Thanas Papa/ Zvarritjet e proceseve gjyqësore ne gjykatën e rrethit gjyqësor Berat

914
Sigal

Gjyqtare Rudina Palloj përplas dyert, fyen avokatin dhe paditësin

Po ju paraqes një panoramë të shkurtër të familjes time, pasurisë që kërkoj, dhe zvarritjet arbitrare gjyqësore. Familja Papa është një familje e njohur në fshatin Kutalli të rrethit të Beratit, pinjollët e kësaj familje që përbejnë trungun familjar të familjes Papa si Peci, Taqi dhe Tuni Papa janë lindur, janë rritur dhe jetuan bashke në një shtëpi deri sa u ndanë në tre kurora në 13.10.1953. Familja Papa posedon shumë pasuri të paluajtshme, si toka bujqësore, truall shtëpie, ullinj, një shtëpi me tetë konak dhe me oborr, etj. Të gjitha këto prona figurojnë të inventarizuara në emër të Peci Papës si vëllai më i madh dhe kryefamiljar.

Për t’u njohur bashkëpronar i këtyre pasurive që trashëgojmë nga të parët tanë i jemi (se bashku me Raqi Papa djali xhaxhait) drejtuar gjykatës rrethit gjyqësor Berat me kërkesë padi duke kërkuar njohjen bashkëpronar të pasurive që disponojmë, me palë të paditur Sotiraq Papa (kushëriri i parë). Para se t’i drejtohemi gjykatës kemi siguruar dokumentacionin që vërteton pretendimin tim (kam përfunduar rrugën administrative), dhe me pas i jam drejtuar gjykatës për gjykimin e çështjes (hap i dytë e cili është rruga gjyqësore), dokumente autentike, të cilat i disponojmë (nga arkivat) dhe nuk janë marrë në shqyrtim akoma nga gjykata. Procesi gjyqësor gjykohet nga gjyqtare Rudina Palloj dhe çështja ka filluar më datë 24.02.2014 (seance e parë).

Prej asaj date janë zhvilluar 9 seanca (të ashtuquajtura seanca) pasi të tilla nuk mund të quhen. Në këto 9 seanca jemi akoma në seancë përgatitore, në fazën fillestare të procesit gjyqësor dhe nuk jemi dëgjuar për pretendimin tim dhe provat ku i bazoj ato, duke u bazuar në legjislacionin e aplikueshëm dhe më pas pretendimet apo provat e palës së paditur. Procesi gjyqësor është shtyrë në këto 9 seanca nga kërkesa të pakuptimta dhe pa bazë ligjore të palës së paditur, të cilët përdorin manovra të pabazuara ligjore për shtyrjen e seancave. Këto veprime të paligjshme kanë gjetur mbështetje nga gjykata në mënyrë arbitrare. Ligji parashikon shtyrjen e seancave gjyqësore në raste madhore si p.sh sëmundje apo raste të tjera madhore. Gjithashtu është për t’u evidentuar se gjykata duhet të ketë ndikim të fortë në lojërat e pista që bëjnë palët kundërshtare nëpërmjet avokatit. Nëse avokati nuk paraqitet pa shkaqe të përligjura, gjykata duhet të vazhdojë gjykimin pasi marrëdhënia që ndërton qytetari me avokatin është private. Në rast se nuk paraqitet avokati, të marrë një tjetër dhe të zhvillojë gjykimin. Në drejtësi ka një postulat: Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar.

Kur gjykata nuk respekton ligjin dhe nuk dëgjon pretendimet e mia apo të verifikojë provat, më mohon të drejtën time për të përfituar atë që mendoj se me takon sipas ligjit.

Misioni i gjykatës është dhënia e drejtësisë nëpërmjet vendimit, i cili jepet në emër të Republikës së Shqipërisë. Vendimi i gjykatës duhet të jetë i arsyetuar dhe duhet të trajtohet çdo provë e paraqitur gjate gjykimit. Nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme ndaj meje po zhvillohet një precedent i rrezikshëm, i cili mund të jetë bërë normë në drejtësinë shqiptare. Për këtë arsye duhet të gjejë zgjidhjet e duhura ligjore, që proceset gjyqësore të kenë një kohë brenda së cilës duhet të përfundojnë. Si dhe të sanksionojnë rastet kur gjyqi shtyhet thjesht për t’u bërë pengesë për dhënien e drejtësisë nëpërmjet manovrave antiligjore të avokatit. Gjykata në shtyrjen pa masë të proceseve gjyqësore duhet të mbajë përgjegjësinë e duhur, pasi nëpërmjet këtyre tregon njëanshmëri dhe papërgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës së saj publike.

Një njëri që e njeh ligjin nuk duhet ta shkel atë, por duhet të bëj çmos që ta mbrojë respektimin e tij. Ndaj meje po zhvillohet një proces i parregullt ligjor, duke mos më dhënë mundësinë që të shpreh pretendimet e mia, depozitimin e provave dhe çdo të drejtë që parashikon ligji. Përveç zvarritjes në kohë, kjo shkakton dhe kosto ekonomike, si pagesa për avokatin për seancat e zhvilluara, të cilat nuk janë seanca, si dhe kosto të tjera shtesë. Në nenin 4 të Kodit Procedurës Civile parashikohet se gjykata kujdeset për zhvillimin e rregullt të procesit gjyqësor. Për këtë qellim, në bazë të kompetencave që i jepen nga Kodi, vendos për afatet dhe urdhëron marrjen e masave të nevojshme. Për këto zvarritje dhe shtyrje të paligjshme dhe arbitrare të seancave gjyqësore nga ana e gjykatës (gjyqtares së çështjes) nuk është marrë asnjë masë ligjore, si dhe të ketë predispozitën për zhvillimin e rregullt të procesit (brenda afateve të arsyeshme). Një fenomen shqetësues përben dhe sjellja e ashpër e gjyqtares që gjykon çështjen, duke më trajtuar si një person që ka kryer një veprim kriminal dhe duke harruar që misioni dhe detyra e saj është të respektoj të drejtat e qytetarëve, kushtetutën, gjatë zhvillimit të procesit, dhe kodin e Procedurës Civile. Në procesin gjyqësor është shkelur Parimi i Paanshmërisë, i cili është një parim thelbësor gjatë gjykimit, që konsiston duke u pranuar nga gjyqtarja në mënyrë të përsëritur shtyrja e seancave gjyqësore nga pala e paditur në arsye të pabazuara. Është e rëndësishme për t’u theksuar se mund të jesh profesionist i mirë i fushës, por kjo nuk do të thotë se mund të jesh edhe njerëzor, i komunikueshëm. Kjo e fundit mungon në drejtësinë shqiptare. Duke munguar kjo e dyta, mungon dhe elementi i parë i të qenurit profesionist i mirë i fushës së ligjit dhe të respektosh dhe zbatosh atë. Nuk po e shkruaj këtë material për t’i bërë presion gjyqtares apo për të më dhënë atë që nuk më takon, por kërkoj të zbatoj ligjin dhe të zhvilloj normalisht gjykimin e çështjes. Pasi, atë që pretendoj dhe për të cilën i jam drejtuar gjykatës e kam të provuar me dokumentacion ligjor dhe të pakontestueshëm.