Ylli Manjani takohet me bashkëraporterët e KiE. Në fokus, drejtësia dhe pronat

510
Sigal

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka zhvilluar një takim me bashkëraporterët e Këshillit të Evropës, z. Andrej Hunko dhe z. Joseph O’Reilly.

Në fokus të diskutimit gjatë këtij takimi ishin zhvillimet me të fundit që lidhen me miratimin e reformës në drejtësi si dhe pritshmëritë e fazës së zbatimit të saj.

Në nisjen e këtij takimi, bashkëraporterët e Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Ministrit Manjani të bëjë një analizë të përmbledhur mbi ecurinë e deritanishme të reformës, ndërsa një interes të veçantë shprehën edhe mbi drejtimet kryesore ku do të fokusohet zbatimi i saj.

Ministri Manjani foli për një reformë të thellë, unike në llojin e saj, e strukturuar në bazë të nevojave konkrete që kishte Shqipëria, ndërsa evidentoi kontributin e gjithanshëm në ndërtimin e kësaj reforme, ku padiskutim një rol mjaft të madh luajti edhe ekspertiza ndërkombëtare.

Manjani: “Në rrafshin politik kemi hedhur një hap të rëndësishëm, përsa kohë nuk kishte ndasi në votimin e kësaj reforme. Ndërkohë, tashmë jemi në fazën e implementimit të legjislacionit të ri, që konsiston në miratimin e 40 ligjeve, mes të cilave sipas z. Manjani, 7 janë ligjet më prioritare dhe mes tyre më urgjenti është ligji i “vettingut”. Me këtë ligj u vendos të nisë zbatimi i reformës”.

Çështja e pronësisë në vendin tonë dhe situata aktuale e kompesimit te pronës ishin një tjetër temë për të cilën bashkëraporterët e Këshillit të Evropës shprehën një vëmendje të veçantë.

Manjani: “Sot kemi një ligj për të cilin mendoj se duhej bërë dhe miratuar shumë vite më parë. Toka duhet të konsiderohet një vlerë dhe jo thjesht si një “copë toke” në kuptim fizik apo material të fjalës. Ne kemi marrë mjaft aplikime nga qytetarët dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës po bën shqyrtimin përkatës. Ka disa kritere ligjore mbi të cilat po bëhet vlerësimi, pas të cilit jepet edhe zgjidhja përkatëse”.

Bashkëraporterët e Këshillit të Evropës dakortësuan me Ministrin Manjani mbi faktin se qytetarët duan tashmë një zgjidhje të shpejtë mbi problematikën e pronësisë, të lodhur nga stërmundimi i vazhdueshëm për vite me radhë.