Vendimi skandaloz i Gjykatës së Durrsit

1058
Sigal

Mëtonjës zyrtare për pronat e lëna me testament për bamirësi nga Idhomen Kosturi

 Një ndër banesat, e cila duhet liruar nga banorët qiramarrës që banojnë në të është edhe banesa nr. 49 në lagjen bregdetare të Durrësit nr 1. Ajo ka pasur një specifikë të veçantë, banorët thonë se i janë drejtuar gjykatës sepse shkresa që ka sjellë Përmbarimi u është drejtuar 4 personave, që tashmë janë të vdekur. Gjykatës i janë drejtuar për gabim procedure, pasi shkresa zyrtare u drejtohet Maliq Menekshait, Xhemal Bakollit, Hatixhe Aliut dhe Minush Qelepisë, të gjithë të vdekur shumë vite më parë. Ndërsa në këtë pallat jetojnë 5 familje tashmë. Krahas kësaj, banorët që ndodhen në këtë pallat, theksojnë se, banesa nuk ka pronar privat real, pasi ajo është e lënë me testament nga ish-pronari i saj Idhomen Kosturi për bamirësi. Ky pallat, sipas tyre, i përket shtetit. Duke u bazuar në dokumentin që zotërojnë, banorët protestojnë se privatizimi i kësaj ndërtese është spekulativ dhe paraqesin kopjen e testamentit të Idhomen Kosturit, i cili ka shkruar se: “Të gjitha pasuritë e tij të tundshme dhe të patundshme e lë për strehën Pleqnore në qytetin e Durrësit dhe qarkun e tij, për pleqtë dhe plakat e vobekta që nuk kanë mjete jetese”. Banorët nëpërmjet dokumenteve që disponojnë ankohen se, pronat e të ndjerit Idhomen Kosturi kanë kaluar në pronësi të disa personave, të cilët kanë mundur të komprometojnë organet e drejtësisë. Konkretisht për pasurinë e tundshme dhe të patundshme të shtetasit Idhomen Kosturi ka vendime gjyqësore të Gjykatës së Faktit dhe të Gjykatës së Apelit.

HISTORIKU

Testamenti i shtetasit Idhomen Kosturi, pronat e të cilit pas vdekjes së bashkëshortes kalojnë në pronësi të shtetit për t’u përdorur për themelimin e një strehe vorfënore për pleqtë e qytetit të Durrësit, mban datën 14 qershor 1937, ditë e shtunë. Testamenti është nënshkruar nga dëshmitarë, avokat, noter e ndihmësgjyqtar. Pronat e shtetasit Idhomen Kosturi janë sekuestruar në kohën e regjimit komunist. Vendim nr. 3, datë 9.1.1946 “Mbi sekuestrimin e pasunis së patundshme të Idhomen Kusturi”, komiteti ekzekutiv i kohës urdhëroi sekuestrimin e pasurisë së patundshme të Kosturit. Vendim më pas vijon me renditjen e pasurisë së sekuestruar, e cila përfshin një shtëpi në lagjen “Kala” të Durrësit me sipërfaqe 500 kutë, truall në Kala, truall e shtëpi prej 20 dhomash në shëtitoren “Qemal Stafa”, tokë në katundin Arapaj me sipërfaqe 99 dynym e gjysmë, kopsht e shtëpi të përbëmë prej 17 dhomash me divanhane, arë në lagjen “Varosh”, gjysma pjesësh në disa parcela etj.. Të gjitha këto, të dokumentuara dhe të bëra publike në Gazetën Zyrtare 2 mars 1946. Pavarësisht sekuestrimit të pasurisë e pronave të shumta, regjimi komunist i ka ruajtur dokumentet.

Banoret thonë se, pronaret e rinj, që e mëtojnë këtë pasuri janë blerës të jashtëm dhe jo pronarë të drejtpërdrejtë. Pasi një grupim pronarësh janë bërë “pronarë” në rrugë të shpejtë, ata e kanë shitur pronën në mënyrë të rrufeshme. E gjithë kjo pasuri, thonë ata, është shitur 166.000 euro. Kur më shumë duhej të kushtonte toka pasi është lagje qendrore ngjitur me rrugën tregtare. Dhe aq është afërsisht vlera e një apartamenti në të për shkak të pozicionit që ka në qytet. Ndërkohe që, në katin e parë ka një dyqan mjaft të madh. Sot në banesën numër 49, lagje numër 1 e qytetit të Durrësit rruga “Epidamnus” jetojnë disa familje të gjitha të pastreha. Me ndryshimin e sistemit në Shqipëri u mendua se, testamenti kishte humbur dhe zhdukur, gjë që rezulton e kundërt, pasi vendimi vitit 1996 për sekuestrimin e pasurisë së shtetasit Idhomen Kosturi janë bërë të “gjalla” si dhe testamenti i vitit 1937. Disa familje banojnë në atë pallat prej mese 60 vitesh dhe ata kanë ruajtur edhe kopjon e testamentit të lëshuar që nga ajo kohë. Familjet që banojnë në atë shtëpi kanë kërkuar të mos lëvizin ngase janë të pastrehë, ndonëse gjykata ia ka kthyer “trashëgimtarëve”. Fakti se, pronari ligjshëm e ka të deklaruar destinacionin e pronës u ka dhënë atyre më shumë mundësi për të këmbëngulur në kërkesën adresuar institucioneve të shtetit shqiptar. Kryefamiljarët Agron Çelepija, Artur Menekshi, Selfura Sejdini, Elton Bakalli, Petrit Menekshi, Asllan Aliu kanë kërkuar të kenë të drejtën për të përfituar pronësinë në bazë të testamentit të pronarit. Me vendim të Gjykatës së Faktit Durrës nr. 1305, datë 11.10.2001 këto prona iu kthyen shtetit duke rrëzuar vendimin e komisionit të kthimit e kompensimit të pasurisë. Me vendim të gjykatës së Apelit Durrës me numër 671, datë 10.12. 2001 hidhet poshtë vendimi Gjykatës së Faktit. Me vendim të Kolegjit Civil të Gjykatës së lartë me kryetar Thimio Kondi lihet në fuqi vendimi Apelit. Por në ndryshim me rastet e para, pranohet ekzistenca e testamentit. Banorët kanë kërkuar që pronat e konfiskuara padrejtësisht të kthehen në pronësi të shtetit dhe të përdoren sipas legjislaturës në fuqi. Banorët kanë përfshirë në kërkesën e tyre edhe fotokopjo të Fletores Zyrtare të datës 2.3.1946.