Vëllai i ministrit Gjiknuri shpërblehet pas implikimit me serverët e tatimeve

519
Sigal

“Kryeministri Rama duket se ka shpërblyer Panajot Gjiknurin, vëllain e Ministrit të Energjetikës, deri dje këshilltar i Ministrit të Financave, për ngritjen e zbatimin e skemës korruptive me serverat e tatimeve”, më këtë deklaratë për mediat ka dalë dje zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi, e cila denoncoi emërimin e Panajot Gjiknurit në krye të informacionit të financave të vendit. Kryetari i grupit që akuzohet për fshirjen e mbi 4 milionë deklaratave, dhe vjedhjen e të dhënave personale, konfidenciale, për interesa përfitimi të klientëve dhe maxhorancës, është bërë drejtor i IT-së në Zyrën kombëtare të Regjistrimit të Pasurive. Ndryshe, përgjegjës për sigurinë e pronave të shqiptarëve.

Kohët e fundit ai është emëruar drejtor i IT në Ministrinë e Financave. Kryeministri Rama ka graduar në këtë mënyrë autorët e skandalit më të madh në sigurinë tatimore të shtetit shqiptar. Duke i shpërblyer këta persona, ndaj të cilëve ka edhe kallëzim penal në Prokurori, Rama tregoi edhe një herë se ata shkuan natën në serverin e tatimeve, për të kryer detyrat e Ramës dhe Metës.”- u shpreh Vorpsi.
Më tej ajo theksoi se në një kohë kur Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë Komisionit Hetimor kryeministri u jep trofe autorëve të krimit financiar. “Kryetari i grupit të manipulimit vihet në krye të sigurisë së pronave të shqiptarëve. Bashkëpunëtori në krim, vihet në krye të informacionit të financave shqiptare. Partia Demokratike i konsideron këto akte të Kryeministrit si thellim të skandalit. Ne nuk do të ndalemi, derisa ta zbardhim plotësisht ngjarjen, mekanizmin korruptiv dhe derisa të nxjerrim në dritë të gjithë përgjegjësit, pavarësisht se sa të forta i kanë lidhjet politike, pavarësisht bekimit që kanë marrë nga dyshja Rama-Meta.”- u shpreh Vorpsi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, hap hetimet për tatimet

Ditën e premte, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e saj unanim, me të cilin shpall si antikushtetues vendimin e Kuvendit për t’i mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për hetim në skandalin e ndërhyrjes së paligjshme në serverët e tatimeve, vjedhjes dhe fshirjes se miliona të dhënave konfidenciale të bizneseve dhe qytetarëve të vendit. Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi një të drejtë kushtetuese të opozitës. “Ndërhyrja e paligjshme e njerëzve të besuar të liderëve të së majtës në bazën e të dhënave të tatimpaguesve shqiptarë, kopjimi e zhdukja e miliona deklaratave tatimore është një skandal i paprecedent”, është shprehur deputeti i PD-së Bylykbashi. Ky skandal jo vetëm minon besueshmërinë e sistemit tatimor të shtetit, por cenon rëndë të drejtat e subjekteve, i hap rrugën njerëzve të maxhorancës për t’i bërë presion bizneseve apo për të zhdukur detyrimet e klientëve të tyre.