Xhevat Mustafa/Universiteti “Fan Noli” humb gjyqin me studentin që mendon “ndryshe” nga profesorët

596
Sigal

Rast dhe apel për debat

Agron Dalipaj ishte student me kohë të pjesshme në Universitetin Shtetëror “Fan Noli”, në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, por në përfundim të vitit të fundit, më 29 mars të këtij viti është përjashtuar, me vendim të Rektorit Gjergji Mero, përjetësisht nga ky universitet. I bëjmë me dije lexuesit se z. Agron Dalipaj është student i gjuhës shqipe dhe i kthyer nga emigrimi në Athinë, ku kishte hapur librarinë “Iliria” vetëm me libra shqip dhe nxori për ca kohë atje edhe një gazetë me të njëjtin emër.

Ka studiuar në Greqi për rreth 8 vjet mbi gjuhët shqipe e greqishte dhe është autor i disa studimeve të njohura edhe në shtyp si “Pse gjuha jonë quhet shqip?”, “Diletantizmi dhe Profesionalizmi në gjuhën shqipe”, “E. Çabej, shenjtori apo djalli i gjuhës shqipe” etj.

Ne mundëm t’i marrim intervistën e mëposhtme.

 – Zoti Agron, cili ishte motivi i përjashtimit tuaj nga Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë?

Përfaqësuesit e universitetit në vendimin e përjashtimit shkruanin se unë paskam “shkelur rregulloren e etikës” dhe “u kam bërë presion pedagogëve për nota më të larta dhe në disa raste ia kam arritur qëllimit”. Por këto akuza ishin krejt të pavërteta dhe ata në gjyqin me pesë seanca që u zhvillua në Gjykatën e Korçës nuk arritën të provojnë asgjë të tillë dhe Gjykata, më dt. 03.07.2013, bazuar në nenet 126, 306-310 të Kodit të Procedurës Penale dha vendimin “Pavlefshmëri absolute e vendimit të rektorit për përjashtimin nga shkolla”. Por, e vërteta është se mua më ka përjashtuar Eqerem Çabej.

– Eqerem Çabej?!! Ç’doni të thoni?

E dini besoj atë historinë e atij që kishte lënë amanet që t’i vinin një litar në qafë kur të vdiste dhe t’ia nxirrnin jashtë varrit. Për mua veprat e Çabejit për etimologjinë e gjuhës shqipe janë pikërisht litari që flasim. Duke qenë se unë jam i pari që nxora një të vërtetë të madhe, se vepra në fjalë e Çabejit është një punë djallëzore në dëm të shqipes dhe menjëherë mbas botimit të studimit tim në dy gazeta në mes-vitin e shkuar “E. Çabej, shenjtori apo djalli i gjuhës shqipe”, dekani, shefja e departamentit dhe ndonjë pedagog tjetër i fakultetit të gjuhësisë filluan t’u bëjnë me dije studentëve se “nuk duhet të ndikoheni nga idetë antikombëtare dhe që denigrojnë gjuhën shqipe dhe Eqerem Çabejin nga një student i part – time”.

Në këto rrethana m’u desh të takoja Rektorin e universitetit, z.Gjergji Mero e duke i dorëzuar të gjitha studimet e botuara në shtyp në lidhje me gjuhën shqipe si dhe mbasi i bëra të njohur shkurtimisht teorinë time për morfemat embrionale të gjuhës shqipe, i kërkova që të organizonte një ballafaqim shkencor me të gjithë pedagogët e gjuhës të fakultetit. Z. Mero më dha fjalën se do ta bënte një gjë të tillë, por nuk e bëri kurrë. Deri atëherë dyshoja nëse Universiteti “Fan Noli” merrej edhe me shkencë, apo i interesonte ajo. Më pas gjërat u agravuan edhe më shumë dhe nën presion filluan të gjendeshin edhe studentë që ata i quanin të rrethit tim. Kështu i drejtova dy letra rektorit, ku i shpjegoja gjendjen dhe i kërkoja të ndërhynte. Bile për letrën e dytë ata u alarmuan se mendonin se mund edhe ta botoja në shtyp. Letra titullohej “Shtetofilia dhe universiteti Fan S. Noli, Korçë”. Si reagim ndaj letrave ishin bërë mbledhje të departamentit të gjuhësisë, ku dekani z. Ali Jashari (doktor, profesor) u bënte presion pedagogëve se “nuk i lejohet asnjë pedagogu këtu që të mos mbrojë gjuhën shqipe dhe Eqerem Çabejin!”.  Por, kur një pedagoge kish thënë se “ne nuk duhet ta përjashtojmë atë (mua) për bindjet e tij teorike dhe çështje gjuhësore”, dekani ndërhyri dhe dha propozimin që e hodhi në votë:

“Propozoj përjashtimin përgjithmonë nga shkolla të Agron Dalipaj”.

Në një mbledhje tjetër po dekani tha se “ne duhet ta përjashtojmë Agronin përpara se ai ta botojë letrën në shtyp”. Në rastin kur në mbledhje një pedagog kish thënë se Agroni ka kërkuar ballafaqim shkencor dhe a duhet ta pranojmë, dekani u shpreh “ne nuk bëjmë shkencë me studentët. Thjesht nxjerrim mësues të gjuhës. Shkencën e bëjmë vetë!”.

– Z. Agron, ç’ dëm i bën universitetit teoria juaj dhe ku konsiston ajo shkurtimisht?

Po i përgjigjem pyetjes suaj nga fundi. Nga studimet dhe puna që kam bërë më rezulton se zyrtarisht sot nuk njihet morfologjia e gjuhës shqipe dhe ka një qëndrim zyrtar nihilist e keqdashës. Në vend të morfologjisë së shqipes nxënësve dhe studentëve u serviret një lëtyrë konceptologjike, e cila në të vërtetë është shtrembërim dhe fshehje e një realiteti krejt tjetër. Në fakt vetëm gjuha shqipe midis të gjitha gjuhëve indo-europiane është në gjendje të dëshmojë se ka një morfologji të plotë e të aftë, e cila ka krijuar leksikun e shqipes dhe të pjesës më të madhe të gjuhëve indo-europiane, në mos të të gjithave. Hea e shqipes përshfaqet e plotë në tabelën e morfemave embrionale të saj, që janë unike të gjuhës sonë. Por, në inkoshiencë e të përngjitura në trajtë konceptesh apo leksemash, ato kanë krijuar fjalorët e sa e sa gjuhëve të tjera, të cilat ose pothuaj s’kanë fare morfologji, ose e kanë të pamjaftueshme me aq sa kanë, që të krijojnë leksikë autentike të tyre. Arsyeja e thjeshtë e konkordancave apo përngjashmimeve të fjalëve midis gjuhëve të ndryshme është se ato e kanë prejardhjen nga të njëjtat morfema embrionale të tabelës morfemore të shqipes. Në masën më të madhe etimologjia indo-europiane nuk ka pasur sukses si shkencë, sepse nuk ka marrë në konsideratë morfologjinë e shqipes, e cila nëse do të rikonsiderohet drejt dhe shkencërisht, jo vetëm zgjidh përfundimisht rebusin e prejardhjes se gjuhëve indo-europiane, por njëkohësisht e klasifikon shqipen si gjuha e prodhimit të mjeteve të gjuhës.

Sa për fillimin e pyetjes se “ç’ dëm i bën teoria ime Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë”, më mirë duhet pyetur Rektori dhe dekani prof. dr. Ali Jashari, të cilët morën vendimin “Përjashtohet përjetësisht nga Universiteti “Fan Noli”” për mua.

– Si mendoni ju z. Agron, pse nuk u bë  ballafaqimi juaj shkencor me pedagogët?

Në katër vjet në Universitetin e Korçës u kam drejtuar qindra e qindra pyetje pedagogëve të gjuhësisë si dhe pedagogëve të jashtëm të ftuar dhe akademikë dhe mund të them se jam i kënaqur që më kanë dëgjuar të gjitha pyetjet e mia, megjithëse s’kanë mundur t’i përgjigjen asnjërës. Anglezët thonë se s’ka pyetje idiote, por përgjigje idiote. Ka raste që në provimet me gojë ndonjë student arrin të kopjojë dhe pedagogu e kupton dhe kur studenti përgjigjet duke lexuar çka ka shkruar e pedagogu ia mbyll fletoren, nxënësi ngecet. Kuptohet, ai ka kopjuar. Shpesh më ka ndodhur të pyes pedagogët për ato ç’ kanë shkruar në librat e tyre e sidomos prof. dr. Ali Jasharin. Jam befasuar shumë kur ai s’dinte të përgjigjej për ç’ka ka shkruar!!! Nejse, kohët kanë ndryshuar dhe mbase është risi shkencore e kohëve moderne të mos dish të përgjigjesh për çka ke shkruar dhe je nderuar me tituj e ofiqe. Pjesa më e madhe e pedagogëve të fakultetit të gjuhë – letërsisë thjesht lexojnë librat, bile ndonjëherë ngaqë përtojnë ta bëjnë dhe këtë, venë ndonjë studente me zë të bukur që të lexojë për ta. Kjo nuk është dhe më e keqja, pasi shpesh pedagogët e jashtëm vijnë bëjnë 2-3 orë leksion, shpërndajnë e shesin sipas rastit ndonjë libër të tyre dhe vijnë vetëm ditën e provimit e, në fakt paguhen sipas programit dhe marrin orë të plota. Në këto raste pedagogu i jashtëm nuk i merr lekët xhaba, pasi ai është doktor profesor dhe hedh ndonjë firmë si recensent nëpër librat “me shumë vlerë shkencore” të dekanit, paçka se studentët nuk i marrin ose nuk i zhvillojnë fare leksionet. Edhe shumica e vlerësimeve bëhet aforfe, si faturat e CEZ-it, duke dekurajuar ata që kanë me të vërtetë interes për studimet.

– Ishit këshilluar  më parë, apo u kapët në befasi?

Asnjëherë. Një student përjashtohet për akte rrugaçërie, dhune a diçka të ngjashme dhe për këtë ka rregulla ku ngrihen grupe hetimi, dëgjimi, pajtimi e në rast se s’arrihet pajtim mund të përjashtohet. Mua thjesht më dhanë një vendim ku më njoftonin përjashtimin tim të përjetshëm.

– Si e përjetuar vendimin kur jua komunikuan dhe si reaguat?

Agroni: – Padyshim prisja një përgjigje për dy letrat e mia që i drejtova rektorit, por jo përjashtimin. Në momentin e parë, kur lexova vendimin, ndjeva një neveri. Një neveri për ata që kishin firmosur. Kisha pritur që çështjet dhe problemet që ngrija në dy letrat e mia drejtuar rektorit për mbarëvajtjen e procesit mësimor e disiplinor të merreshin në konsideratë. E dija që disa pedagogë të universitetit ndiqen nga hetuesia për mitmarrje si dhe dy sekserë që merreshin me këto pisllëqe sot vuajnë dënimin me burg. Isha koshient se vazhdoja studimet në një fakultet ku ka studentë që diplomohen për gjuhë-letërsi dhe s’dinë të shkruajnë emrin e vet me rregullat e drejtshkrimit. E dija, e ndjeja dhe dëgjoja për marifetet se si mund të merren provimet nga studentët e dobët. Në shtator një prej tyre me diplomë në xhep mund të bëhet mësuesi i fëmijëve të mi. Universiteti  Të drejtën për arsimim duhet ta gëzojnë të gjithë, por të drejtën për të pasur një diplomë vetëm ata që e meritojnë.

Përjashtimin e ndeshim jo vetëm tek studentët, por dhe në politikë e më gjerë, si e gjykoni?

Në fakt ne kemi vuajtur si shoqëri si nga përjashtimi edhe nga auto-përjashtimi dhe kemi nevojë për një shoqëri përfshirëse dhe konkurruese. Unë e dija që dekani im për shumë vjet kish qenë anëtar i PPSH-së, por kisha paragjykuar se ai në kaq vite demokraci dhe nga qenia e tij si pedagog do i qe larguar mentalitetit komunist. E kam ndjerë me kohë se fusha e gjuhësisë shqipe është i vetmi bastion në të cilin komunistët shqiptarë s’kanë humbur asnjë milimetër terren. Atyre s’mund t’ua prekësh autoritetin më të lartë të tyre, Çabejin, pasi rrëzimi i tij rrezikon ekzistencën e tyre.

Me përjashtimin tim, të nesërmen, dekani shkoi te kursi i studentëve të mi (rreth 80) dhe duke i terrorizuar u tha “Kush do të ndjekë Agronin, ja ku e ka derën”. Ai nuk u tha asnjë fjalë përse më përjashtuan, ndërkohë që përgjegjësi i security të universitetit më njoftoi se e kam të ndaluar të afrohem tek muret rrethuese të universitetit. Bile njëri nga anëtarët e senatit, mjafton të klikosh në google emrin e tij dhe figuron në 15 gazeta i akuzuar për korrupsion, propozoi në mbledhje se “Ky student jo vetëm të përjashtohet, por dhe të mos ketë të drejtë të marrë asnjë vërtetim nga ky universitet”.

– A mund të thoni me pak fjalë si ka ndikuar në psikologjinë dhe ekonominë tuaj dhe si është ndjerë familja?

Përjashtimi im në fakt ishte një vepër turpi, por falë Zotit që jetojmë në demokraci se për ndryshe në kohë tjetër do isha në Spaç. Mjafton t’ia japësh dikujt proces-verbalet e mbledhjeve që kanë bërë për mua dhe t’u fshish datat dhe patjetër lexuesi do të thotë se këto ngjarje kanë ndodhur në vitet e komunizmit dhe njeriu që po përjashtojnë në rastin më të mirë do përfundojë në burg.

Ndjehem keq që rektori do vazhdojë të jetë rektor e po ashtu edhe dekani, edhe shefja e departamentit, edhe… edhe gjithë mentaliteti i tyre. Ndjehem keq kur mendoj se aty në shtator do vijnë studentë të rinj. Kam parë studentë që qajnë se i ngelin me kast. Kam parë gjithashtu të gëzuar se kanë marrë një pesë. Një pjesë e pedagogëve e përdorin notën si armë. Universiteti “Fan Noli” duhet të funksionojë për qëllimin për të cilin është ndërtuar. Tashmë ai është në rënie të lirë. E vetmja shpresë janë Gjykata, Prokuroria dhe media e lirë, por kjo kërkon një ndjenjë kolektive qytetare për denoncim. Një universitet  ku denigrohet merita, mendimi dhe shprehja e lirë dhe e pavarur e studentit, ku atij i hiqet padrejtësisht e drejta kushtetuese për arsimim të vërtetë e në nivel të lartë shkencor dhe drejtuesve, që të kujtojnë inkuizitorët e mesjetës, nuk u hyn gjemb në këmbë, ka mbaruar.

– A keni frikë nga hakmarrja e pedagogëve për provimet e mbetura?

Çështja është se ata s’kanë frikë nga shkeljet e ligjit që bëjnë. Natyrisht do jem i kujdesshëm, pasi në proces-verbale më kishin atribuuar edhe gjëra që s’i kisha thënë, si p.sh., sikur i kisha thënë një pedagogu “ti je serb”. Dhe këtë e kish shpifur vetë rektori për t’u mbushur mendjen se kush isha unë. Edhe në kohën më të zezë të komunizmit asnjëherë nuk e gjykonin një njeri në mungesë. Ndaluan hyrjen time me policë në universitet dhe bënin mbledhje e merrnin vendime për mua pa prezencën time. Nuk besoj se vendimi i gjykatës u ndryshon karakterin dhe mënyrën e të vepruarit.

Gjithsesi ata s’do të mund ta ndalin të vërtetën për gjuhën shqipe.

Pranimi i tabelës së morfemave embrionale të gjuhës shqipe si morfologji të kësaj gjuhe do të sjellë dhe një standard të ri të padiskutueshëm dhe të drejtë. Kemi të vetmen gjuhë në botë me morfologji të plotë. Hea e gjuhës shqipe është e pakrahasueshme.

– Faleminderit për intervistën zoti Agron!

Faleminderit juve!