Zbuten dënimet për zyrtarët e akuzuar për korrupsion

59

Hetimet e nisura qysh nga viti 2012, duket se kanë marrë formën përfundimtare pas marrjes së vendimeve nga trupat gjykuese, lidhur me akuzat ndaj ish-zyrtarëve dhe drejtuesve të disa komunave, bashkive dhe drejtorive rajonale. Dosjet, të cilat kanë marrë tashmë vendimin përfundimtar nga gjykatat, presin ekzekutimin nga zyrat e përmbarimit. Ekzekutimi i tyre ka të bëjë me vjeljen e gjobave të vëna nga gjykata e të gjitha shkallëve  dhe bëhet fjalë për dosjet e zyrtarëve të akuzuar për “mitmarrje, shpërdorim detyre, abuzime dhe pabarazi me tenderat dhe krim ekonomik”. Por realisht përmbaruesit prej disa muajsh kanë hasur në pengesa serioze për ekzekutimin e dosjeve. Nga 348 dosje, deri tani janë ekzekutuar vetëm 93 prej tyre. Disa prej dosjeve janë pezulluar me vendim gjykate, ndërkohë ndër 155 dosje shumica e tyre janë brenda afateve ligjore të ekzekutimit. Këtë afat e kanë tejkaluar vetëm 48 dosje. Afati i ekzekutimit të tyre është deri në 6 muaj, dhe natyrisht që ekzekutimi i tyre ka hasur dhe vështirësi që po zbuten pasi lidhet me çështje delikate ku një pjesë janë dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore të rimarrë në punë. Një pjesë e këtyre dosjeve, që pritet të ekzekutohen, kanë të bëjnë me vendime gjykate, për kthimin e disa zyrtarëve të larguar pa motive themelore e të justifikuara me ligj. Përmbaruesit që kanë në dorë vendimet e gjykatave, po bashkëpunojnë me degën e Tatim-Taksave, pasi ka dosje të kësaj natyre që presin të ekzekutohen. Gjykatat kanë vendosur edhe gjoba, çuditërisht të lehta, për shkeljet ligjore për zyrtarë të niveleve të ndryshme. Ka zyrtarë, që jo vetëm kanë shkelur ligjin, por edhe kanë abuzuar me të madje. KLSH për shumë prej tyre ka përcaktuar masa të rënda administrative, deri ndjekje penale. Për 20 zyrtarë organi i akuzës ka bërë gati dosjet që do të mbërrijnë këto ditë para togave të zeza të Gjykatës. Zyrtarët akuzohen për “abuzime dhe shkelje ligjore në disa institucione të tjera shtetërore”. Përmbaruesit kanë kërkuar bashkëpunim më të ngushtë me organin e akuzës dhe gjykatat, të cila shpesh tregohet indiferente ndaj kërkesave të tyre, si dhe me Hipotekën për të verifikuar pasuritë e zyrtarëve të hetuar dhe gjykuar. Ajo që konstatohet, ka të bëjë me avashllëkun e hetimeve dhe gjykimit. Ata persona të hetuar dhe gjykuar janë kryesisht ish-kryetarë bashkish, komunash, drejtorë, shefa të Urbanistikës, dhe anëtarë të KRRT-ve. Akuzat lidhen me lejet e ndërtimit, legalizimet e paligjshme, abuzime me tenderat, pabarazi mes ofertuesve, mungesë e vjeljes së taksave për vite të tëra, të cilat klasifikohen tek krimi ekonomik,  dhe lidhje korruptive mes zyrtarëve të institucioneve vendore dhe bizneseve, përvetësim të fondeve të investimeve me anë të mashtrimit, ku në lojë janë edhe firma private që kanë ndërtuar me cilësi skandaloze shkolla, ura, ujësjellës, kanalizime, zyra etj. Dosjet e korrupsionit zënë afro 49 për qind të volumit të punës në organet e drejtësisë në Durrës, por pavarësisht këtij fakti, hetimet dhe gjykimet e personave të akuzuar dhe implikuar, kanë mbi 3 vjet që ecin me hapin e breshkës, pasi çështjet shkojnë në Tiranë e kthehen prej andej për rihetim dhe rigjykim.