Birçe Hasko:Në diktaturë zinin radhë për në teatër e kinema, sot futesh me duar në xhepa

622
Sigal

  INTERVISTA. Flet aktori, “Mjeshtri i Madh”, Birçe Hasko:“Në diktaturë prodhoheshin 14 filma në vit, sot vetëm dy”

  Ka një vit që ka dalë në pension dhe bota i duket shumë e vogël. Ajo kufizohet me lagjen, me disa shokë dhe pa krijimtari  skenike. Ndoshta është ndër të paktët pedagogë që ka dalë në moshën 70-vjeçare në pension, por sërishmi e ndjen mungesën dhe atmosferën e Universitetit të Arteve. Nga ato dyer ai ka nxjerrë aq shumë aktorë sa si mban mend të gjithë, por thotë që ndihet krenar që Rektori i Universitetit të Arteve dhe dekani i këtij universiteti kanë dalë nga duart e tij. Ka një peng në skenë që nuk kanë luajtur lypsarin, mbasi sipas tij, ata janë rritur shumë vitet e fundit. Regjimi komunist solli një luftë klasash të paparë, por në drejtim të artit dhe sportit investoi aq shumë sa që sot nuk imagjinohet. Në atë sistem luheshin 14 filma artistik në vit, ndërsa sot as dy në vit.

 Si ndihet sot në pension Birçe Hasko?

Ndihem pak i vetmuar, Në ç’kuptim. Je mësuar të jesh në punë, je mësuar të prodhosh, je mësuar të bësh jetë shoqërore,  je mësuar të respektosh dhe të të respektojnë. Që nga momenti që del në pension këto që thashë më sipër shkëputen. Gradualisht qenia njerëzore mësohet me të vërtetën, e pranon të vërtetën, sepse ka një logjikë në këtë mes. Kështu që je i detyruar ta pranosh atë logjikë. Bëhet një ndryshim në jetën e njeriut.  Ngushtohet rrethi shoqëror. Kur je në punë, rrethi shoqëror është i zgjeruar, pasi takon studentë të rinj, pedagogë të rinj, apo të huaja që vijnë e japin eksperienca. Ndërsa kur del në pension njohja dhe lëvizja kufizohet brenda lagjes dhe me miqtë dhe shokët e ngushtë dhe pastaj kthehesh në shtëpi.

 Pra, dalja në pension është një ndër ditët më të vështira të jetës tënde?

Po, kjo është një ndër ditët më të vështira, pasi të mos bësh jetë shoqërore, është e dhimbshme, për këdo jo vetëm për mua, pasi shoqëria të harron, sepse nuk prodhon gjë për të.

 Në sistemin monist prodhoheshin 14 filma në vit, ndërsa sot, deri në dy filma. Cilat janë arsyet e kësaj rrudhjeje të kinematografisë shqiptare?

 Komenti im është ky. Dje thuhej se, bëheshin 14 filma vetëm për politikën, pra të molepsur me ideologjinë e kohës. Ndërsa sot dy filma, përgjigjja ime është kjo: “Le të bëjë dhe qeveria e sotme 14 filma në vit për politikë, me ideologjinë e tyre. Pra le të prodhojë. Kjo është përgjigja më e thjeshtë dhe më e qartë. Shteti monist harxhonte shumë për kulturën, artin, për filmin në veçanti. Sot shteti i ka harruar dyert e institucioneve të artit, dyert e kinemave apo të teatrove. U ka kthyer kurrizin dhe fytyrën. Kjo nuk është e drejtë. Ose e thënë më ndryshe qeveria ka disa rubinete nga tavani në fund. Rubineti i fundit, që është arti dhe sporti qeveria e mban mbyllur. Pra ky rubinet nuk funksionon.

 Enver Hoxha ka qenë vetë i interesuar për artin dhe kulturën, filmin?

Jo të gjithë filmat ishin të mirë, por kishte një gjë të mirë, se të gjithë  aktorët ushtronin profesionin. N.q.s aktori nuk e ushtron këtë profesion dhe hidraulik të jesh, profesioni të lë, pasi nuk di zhvillimet e fundit, teknikat e fundit. Kjo është logjika e profesionit që të lë, po e le. Enveri mbetet diktator, por për filmin, teatrin, shkollën, energjinë elektrike, shëndetësinë, sportin ai ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë. Ke shkuar në stadium sot? Shko do shohësh deri në 100 veta. Përse dje ishin të mbushur. Po dje pse zihej radhë për teatrot? Por s’mund të themi kështu për luftën e klasave që e ashpërsoi sa nuk mendohet, por ato që mbeten të mira le ti evidentojmë. Pse është me kollë sot publiku, sepse është me kollë teatri. Është me kollë stadiumi, sportistët.  Sot sportisti paguhet shumë mirë, por nuk ka tifozë në stadium. Përse?

 Sot flitet për mitmarrje në radhët e pedagogëve, madje shumë raste janë bërë prezent dhe në shtyp. Si ish- pedagog, cili është mendimi juaj për këtë fenomen të shëmtuar?

 Ky është fenomen i kohës që jetojmë.  Unë këta pedagogë do t’i quaja pedagogë langaraqër, ose plehra për mua. Si ka mundësi, që prindi paguan sot 300 mijë lekë për regjistrimin e fëmijëve, atëherë si i kërkon pedagogu studentëve? Si ua bën goja, t’i kërkojnë. Ky është fenomeni më i shëmtuar. Edhe kur e mendoj tmerrohem pa le më ta kem përdorur vetë. Është i paimagjinueshëm. Ky fenomen luftohet nga lart, aty ku ka mbirë, ku ka hedhur rrënjë ky fenomen. Pra, duhet luftuar në radhë të parë nga peshkaqenët, pastaj duhet ardhur tek sardelet.

 Cili rol të ka mbetur peng për ta luajtur në film?

Më ka mbetur peng të luajë rolin e një lypësi. Sot ata i shikon kudo nga dera e shtëpisë dhe deri para Kryeministrisë. Ky është personazhi i kohës për mua. Është personazhi më i gjallë i jetës shqiptare në vitet e demokracisë. S’ka më fatkeqësi për një shtet kur sheh sa shumë lypsa ka.

 Në Tiranë dy teatro, a janë të mjaftueshëm, për popullsinë e kryeqytetit?

 Për kohën që ka ardhur nuk janë të mjaftueshëm. Të rinjtë që kanë ardhur duhet të punësohen, duan të ushtrojnë profesionin. Duhet të jemi tepër realistë se çdo brez ka talentet e veta dhe nuk duhet të mburremi që kemi qenë vetëm ne. Talentet që të lulëzojnë duhet të vihen në punë.  Prandaj këto teatro janë shumë pak për numrin e madh të aktorëve. Tirana është me një milion banorë dhe çfarë janë dy teatro për këtë popullsi.

 Ju keni marrë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, por unë ka vënë re se këtë titull e kanë marrë shumë, shumë të tjerë që kanë pak investim në art. Nuk mendoni se është shpërdoruar ky titull?

 Është e vërtetë kjo që thua. Në fakt unë s’duhet të prononcohem, pasi e kam marrë këtë titull, por dhënia pa kritere bëhet për të fituar elektorat, pasi Presidenti në Shqipëri nuk është ende i apolitizuar. Por që nuk duhet tepruar, kjo nuk ka diskutim.

 Po ikin një plejadë e shkëlqyer aktorësh. A do të zëvendësohen këta aktorë të mëdhenj shqiptarë?

 Aktorët e mëdhenj duhet kohë të zëvendësohen. Duhet të kalojnë 50 apo më shumë vite. Në çdo fushë ka gjeni, ka të talentuar, ka të mesëm dhe të dobët. Gjenitë është e vështirë t’i zëvendësosh në çdo fushë, në art, në sport, letërsi etj.. Pra duhet kohë, pasi me këtë ritëm që po aktivizohen aktorët e rinj si zor  të lindin aktorë të mëdhenj. Por ajo që unë dua t’u them brezit të ri është: punoni, punoni, punoni! Vetëm puna dhe talenti do ju japin rezultat. Sot në kushtet e një tregu artistik të ashpër duhet një vëmendje më e madhe ndaj të gjitha proceseve të zhvillimit të artit.

 Mendimi juaj për dramaturgjinë shqiptare. Përse vihen në skenë më shumë vepra të huaja?

Po ka shumë arsye, por kryesorja është se nuk nxiten krijuesit tanë. Kjo do të thotë që të punosh për një shpërblim qesharak. Por duhet të gjenden mekanizmat. Patjetër duhet të lulëzojë dramaturgjia jonë. Patjetër. Ne duhet të evidentohemi në këtë fushë, pasi do krijojmë një boshllëk të madh. Duhet një bashkëpunim më i madh krijues-regjisor, ku regjisorët duhet t’u tregojnë krijuesve tema nga më të ndryshmet.