Edmond Pinguli: Ata burra që i vunë shpatullat ndërtimit dhe projektimit të hidrocentraleve të “Kaskadës  së  Drinit” janë heron

601
Sigal

Flet Akademik Edmond Pinguli: Punonjësit e ndërtimit të hidrocentraleve, sidomos mbi Drin dhe Bistricë janë heronj

Armata e ndërtuesve shqiptarë

 Armata e ndërtuesve shqiptarë është krenare për punën e saj, që ka kryer në këto dhjetëra vite (1946- 2014 ) shumë të vështira, por të lavdishme të transformimit të vendit. Ajo vjen  me një eksperiencë të pasur të së kaluarës së saj, ku duhet veçuar ajo hidroenergjetike, të cilat për nga rëndësia dhe teknika shkencore e ndërtimit të tyre janë të kalibrit ndërkombëtar. Ato do të mbeten gjithmonë, si një histori monumentale e gjallë dhe e papërsëritshme e potencialit energjetik të çliruar nga mëndja e popullit tonë. Njëkohësisht, kjo do të jetë një busull e saktë orientimi për të gjithë ne sot dhe në të ardhmen, në aspektin se si duhet të ndërtojmë “Shqipëri  moderne”, e cila të qëndrojë me dinjitet në familjen e madhe europiane. Me këto vepra mund të mburret çdo shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të trevave kombëtare në arenën ndërkombëtare. Mendoj, se duhet të kujtojmë, ti bëjmë homazh dhe të përkulemi me nderimin  më të madh asaj pune të lavdishme dhe të papërsëritshme rreth 40- vjeçare (1947 – 1987), që do të mbetet e patjetërsueshme në shekuj, e cila përmban në vetvete vlera të padiskutueshme, sa shkencore-teknike, po aq ekonomiko-shoqërore, si dhe historike. Konkretisht bëhet fjalë për vënien në jetë të programit më madhështor, që kombi ynë ka mundur të realizojë gjatë ekzistencës së tij dhe pikërisht atë të : studimit, projektimit, zbatimit dhe shfrytëzimit në kohë dhe me cilësi shembullore, që do ta kishin zili të gjithë ndërtuesit e tjerë në këtë fushë dhe pikërisht të hidrocentraleve me diga në lumenjtë: Drin, Mat dhe Bistricë.

 Duhet të zgjohemi nga një gjumë letargjik

 Theksoj, se duhet të zgjohemi nga një gjumë letargjik si dhe ti kthehemi me shumë përkushtim, krenari dhe ndjenjë kombëtare rishikimit si dhe implementimit të studimeve dhe projektimeve, për të vazhduar pa humbur kohë nga shfrytëzimi i burimeve energjetike, sepse kemi humbur rreth 30 vjet. Pa prodhimin e energjisë elektrike nuk ka as jetë, as begati dhe as zhvillim. Zoti na ka dhënë burime ujore të bollshme, të cilat ne i kemi shfrytëzuar rreth 33%, duke qenë vendi i vetëm në Europë, që i kemi të pashfrytëzueshme. Gjej rastin të kujtoj, se jemi gjithashtu, vendi i privilegjuar si për prodhimin e kësaj energjie të pastër ashtu edhe për shfrytëzimin e kësaj pasurie për ujë të pijshëm të cilësisë së lartë (sot ne vuajmë për pikën e ujit, kur duhet të lahemi me të ), si edhe për vaditjen e tokave bujqësore. Ndalem këtu për të pohuar me krenari dhe dinjitet, se nuk do të bëjmë ndonjë punë më të madhe se ç’kemi bërë për këtë qëllim në sistemin e kaluar, në të cilin forcat e angazhuara për prodhimin e energjisë elektrike, mund të mburren për atë punë dinjitoze dhe të lavdërueshme, që kanë bërë në këtë fushë. Vetëm duke ecur në këtë rrugë plotësisht të njohur nga ana jonë, si dhe me një program afatgjatë të qartë të këtyre veprave energjetike ujore, si dhe të burimeve të tjera alternative si : era, termocentralet, gjeotermika, dielli, etj., por pse jo edhe centraleve atomikë në të ardhmen, mund të realizojmë objekte të një rëndësie jetike. Në këtë mënyrë bota po u kthehet ndërtimit të këtyre të fundit mbas një moratoriumi rreth 30 vjet (1988 ).

 Energjia qëndron në themel të zhvillimit të një shoqërie

 Duke qenë se energjia qëndron në themel të zhvillimit të një shoqërie, atëherë ajo duhet të trajtohet me kujdes edhe vëmendje të veçantë. Konkretisht “uria energjetike” do të kishte implikime në sektorin ekonomik, me një efekt të drejtpërdrejtë në shoqërinë në tërësi, por edhe për secilin individ në veçanti. Përvoja botërore tregon se mungesa e resurseve çon nga destabilizimi situatës e deri në konflikte të armatosura. Pa nënvleftësuar kërcënimet terroriste dhe nga krimi i organizuar, jemi të mendimit, se një kërcënim tjetër është keq përdorimi i pasurive natyrore si dhe trajtimi i pakujdesshëm i mjedisit. Nga gjiri i këtij populli kanë dalë të gjithë inxhinierët dhe specialistët, që kontribuuan me punën e tyre të palodhur dhe shumë të vështirë, për të bërë realitet këtë projekt gjigand, i cili i dha dritën e syve Shqipërisë si dhe rrezen e dritës që ne shijojmë sot, pa të cilën ne do të ishim tek “Kandili”. Ata ne të gjithë duhet ti kujtojmë me krenari, respekt dhe nderim të thellë pa përjashtim, për kontributin e tyre të çmuar të dhënë për rreth një gjysmë shekulli, sepse ata janë një “Nder i Kombit” dhe një “Krenari  e ligjshme” e tij. Njëkohësisht, ata përfaqësojnë atë plejadë njerëzish, të cilët me ndershmërinë, përkushtimin, vendosmërinë, kompetencën profesionale dhe dashurinë e pafundme për begatinë, lumturinë dhe mirëqenien e popullit, si dhe zhvillimin e atdheut, punuan dhe sakrifikuan për këtë qëllim fisnik. Viktor Hygo  thoshte: Kushti i domosdoshëm për të qenë i lumtur është puna. Jeta e njeriut i përket atdheut të tij dhe ajo në çdo moment duhet të jetë e dobishme për të. Për çdo njeri gjatë të gjithë  veprimtarisë së tij duhet të jetë i shenjtë trinomi Detyra, Nderi, Atdheu. Perandori Adriano thoshte se: Biblioteka është spitali i shpirtit dhe qytetërimi i një populli nuk mund të veçohet nga personalitetet që e kanë udhëhequr.

Pra ata burra që i vunë shpatullat ndërtimit dhe projektimit të hidrocentraleve të “Kaskadës  së  Drinit” në veçanti në atë kohë ( 1966- 1986 ) janë heronj për nga barra që morën përsipër. Nuk dalin heronjtë vetëm nga lufta por edhe nga puna. Gjithashtu, theksojmë, se të gjithë këtë eksperiencë të pasur, që kemi në këtë fushë, e cila është një pasuri me vlera të pa llogaritshme, duhet ta vëmë në shërbim të prodhimit dhe të të mirave material për veten tonë. Pra duhet të çmojmë të shkuarën me sytë nga e ardhmja. Ky është një mësim i madh sa historik po aq dhe filozofik, i cili tregon edhe një herë shumë qartë, se shoqëria nuk duhet të harrojë vlerat e saj të prodhuara në kohë.

Gjatë karrierës së tyre gjithmonë në ngritje, këta luftëtarë të vendosur të zbatimit të programit madhështor energjetik të transformimit të vendit, arritën të bëjnë realitet të prekshëm dhe të dobishëm këtë ide, duke merituar vlerësimin më të madh të të gjithë shoqërisë shqiptare. Njeriu duhet të jetë gjithmonë një bir besnik i atdheut të vet. Në qoftë se ne të gjithë aspirojmë me të drejtë, që të hyjmë në familjen e madhe evropiane, e shpreh me bindje të plotë dhe kënaqësi, se ata janë prej kohësh në të me dinjitet, që kur se mbaroi së ndërtuari hidrocentrali i Komanit  në vitin 1986.

Pavarësisht nga situatat tepër të vështira ekonomike, në të cilat ata u ndodhën me ndërrimin e sistemit politik në vitin 1992, ata me qëndrimin e tyre dinjitos, që kanë mbajtur, treguan më së miri, se tek ata buron shpirti fisnik dhe krenar i shqiptarit, qëndresa historike e luftëtarëve, pastërtia shpirtërore e njerëzve të ndershëm, të cilët dhanë gjithçka, që ju kërkua dhe nuk morën asgjë, dashuria e pafundme për punën dhe atdheun, si edhe emri dinjitoz i intelektualëve të mirëfilltë dhe të vërtetë. Pra ata nuk ishin ndërtues të popullit, por ndërtues për popullin. Abraham  Linkolni thoshte: Krenaria e një populli fillon tek kopshti i fëmijëve dhe përfundon tek azili i pleqve.

      Të gjithë ne duhet të kujtojmë me dashuri dhe respekt  të madh këta “Heronj  të  heshtur”, sepse ne asnjë vend nuk është shkruar për ta ose të jenë kujtuar, duke i marrë si shembull në të gjithë veprimtarinë tonë. Ata do të  mbeten gjithmonë modelet e skalitura të gjalla, tek të cilët ne duhet të shohim  me skepticizëm veten tonë në pasqyrë, deri sa të punojë dhe hidrocentrali i fundit. Nderimi për punën dhe jetën e tyre është njëkohësisht nderim për punën dhe jetën e secilit prej nesh, duke bërë kështu gurin e çmuar të veprimtarisë njerëzore. Mirënjohje e thellë ndaj një kujtimi, përmban në vetvete obligimin më dinjitoz, që shpreh në veprimtarinë e saj një shoqëri e emancipuar. Historikisht ky popull i lashtë i “Kontinentit  Europian”, ka nxjerrë figura të shquara, të cilët me veprat dhe punën e tyre kanë treguar, se ky vend ka dhe do të ketë gjithmonë përfaqësues të denjë, për potencialin e tyre mendor dhe shpirtëror të vlerësuar në nivelet më të larta, të prodhimit gjenerues të racës  njerëzore. Ata janë dhe do të mbeten në jetë të jetëve  një shembull klasik me përmasa reale të veprimtarisë njerëzore, të cilët i shërbyen me përkushtim në periudha të ndryshme dhe të rëndësishme zhvillimit historik, politik dhe ekonomik shoqërisë tonë. Kjo do tu tregojë të gjithëve në çdo kohë, se çfarë pune titanike e madhe, e vështirë dhe vetëmohuese është kryer në kohë. Dikush me të drejtë ka shprehur sentencën se: Kush mohon të kaluarën nuk ka të ardhme, kush mohon traditën nuk ka histori dhe kush nuk ka histori nuk mund të quhet popull. Ndërmarrja e ndërtimit të veprave në fushën e shfrytëzimit të ujit për prodhimin e energjisë elektrike të pastër, është themeluar më 1 tetor  të vitit 1949. Ajo së bashku me: Institutin e Projektimit të Hidrocentraleve, Ndërmarrjen Gjeologji – Gjeodezi, Qendrën e Kërkimeve Hidraulike (që ishte nga përmasat e studimeve të modelimeve të hidrocentraleve më i madhi në Ballkan ) si dhe Instituti i Hidro-Metereologjisë, ka ndërtuar të gjithë hidrocentralet në Shqipëri deri në vitin 1986. Realizimi i veprave hidroenergjetike fillon nga viti 1951, kur u vu në shfrytëzim hidrocentrali i parë i Selitës me fuqi 5MW dhe prodhim vjetor 20 milion kWh e deri në ndërtimin e vënien në shfrytëzim të hidrocentralit të KOMANIT me fuqi të vendosur 600MW dhe prodhim vjetor 2 miliard kWh. Për këtë qëllim janë kryer me kompetencë shkencore studimet : hidrologjike, gjeologo-inxhinierike, topografike, modelimet hidraulike, projektimet e veprave të ndryshme si dhe një punë e madhe me disiplinë teknike bashkëkohore për ndërtimin, montimin dhe kolaudimin e tyre.

Në këtë punë të lavdërueshme të kryer me nivel të lartë tekniko-shkencor specialistët tanë kanë pasur mbështetjen dhe këshillat e shumë specialistëve të huaj me përvojë, të cilët kanë dhënë një ndihmë të pa kursyer dhe me kompetencë të lartë nga përvoja e madhe e tyre. Ata meritojnë të përmenden me konsideratë të lartë, për kontributin e çmuar, që kanë dhënë, në përgatitjen e specialistëve tanë gjatë kësaj periudhe të gjatë kualifikimi  (1949 -1966 ). Bashkëpunimi i Shtetit tonë me Rusinë, Çekinë, Kinën, Italinë dhe Francën  ka qenë i shkëlqyer  dhe i një rëndësie të veçantë në këto dekada, të cilat ne do t’i kujtojmë me respekt dhe me mirënjohje të thellë.

Edhe  anëtarësimi i  vendit tonë në “Organizatën  Ndërkombëtare të Digave të Larta” në vitin 1964 në Edinburg të Skocisë, qe një mbështetje e madhe për specialistët tanë. Gjithashtu, njohja me të rejat e shkencës dhe teknikës botërore në studimin dhe projektimin si dhe ndërtimin e veprave të mëdha në fushën e hidroenergjisë në këto vende, ishte një faktor me rëndësi në zgjidhjen me sukses të problemeve të shumta dhe të vështira tekniko-shkencore. Me keqardhje mund të theksojmë, se asgjë nuk u trashëgua në këtë fushë nga e kaluara si kuadro të lartë, teknikë apo specialistë dhe si përfundim ne nuk patëm asnjë traditë nga e kaluara. Çdo eksperiencë u krijua hap pas hapi (vit pas viti) me përpjekje, punë dhe studim të vazhdueshëm.

Gjithashtu, konstatohet, se që nga viti 1986 e deri në vitin 2011 nuk është vënë në punë asnjë vepër në këtë fushë. Në vitin 2012 kompania austriake “Verbund” vuri në shfrytëzim dy hidrocentrale në lumin “Drin” me kapacitet 48MW në fshatin Ashtë (Shkodër). Njëkohësisht, duhet të theksohet me keqardhje, se janë prishur të gjitha institucionet e ngritura dhe nevoja për energji e vendit rritet me 5-7%. I uroj të gjithë atyre, që kontribuuan me punën e tyre të dobishme për këtë qëllim sa fisnik aq dhe të përjetshëm. Populli thotë, se të vdekurit dëgjojnë dhe ne gëzojmë sot në këtë ditë të shënuar edhe për ata, të cilët nuk janë sot këtu me ne.

Hapat vigane të Shqipërisë në drejtim të energjisë elektrike

Centralet e para diesel të ndërtuara në vend filluan të japin energji elektrike në vitin 1925 në Korçë, në vitin 1927 në Tiranë e kështu me radhë në disa qytete e qendra kryesore. Kjo energji elektrike e prodhuar me gjeneratorë shërbente për ndriçim të institucioneve shtetërore dhe të familjeve në gjendje të mirë ekonomike. Shpenzimet për instalimin e saj ishin të mëdha dhe 1 kwh kushtonte 4.5 lekë, në një kohë kur paga e punëtorit nuk kalonte 3-4 lekë/ditë. Prodhimi i energjisë elektrike në të gjithë vendin në vitin 1938 ishte rreth 8 milionë kwh ose rreth 8 kwh për banor. Me përjashtim të një sasie të vogël të energjisë elektrike që prodhohej nga hidrocentrali i Vithkuqit (Korçë) me fuqi 600 kë, e gjithë energjia elektrike prodhohej me gjeneratorë. Shqipëria në këtë periudhë ishte një vend, ku familjet përdornin për ndriçim llamba vajguri, kandila me vaj dhe me pishë. Pas pushtimit të vendit më 7 prill 1939 nga Italia fashiste, për shkak të luftës (që zgjati rreth 6 vjet) dhe shkatërrimit të centraleve diesel nga pushtuesit, prodhimi i energjisë elektrike në vitin 1945 ishte vetëm 5.4 milionë kwh ose rreth 5 kwh për person në vit. Ndërkohë, në prag të Luftës së Dytë Botërore, prodhimi i energjisë elektrike në shumë vende të Europës kishte arritur nivele mjaft të larta. Kështu p.sh., në vitin 1939 disa vende të Ballkanit, si: Bullgaria, Rumania, Jugosllavia, shtete fqinjë me ne, prodhonin respektivisht 40 kwh, 72.5 kwh dhe 75 kwh energji elektrike për person në vit. Në këtë periudhë vendet e tjera evropiane, si Anglia dhe Çekosllovakia prodhonin respektivisht 620 kwh dhe 500 kwh për banor në vit. Ndërsa po të flasim për vendet nordike dhe veçanërisht për Norvegjinë, që zinte vendin e parë në botë për prodhimin e energjisë elektrike për frymë, impiantin e parë hidroenergjetik ajo e vuri në shfrytëzim në vitin 1885 dhe në vitin 1922 kishte ndërtuar 1000 hidrocentrale të vogla e të mesme me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 1350000 kë. Në vitin 1939, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kishte 2100000 kë fuqi të instaluar dhe prodhohej 10 miliardë kwh energji elektrike ose rreth 2 800 kwh për banor. Pra, praktikisht ne fillonim ndërtimin e veprave energjetike 50-60 vjet më vonë se vendet e tjera të Europës. Në mesin e shekullit XX, kur popujt dhe vendet e tjera të kontinentit kishin arritur të prodhonin ato sasi të energjisë elektrike për frymë që përmendëm më sipër, ne prodhonim vetëm 5 kwh për frymë ose 10-15 herë më pak se vendet e Ballkanit dhe mesatarisht 100-300 herë më pak se vendet e tjera të zhvilluara të Europës.

Asgjë nuk u trashëgua në këtë fushë, as kuadro të lartë, as teknikë, as specialistë dhe as traditë. Çdo gjë duhet të fillonte nga e para. Dhe Shqipëria e pishës, qiririt, kandilit dhe llambës me vajgur, brenda një periudhe të shkurtër, u shndërrua në një vend plotësisht të elektrifikuar (25 tetor 1970) dhe që me pjekurinë, mençurinë, guximin dhe aftësinë tekniko-shkencore të studiuesve, projektuesve, ndërtuesve dhe montatorëve tanë të talentuar realizoi vepra hidroenergjetike të nivelit evropian e botëror. Ndërtimi i tre hidrocentraleve mbi lumin Drin gjatë viteve 1967-1986, Vau i Dejës, Fierzë, Koman me fuqi të përgjithshme të instaluar 1350000 kë dhe prodhim vjetor të energjisë rreth 5 miliardë kwh, janë vepra që flasin për arritje të shkëlqyera të njerëzve tanë në këtë fushë. Pikërisht, tani, pas 65-vjetësh të krijimit të Ndërmarrjes Hidroelektro, e cila u bë shkolla e madhe e përgatitjes dhe specializimit për të gjithë studiuesit, projektuesit, ndërtuesit e montatorët e ndërtimit të të gjitha hidrocentraleve, linjave të tensionit të lartë dhe nënstacioneve të ndërtuara në Shqipëri, mund të themi se progresi në këtë fushë është lavdërues. Prodhimi i energjisë elektrike vetëm nga hidrocentralet, në krahasim me vitin 1945, është rritur 1000 herë. Aq sa prodhohej energji elektrike në vitin 1945, aq prodhon në një ditë hidrocentrali i Fierzës. Shekulli XX është quajtur me të drejtë shekulli i energjisë elektrike. Zbulimi dhe fillimi i përdorimit të saj i dha mundësi të reja zhvillimi dhe progres të jashtëzakonshëm njerëzimit.