Totozani zgjidhet president i ombudsmanëve të Mesdheut

220

Avokati i Popullit Igli Totozani zgjidhet me unanimitet të plotë President i organizatës ndërkombëtare të Avokatëve të Popullit (ombudsmanëve) të Mesdheut.

Më 27 qershor 2014, në mbledhjen e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Ombudsmanëve të Mesdheut me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme, për të gjitha organet drejtuese të kësaj organizate, me unanimitet të plotë të të gjitha delegacioneve pjesëmarrëse, Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani u zgjodh President i kësaj organizate. Gjatë kësaj mbledhjeje u zgjodhën Këshilli Administrativ dhe Byroja e re. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj organizate u zgjodh Avokati i Popullit të Republikës Francese.

Shoqata e Ombudsmaneve të Mesdheut, ku bëjnë pjesë 27 vende, ndër të cilët, Franca, Spanja, Greqia, Maroku, Algjeria, Izraeli, Sllovenia, Maqedonia, Qipro etj. është krijuar më 19 dhjetor 2008 në Marsejë me rastin e mbledhjes së dytë të rrjetit mesdhetar të Ombudsmanëve. Kjo organizatë ndërkombëtare e drejtuar deri tani me shumë sukses nga Ombudsmani i Mbretërisë së Marokut, Zoti Abdelasis Besancour, përbën një nga rrjetet më të fuqishme të ombudsmanëve në botë dhe gjithashtu ka një rol të theksuar ndërkombëtarë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.