Tefik OSMANI/ Dinjiteti i përdhosur i Gjykatave

475
Sigal

Gjykatat dhe gjyqtarët, janë kthyer sot në “delja e zezë”, dhe refreni kobzi i fjalimeve dhe referencave ndërkombëtare

Ajo që po ngjet me gjykatat tona sot është një turp i madh, dhe një faturë e shtrenjtë për demokracinë shqiptare. Gjykatat dhe gjyqtarët, janë kthyer sot në “delja e zezë”, dhe refreni kobzi i fjalimeve dhe referencave të mjaft lektorëve europianë, që vijnë e ikin nga Shqipëria. Ata theksojnë dhe ripërsëritin faktin se, “pa luftë ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, reformat radikale në atë sektor, nuk ka qasje në BE”. Mjafton t’i referohemi proceseve gjyqësore të Strasburgut, ku për fajin e gjyqtarëve tanë të korruptuar, dhe vendimeve antiligjore në favor të grabitësve të pronave, shteti ka humbur për 4 vitet e fundit mbi 102 milion euro. Kjo faturë padyshim duhet t’i jepet për t’i paguar një më një, gjyqtarëve të korruptuar, atyre që kundrejt milionave kanë shkelur çdo etikë dhe ligj të shtetit. Në gjykatat tona sot, nuk flitet për zbatim të ligjit, për paanësi të trupit gjykues, për dinjitet të këtij institucioni, por për pazare. Për pazare mes avokatëve dhe gjyqtarëve, pazare mes palëve që kanë dhe japin milionat, dhe gjyqtarit që pa ju trembur syri shkel ligjin, shkel mbi faktet, mbi rrobën e zezë që mban veshur, mbi dinjitetin e shtetit dhe Kushtetutës. Kalimthi, po ndalem tek një rast ndoshta sporadik. Policia ditët e fundit arrestoi me bujë në Universitetin e Elbasanit dy zyrtarë dhe kaloi për procedim penal dy prej drejtuesve të tij. Dhe vetëm pas 48 orëve Gjykata i liroi me masën “detyrim paraqitje”. Kësaj radhe në mbrojtje të tyre reagoi edhe Senati Universitetit. Nuk kanë rëndësi emrat dhe rastet, por rëndësi ka dështimi i radhës së policisë dhe Prokurorisë. Rëndësi ka që puna disa mujore e këtyre organeve për hetimin dhe dokumentimin e dosjes së operacionit, të koduar “Premtimi”, ka dështuar. Ashtu si dy vjet më parë kur, ish-prokurori Elbasanit do të deklaronte se, “Gjykata na dekonspiroi hetimin e pedagogëve”, sërish sot është po ai institucion, që nuk ka frikën të shkelë hapur ligjin, të sfidojë dhe shtrembërojë hapur faktet e mbledhura për muaj të tërë nga kolegët e tyre policë e prokurorë. Gjykata e Elbasanit ka aktualisht katër gjyqtarë, të cilët janë nën hetim e gjykim dhe janë propozuar nga Ministria e Drejtësisë për masa administrative dhe disiplinore. Asgjë nuk i ndal gjyqtarët e këtij institucioni kaq të përfolur të lirojnë nga salla persona të akuzuar, madje edhe me precedentë të rëndë penalë. Por si Gjykata e Elbasanit është edhe ajo e Durrësit, e Vlorës, Korçës, Pukës, Shkodrës, Tiranës, etj. Pra  lista zgjatet e zgjatet, mbushet me emra gjyqtarësh, madje në video po dalin së fundi edhe emra kryetarësh gjykate. Ky është turpi më i madh, kulmi skandalit që duhet të kishte mobilizuar natën vonë Presidentin dhe Kryeministrin. Çfarë po ngjet me gjykatat tona, pse nuk ka forcë t’i ndalë ata, kush i mbron? Më shpejt se kurrë duhet të reagojë fort opinioni qytetar. Protesta për armët kimike, aq mirë e organizuar, përse mos t’ja lërë vendin një proteste po aq popullore ndaj gjykatave dhe gjyqtarëve të korruptuar? Ku janë organizatorët e “shoqërisë civile”, ku janë “patriotët e paanshëm” që dalin me megafon në sheshe e bulevarde? Nga vendimet e padrejta të Gjykatës së Durrësit, vetëm gjatë vitit 2012, u regjistruan 6 viktima, 4 ishin për pronat dhe 2 për ngjarje të rënda penale. Kurse shifrat në shkallë vendi vërtetë janë të frikshme, por më e trishtueshme është heshtja e kupolës së këtij shteti, apo mbrojtja që i bëhet shpesh pjesës së “pakorruptueshme” të gjyqtarëve.