Edmond Tupe: Përkthimi i veprave të Enver Hoxhës na dërrmonte

776
Sigal

INTERVISTA/ Flet përkthyesi dhe publicisti Edmond Tupe: Letërsia e Kongolit më ka frymëzuar të marr penën të shkruaj roman

Përkthyesi dhe publicisti Edmond Tupe është një ndër personalitetet e përkthyesve shqiptarë nga gjuha frënge. Përkthimet e tij konsistojnë kryesisht në veprën e shkrimtarit me emër Fatos Kongoli. Janë mbi 10 vepra të tij që tashmë janë në shumë vende frëngjisht-folëse. Sipas Tupes, Kongoli ka një stil të veçantë, ka një mënyrë të ndriçuar të të shkruarit të një vepre letrare. Ai në Francë cilësohet  “Kadareja tjetër”. Për më tej ai tregon dhe ferrin që hiqnin në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”,  për përkthimin e veprave të Enver Hoxhës të cilat rrinin stok në depot e ambasadave. Midis të tjerave ai thekson se, përkthyes të tillë si: Kokona, Vrioni, Treska, rrallë i vijnë Shqipërisë

 Ju jeni përkthyes në frëngjisht i të gjitha veprave të Fatos Kongolit, si do ta përcaktonit krijimtarinë e tij?

 Vepra e Fatosit është ndryshe, pasi ajo është një këndvështrim realist, pra Shqipëria siç është sot. Kjo del qartë në veprat e tij. Nuk ka tendenca epizmi, lirizmin e ka shumë të lëvruar dhe ajo që mund të them me bindje është se letërsia e tij bën pjesë në të ashtuquajturën “Letërsi e dhimbjes”.  Pra, në këtë drejtim Fatosi është një vazhdues i denjë i shkrimtarëve të mëdhenj francez, rusë, apo që nga antikiteti me veprat e Homerit deri më sot. Është provuar historikisht që letërsia që mbetet, që nga antikiteti i lashtë,  janë tragjeditë  që dhe pse kanë dhimbje, plagë, i bëjnë njerëzit të mendojnë, të nxjerrin konkluzione. Kjo mund të evokohet që në Greqinë e lashtë, gjithë ato tragjedi që kanë radhë deri më sot tregojnë dhimbjet e mëdha, ku frymëzimi vjen vetiu.

 Si është cilësuar në Francë, Kongoli?

 Në Francë kanë thënë që Kongoli është “negativi”, i “kundërti”  i Kadaresë. Me këtë nuk dua të them se, janë të kundërt në krijimtari, kanë atë ndjeshmëri dhe përfshihen në të njëjtën kategori, por ndriçimi i veprës është tjetër. Kongoli ka një ndriçim me tjetër ngjyrë, me tjetër hapësirë. Ndryshimi midis Kadaresë dhe Kongolit është pikërisht ky ndriçim. Ose më mirë të themi se në Francë, Kongoli quhet “Kadareja tjetër”.

 Ku keni hasur vështirësitë më të mëdha në përkthimin e veprave të Kongolit, në anën artistike apo estetike të veprave?

 Kongoli ka stilin e vet, që në të dyja këto komponentë kanë lidhjet e tyre. Vështirësia qëndron tek stili i tij i ngjeshur, ku vargu nuk është shumë i gjatë. Fraza është e përmbledhur. Ka një ritëm dhe unë punoj me frazën nuk bashkoj dy fraza. Ka figura të bukura dhe të larmishme. Pra, stili i tij ka veçori. Madje, veçori të tilla që më kanë frymëzuar dhe mua të shkruaj. Pra poeti në këtë rast nuk është vetëm një krijues që frymëzohet, por dhe një njeri që frymëzon të tjerët me veprat e bukura. Në këtë rast ai më ka frymëzuar mua të shkruaj dhe tregime, novelë dhe së fundi një roman, të cilin e kam në dorën e fundit.

 Bota plot dritë e krijuesit, njeriut, është në themel të krijimtarisë së tij.

  Ku qëndron suksesi i krijimtarisë së shkrimtarëve të llojit të Kongolit?

Së pari, se janë shkrimtarë të sinqertë, shkrimtarë, që përcjellin të vërtetën në sy, që nuk e fshehin të vërtetën, pra kanë ndriçim tek vepra e tyre.

 Pse pikërisht romanet e tij ashtu si të Kadaresë gjejnë përkthim më masiv dhe kritikë në Francë dhe jo në vendet e tjera europiane?

S’di të jap një përcaktim ekzakt, por Franca është  vendi, ku letërsia kultivohet gjerësisht dhe shihet me kujdes. Por nga ana tjetër këta dy krijues në mënyrën e krijimit të tyre kanë diçka franceze siç kam dhe unë në mënyrën e të shprehurit diçka franceze pasi jam frankofon. Pra, ndoshta është stili i këtyre romancierëve që i pëlqen kritikëve francezë.

 Sa vend zënë përkthimet frankofone në hapësirat mbarëbotërore?

Në botë ka rreth 400 milionë njerëz që flasin frëngjisht, afërsisht një e dymbëdhjeta e botës dhe në tërë këto vende shkojnë botimet që bëhen apo dalin në tregun francez të librit. Dhe kjo nuk është pak. Është një reklamë e mirë që i bëhet autorëve tanë që botohen në Francë. Ndaj, në përgjithësi botimet në gjuhën frënge zënë një pjesë të mirë të territorit botëror.

Në Shqipëri ka pak përkthime të autorëve tanë në gjuhë të huaja, pse?

Ka shumë arsye. Së pari, varet nga cilësia e veprës.  Të shkruarit është art, madje arti më i vështirë. Pra, të bësh letërsi të mirëfilltë është shumë e vështirë. Ne jemi një vend i vogël kështu që dhe përkthimet nuk do të jenë sa në Francë apo gjetiu që kanë një popullsi shumë të madhe. Por përkthimi do dhe një bashkëpunim të njohjes së gjuhës në të dy vendet. Pra një përkthyes shqiptar duhet të ketë jetuar, apo të jetojë në Francë disa kohë dhe anasjelltas, pasi kështu mund të  njihet më mirë gjuha dhe kryesisht gjuha e bukur letrare. Kryesisht duhet bashkonim ndërmjet përkthyesve specifik letrar ndërmjet atyre shqiptarë dhe francezë, apo të përkthyesve të gjuhëve të tjera.

 Kur flasim për përkthimet në regjimin komunist, çfarë vlerash janë përkthyer nga letërsia jonë?

Tashmë ata dihen janë përkthyer në atë kohë Ismail Kadareja, Dritëro Agolli  dhe veprat e Enver Hoxhës (kur përmend këtë të fundit qesh).

 Thuhet se, përkthyesit në regjimin komunist ishin më cilësorë se sot. A është e vërtetë dhe sa qëndron ky konstatim sidomos në frëngjisht?

 Përkthyesit më të mirë kanë qenë Treska, Vrioni, Kokona, prej tyre ishin dhe ata të ashtuquajturit të deklasuar, të cilët dhe në burg lexonin pambarisht në gjuhën që kishin mësuar apo kishin studiuar.  Shumica e tyre kishin studiuar jashtë. Por ata mbeten shumë të mirë, por dhe sot ka përkthyes cilësorë. Ata në kohën e tyre bënë epokë, por dhe sot ka dhe po dalin përkthyes cilësorë.

 Ju vetë, çfarë keni përkthyer nga frëngjishtja në regjimin komunist?

Unë kam përkthyer materiale politike, vepra të Enver Hoxhës. Thuajse të gjithë kolanën e veprave, apo kujtimet e tija. “Titistët”, “Vite të vegjëlisë”, “Rreziku anglo- amerikan”, “Dy popuj miq”, etj., etj., të gjitha këto vepra përktheheshin në frëngjisht. Shtëpia Botuese “8 Nëntori” ishte shtëpia botuese që botonte të gjitha librat e Enver Hoxhës në gjuhët kryesore të botës. Kryesisht në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, rusisht, arabisht, etj…

 Ku shkonin gjithë këto vepra të Enver Hoxhës?

Dërgoheshin nëpër ambasada dhe ato t’i shpërndanin në popull apo në aktivitete të ndryshme. Shumica e tyre mbeteshin stoqe dhe mbushnin depot e ambasadave kudo në botë. Është një punë kolosale, ku puna ka shkuar kot. Do të ishte mirë që këto përkthime të ishin bërë në lëmin e letërsisë së mirëfilltë.