë në atë sistem të çuditshëm. Një regjim që ende nuk mund ta kuptoj.

 Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin?

Kam marrëdhënie shumë të mira, shumë miqësore, korrekte. Në raste të ndryshme komunikojmë dhe ndihemi mirë në komunikimin tonë. Unë i vlerësoj shumë që të dy, për mua janë shkrimtarë shumë të mirë, por jeta na ka ndarë nga takimet e shpeshta.

 Ismail Kadareja, ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel”. Përse nuk e ka marrë këtë çmim?

Unë nuk di se si e vlerëson komisioni, krijimtarinë e tij, por për mua Kadare duhej ta kishte marrë çmimin, pasi ka qenë disa herë kandidat, është i përkthyer në disa gjuhë, ka vepra letrare shumë cilësore që kanë lënë gjurmë.

  Letërsia jonë sot a është konkurruese në Europë?

Nuk ka konkurrencë letërsish, secila letërsi ka kohën dhe vendin e vetë. Kështu është dhe me letërsinë tonë.

Në krijimtarinë tuaj shihet se më shumë vend dhe sukses ka romani. Mos vallë kjo gjini është ajo ku ju e keni gjetur më shumë veten?

 Unë as vetë s’e di si jam ndalur më shumë tek romani dhe pse kam shkruar edhe shumë tregime apo kam lëvruar dhe gjini të tjera të letërsisë. Tani shoh se vërtetë unë dhe romani kemi gjetur njëri- tjetrin. Suksesin më të madh këtu e kam gjetur.

Si do ta cilësonit bashkëpunimin tuaj me shtëpinë botuese “Toena”?

Është një bashkëpunim korrekt dhe frytdhënës. Fillesa e bashkëpunimit tonë e ka zanafillën në vitet e para të demokracisë. Dihet tashmë pozicioni që zë kjo shtëpi botuese në botimet shqiptare dhe më gjerë. Ndihem mirë me drejtuesit e saj, pasi janë njerëz që përcjellin kulturë dhe dije.