Skandali, ministria e Gjiknurit rrënon buxhetin e shtetit me 1 miliard lekë

199

Zbardhet auditimi i KLSH-së në Ministrinë e Energjetikës: Pasuritë e vendit, si mall pa zot

Auditimet për 6 mujorin e parë të vitit 2014 të Kontrollit të Lartë të Shtetit në institucionet qendrore e vendore kanë rezultuar në parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 3 450 170 000 lekë, ku shuma prej 978 636 000 lekësh, ose gati 1/3 e dëmit financiar, është shkaktuar nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë (MEI). Ministria e Gjiknurit ka lënë në mëshirë të fatit, apo si mall pa zot, pasuritë e vendit të dhëna me qira, duke mos ushtruar kontroll, përsa i përket zbatimit korrekt të kontratave koncensionare. Dorëzimi me vonesë i projektzbatimeve të kontratave nga koncesionari, mosrealizimi në afat i investimeve, mosrealizimi i prodhimit siç është parashikuar në kontratë, mungesa apo përllogaritja e gabuar e oponencës teknike mbi projektzbatimin e kontratave apo mosllogaritja e detyrimeve të kontratave koncensionare janë kryesisht problematikat që kanë shkaktuar dëmin ekonomik prej gati 1 miliard lekësh nga Ministria e Damian Gjiknurit.

Shkeljet me dëm ekonomik ekonomik janë shkaktuar si më poshtë:

1. Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, në shumën e përgjithshme prej 978 636 000 lekë, konstatuar në:

Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, Tiranë (mbi Koncesionet), në vlerën

955 661 000 lekë, nga të cilat:

a. 84 906 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mosushtrimi i penaliteteve nga

Autoriteti Kontraktor për dorëzimin me vonesë të projektzbatimit të kontratave

koncesionare për faj të koncesionarit, në masën e përcaktuar në kontratë prej 0.005% tё

vlerёs sё investimit pёr çdo ditё vonesё;

b. 578 426 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mosushtrimi i penaliteteve nga

Autoriteti Kontraktor për mosrealizimin në afat të investimeve të parashikuara në kontratat koncesionare, në masën e përcaktuar në kontratë prej 10% të vlerës së investimit të munguar;

c. 38 980 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mosushtrimi i penaliteteve nga

Autoriteti Kontraktor për mosrealizim të prodhimit të parashikuara në kontratat

koncensionare për periudhën janar 2011 deri më 31 dhjetor 2012 të 8 koncensionarëve, në masën e përcaktuar në kontratë prej 100% të vlerës së prodhimit të parealizuar;

d. 717 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mospërllogaritja nga Agjencia Kombëtare e

Burimeve Natyrore të tarifës së oponencës teknike mbi projektzbatimin e kontratave

Koncensionare;

e. 836 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga përllogaritja e gabuar nga Agjencia

Kombëtare e Burimeve Natyrore të tarifës së openoncës teknike mbi projektzbatimin e

kontratave koncensionare;

f. 251 796 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mos përllogaritja dhe mos kontabilizimi

i detyrimeve të kontratave koncesionare në fushën e bakrit.

Dëme të tjera

-Në fushën e Prokurimeve, KESH Sh.a., Tiranë ka shkaktuar një dëm prej 9 155 000 lekësh.

-Në fushën e shpenzimeve operativ, Operatori i Sistemit të Transmetimit Sh.a., Tiranë ka shkaktuar një dëm prej 7 963 000 lekësh, ndërsa  KESH, Sh.a. Tiranë 2 637 000 lekë

– Në fushën e sistemit të pagave, KESH Sh.a., Tiranë ka shkaktuar një dëm prej 34 356 000 lekësh, si përfitim page të padrejtë nga punonjës të institucionit.

-Në fushën e shpërblimeve, KESH sh.a. Tiranë dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit Sh.a., Tiranë, kanë shkaktuar një dëm ekonomik në vlerat respektive 1 939 000 lekë dhe 185 000 lekë, si përfitim i padrejtë nga punonjësit për orë pune jashtë orarit zyrtar të punës.

– Në zërin “Të tjera”, shkelje të disiplinës financiare është kryer një dëm financiar nga KESH Sh.a., Tiranë, në vlerën 5 797 000 lekë, si dëm ekonomik nga kryerja e

pagesave për punime të parealizuara.

-Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara nga Ministria e Energjetikës & Industrisë, Tiranë (Koncesionet) në vlerën totale 947 196 000 lekë, nga të cilat 387 196 000 lekë nga mosarkëtimi nga shoqëritë e sigurimeve të garancisë së kontratave për koncesionarët që nuk kanë zbatuar kontratat dhe 560 000 000 lekë nga mosarkëtimi i garancisë së kontratës në formë depozite bankare nga shoqëria “BIGSPA”.