Dhimitër Gjoka: Moderatori duhet të hedhë në letër temën që do të trajtojë ashtu sikundër dhe emrat e bashkëpunëtorëve

604
Sigal

PERSONAZH/ Flet regjisori dhe spikeri i lajmeve Dhimitër Gjoka

Moderatori ose drejtuesi i emisioneve televiziv është një gazetar profesionist, që dallohet nga kolegët e tij për shumë arsye. Është dhe zgjidhet i tillë pikërisht Ai për shumë karakteristika që mbart në formimin e tij. Ai ka qenë dhe ngelet një ikonë televizive nga ana profesionale. Duke qenë realizuesi i emisionit ka një sërë veprimesh që duhet t’i kryejë gjatë zhvillimit  të tij. Ato janë veprime të domosdoshme për t’u qëndruar korrekt dhe njëkohësisht të sjella në vëmendje në çdo sekondë të transmetimit gjatë gjithë karrierës  nëpër çdo emision ku shpërfaq temat e tij.

 Kush është primare në një emision për moderatorin?

Primare në një emision për moderatorin janë  pyetjet e përgatitura. Ato kanë rëndësinë e tyre sepse mbi atë bazë është ndërtuar emisioni, është zanafilla e tij ose nëse do shpreheshim figurativisht është themeli, ku do të ngrihet një fabrikë që do të prodhojë më shumë hapësira mendimesh në dobi të qëllimit që emisioni ka si synim… Por paralelisht me to janë edhe çdo dukje tjetër në kuadër e kompozuar që shikuesi vështron dhe dëgjon.

    Çdo të kuptojmë me këtë?

Një emision sikundër ky i një mbasditje që ne marrim si vijueshmëri programi ka dy element bazë, ku ai mbështetet në realizim. Është Moderatori dhe Regjia, të cilët kanë një bashkëpunim të ngushtë, që është i domosdoshëm në ndërtimin strukturor, profesional  të emisionit. Nëse Moderatori ka hedhur edhe në letër temën që do të trajtojë ashtu sikundër dhe emrat e bashkëpunëtorëve që do të thërriten për të lëvruar këtë temë, apo edhe çdo material të filmuar ose edhe të përgatitur më parë që i shërben atij për një qëllim të caktuar gjatë emisionit. Regjia është ajo që do t’i lidhë dhe do t’u jap jetë pasqyrimit në ekran gjithë përbërësve në dinamikë që ai emision mbart.

 Po roli i regjisë?

Regjia ndjek me kamera çdo veprim të  moderatorit në studio brenda skenografisë së menduar dhe realizuar më parë që duhet të jetë e konceptuar në përshtatje të gjithë logjikës së emisionit për gjatë gjithë një sezoni transmetimi ose edhe në më shumë sezone, e cila varet nga mbarëvajtja e tij. Regjia ka për detyrë të kërkojë për të ditur të shkruar në letër gjithë përmbajtjen që do të ketë emisioni. Pasi është njohur me gjithë strukturën e tij e konsideron atë si fillimin e një pune që nisë kështu udhëtimin për t’u ndërtuar dhe shfaqur më pas në ekran.

 Ka lidhje kjo me skenografinë?

Bashkëpunimi me skenografinë e bën regjinë të përcaktojë qartë kërkesat që ka për lëvizjen skenike të moderatorit, por edhe se si ky i fundit do të komunikojë me bashkëpunëtorët me përcaktimin e vendeve të tyre në studio që mund të jenë dy, tre apo më shumë. Qysh nga hapja e deri në fund të transmetimit të emisionit moderatori do të jetë  zoti i asaj skenografie ku merr në dorë gjithë situatën me bërjen e pyetjeve, pritjen e përgjigjeve, bashkëbisedimin me të ftuarit me spektatorët  nëse është e menduar kështu dhe me më kryesoren teleshikuesit nëpërmjet sjelljes me kamerën. Hyrja në studio, hedhja e këmbës, duke shkelur në tapetin e saj është një përgjegjësi, është një privilegj sepse nuk është siç do hyrje tjetër në shtëpi ose kudo ku mund të hyhet në jetën e përditshme. Aty është vendi më i shenjtë i mendimit për një problematik të caktuar, gjykimit rreth tij sikundër është vendi, ku shikuesi të bënë autopsinë për çdo fjalë të dalë nga goja dhe për çdo konkluzion të nxjerrë. Ajo hyrje mbart mbi shpinë një peshë që do përgatitje për ta përballuar atë. Është pesha e dinjitetit profesional e të aftësuarit për të qenë i tillë e studimit të vazhdueshëm për të nxënë  vazhdimisht njohuri.

 Po me elementët e tjerë si vazhdohet?

Vendosja e mikrofonit nga ana e teknikut të zërit do të thotë të bësh kujdes në fjalën që do të nxirret. Asnjë fjalë e tepërt që nuk i shkon logjikës së shtruar nuk duhet të marr jetë. Është një përqendrim maksimal për të rreshtuar bukur, qartë dhe pastër si të folurën me mendim, por edhe përpunimin mjeshtëror  të tij. Me fillimin e emisionit, Moderatori ka një vend të caktuar në atë skenografi, ku regjia ka menduar se duhet të jetë. Ai vend është posti i tij për  të hapur emisionin, duke prezantuar temën që do të diskutohet  dhe prej nga ku do të bëjë prezantimin e të ftuarve. Qëndrimi i tij mund të jetë në këmbë ose i ulur. Këtë përcaktim e bënë regjia, por varet edhe nga forma e menduar më parë për emisionin. Mund të jetë edhe në këmbë edhe ulur, duke alternuar kështu vendet gjatë zhvillimit të emisionit. Nëse qëndrimi i Moderatorit i caktuar nga regjia do të jetë në këmbë duhet patur kujdes statura e trupit me të cilin do të kuptojmë se si do t’i duket veshja në të katër anët e vështrimit nëpërmjet kamerës. Shikohet me kujdes nëse bie në sy diçka që nuk i qëndron mirë, deri edhe tek krehja e flokut prapa kokës.

Në këtë rast a ka rol po kaq të madh kamera?

Kamera fokuson në planet e saj detaje që në dukje duken si të pa rëndësishme si të rëndomta por ato detaje brenda një kompozimi  kanë domethënien e tyre,kanë të drejtën e regullsisë të  dukjes bukur . Edhe pse floku në rastin tonë ka kujdesin e dhomës së grimit një lëvizje e dorës mbi ‘to e pavetëdijshme  e moderatorit  nga dalja prej saj deri në studion e emisionit mund t’i prishë rregullsinë e të krehurit. Ose mundet që kollarja të mos jetë e vendosur mirë në vendin e duhur tek jaka e këmishës, apo edhe çdo gjë tjetër që mendohet se nuk qëndron mirë  në rregullsinë e saj. Gjithë ekipi duhet të jetë i kujdesshëm.

 Kush e bën kontrollin përfundimtar?

 Regjia bënë kontrollin përfundimtar për rregullsinë e çdo detaji të mundshëm. Edhe nëse regjia për arsye të ndryshme mund edhe të mos i pikasë, kameramanët janë të parët që duhet të evidentojnë pikërisht këto parregullsi dhe të ndërhyjnë ose të njoftojnë regjinë për të marr masat e duhura. Regjia shpesh e udhëzon paraprakisht moderatorin se ku duhet të lëvizë gjatë qëndrimin në këmbë. Lëvizja mund të jetë e kufizuar ose jo e tillë. Mund të jetë e kufizuar përshëndetja, nga mundësitë që ofron ndriçimi, i cili kondicionon lëvizjet për të mos krijuar dritëhije në portretin e tij. Ose ajo mund të jetë lëvizje e lirë nëpër studio, kur nuk ka pengesa të tilla ndriçimi dhe vendi i veprimit nuk është i kufizuar, por që edhe kjo lëvizje është e menduar më parë prej saj dhe provave që janë bërë me moderatorin. Ndriçimi  duhet të nxjerrë bukur në pah ngjyrat e veshjes së moderatorit dhe se si ato ngjyra të harmonizohen hijshëm me gjithë sfondin e dekorit, por edhe me veshjet e të ftuarve, të cilat nuk janë në dorë të regjisë. Për këta të fundit regjia ka të drejtën e korrigjimit  që veshjet t’u rrinë bukur estetikisht në trupin e tyre gjatë gjithë kohës së zhvillimit të emisionit.

 Por po kaq të rëndësishme janë lëvizjet në studio?

Lëvizja në hapësirën e mundshme të studios është një lëvizje skenike siç çdo e tillë në skenën e teatrit apo në sheshin e xhirimit të një filmi, ku regjia i ka mirë parasysh rregullat profesionale që duhet të zbatojë me udhëzimet që duhet t’i japë moderatorit. Moderatori nga ana e tij, paçka se është i përqendruar tek biseda, debati apo dëgjimi, është i detyruar të dëgjojë dhe të zbatojë me korrektësi  ato që regjia i ka thënë më parë sikundër i thotë paralelisht gjatë transmetimit të emisionit.

Edhe pse nuk është aktor i mirëfilltë kemi thënë më lart se e folura dhe lëvizjet  janë  pjesë e njohurive të fjalës artistike, që ai duhet të dijë sikundër edhe lëvizjet dhe sjelljet me bashkëbiseduesit, edhe me kamerën janë pjesë e njohurive të mjeshtërisë së aktorit. Është një nga detyrat e regjisë që të merret dhe aftësojë moderatorin në mënyrë që t’i bëjë për vete edhe këto veti që sjell si domosdoshmëri studioja e emisionit televiziv. Nuk janë vetëm të mësuarit prej regjisë lëvizjet dhe e folura gjatë saj, që kryhen në studio nga moderatori, por janë edhe aftësitë e tij që e bëjnë pikërisht të tillë. Ato janë dhunti të lindura ose të kultivuara me rritjen e tij profesionale. Ato janë pjesë e vetvetes dhe jo të veshura siç aktori që mbart në interpretim një personazh tjetër. Nëse më lart tek kapitulli i folësit të lajmeve kemi thënë se i vetmi komportim që ai ka është ai me kamerën me objektivin e saj për të shkuar tek shikuesi, me Moderatorin në fjalë ndryshon veprimi dhe komportimi.

 Në studio ka bashkëbisedues, ka publik si dhe minimumi tre e më shumë kamera. Të gjithë këta elementë në zhvillimin e emisionit kanë si bazë një lidhje komportuese ndaj njëra- tjetrës që shërbejnë për të përcjellë më mirë tek teleshikuesi mesazhin që moderatori ka zgjedhur si të tillë në temën që do të trajtojë.

 Çfarë do të ketë përballë moderatori në gjithë kohështrirjen e emisionit?

Moderatori ka përballë sy origjinal të bashkëbiseduesve sikundër edhe sy “imagjinar” që përfaqësohen nga objektivi i kamerës por që janë shumë e shumë herë më të shumtë në numër. Këta të fundit  janë ata që vlerësojnë për mirë apo për keq gjithçka që u paraqitet nga hapja e emisionit e deri në mbyllje të tij. Vlerësojnë moderatorin si të tillë, pyetjet që ai i bënë, bashkëbiseduesit të ftuar për kompetencat që kanë në fushat që mbulojnë apo edhe ndërtimin mirë ose jo të emisionit në përgjithësi, përgjegjëse e të cilit është edhe regjia në pasqyrimin e tij. Komportimin e parë, moderatori e ka me kamerën me shikuesit që e ndjekin. Nëpërmjet saj ai bënë hapjen e emisionit, përshëndetjen me ‘ta si edhe ekspozon temën që do të trajtojë. Komportimin e dytë e bënë me të ftuarit në studio prej të cilëve merr vështrime të drejtpërdrejta. Pra, nga një vështrim me, sikur teleshikuesit, kalon tek një vështrim real ballë për ballë të drejtpërdrejt me të ftuarit në studio.

Brenda një kohe të caktuar kaq sa përmban një emision siç edhe shpjeguam kemi dy lloj komportimesh, të cilat ndërtojnë gjithë linjën e moderimit të tij. Ky komportim është gjatë gjithë zhvillimit të emisionit. Ai ka vendin e tij dhe të drejtën e të ushtruarit lirshëm prej moderatorit. Moderatori në mënyrë befasuese mund të ndërhyhë tek të ftuarit, por edhe tek teleshikuesit për të ndarë me ‘ta një konkluzion ose shpjegime, të cilat janë të domosdoshme për t’u bërë. Kjo situatë e krijuar herë pas here zgjon edhe një përgjumje që mund të vijë si rezultat i një monotonie të krijuar pa dashje në trajtimin e temës, por edhe nga prania e dritave të forta. Nëse qëndrimi i moderatorit do të mendohet ulur si gjithë të ftuarit do të theksonim se edhe këtu vëmendja  dhe komportimi janë të njëjtë si në qëndrimin në këmbë. Nuk do të kemi lëvizje skenike, por edhe qëndrimi ulur kërkon anën estetike të të ndenjurit.

Albert Z. ZHOLI