TIA: Shqipëria të zbatojë detyrimet e Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit

535
Sigal

Transparency International, apel botëror për luftë kundër pandëshkueshmërisë
9 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, të përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit në parandalimin dhe luftën ndaj tij. Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit është një mundësi e veçantë për të gjithë qytetarët me qëllim reflektimin e pasojave shkatërruese të korrupsionit në jetët tona dhe denoncimin e tij. Korrupsioni është problemi më i përfolur sot në botë, është gjithashtu kërcënimi më i madh me të cilin po përballen sot shoqëritë tona. I cilësuar si “taksa e pistë” mbi pjesën më të vuajtur të popullsisë, korrupsioni favorizon varfërinë, pabarazinë, dhe destabilitetin social. Në të njëjtën kohë, është një fenomen që shkatërron përpjekjet e përbashkëta në realizimin e të drejtave të njeriut dhe një prosperiteti më të madh për të gjithë. “Është detyrë e të gjithëve ne, politikanë, zyrtarë të lartë, drejtues biznesi, akademikë, aktivistë të shoqërisë civile e qytetarë t`i themi jo korrupsionit”, ka deklaruar Huguette Labelle, Drejtore e Bordit e Transparency International. Labelle cilësoi se në 2013, do të kërkojmë një angazhim të ri, më solid për të përmbushur vizionin e përbashkët në një botë të lirë nga korrupsioni. Me qëllim adresimin e efekteve toksike të korrupsionit mbi qytetarët e tyre, është detyrë e qeverive të veprojnë me hapa të shpejtë në përmbushjen e agjendës së organizmave ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, G20, Bordi i Stabilitetit Financiar, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për të pasur lider më të përgjegjshëm në politikë, sektor publik më transparent dhe të mos lejohet cenimi i integritetit të sektorit privat nga ryshfetet, tregtia ilegale apo evazioni fiskal. Transparency International u bën thirrje qeverive të zbatojnë konventat ndërkombëtare e rajonale të cilat mundësojnë korniza të forta në punën e tyre në shërbim të popullsisë. Nevoja për të qeverisur me integritet dhe për të bërë publike marrëveshjet tregtare është alarmante më shumë se kurrë. Në këto kushte, ku një sërë detyrimesh rrjedhin për shtetin shqiptar nga nënshkrimi më 18 Dhjetor 2003 dhe ratifikimi më 25 Maj 2006 i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Transparency International Albania bën apel për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe rritjen e masave efikase për implementimin e reformave anti-korrupsion, rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjen në zbatim të ligjit. Lufta kundër pandëshkueshmërisë ndaj të korruptuarve nuk duhet të jetë thjesht një slogan, por duhet me çdo kusht të gjejë zbatim praktik dhe të monitorohet nga aktivistët e shoqërisë civile. Gjithashtu, parandalimi i korrupsionit duhet të jetë prioritet në përpjekjet drejt eliminimit të varfërisë, pabarazisë, dhunimit të të drejtave të njeriut dhe pasigurisë sociale. Këto çështje mund të arrihen vetëm përmes “kapjes”, hetimit dhe dënimit të korrupsionit.