Alqi Lepuri:Mitmarrjen as mund ta mendoj në radhët e pedagogëve

722
Sigal

INTERVISTA/ Flet dirigjenti dhe pedagogu Alqi Lepuri:Thoma Deliana ka qenë një ministër korrekt, s’e besova kur u dënua

 Filloi të mësonte që në vogëli violinën, por jeta e solli të bëhej një nga dirigjentët më të mirë shqiptarë. Ka punuar për një kohë të gjatë në Ansamblin e Ushtrisë, pikërisht në vitin 1977 deri në vitin 1993 dhe ruan kujtimet më të mira për këtë institucion serioz të muzikës shqiptare. Sipas tij, çdo periudhë historike ka zhvillimet e saj në muzikë. Festivali i 11-të për dirigjentin Lepuri ishte një kurth, pasi sipas tij Festivali i 10-të ishte më modern. Superpozimi i dëmton muzikën, por atë stad e ka kaluar edhe në vendet më të zhvilluara europiane. Pedagogët thuajse janë ata që ishin, me po aq seriozitet, me aq përkushtim. Edhe sot ata studentë që duan të mësojnë, kërkojnë vetë edhe të mos dojë pedagogu. Ata që s’duan të mësojnë flasin keq për pedagogët. Ndërsa mitmarrjen as e imagjinoj në radhët e pedagogëve të Universitetit të Arteve, përfundon ai

  Kur keni konkurruar për dirigjurë?

Kur kam konkurruar unë, kishte një komision të madh që bëhej për kompozitorët dhe për dirigjentët, ku ishin të gjithë pedagogët titullarë, ata që i kanë dhënë emër Shqipërisë me veprat e tyre… Në juri kanë qenë Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Fehim  Ibrahimi, Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Albert Beltoja, Kostandin Trako, Mustafa Krantja, Spiro Kalemi dhe dy përfaqësues të administratës ku njeri ishte kancelari dhe tjetri nga Drejtoria. Ishin në juri rreth 13 veta nga më të dëgjuarit në botën e muzikës. Kryetari i jurisë ishte Kozma Lara. Ai na drejtonte dhe pyetjet. Secili nga të jurisë bënte pyetje të fushës së vetë.  Atëherë ishte dega Kompozicion, dirigjurë, teoritikë. Sot teoritika është zëvendësuar me muzikologë. Sot ka degë akoma më të specializuara dhe shumë interesante. Atëherë kishte dhe disa instrumentistë që nuk ishin në juri, por qëndronin aty dhe dëgjonin.

Cila pyetje të bëri përshtypje në tezë?

Sinfonizmi i Hajdenit. Pyetjet e tjera që më bënë ishin po aq interesante. Unë konkurrova në dirigjim pasi kisha studiuar në shkollë të mesme për dirigjim. Unë kam qenë në shkollën e kulturës, ku kam bërë 4 vjet për dirigjim.

 Po në Lice nuk keni studiuar?

Unë shkova në Lice për violinë dhe ata më thanë që Saranda (nga jam unë) nuk ka vend për violinë ndaj do shkosh për  në shkollën e kulturës, pasi atje do mësosh shumë vegla të tjera dhe dirigjim. Pra çdo gjë ahere ishte me planifikim. Në shkollën e kulturës atë vit u hap dega e dirigjimit, ku unë mësova me Sotiraq Nimalin për dirigjim bande. Shkolla e kulturës krijoi dhe bandën e saj, të cilën fillova ta drejtoj unë. Sotiraq Nimali ka qenë dirigjent i bandës së ushtrisë. Ai mësoi nga Drejtori i madh Gaqo Avrazi.

Si ka qenë kërkesa e llogarisë në atë kohë?

Kur erdha unë në shkollë, shkolla ishte e konsoliduar. Pra kishin kaluar ato vitet e vështirësive të mëdha. Shqipëria në atë kohë kishte filluar ngjitjen kulturore. Vërtet na zuri periudha e revolucionit proletar kulturor,  por, të gjithë pedagogët tanë kishin ardhur nga Rusia, Çekia, Rumania, Hungaria, pra pedagogët tanë e kishin marrë dozën e duhur të një kulture të përparuar. Ahere tek ne funksiononte TOB, Teatri Kombëtar, Estrada e Tiranës, teatro nëpër rrethe, etj…

 Cila ishte e veçanta e muzikës shqiptare në këtë kohë?

 E veçanta ishte se u zhvillua jashtëzakonisht shumë, muzika shqiptare, dhe u la pak hapësirë për muzikën klasike dhe atë romantike. Krijimtaria shqiptare u stimulua shumë nga shteti, pra me forcat tona (qesh) dhe kompozitorët tanë në këtë kohë kanë bërë vepra të hatashme, vepra që kur i dëgjon mahnitesh. Opera, balete, simfoni, festivale, dekada, pra një mori koncertesh me muzikë shqiptare. Nga kjo lëvizje e madhe, ne mundëm të kapnim në dorë orkestra dhe të punonim, pasi në një punë normale nuk të binte radha të kapje orkestër me dorë. Ahere ishte dhe zëri i masave dhe ne shkonim kudo jepnim koncerte. Çdo njeri ka fatin e vetë në jetë, mund të mësosh sa të duash, mund të krijosh sa të duash, por nis nuk të vjen shansi nuk bëhesh kurrkush. Ne na erdhi shansi në atë kohë, pasi ahere kishte pallat pionierësh, kishte shkolla muzike, aktivitete të shkollave të mesme. Të studentëve. Pra çdo kohë ka të veçantat e saj, të mirat dhe të këqijat e saj. Asnjë periudhë nuk duhet parë vetëm bardh apo zi. Kështu është thënë edhe 2 500 vjet më përpara. Ka qenë një revistë “Shkenca dhe jeta” në faqen e fundit ka pasur kuriozitete shkencore. Në një numër thoshte se në Piramidat e Egjiptit shkruhej një thënie: “Të rinjtë e sotëm nuk merren vesh, ndryshe ishim ne në kohën tonë, ndryshe ka qenë respekti dhe dashuria”. Çdo kohë, ka kulturën e vet, sportin e vet, muzikën e vet, ka dhe personalitete e veta.

 Pse u godit Festivali i 11-të?

Festivali i 11-të nuk u godit, por u krijua një kurth për t’u goditur disa persona. Sepse ashtu duhej. Historia e njerëzimit është ndërtuar në formë spirale.  Spiralia nuk rrotullohet në mënyrë rrethore të drejtpërdrejt , por njëherë ngrihet lart, njëherë ulet poshtë. Edhe rrotullimi i tokës nuk bëhet vetëm në qendër, por shkon edhe poshtë edhe lart. Pra në një moment të caktuar të historisë do të bëhet dikush kurban për qëllime të ndryshme. Kështu lindi dhe ideja e kurbaneve të Festivalit të 11-të. Filloi revolucioni kulturor në Kinë, edhe ne duhej ta përkrahnim dhe kurban u bënë shumë artistë dhe krijues. Por koha ka ecur. Shumë prej atyre që u dënuan, disa sot u bënë deputetë, ambasadorë, ministra. Shumë të tjerë mbetën pa punë se u mbyll Kinostudio, Estrada e Ushtarit, u mbyll Estrada e Tiranës, etj… Unë në atë kohë isha në shkollë të mesme.

Çfarë mban mend nga ajo kohë?

Përpara se të bëhej Festivali i 11, unë po organizoja një aktivitetet në shkollë kur më thërrasin në ministri, kur sapo kishte filluar liberalizimi. Mua më pyesnin se si do zhvillohej ky aktivitet, ta bëjmë të bukur, të larmishëm. Ministër ishte Thoma Deliana një burrë që kishte seriozitet.  Unë hapja sytë që na pyesnin ne. Pas një viti kur u dënua Festivali ngela i befasuar. Ndryshe na thanë ndryshe bënë.  U dënuan shumë padrejtësisht. Ky ishte kurthi. Ndryshe na thanë, ndryshe kërkuan, ndryshe doli, Madje, dua të them që Festivali i 10 ishte më modern se i 11-ti, kur ky modernizim kishte filluar që në Festivalin e 9-të.

 Keni bërë koncerte, ku kanë marrë pjesë Enveri apo Mehmeti?

Unë kam bërë shumë koncerte qeveritare si në TOB apo gjetiu. Sigurisht, ata kanë marrë pjesë në shumë prej tyre, por unë nuk kam takuar askënd prej tyre, kurrë. Madje dua të them nuk kam qenë kurrë i interesuar të takoja udhëheqës. Unë doja muzikën. Unë pata shansin të punoj në Ansamblin e Ushtrisë, kur ai filloi të ngrihej. Pas largimit në mënyrë të turpshme të Gaqo Avrazit, donte shumë kohë të ngrihej Ansambli. Ishte viti 1977 kur vajta unë. Ahere gjeta 17 instrumentistë dhe vetëm 2 ishin me shkollë të lartë. Ne në atë kohë vajtëm 5 instrumentistë dhe dy dirigjentë me shkollë të mesme.

 Kush ishte më prestigjioz në atë kohë, Ansambli i Ushtrisë apo ai i Këngëve dhe Valleve?

Atë kohë që shkova unë ishte Ansambli i Këngëve dhe Valleve më lart, pasi Ansambli i Ushtrisë pas ikjes së Gaqos ra shumë. Gaqon e takova pas disa vitesh dhe kur i fola ai filloi të qante. Unë në Ansamblin e Ushtrisë punova që nga viti 1977 deri në vitin 1992 kohë në të cilën ai u mbyll.

 Ku shkonit kryesisht për koncerte?

Ne kishin në plan 240 koncerte në vit. E kupton?  Pra çdo gjysmë dite duhej të ishim me shërbim. Njëherë në dy vjet ne duhej të shkonim në çdo skaj të Shqipërisë. Ne shkonim në çdo repart ushtarak, por dhe në shumë ndërmarrje.

Po sot shkolla shqiptare a është konkurruese?

Unë s’e di si janë shkollat e tjera të dirigjimit, por di që ata që kanë dalë nga shkollat tona, kanë mundur të pozicionohen jashtë. Kjo është arritje. Shkollat sot maten me shfaqjet që japin. Aty ku ka muzikë të madhe ka dhe shkollë të madhe.

Sot ka hapësira për dirigjentët tregu shqiptar?

Sot s’ka pse të diskutohet vetëm tregu shqiptar. Sot ke pasaportën e ke, ik dhe konkurro, trego vlerat, pra punësohu ku të jetë më mirë, tregu është i hapur. Ke mundësi t’i tregosh aftësitë.

 Sa dirigjentë dalin në vit sot nga Universiteti i Arteve?

Varet nga kërkesat, varet nga shumë elementë.  Disa herë katër, disa herë gjashtë.

 Si do ta cilësonit Festivalin e Muzikës së Lehtë në RTSH dhe në sa të tillë keni marrë pjesë?

S’i kam numëruar sa herë kam marrë pjesë, por janë shumë, që nga kënga live dhe deri me superpozim. Ajo orkestër është shumë specifike, shumë e kompletuar. Pra si orkestra  e RTSH edhe ajo e TOB janë shumë profesionale dhe unë kam punuar me të dyja. Por Festivali i Muzikës së Lehtë në RTSH mbetet unik, i gjallë, plot dinamizëm.

 Folët për superpozimin,  a e dëmton muzikën ky lloj të kënduari?

E dëmton shumë, por ajo nuk ka qenë dhe është vetëm në Shqipëri. Këtë fazë e ka kaluar edhe Italia dhe vende të tjera. Pra janë zigzage që nuk i shpëton dot, paçka që janë dhe dëmtuese.

 Sot thuhet se ka rënë niveli i mësimdhënies dhe ka madje dhe mitmarrje?

Për mua kjo nuk qëndron. Pedagogët thuajse janë ata që ishin, me po aq seriozitet, me aq përkushtim. Unë vija në orën 5 të mëngjesit dhe ikja në 11:00 të natës nga shkolla kur isha student. Edhe sot ata studentë që duan të mësojnë, kërkojnë vetë edhe të mos dojë pedagogu. Ata që s’duan të mësojnë flasin keq për pedagogët. Ndërsa mitmarrjen as e imagjinoj në radhët e pedagogëve të Universitetit të Arteve.