Dr. Afrim KRASNIQI/ Media dhe mosha e tretë: probleme dhe modele të trajtimit

810
Sigal

Në një shoqëri demokratike media ka tri funksione klasike: informim, edukim përmes informimit dhe argëtim të lexuesve/shikuesve përmes shumëllojshmërive të formave, temave dhe materialeve që përcjell. Përveç funksioneve klasike media përmbush edhe funksionin kontrollues, kritikues, social dhe shoqëror. Në një shoqëri të hapur, ku ndërthuren faktorë tradicionalë dhe modernë, tradita dhe familja, shkolla dhe feja, stadi kulturor dhe pritshmëritë ndaj të ardhmes, – media ka përgjegjësinë të ofrojë modele orientimi për formën e të menduarit, të sjelljes, të imazheve dhe tipologjisë për brezat e rinj. Ndikimi i imazhit që krijon media është shumë më i fortë sesa imazhit që përcillet nga familja apo institucionet, ndaj edhe raporti i medias me çdo kategori sociale e problem social mund të sjellë ndikim shumë me të madh sesa vetë veprimet zyrtare të institucioneve të caktuara.

Rast tipik për median është raporti i saj me shtresat sociale më të rrezikuara, ku për shkak të problematikës së tranzicionit dhe sistemit tonë social, mosha e tretë zë një vend numerik të rëndësishëm. Në dallim nga brezat e rinj mosha e tretë nuk shihet nga media si objekt formimi, përkundrazi. Të rinjtë krijojnë identitete përmes presionit dhe modelit që ofron media, mosha e tretë e ka tashmë identitetin e krijuar dhe vetë media në përshtatje me këtë identitet, synon të përshtatet, sipas shijeve dhe kërkesave të kësaj moshe. Pra, nëse media imponon profilet e të rinjve, mosha e tretë imponon profilet e medias. Në rastin e parë profili është afatgjatë, ka në thelb fitimin dhe shtimin e auditorit, në rastin e dytë fitimi është i kufizuar dhe auditori në rënie të vazhdueshme në varësi nga numri i qytetarëve të moshës së tretë që janë në gjendje të ndjekin median, sidomos median e re sociale me bazë shërbimet on-line.

Brenda kësaj marrëdhënie disproporcionale, – media – auditor – grupmosha, – janë krijuar tashmë disa modele të raporteve media – mosha e tretë, të cilat po bëhen gjithnjë e më shumë të ngurta, të pandryshueshme, – e kundërta e raporteve në evoluim e ndryshim të përhershëm me grupet e tjera sociale e moshore.

 Për efekt strukturimi po paraqes disa nga gjetjet kryesore që kam arritur të analizoj dhe konstatoj në rastin e raporteve të medias dhe moshës së tretë në Shqipëri:

 ü Së pari, në morinë e mbi 220 gazetave dhe revistave që qarkullojnë në Shqipëri nuk ka asnjë titull që trajton dhe merret direkt me moshën e tretë dhe problematikën e saj. Ndonjë nismë lokale për media specifike për këtë moshë, (Veterani, Kushtrimi i brezave) kanë pasur synim dhe objekt më shumë ideologjik dhe konsumi politik sesa social dhe përfaqësues të kësaj shtrese. Mungesa e një titulli të vetëm fokusuar moshës së tretë,  me gjithë numrin e lartë të qytetarëve që përbëjnë këtë shtresë, pavarësisht motiveve, problemeve të financimit dhe kufizimeve në problematikë, – shpreh simbolikisht distancën e dukshme midis medias si pushtet dhe moshës së tretë si një prej grupeve numerikisht më të mëdha në shoqëri.

 ü Së dyti, në median publike dhe atë private, sidomos në median televizive, ekzistojnë një duzinë emisionesh me karakter publik dhe audicion të gjerë, por asnjë prej tyre nuk ka emërtim, lidhje apo fokusim direkt tek mosha e tretë dhe problematika e tyre. Për efekt të këtij referimi, unë kontrollova rreth 120 emisionet kryesore televizive të zhvilluara në mediat më të mëdha shqiptare në 3 muajt e fundit. Konkluzioni përforcoi idenë paraprake se brenda 120 temave më të ndjekura televizive të kësaj periudhe asnjë prej tyre nuk prek/fokuson direkt moshën e tretë dhe problematikat kryesore të saj. Midis tyre gjenden tema ku mosha e tretë ftohet të flasë, por në çdo rast kjo lidhet me ngjarje historike të Luftës së Dytë Botërore, me krijimtari artistike në fusha të veçanta, me histori apo me raste të krimeve në familje. Dominuese janë temat politike mbi aktualitetin, diçka që sjell audiencë, kurse problematika e moshës së tretë mungon edhe sepse konsiderohet tematikë pa audiencë të sigurt.

Logjika e audiencës dhe reklamës edhe këtë herë dominon mbi misionin social dhe përfaqësues të medias. Mungesa e vëmendjes dhe qëndrimi diskriminues në aspektin e përzgjedhjes tematike, nuk bën dallim nga media private apo publike. Vëzhgimi provoi se fokusime të mundshme direkte, si për shembull, – buxheti i ri vjetor dhe mosha e tretë, raportet e shoqërisë me moshën e tretë, platformat politike ndaj moshës së tretë, legjislacioni mbi moshën e tretë, raporti në familje ndaj moshës së tretë, etj, mungojnë jo vetëm tek mediat private, por edhe në atë publike, megjithëse kjo e fundit financohet indirekt edhe nga kontributet mujore të detyrueshme të çdo qytetari, përfshirë mosha e tretë.

 Së treti, në debatet mbi politikat e re sociale, siç janë reforma e pensioneve apo detyrimet e shtetit ndaj shtresave të veçanta (familjet e dëshmorëve, ish të përndjekurit, ish ushtarakët, etj) praktikohet gjithashtu një standard tjetër nga ai i grupeve të tjera sociale. Konkretisht, në katër debate të tilla të zhvilluara gjatë muajit të kaluar, në asnjë panel apo debat nuk morën pjesë përfaqësues të grupimit të moshës së tretë. Vëmendja kryesore përqendrohet kryesisht tek moshat më të reja dhe kategori sociale profesionale që janë aktive në tregun e punës, ndërsa për moshat e treta, ekziston apriori tipizimi se janë barrë financiare e sociale për shtetin dhe se nuk përbëjnë një masë qytetare që mund të reagojë publikisht në mbrojtje të të drejtave të veta.

 ü Së katërti, ka një keqkuptim të madh midis lajmit me objekt ose subjekt moshën e tretë dhe rolit etik të gazetarisë ndaj tij. Konkretisht ekziston një kulturë dominuese sipas të cilës, mosha e tretë trajtohet me keqardhje, viktimë e ngjarjeve, një shtresë që duhet trajtuar më me respekt për shkak të moshës, – dhe jo p.sh, si një kategori qytetarësh që më shumë sesa mëshirë e keqardhje kërkojnë dhe meritojnë respekt, – respekt për jetën, për përvojën, për kontributin, për modelet që ofrojnë. Respekti institucional dhe etik do të mund të evitonte paragjykimet subjektive që krijohen kur veprohet ndryshe.

Megjithëse në Kodin e Sjelljes hartuar nga grupimet e gazetareve më 2000 në pikën 14 përcaktohet detyrimi i medias të shmangë me çdo kusht diskriminimin e bazuar mbi origjinën dhe përkatësinë sociale. Gjithsesi kur vendi ndodhet në fushata elektorale dhe sondazhet dëshmojnë një preferencë të grupimeve sociale, përkatësisht moshës së tretë, në favor të një force politike të caktuar, një pjesë e medias automatikisht merr pozicion kritik dhe etiketues në bllok ndaj saj. Po ashtu, kur qeveritë për arsye pragmatiste dhe kryesisht politike miratojnë, p.sh, shtesë ose shpërblim në pensione sidomos në rastet e ndërrimit të viteve, media në tërësi e trajton këtë si privilegj dhe jo si një e drejtë, – duke përdorur tone që të krijojnë përshtypjen se mosha e tretë duhet të jetë shumë mirënjohëse ndaj brezave të sotëm, politikës apo institucioneve të sotme.

 ü Së pesti, në prodhimet e medias ekzistojnë kategori të përcaktuara trajtimi, siç janë politika, ekonomia, shëndetësia, arsimi, sporti, arti, lojërat zbavitëse, etj, kategori për të cilat zakonisht njëherë në javë ose në muaj, media e shkruar krijon speciale informative dhe problematike. Në asnjë prej botimeve të tilla nuk ka dedikime në problematikë ndaj moshës së tretë. Ato përmenden shkarazi vetëm në rastet e statistikave apo si pjesë përbërëse e politikave sociale, pa u trajtuar si subjekt kryesor apo objekt i trajtimit profesional të mediave. Motivi nuk është thjesht audienca, por bilanci ekonomik. Zakonisht speciale të tilla kanë pas tyre sponsorë privatë, reklama dhe grupe porositëse, të cilat në rastin e moshës së tretë mungojnë.

 Së gjashti, gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur një sërë krimesh në familje, krimesh për shkak të konflikteve për tokën apo konflikte të tjera sociale, ku janë përfshirë edhe individë nga mosha e tretë. Në çdo rast, pa asnjë kushtëzim apo kujdes profesional, media ka transmetuar të dhëna të detajuara për individin e përfshirë, identitetin, fotografinë e tij dhe detaje të jetës, të aktivitetit, të zonës ku banon, etj, pavarësisht nëse këta persona janë gjetur ose jo fajtorë nga gjykatat. Në këtë mënyrë, gjyqi publik që media u bën individëve të tillë, qoftë fëmijë, qoftë moshë e tretë, përbën një nga shkeljet e dukshme ligjore dhe praktikat më të gabuara të tranzicionit. Megjithëse, Kodi i Sjelljes i medias dhe një sërë dokumentesh ligjore e profesionale përcaktojnë rregulla të qarta veprimi në raste të tilla, nuk ka ndodhur asnjëherë që institucionet e të drejtave të njeriut të marrin në mbrojtje dhe të kërkojnë zbatimin e ligjit për shkeljet e bëra në rastet e abuzimit publik ndaj personave të moshës së tretë.

ü Së shtati, burim i kësaj kulture plot keqkuptime është për shembull, trajtimi nga media si privilegj i shërbimeve profesionale normale që do të duhet të ndodhin në çdo kohë dhe për çdo brez. Për shembull, mjafton të shohim se flitet për artistët dhe krijuesit në moshë të tretë vetëm në kohë ndarjesh nga jeta ose ngjarjesh jubilare, duke risjellë shpesh muzikën dhe krijimtarinë e tyre në formën e një homazhi për individin, kur në fakt, ato janë pjesë të një krijimtarie dhe kulture kombëtare që duhet mbrojtur, promovuar dhe risjellë në çdo kohë, pavarësisht fatit personal të individit të lidhur me të. Privilegj konsiderohet ftesa e moshës së thyer në një aktivitet publik, privilegj konsiderohet përmendja e emrit të tij apo transmetimi i një arritje profesionale të tij, madje kjo, edhe kur bëhet fjalë për emra të njohur publikë.

 ü Së teti, ekziston praktika e respektit simbolik, sipas të cilës, politika dhe media kujtohen për moshat e treta vetëm në rastin e Ditës Ndërkombëtare në kujtim të tyre. Atë ditë, politikanët bëjnë vizita, bëjnë dhurata, japin deklarata, bëjnë premtime dhe media shndërrohet në zëdhënëse/shtojcë e kësaj sjelljeje, duke e zgjeruar raportimin e vet edhe me vëzhgime që lidhen me problematikën e jetës së tyre. Pasi kalon data e caktuar problemet harrohen, mosha e tretë harrohet dhe media vijon agjendën tjetër, të politikës së ditës. Do duhet pritur 365 ditë të tjera që ata të kthehen në vëmendjen e politikës dhe medias.

 ü Së nënti, një sërë temash të trajtuara në këtë konferencë ripohuan problematikat komplekse me të cilat përballet mosha e tretë: probleme sociale, të trashëgimisë, të kujdesit shëndetësor, të statutit ligjor, të integrimit në shoqëri, të politikave të azilit dhe jetës brenda komunitetit të tyre, të keqkuptimeve apo paragjykimeve, – etj. Në media vijon të theksohet edhe një problem tjetër: tendenca për ta lexuar moshën e tretë të njeriut si një fazë jetësore e padëshiruar! Shpesh duke mos pranuar evolucionin, duke kërkuar atë që shpesh etiketohet si rini e përjetshme, duke u nisur nga kushtet e vështira ku jetojnë ky brez dhe duke mos pasur një perspektivë të qartë për të standardet e të ardhmes sociale në Shqipëri, – në media gjenden shpesh thënie etiketuese mbi mplakjen dhe moshën që ikën.