Veprimtaria e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, model për t’u ndjekur në rajon

584
Kjo deklaratë u bë në Forumin e 5-të të Ballkanit Perendimor për Shoqërinë Civile, zhvilluar në Beograd më 2-3 Qershor 2015. Në deklaratën përfundimtare të këtij aktiviteti u bëhet thirrje qeverive të Ballkanit të ndërtojnë dhe forcojnë institucionet e Ombudsmanit, duke ndjekur si shembull modelin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit të Shqipërisë, si institucion i fortë dhe i pavarur. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, diskutimi i të cilit u mbajt ditën e dytë, në kuadër të panelit me temë: “Të drejtat e minoriteteve në Ballkanin Perendimor”. Në diskutimin e tij, z. Totozani ritheksoi vizionin e tij rreth respektimit të të drejtave të minoriteteve në vendin tonë, duke i njohur të pranishmit me angazhimin e tij institucional për promovimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave në përputhje të plotë me Konventën Kuadër “Për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare” të Këshillit të Europës, por edhe në zbatim të legjislacionit kombëtar të Republikës së Shqipërisë për mbrojtjen kundër diskriminimit.
“Problemet e minoriteteve sot në Shqipëri nuk janë thjesht probleme të tyre, por probleme të vetë shoqërisë shqiptare, ndaj zgjidhja e tyre është në të mirë të të gjithë shoqërisë”, deklaroi z. Totozani në këtë forum. “Vizioni i Avokatit të Popullit bazohet në frymën shumë të mirë ekzistuese të bashkëjetesës ndërmjet popullsisë shumicë dhe asaj pakicë dhe konsideron se minoritetet në Shqipëri janë pasuri kombëtare e çmueshme në të shkuarën dhe për të ardhmen e vendit”, vijoi ndër të tjera ai. Në këtë aktivitet, ku morën pjesë personalitete të larta europiane si dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, u diskutua rreth temave te ndryshme si: “E ardhmja e Bashkimit Europian dhe e Ballkanit Perendimor”, “Rritja e transparencës dhe e hapjes se procesit të pranimit në BE”, “Roli i Shoqërisë Civile në luftën kundër korrupsionit”, “Rinia dhe punësimi, roli i partnerëve social dhe organizatave të shoqërisë civile në promovimin e integrimit ekonomik dhe social” si dhe “Të drejtat e minoriteteve në Ballkanin Perendimor”. 
Forumi u organizua nga Komiteti Europian Ekonomik dhe Social, një organizëm konsultativ për politikat dhe legjislacionin, në kuadrin e BE-së, në funksion të legjitimitetit demokratik dhe efektivitetit të Shoqërisë Civile të Shteteve Anëtare, për t’i shprehur pikëpamjet e tyre në nivel europian.
Sigal