Zbatuesit e Vetingut, Totozani ua përsërit kandidatëve të rregullojnë dosjet e tyre

740
Avokati i Popullit Igli Totozani ua ka kujtuar prapë sot, kandidatëve për organet e Vetingut, të plotësojnë dosjet e tyre të mangëta me dokumentacionin që u kërkon ligji.

Në shkresën e Totozanit sot thuhet:
“Në ditën e parë të nisjes së zbatimit të Vendimit nr.18/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, “Për kthimin e dosjeve të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të kandiduar për institucionet e Rivlerësimit tek Avokati i Popullit për riplotësim të dokumentacionit”, si dhe në bazë të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”:

Ftoj të gjithë kandidatët aplikantë për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nuk kanë përmbushur kriteret formale për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës, të plotësojnë dokumentet sipas ligjit.

Dokumentacioni i munguar duhet të dorëzohet brenda një afati 7 ditor, duke filluar nga dita e sotme, datë 20 mars 2017 deri në datë 27 mars 2017. 

Rikujtojmë të gjithë kandidatët aplikantë se dorëzimi i dokumentacionit plotësues është i mundur të bëhet në një prej formave si më poshtë:

1-Paraqitjes së kandidatëve pranë institucionit të Avokatit të Popullit brenda datës 27 Mars 2017.

2-Plotësimin e dokumentacionit dërguar me postë zyrtare. Aplikimi në rrugë postare duhet të kryhet brenda afateve ligjore të aplikimit dhe duhet të vërtetohet me fletë-mandatin e lëshuar nga institucioni përkatës postar brenda datës 27.03.2017.

3-Plotësim dokumentacioni përmes postës elektronike në adresën: [email protected] brenda datës 27.03.2017 ora 23:59.

Ne jemi të gatshëm për çdo sqarim që kërkohet nga ana e çdo kandidati nga ora 08:30 e mëngjesit deri në orën 20:30 të mbrëmjes. Gjithashtu, janë vënë në dispozicion numra të dedikuar telefonik, të cilët janë të publikuar edhe në thirrjen publike, edhe në faqen zyrtare të institucionit. 

+355 4 2380 322
+355 4 2380 328
+355 66 56 08 355
+355 67 25 36 112
+355 68 66 93 050

Ju bëj me dije se dita e mërkurë, datë 22 Mars 2017 megjithëse është pushim zyrtar, do të jetë ditë pune për institucionin e Avokatit të Popullit.

Menjëherë pas shpalljes së thirrjes për plotësim dokumentacioni, ju sqaroj se çdo kandidat aplikant është njoftuar individualisht në rrugë elektronike, si dhe në numrin e telefonit individual, mbi mungesat përkatëse të konstatuara në fazën e parë të aplikimit.

Pranimi i dokumentacionit plotësues ka nisur të bëhet mbi bazë të një formulari specifik të personalizuar për çdo kandidat, me listën konkrete të dokumenteve që u mungojnë, rast pas rasti. Për më shumë informacion në lidhje me kriteret dhe procedurat e parashikuara, lutemi klikoni në adresën zyrtare të Avokatit të Popullit: http://www.avokatipopullit.gov.al/vetingu;

Dëshiroj t’u drejtoj një thirrje të gjithë kandidatëve, që të mos e lënë dorëzimin e dokumenteve ditën e fundit, për të pasur mundësi të plotësojnë sa më saktë dosjen personale. 

Si Avokat i Popullit ju garantoj se ky proces do të vazhdoj të jetë korrekt, serioz dhe i ndershëm sikundër është vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtar, por gjithashtu ftojmë edhe kandidatët pjesëmarrës në këtë garë, për të plotësuar dosjet e tyre brenda afateve që parashikon ligji. 
Sigal