UJPSH: Emërimet në gjyqësor produkt i preferencave politike

584
Sigal

Unioni i Juristëve të Pavarur të Shqipërisë shpreh shqetësim për gjendjen e sistemit të drejtësisë në vend

Unioni i Juristëve të Pavarur të Shqipërisë, (UJPSH), duke u nisur nga debatet publike, por edhe problematikat konkrete mbi sistemin e Drejtësisë dhe gjendjen faktike të sistemit gjyqësor, si një nga tre pushtetet më të rëndësishme për mbarëvajtjen e demokracisë shprehin shqetësimin për gjendjen e demokracisë që buron nga sistemi i Drejtësisë në Shqipëri. Ata mendojnë se ky sistem është i papërshtatshëm dhe duhet përmirësuar sa më shpejt nga një kontribut gjithëpërfshirës. Emërimet në gjyqësor kanë ardhur pa asnjë konkurrim nga radhët e komunitetit të Juristëve, janë produkt i preferencave politike të individëve të veshur me pushtet politik e partiak dhe aspak preferenca të qytetareve të Republikës. Edhe futja në sistem e shkollës së Magjistraturës nuk ka sjellë pritshmërinë e qytetarëve në këtë sistem. Nga kontaktet që kemi me qytetarët dhe sondazhet e realizuara prej nesh, vërejmë se qytetarët kontestojnë sistemin e Magjistraturës për dy arsye: E para, mosha shumë e re e magjistratëve. E dyta, karriera dhe eksperienca e pamjaftueshme prej tre vjetësh në total për tu emëruar si gjyqtarë.

Unioni i Juristëve të Pavarur të Shqipërisë,dhe kryetari i saj Av. Gëzim ALLARAJ, mendojnë se ka ardhur momenti ku kriteret për emërimin e Gjyqtarëve të përfshijnë elemente si:

•Karrierë jo më pak se 15 vite punë eksperiencë si jurist për tu emëruar si Gjyqtar në Shkallën e Parë.

•Minimumi mosha 40 vjeçare, sipas së cilës arrihet pjekuria profesionale dhe intelektuale, për të marrë vendime të drejta dhe humane.

•Konkurrim brenda Komunitetit të Juristeve. UJPSH është e bindur se aksesi për emërimin e gjyqtarëve, duhet tu kalojë qytetarëve nga konkurrimi i Juristëve të pavarur jashtë çdo ndikimi politik dhe tu hiqet plotësisht e drejta politikanëve në emërimin e Gjyqtarëve, vetëm kështu mund të arrihet në pavarësinë e sistemit gjyqësor. Kushtetuta aktuale si e tillë vë në varësi që në momentin e emërimit gjyqtarët ndaj politikanëve, pra nuk garanton pavarësi dhe ndarje pushtetesh. Pavarësia duhet të jetë e garantuar dhe të burojë nga Kushtetuta.

Kështu, është domosdoshmëri përmirësimi i sistemit gjyqësor në mënyrën e emërimit dhe funksionimit, çka do të thotë përmirësim të sistemit kushtetues, prandaj mendojmë se ka ardhur koha të hapim debatin e madh për ndryshime kushtetuese të gjithanshme si domosdoshmëri për të ndryshuar realitetin mbi gjendjen e demokracisë në vend. Qytetarëve duhet tu jepet mundësia për vendimmarrje, e cila thuajse nuk ekziston. Ne jemi për konkurrimin e ideve dhe projekteve le të vendosin qytetarët me referendum për projekt- kushtetutën më të mirë, për kushtetutën e ardhshme, për kushtetutën e tyre.

Pas mbarimit të mandatit të Znj.Shpresa Beçaj këtë vend po e mban përkohësisht anëtari i kësaj gjykate Z.Besnik Imeraj

 Gjykata e Lartë në pritje të kryetarit të ri

 Kryetarja e Gjykatës së Lartë Znj.Shpresa Beçaj ka mbledhur ditën e enjte trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë, duke i njoftuar se në datën 23 mars 2013, bazuar në nenin 5 të ligjit

 Nr.8588, datë 15.3.2000  “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë’, përfundoi mandati i saj kushtetues në këtë detyrë. Gjatë këtij takimi, Znj. Beçaj ka theksuar rëndësinë e madhe që ka Gjykata e Lartë në sistemin gjyqësor shqiptar, duke nënvizuar rezultatet e arritura, vështirësitë e ndeshura dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat ballafaqohet i gjithë pushteti gjyqësor në përgjithësi dhe Gjykata e Lartë në veçanti, gjatë viteve të mandatit të saj si anëtare dhe kryetare e kësaj gjykate. Kryetarja e Gjykatës së Lartë është shprehur përpara kolegëve të saj se Gjykata e Lartë, si organi gjyqësor unik dhe më i lartë i pushtetit gjyqësor shqiptar, është përballur me problematika të cilat kanë penguar dhe vazhdojnë të pengojnë përmirësimin e eficencës së kësaj gjykate në kuadër të administrimit të drejtësisë. Për shkak të kompetencave të gjera që ajo ka, Gjykata e Lartë vazhdon të jete e mbingarkuar me gjykimin e çështjeve nga më të thjeshtat deri tek ato më të komplikuarat, të cilat kanë sjellë si rezultat vonesa të ndjeshme në gjykimin e çështjeve, duke e shmangur atë nga qëllimi i saj kryesor që është gjykimi i çështjeve vetëm për shkaqe ligjore, duke zbehur në të njëjtën kohë kompetenca kushtetuese për unifikimin e praktikës gjyqësore. Kjo tregohet edhe në analizën e detajuar që i është bërë regjistrimit të çështjeve për vitin 2012 krahasuar me vitet e mëparshme. Krahasuar me vitin 2011, rezulton se pranë Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2012 janë regjistruar rreth 581 çështje më shumë, me një efekt në rritjen e përvitshme të numrit të çështjeve gjyqësore të pashqyrtuara, i cili arrin në 9961 çështje. Kryetarja e Gjykatës së Lartë deklaroi se deri në momentin e emërimit dhe fillimit të mandatit të kryetarit të ri të kësaj gjykate, drejtimin e saj në funksion të zbatimit të Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë dhe ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” do ta ushtrojë anëtari i kësaj gjykate Z.Besnik Imeraj, njëkohësisht Kryetar i Kolegjit Civil. Znj. Shpresa Beçaj në emër të Trupës Gjyqësore të Gjykatës së Lartë shprehu angazhimin se kjo gjykatë, anëtarët e nderuar të saj, por dhe gjithë anëtarët e gjyqësorit të Republikës së Shqipërisë, do të japin çdo ditë kontributin e tyre maksimal për të mbështetur çdo  iniciativë që synon forcimin e një gjyqësori jo vetëm të pavarur e të paanshëm, por dhe më efektiv në dhënien e drejtësisë, në funksion të arritjes së objektivit përfundimtar dhe mbi të gjitha rikthimin e besimit të plotë të publikut tek sistemi gjyqësor.

 Kreu i shtetit Bujar Nishani ka dekretuar dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe një të Gjykatës së Lartë

Presidenti dekreton 3 anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese

Kështu presidenti ka dekretuar emërimin e Gani Dizdarit dhe të Besnik Imeraj si anëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe Xhazair Zaganjorin si anëtar i Gjykatës së Lartë. Ndërkohë 4 ditë më parë kreu i shtetit zhvilloi takime të veçanta me krerët e grupeve parlamentare të partive politike ku diskutoi për kriteret profesionale që duhet të kenë kandidatët si anëtarë për këto gjykata. Por kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi e cilësoi si anti-ligjore kërkesën e presidentit për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilëve sipas tij i përfundon mandati në muajin maj.

 Instituti Amerikan për Demokraci rekomandime për zgjedhjet kombëtare

Instituti Amerikan për Demokraci publikoi para disa ditësh raportin për procesin parazgjedhor në Shqipëri. Një ekip në përbërje: drejtues rajonale të NDI-së, ish-guvernatorë në SHBA, kryetarja e Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA e aktivistë për provimin e demokracisë kanë hartuar përfundime dhe rekomandime për ecurinë e deritanishme të përgatitjeve për 23 qershorin, pas takimeve me politikanët më të lartë vendas, zyrtarë të KQZ, përfaqësues të organizatave dhe medias shqiptare, por edhe qytetare. Në krye të shënimeve të tyre, ata renditin në këtë raport, një ligj të mirë zgjedhor, por rekomandojnë, si edhe në të tjera raste, zbatim të tij duke vënë theksin në mënyrë të vazhdueshme se besimi i qytetarëve shqiptarë tek zgjedhjet është tejet i ulët. “Ne e dimë që Shqipëria është një vend i polarizuar sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhje. Kemi takuar shumë qytetarë shqiptar ajo që kemi vënë re është një cinizëm i thellë, në fakt cinizmi e minon procesin po aq sa edhe autokracia. Duhet të behën zgjedhje të pranueshme nga shumica e shqiptarëve. Kuadri zgjedhor është shumë i mirë. Gjithsesi puna është sesi do të zbatohet kuadri zgjedhor. Nga aktorët politikë që kemi kontaktuar kemi parë vullnet për të zbatuar ligjin por ajo që kërkohet është të kalohet nga fjalët në vepra. Dhe për të bërë zgjedhje të mira duhet të bashkëpunohet për të kapërcyer frikën e së shkuarës”, tha Houard Dean. Rekomandimi kryesor shkon për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucion që sipas NDI duhet të fitojë pavarësinë. Rekomandimet e tjera lidhen me kuotat e grave në lista. Përfaqësuesit e NDI thanë se ia kanë sugjeruar krerëve të partive politike që kandidaturat femra të jenë në krye të listës, por prej tyre kanë marrë përgjigjen se të gjithë kandidatët kërkojnë të jenë në krye të listës. Përfaqësuesit e Institutit Demokratik Amerikan shprehën vetëdijen se pavarësisht procesit parapërgatitor, historiku i zgjedhjeve ka treguar se përgatitjet madje edhe dita e zgjedhjeve kanë qenë gati të përkryera në Shqipëri, por problemi shfaqet pas ditës së zgjedhjeve.