Dr.Neki Dredha/ Pak fjalë për Pavli Flloko, një zemër e madhe dhe fisnike        

1842
Sigal

Më 15 gusht 2014 u mbushën plot 109 vjet nga dita, që erdhi në jetë një nga yjet rrëzëllues të mjekësisë shqiptare, doktor Pavli Flloko.

Jetëshkrimi

Ai u lind në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Babai, Grigori dhe nëna, Ekaterina, ishin denbabaden gjirokastritë. Nga të pesë fëmijët e Grigorit dhe të Katerinës, Pavli radhitet i dyti. Fëmijët e tyre, që shquheshin për zgjuarsi të veçantë, ata i drejtuan në rrugën e dijes dhe të shkencës.

Shkollën fillore në gjuhën shqipe e bëri në Gjirokastër, kurse Shkollën Unike dhe Liceun Francez e kreu, me shpenzimet e familjes, në Korfuz. Gjatë kësaj kohe ai, përveç njohurive mësimore të përgjithshme, që u vlerësuan “shkëlqyeshëm”, përvetësoi, në mënyrë të përkryer greqishten e vjetër e të re, latinishten, italishten dhe frëngjishten.  Me këtë formim kulturor e gjuhësor shumë të mirë, rioshi Pavli Flloko, ndoqi studimet në Universitetin e Sorbonës, në Paris, nga viti 1927 -1934. Pra, në universitetin më të vjetër të Francës, i cili ishte themeluar qysh në vitin 1257. Pas mbarimit të studimeve, në sallën e ceremonive zyrtare të këtij universiteti, u bë dhënia e diplomës. Këtu, më 22 dhjetor 1934, djaloshi gjirokastrit, 29 -vjeçar, bëri “Betimin e Hipokratit”. Në këtë ceremoni madhështore, e cila ishte pjesë e protokollit, miratuar qysh në vitin 1523 nga Papa Klementi VIII, zeshkanit hirplotë të Arbërisë i dhanë diplomën: “Doktor i Universitetit të Parisit”. Këtë e shoqëruan me lëvdata të veçanta për arritjet e shkëlqyera në përvetësimin e dijenive të shkencës mjekësore dhe për ligjërimin e bukur, të rrjedhshëm, joshës e bindës. Për këto virtyte të rralla dhe karakterin e fortë të këtij shkencëtari të ardhshëm, Universiteti i Sorbonës i afroi detyrën e “Asistentit”, në Katedrën e Patologjisë. Mirëpo, mendja dhe zemra e doktor Pavli Fllokos endej e përmalluar në truallin arbëror, atje ku i kishte rënë koka, ku kish mëmë e ku kish atë, ku e njih dhe guri i thatë, te rrugët kalldrëmore të  qytetit antik të njëmijë shkallëve, ku lartohej drejt qiellit kështjella magjiplotë e Gjirokastrës. Atje, ku në çdo gurë të kalldrëmit gjallonin kujtimet dhe gjurmët e përgjakura të moshës fëmijërore. Për këto ndjenja të mirëfillta dashurie dhe përmallimi të paanshëm për vendlindjen, ai la, pa mëdyshje, “qytetin e dritave vezullore” dhe “kryeqendrën e kulturës botërore”, Parisin. Nga një nënë  s’jemi bërë, po një mëmëdhe kemi të tërë — thoshte me nderim  e krenari doktori rioshe. —Ndaj, lashë pas qytetin e ëndrrave, ku kalova plot gjallëri dhe hare vitet rinore, lashë auditorët e universitetit zulmëmadh, rrugicat gjarpërore, lulishtet e bukura e çlodhëse, ku kisha kaluar çaste lumturie e gëzimi me parisienin time të adhurueshme, Margaritën. Me këto kujtime mbresëlënëse të paharrueshme u ktheva shend e verë në qytetin e zemrës, qytetin antik të Gjirokastrës, që ngrihet shkallë-shkallë nëshpatin e thiktë të kodrinave bleroshe, që mbajnë mbi supe Malin e Gjerë. Kur isha në dhe të huaj dita më dukej një muaj, sepse dera e botës nuk bëhet kurrë streha e kokës, theksonte ai me urtësi. Bashkë me mua erdhi edhe ajo, vogëlushja hirplotë e Parisit, Margarita, pjesa e pandarë e dashurisë time të dëlirë, me të cilën u lidha aq fort sa u martova dhe kalova 3 vjet të lumtura në krahët e saj njomëzakë.

Mjek patolog në Romë dhe një vit e pak në qytetin lagunor të Venecias

Në vitet 1935-1938, Pavli Flloko punoi si mjek patolog ushtarak në Spitalin e Tiranës . Po kthimi me mirëkuptim i Margaritës në Francë la mbresa të thella te zemrat e prushta të çiftit. Kjo ndarje nuk e shembi ngrehinën e dashurisë rinore as në rrjedhën e viteve pasuese. Përkundrazi, ajo mbeti lot e dhembje dhembshurie, skalitur te një mori letrash mallëngjyese të ndërsjella, si kujtim i dashurisë së pastër të viteve në lulim. Kostandini vazhdonte, atëkohë, Universitetin e Bolonjës, në degën e matematikës. Mirëpo, mjetet financiare që i dërgonte i ati nuk ishin të mjaftueshme. Për këtë shkak, aty nga viti 1938, doktor Pavli Flloko, me gradë tashmë të “kapitenit” (e më vonë të “Majorit”) mori rrugën e Italisë. Synimi i vetëm i kësaj shpërnguljeje ishte nga njëra të mbështeste, me të ardhurat e punës së tij, vëllain e vogël, Kostandinin, nga ana tjetër ishte dëshira për të lehtësuar barrën financiare të babait, që e adhuronte aq shumë.  Doktor Flloku punoi rreth dy vjet e gjysmë si mjek patolog në Romë dhe një vit e pak në qytetin lagunor të Venecias. Aty rreth vitit 1943, në kohën që i vëllai mbaroi universitetin, rikthehet në Shqipëri, ku nisi punën si mjek patolog në qytetin e Gjirokastrës, e më pas në Tiranë.

Bashkë me të vëllanë në formacionet luftarake të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare

Rreth vitit 1944, në kohën që kombi vuante të zitë e ullirit nën thundrën e pushtuesve nazifashistë,  doktor Pavli Flloko dhe i vëllai, Kostandini, të udhëhequr nga ndjenja të larta të atdhedashurisë dhe patriotizmit rreshtohen në formacionet luftarake të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Ai, po këtë vit, në përbërje të brigadave partizane, mori pjesë në çlirimin e  plotë të Kosovës. Pas fitores mbi ordhitë nazifashiste, doktor Flloko emërohet nga qeveria e Tiranës Drejtor në spitalin e Pejës, si dhe Shef i Patologjisë në Spitalin Krahinor të saj. Në atë kohë, ai shkonte, herë pas here edhe në qytetin e Dardanisë antike, në Shkup, ku jepte udhëzime për organizimin dhe drejtimin e shërbimit mjekësor. Po ashtu, ky mjek patolog i përgatitur dhe me përvojë mjekësore, tashmë të njohur, jepte ndihmesë me vlerë të madhe në të gjitha konsultat mjekësore, që kryheshin aty për të sëmurët me gjendje të rëndë. Në të gjitha rastet, ai shqyrtonte me kujdes dhe imtësi  gjendjen e rëndë të të sëmurit. Mendimi mjekësor i gjirokastritit mendjendritur zgjidhte nyjen Gordiane dhe përcaktonte llojin e sëmundjes, si dhe vendoste mjekimin e përshtatshëm. Kjo punë e parreshtur dhe e palodhur rriti pamasë madhështinë e doktor Fllokos, e cila do të lartohej shkallë-shkallë, në vitet e ardhshme, deri në zenith.

Doktori fliste me admirim dhe psherëtinte nga malli për vitet e bukura që kaloi në Pejë.

 Ai tregonte, në mënyrë të veçantë, me ëndje e kënaqësi të madhe për jetën e lumtur familjare, që krijoi me gruan e tij të dashur, Milevën dhe dy vogëlushët e zemrës, Aleksandrin dhe Timotheun, që hidhnin shtat nga viti në vit. Po fati — thoshte ai i pikëlluar — më tradhtoi. Në kohën që u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, gjysma e familjes, Mileva dhe djali më i vogël, Timotheu, mbetën në anën tjetër të kufirit, si peng i politikës. Kurse unë dhe Acua (shkurtim i emrit Aleksandër) erdhëm zemërthyer në Gjirokastër. Kjo, fatkeqësi familjare u bë ngjarja më dramatike e jetës sime, e cila më ngriu gazmimin në buzë, më shkaktoi vuajtje shpirtërore të rëndë dhe më bëri që të prish, ndonjëherë, gojën me ndonjë hallemadh, që s’m’i njihte brengat e ndrydhura, të cilat më brenin përbrenda.

Mjek patolog në Spitalin e Rrethit të Vlorë

 Ministria e Shëndetësisë e emëroi doktor Fllokon, si pas kërkesës së tij, mjek patolog në Spitalin e Rrethit të Vlorë. Për këtë shkak, ai  vajti me dëshirë të madhe në Vlorë. Aty rreth orës 8 të mëngjezit trokiti tek dera e drejtorit të spitali. Pavli ishte një burrë i veshur me sqimë, me shtat mesatar e  të drejtë si selvi tumbake, me muskuj të ngjeshur fort e të lidhur mirë e bukur pas pjesëve të ndryshme të trupit. Fytyrën e kishte, pak a shumë, vezake, me ballë paksa të gjerë e të lartë. Midis harkut të flokëve mbi ballë shquante një xhufkore, që zbardhonte midis flokëve të derdhur në pendë korbi. Lëkurën e kishte të lëmuar dhe paksa të zeshkët. Mustaqet, skrop të zeza, me majë të zgjatur e të hollë, i zbukuronin buzën e sipërme. Prerja e tyre me finesë i shtonin hijeshinë dhe nxirrnin më në pah fisnikërinë burrërore të tij.  Sytë i kishte të zinj e zhbirues, me shikim të ëmbël e ledhatues. Mbi cipën e bardhë të syrit shquhej një shtresë e hollë me një farë nuance disi  të verdhë në të kuqe, e cila më futi në një qorrsokak diagnostik — e përshkruante me hollësi doktor Mihal Angjel më vonë.

Ngjyrimi paksa i verdhë i syve u bë me të vërtetë shkak i një shpotie të lehtë, që përcillet, sot e kësaj dite, gojë më gojë, nga njëri brez mjekësor tek tjetri. Meqë e pruri rasti po e shtjelloj me hollësi, sepse është aq thumbuese sa dhe gazmore, frut i një njeriu mendjehollë. Në çastin që doktor Flloku do t’i dorëzonte urdhrin e emërimit drejtorit të spitalit, Dr. Angjelit, ky e pa në sy dhe pa e pyetur më tej i tha: je me verdhëz dhe i plotësoi, aty për aty, fletën e shtrimit për në repartin e sëmundjeve ngjitëse. Doktor Pavli Flloko, që ia njihte vetes këtë dukurit të veçantë, e mori fletën e shtrimit dhe duke qeshur nënbuzë shtrohet në repartin e sëmundjeve ngjitëse. Tre katër ditë më vonë, drejtori i spitalit erdhi te dhoma e tij për të konsultuar një të sëmurë tjetër, që ishte në gjendje të rëndë. Midis fjalëve të tjera drejtori u tha mjekëve të konsultës: Këto ditë presim të fillojë nga puna një mjek patolog me emrin Pavli Flloko, nga Gjirokastra, diplomuar në Francë, në Universitetin e Sorbonës.  Mjeku i repartit infektiv e hodhi vështrimin te i sëmuri  i tij, që mbante po këtë emër dhe i tha: Ky doktori që po na vjen paska emrin tënd. Si urdhëron — u përgjigj i sëmuri – duke qeshur me qesëndi. Po me një ndryshim se doktori ka katër ditë që gjendet midis jush. Siç e shikoni ndodhet i shtruar me verdhëz në spital. Dr. Angjeli shqeu sytë i habitur dhe i thotë: po si u shtrove në spital? Pavli ia ktheu me të qeshur, ju më shtruat, se  më dalluat ngjyrimin e verdhë të syve, që unë e kam të zakontë. Po, nga njëra anë bëre mirë që më shtrove, se më kurseve ca para, të cilat do t’i kisha harxhuar për hotel dhe ushqime. Gazmimi mbuloi dhomën e konsultës. Pastaj vërshoi dhomë më dhomë të të sëmurëve, çau përmes korridoreve dhe u derdh me furi vesh më vesh të punonjësve të spitalit e më gjerë. Kështu, u bë i njohur, pa filluar ende punën, Shefi i Patologjisë së Spitalit të Rrethit të Vlorës, gjirokastriti mendjemprehtë, doktor Pavli Flloko.

Në rrjedhën e viteve 1948-1970

Në rrjedhën e viteve 1948-1970, ai u bë pjesë e pandarë e plejadës së mjekëve të shquar, që rrezatuan ndërgjegje shoqërore dhe kulturë mjekësore anekënd trevës labërore e më gjerë. Në ato vite të vështira, banorët e qytetit moçalor të Vlorës ishin nën kërcënimin e pareshtur dhe vdekjeprurës të malaries, sifilizit, dizenterisë, tifos, plasjes, tetanosit, lisë së vërtetë, poliomielitit dhe shumë sëmundjeve ngjitëse të tjera. Në këto rrethana, ishte fat i madh që  kësaj popullate të drobitur e të rraskapitur nga ethet e malaries, i shërbeu yjësia e mjekëve të njohur si doktorët: Ali Mihali, Mihal Angjeli, Pavli Flloko, Kostandin Kauri, Isuf Hysenbegasi, Irfan Pustina, Pertef Kallfa, Hasan Shehu  e shumë e shumë të tjerë. Ata e vendosën mjekësinë e Rrethit të Vlorës mbi baza shkencore bashkëkohore të shëndosha. Këta misionarë të devotshëm të shërbimit mjekësor i shërbyen popullit vlonjat me dashuri të pakufishme dhe përkushtim të veçantë, ditën dhe natën, në palcën e dimrit dhe në zhegun e verës. Ata luftuan orë e çast me vdekjen dhe dolën, përherë e më shumë, fitimtarë mbi të. Ata ishin armatë çudibërëse, që zbatuan me përpikmëri shkencore reformat e domosdoshme të kohës dhe çrrënjosën njëherë e mirë malarien, sifilizin, linë e vërtetë, difterinë, kollën e mirë, poliomielitin, tifon, dizenterinë, tuberkulozin, trakomën, qeren e shumë sëmundje ngjitëse të tjera, që i qëndronin popullit mbi kokë si “kosa e vdekjes”. Në krye të kësaj pune madhështore, që kërkonte planifikim, organizim e drejtim shkencor të veçantë ishte doktori i talentuar, Pavli Flloko. Ky, me vendosmëri e përpjekje këmbëngulëse, zbatoi hallkë pas hallke programin e hartuar me mjeshtëri e baza shkencore të mirëfillta.. Vetëm njerëz me mendje të ndritur dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrës si ai dhe shokët e tij bëjnë mrekulli të kësaj natyre, të cilat lënë mbresa të thella në ndërgjegjen qytetare dhe kujtohen me nderim të veçantë brez pas brezi.

Doktori  hynte lirshëm në bashkëbisedim me studentët

Doktor Flloko dhe kolegët e tij përgatitën leksionet dhe dhanë mësim në  kurset 6 mujore dhe një vjeçare për infermierët e Rrethit të Vlorës. Ai drejtoi, madje edhe praktikat e nxënësve të Politeknikumit Mjekësor dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Doktori  hynte lirshëm në bashkëbisedim me studentët. Ai zbërthente në mënyrë praktike dhe shkencore një më një temat e programit mësimor. Madje, ai shpjegonte mirë e bukur shkaqet, mekanizmat, shenjat dhe mjekimin për çdo sëmundje. Ilustronte secilën nga temat, për sëmundje të veçanta, te shtrati i të sëmurit.

Doktor Flloku fliste bukur e rrjedhshëm siç ligjëronte dikur Demosteni i lashtësisë

Doktor Flloku fliste bukur e rrjedhshëm siç ligjëronte dikur Demosteni i lashtësisë. Ne e dëgjonim me vesh të mprehur dhe admirim ligjëratat e tij. Ai, për ta bërë sa më tërheqës shpjegimin, citonte herë pas here vargje të zgjedhura nga gurra popullore , poetët vendas dhe të huaj. Të  flasësh me hollësi për pasionin që kishte ai për poezinë dhe gurrën popullore duhen net shënëndreu. Ai recitonte vargje nga Pindari, Safua, Anakreoni, Omeri, Omar Kahjami, Naimi, Çajupi, Alfred de Muset, e shumë të tjerë. Mirëpo, vargjet, që recitonte nga folklori i dilnin nga zemra dhe nuk kishin të sosur. Madje edhe ligjëratat që ligjëronte në mbledhje të ndryshme i shoqëronte, sipas rastit, me vargjet e gurrës popullore ose nga ndonjë poet i veçantë, që kishte më përzemërt. Me këtë përgatitje shkencore të lartë e të gjithanshme dhe gojëtarinë e zhdërvjelltë që shfaq doktor Flloko — theksonte Prof. Fejzi Hoxha, Selaudin Bekteshi e të tjerë — do të ishte nder i madh për ne ta dëgjonim me ëndje ligjërimin e tij pasionant në auditoret e Fakultetit të Mjekësisë, në Tiranë. Një paradite në mjediset e jashtme të Spitalit të Tiranës — tregonte me shaka Doktor Flloku — po shkëmbeja mendime me mikun tim gjirokastrit Prof. Fejzi Hoxhën. Pa pritur feksi një bukuroshe belhollë, që siç ma prezantoi më vonë Fejziu ishte laborante. Ajo i dha profesorit disa fletë-analizash dhe u tërhoq pak hapa më tej, si për të na kërkuar të falur, që na ndërpreu bisedën. Fejziu, që m’i njihte mirë prirjet për shakatë me kripë, më nxiti: Po e puthe në faqe këtë njomëzaken bukëlore, që ka si ty atë xhufkën e bardhë midis flokëve të zezë, do të jap një drekë te Hotel Dajti. E pashë me shumë kujdes atë perri nga koka te këmbët dhe vura re se edhe ajo kishte një xhufkë bardhoshe, që ndriçonte midis flokëve skrop të zinj, mbi ballë. I bëra shenjë të afrohej dhe pa e zgjatur e putha tek të dyja mollëzat kuqëlore të faqeve dhe në ballë, duke i thënë sakaq: ç’qe kjo fatmirësi që më pruri këtu të takohem me motrën time të shtrenjtë?! Ajo, pak si e hutuar dhe e prerë në fytyrë, u largua me vrik nga krahët e mi dhe paksa mëdyshas më pyeti : ç’ne unë motra juaj? Unë me buzë në gaz, ashtu siç isha, i tregova me gishtin tregues shenjën e bardhë që kishte midis flokëve korb të zinj, që ngjasonte, si dy pika uji, me xhufkën time. Atëherë vajza bukëlore u çel në fytyrë, buzëqeshi dhe si e kuptoi mirë shakanë time më përqafoi si vëllain e saj më të madh. E qeshura përshkoi tejendanë edhe fytyrën e mikut tim, Fejziut,  i cili më tha, aty për aty, e fitove bastin.  Në një mbledhje, që qeveria zhvilloi për paqen në qytetin e Durrës, ishte i ftuar edhe doktor Flloku. Ai mbajti një ligjëratë aq të bukur e të zjarrtë, ilustrua me vargje poetike të zgjedhura, saqë auditori e ndoqi me vëmendje të admirueshme dhe e shoqëroi me duartrokitje dhe brohoritje të stuhishme. Në mbyllje të fjalimit, doktori mori leje t’i bënte një pyetje të birit, Acos, i cili ishte ulur në rreshtin e fundit të sallës. Aco — iu drejtua ai me zë të lartë djalit të madh të tij — Kur do të vijë mamaja në Shqipëri? Acua, që e dinte ç’duhet të thoshte, u ngrit në këmbë mbi karrige dhe shqiptoi me sa forcë që kishte: Kur të bëhet paqja! Kjo përgjigje i ndezi më shumë  duartrokitjet dhe brohoritjet në sallë. Pas seancës doktorin e kërkuan në mjedisin, ku çlodheshin drejtuesit kryesor të mbledhjes. Ai shkoi atje dhe u prezantua. Enver Hoxha e përgëzoi për diskutimin e bukur dhe prekës që bëri dhe i kërkoi sqarime për pyetjen që i drejtoi të birit, e cila i kishte lënë mbresë të thellë. Doktor Flloku, pasi e falënderoi për vlerësimin që i bëri fjalës së tij, shtjelloi fill e për pe brengën, që e brente prej kohësh.  Pas 20 ditësh e shoqja e doktor Fllokos, Mileva shtatbilonjë, dhe djali i vogël, i tij, Timua, kaluan trarin e hekurt të kufirit. Më në fund, familja Flloko u bashkua në një të vetme, përmes lotëve të përmallimit dhe gëzimit të ndërsjellë, në qytetin e Shkodrës. Aty, pas 8 vjetësh, Timua njohu dhe ndau ngrohtësinë me të atin e shumëkërkuar, Acua ndjeu edhe njëherë dashurinë e pamasë të nënës së shumëpritur, teksa Pavli e Mileva shkrinë në krahët e njëri-tjetrit, që ishin dy trupa, një shpirt i dhënë, duke hedhur pas krahëve brengat gërryese, që përjetuan 8 vjet rresht larg shoku-shokut.  Sheshi i Kateqit dhe mbarë Vlora e priti krahëhapur zgjidhjen e kësaj drame politike, që rëndonte mbi shpatullat e doktorit së zemrës së tyre, si guri që bartte Sizifi në të përpjetën e malit të Tartarit. Bashkimi i plotë i familjes e zbuti thuajse plotësisht ankthin, që doktorin e brente në vite. Ai ishte, tashmë, më i qeshur dhe më i përzemërt me mjekët, stazhierët, me personelin mjekësor dhe me të sëmurët. Çerja e fytyrës i mori pamje më gazmore.  Madje, për ne mjekët e rinj ai u bë engjëlli mbrojtës. Ne qëndronim pranë tij jo vetëm në kohën që ai shpjegonte tema mjekësore të ndryshme dhe debatonte në konsulta, po edhe në kohën që kryente shërbimin e mjekut të rojës. Në rastin e fundit ne qepeshim pas tij si urdhja për lisi. Aty përfitonim më shumë nga përvoja e tij, se ishte më i lirë dhe më i prirë për të na ndihmuar. Ne ndiqnim me vëmendje të madhe çdo fjalë që nxirrte nga goja, sepse nëpërmjet tyre shtjellonte, në mënyrë shkencore, praktikën mjekësore të mirëfilltë, që shfaqej, sipas rastit, te i sëmuri.  Ai e zbërthente gjendjen e të sëmurit fill e për pe. Krahas raportimit që bënte, për shërbimin e rojës, në mbledhjen e mëngjesit nuk linte në harresë fjalët lavdëruese për mjekët e rinj. Këtë vlerësim e përcillte edhe te të sëmurët, të cilët i këshillonte të kishin besim të plotë te njohuritë mjekësore tona. Goja e tij kullonte vetëm mjaltë. Ky mjaltë i afroi të sëmurët tek ne për vizitë. Për këto e të tjera gjera, që bëri ajo zemër e madhe fisnike për ne mjekët riosh, i jemi mirënjohës për jetë e mot. Doktor Flloku i donte dhe i nderonte me shpirt kolegët e tij. Plejada e mjekëve të asaj kohe ishte e lidhur me njëri-tjetrin si pjeshkë mishje (që nuk i shqitet pjesa e tultë nga bërthama). Nuk i dëgjuam asnjëherë të mbanin shoku-shokun në gojë për keq. Kjo dukuri e admirueshme e tyre nuk zuri, për fat të keq, vend sa duhet në ndërgjegjen mjekësore të  brezave pasues. Siç duket ky rregull i shenjtë deontologjok ishte gdhendur mirë e bukur në mendje dhe ndërgjegjen e tyre qysh në bankat  universitare europiane. Doktor Flloku ishte pjesë e pandarë jo vetëm e familjeve të qytetit të Vlorës dhe e trevave të tij. Miqtë dhe dashamirësit e doktorit i gjeje në çdo anë, që nga Kurveleshi e Lumi i Vlorës, Himara e Fieri Tepelena e Gjirokastra,  Berati e në qytete të tjera të vendit. Ata hynin, pa teklif, në shtëpinë e tij dhe qanin halle e dertet me të për çdo problem shëndetësore. Ai për ta ishte Perëndi. Në kohën që zbriste tatëpjetën e spitalit, një qytetar e ktheu në shtëpinë e tij për të vizituar një të sëmur. Ky kishte ardhur nga Tepelena dhe ishte në gjendej të rëndë. Madje ishte vizituar dhe shtruar disa herë në spitalin e Tepelenës, po nuk kishte gjetur shërim. Gjendja e tij sa vinte dhe rëndohej më tepër. Kohët e fundit kishte ngelur ulok. Ai ankonte dhembje kyçesh të forta, temperaturë të lartë e me hope. Ajo ishte e tipit valor dhe shoqërohesh me djersë të shumta. Doktor Flloko sa hyri në dhomën e tij ndjeu një erë të veçantë. Kjo — tha ai — është erë e militencës (brucelozës). Si e vizitoi e shtroi dhe e mjekoi në repartin infektiv. Në fund të mjekimit i sëmuri, Myftar Skënderi, nga Tepelena. dolli i shëruar nga spitani. Ai e kujton, edhe sot e kësaj dite, me nderim të veçantë atë sy klinik të përkryer të doktor Fllokos, që e riktheu në jetë