Arben Myrta:Shkolla shqiptare e virusologjisë është ende e pa konsoliduar

563
Sigal

INTERVISTA/  Flet Prof. Arben Myrta: Ka një boshllëk në botimet shqiptare në fushën e mbrojtjes së bimëve

Libri i fundit “Bazat e virusologjisë Bimore” i Prof Arben Myrta ka ngjallur mjaft interes në rrethet shkencorë të bujqësisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ky libër përfaqëson afro 20 vjet punë dhe eksperiencë në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe virusologjisë bimore. Libri mbështetet në eksperiencën më të mire italiane dhe Mesdhetare në fushën e kërkimit shkencor të virusologjisë bimore, falë studimeve dhe punës me rrjetet shkencore ndërkombëtare pranë Institutit Agronomik Mesdhetar të Barit. Bashkëpunimet më të shumta, përveç Italisë, kanë qenë me Spanjën, Francën, vendet e Mesdheut Jugor dhe ato Ballkanike. Ky libër do t’i japë një shtysë më të madhe bujqësisë shqiptare në parandalimin e viruseve të bimëve.

-Cili ishte synimi i librit “Bazat e virusologjisë bimore”?

Ideja për të shkruar këtë monografi më ka ardhur gradualisht këto vitet e fundit duke ndjekur nga afër ecurinë pozitive të bujqësisë shqiptare dhe ndryshimet e programeve mësimore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që siguron një ofertë më të gjerë për studentët, duke futur në programet e reja lëndë speciale ndër to edhe virusologjinë bimore. Veç procesit të afrimit me programet e universiteteve europiane, ato kryesisht synojnë mbështetjen e bujqësisë me specialistë të kohës. Jemi dëshmitarë të një zhvillimi të hovshëm të pemëtarisë dhe prodhimit të perimeve, gjë që ka rritur ndjeshëm interesin për njohjen e sëmundjeve virusale që janë të shpeshta në këto kultura, duke ulur sasinë e prodhimit dhe kryesisht cilësinë e tij. Kjo ka rritur shumë edhe interesin e prodhuesve për të njohur mënyrat e luftimit të këtyre, sëmundjeve, dhe përdorimin e fidanëve të certifikuar. Për virusologjinë bimore në shqip ekziston një monografi e shkurtër e viteve ’90 e UBT, që ishte përpjekja e parë për t’i dhënë një mbështetje procesit të mësimdhënies për studentët në këtë fushë. Duke pasur parasysh evolucionin e kësaj shkence vitet e fundit, sidomos të kërkimit në fushën molekulare, gjykova se ishte i nevojshëm botimi i një libri më të plotë për këto probleme dhe të azhornuar me rezultatet më të reja të shkencës. Arsyeja tjetër e fortë që më shtyu t’i futem përgatitjes së këtij libri, ishte dëshira për të ndarë eksperiencën e fituar jashtë vendit me studentë dhe specialistë shqiptarë. Duke përgatitur këtë botim kam realizuar edhe një angazhim timin personal për të dhënë një kontribut në plotësimin e një boshllëku në botimet në shqip në fushën e mbrojtjes së bimëve. Ky tekst mund ti shërbejë studentëve të nivelit universitar dhe pasuniversitar të fakultetit të bujqësisë, punonjësve shkencorë dhe specialistëve të prodhimit të mbrojtjes së bimëve, pasi ka një ndërthurje të informacioneve të përgjithshme dhe të këshillave praktike për masat që duhet të merren në terren. Si shumë monografi të tjera të botuara kohët e fundit, shpresoj që edhe ky kontribut profesional ti shërbejë hapësirës shqip folëse në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

– Sa vjet punë përmban ky libër? Me kë keni bashkëpunuar më shumë?

Ky libër përfaqëson afro 20 vjet punë dhe eksperiencë në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe virusologjisë bimore. Libri mbështetet në eksperiencën më të mire italiane dhe Mesdhetare në fushën e kërkimit shkencor të virusologjisë bimore, falë studimeve dhe punës me rrjetet shkencore ndërkombëtare pranë Institutit Agronomik Mesdhetar të Barit. Bashkëpunimet më të shumta, përveç Italisë, kanë qenë me Spanjën, Francën, vendet e Mesdheut Jugor dhe ato Ballkanike. Në këto vite bashkëpunimi me Shqipërinë ka qenë i shpeshtë dhe i frytshëm. Edhe pse jashtë vendit gjatë dy dekadave të fundit, kam punuar vazhdimisht në kontakt me institucionet në Shqipëri, nëpërmjet grupeve të punës, projekteve shkencore, dhe ekspeditave të shumta fushore me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Akademinë e Shkencave. Studimet e realizuara në Shqipëri përfshijnë identifikimin dhe studimin e shtameve të shumë viruseve, viroideve dhe fitoplazmave, përhapjen territoriale dhe intensitetin e pranisë së tyre, etj. Këto studime u mundësuan falë bashkëpunimit të shumë kolegëve në institucione dhe në terren, të interesuar për rezultatet e studimeve, por edhe shpesh të lidhur me raporte miqësore dhe personale, cilësi kjo e mirë e traditës tonë. Këto studime aplikative të realizuara kryesisht në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit dhe të Mesdheut, janë shoqëruar në vite me kërkime bazë laboratorike, që plotësojnë eksperiencën për të përballur përgatitjen e librit dhe justifikuar interesin e lexuesve.

-Cilat janë problemet e mbrojtjes së bimëve në Shqipëri sot?

Problemet e mbrojtjes së bimëve në Shqipëri janë të ngjashme me ato të vendeve fqinje. Kjo vjen pasi kemi të njëjtat kultura bujqësore dhe tregtimi i materialit mbjellës është i shpeshtë midis vendeve të rajonit (Shqipëria kryesisht importon) duke bërë të mundur kryesisht përhapjen e sëmundjeve që përhapen me anë të farërave dhe fidanëve. Janë bërë përpjekje dhe hapa përpara në drejtim të forcimit të shërbimit dhe kualifikimit të specialistëve, por nevojat janë për më shumë fonde dhe njerëz në këtë drejtim. Ministria e Bujqësisë nuk disponon një qendër kërkimore dhe diagnostikuese për sëmundjet dhe dëmtuesit, gjë që zbeh shumë rolin e saj në mbështetje të prodhimit bujqësor në vend. Është rasti të kujtojmë që në procesin e afrimit me BE-në, vendeve kandidate i ofrohet mundësia e projekteve të binjakëzimit me vendet e BE-së, edhe në fushën e shërbimit të mbrojtjes së bimëve. Së shpejti, ky proces do të fillojë edhe për Shqipërinë dhe do të jetë një mundësi tjetër e mirë e forcimit të shërbimit të mbrojtjes së bimëve në vend.

– Sa është e zhvilluar shkenca e luftës kundër viruseve të bimëve në Shqipëri dhe ku bazohet ajo?

Luftimi i sëmundjeve virusale në bimë bazohet kryesisht në metodat parandaluese, pasi nuk ekzistojnë preparate të afta të kontrollojnë viruset. Për këtë qëllim përdoren kryesisht shëndetësimi i materialit mbjellës dhe certifikimi i tij nëpërmjet një sistemi kombëtar të kontrolluar nga shteti. Në Shqipëri ka vite që ka filluar një punë e tillë në bashkëpunim me Institutin Agronomik Mesdhetar të Barit, nëpërmjet edhe një projekti të veçantë të financuar nga kooperimi italian. Megjithatë, mbetet akoma shumë për të bërë në mënyrë që te ky sistem të kthehet në një proces operativ dhe të suksesshëm, i drejtuar nga Ministria e Bujqësisë. 

– Çfarë praktikash ndiqen në Itali për luftën ndaj viruseve bimore, dhe sa ndihmon shteti në këtë luftë?

Mbështetja nga shteti është gjithmonë e pranishme, duke marrë parasysh që prodhimi i fidanëve të pemëve dhe vreshtave është një sektor mjaft i rëndësishëm për bujqësinë italiane. Kjo ndihmë presupozon gjithashtu një kontribut të rëndësishëm të subjekteve private, ky i fundit në rritje vitet e fundit duke konsideruar edhe vështirësitë e krizës në sektorin publik. Veç ndihmës direkte financiare, shteti kontribuon ndjeshëm me mbështetjen shkencore dhe teknike ndaj këtij sektori, duke e bërë Italinë një nga vendet europiane ku realizohen më shumë studime mbi viruset e bimëve.

– Po shkolla shqiptare e Virusologjisë në biologji dhe bujqësi si është me nivelin Italian të mësimdhënies dhe praktikës?

Shkolla shqiptare është e re, dhe si e tillë po konsolidohet gradualisht në funksion të kërkesave të kohës. Shkëmbimet e shpeshta që ofron e sotmja me botën e jashtme dhe mjetet e sotme të internetit do të bëjnë të mundur një afrim të shpejtë të shkollës sonë me ekselencën rajonale dhe botërore. Neve na mbetet vetëm të favorizojmë këtë proces që të ndodhë sa më shpejt.