Skandali, koncesionari i ullinjve paguan vetëm 1 200 lekë për 1 ha në vit

817
Sigal

 Ullishtat e 4 komunave të Kavajës, me sipërfaqe 1000 ha janë dhënë me koncesion për 99 vjet me 1 euro. Ja shkeljet e kontratës

Ullishtat e komunave Gos, Luz i Vogël, Synej dhe Kryevidh në Kavajë, janë dhënë me koncesion për 99 vjet në kohën kur ministër Bujqësie ishte z. Emin Gjana. Kontrata koncesionare është bërë në kuadër të nismës “Shqipëria 1 Euro”, çmimi qesharak për dhënien e 1000 hektarëve me koncesion për zhvillimin e ullishtave. Në Ligjin nr.10 082, datë 23.2.2009 për miratimin e kontratës koncesionare në nenin 1 të tij thuhet: “Miratohet kontrata e koncesionit e formës “BOT” (ndërtim, operim dhe transferim) për kultivimin e ullirit, në një sipërfaqe deri në 1 000 (një mijë) ha, në komunat Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë, Kavajë, ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si autoritet kontraktues dhe “AGROTAL 1” sha-së, Tiranë”. Ortak me firmën koncesionare “AGROTAL 1” sha, Tiranë (ka një fabrikë të ngritur për përpunimin e ullirit me fondet e veta dhe të BERZH-it) është edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me 30 % të aksioneve. Ajo çka të habit më së shumti në këtë koncesion, është pikërisht tarifa e koncesionit, e përcaktuar 0.2 për qind në vit për 10 ton ullinj. Sipas pagesës së caktuar nga Autoriteti Kontaktues në kontratën e koncesionit me 0,2 % të prodhimit vjetor prej 10 tonësh, i bie që kontraktuesi, pra koncesionari të paguajë 1 200 lekë të reja në vit për 1 hektarë tokë. Në qoftë se marrim 10 tonë, aq sa ka planifikuar kontrata koncesionare për 1 hektarë, i bie që 10 tonëve ullinj (ullinj të freskët) që mblidhet me nga 60 lekë kilogrami (apo dhe më shumë), qeveria i ka dhënë një vlerë prej 1200 lekësh!!! Sipas të gjitha gjasave, qeveria e atëhershme i ka falur qindra miliona lekë me koshiencë koncesionarit, i cili do të paguajë vetëm 1200 lekë për ha për 99 vjet. Kalimi i këtij koncesioni gjalloi shumë debate dhe pakënaqësira në komisionet parlamentare.

 Debatet në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese

 Në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese ish ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana ka dhënë detaje të kontratës me kompaninë “Agrotal”, që ka marrë me koncesion për një periudhë 99-vjeçare 1000 hektarë afër Kavajës, marrëveshje kjo që nuk ka kaluar pa debate. Deputetët e opozitës kundërshtuan projektligjin, me argumentin se sipërfaqe të tilla, mund të shërbenin për kompensimin e pronarëve të ligjshëm të tokave. Madje deputeti socialist, Ndriçim Hysa, më i ashpri në qëndrimin e tij, e konsideroi këtë projektligj si të dështuar që në fillim dhe si korrupsion të pastër politik. Ndërsa sipas deputetit të PD-së, Rexhep Uka, nëse do tu jepej ish-pronarëve kjo tokë, do të quhej një veprim tallës, sepse janë territore të papërshtatshme për t’u përdorur, argument i mbështetur dhe nga ish ministri i Bujqësisë Jemin Gjana.

 Projektligji

 Projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” për kultivimin e ullirit, në një sipërfaqe deri në 1000 ha, në komunat Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë, Kavajë, ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit si autoritet kontraktues dhe “Agrotal-1″ sha, Tiranë” parashikon që ullishta në këtë zonë të ngrihej brenda 7-vitesh dhe prej saj të prodhohen 10 ton ullinj për hektarë. Sipas Gjanës, kontrata koncesionare me kompaninë “Agrotal-1” është parashikuar për 99 vjet dhe kjo duke patur parasysh jetëgjatësinë e ullirit si dhe kohën e gjatë, që i duhet për të hyrë në prodhim. Ish kreu i MBUMK-së është shprehur se kontrata e koncesionit për kultivimin e ullinjve duhej miratuar, pasi është e rëndësishme në fushën e bujqësisë. Projektligji, në fakt, ka kaluar në komision vetëm me votat e maxhorancës.

 Akuzat e deputetit socialist Ndriçim Hysa

 Sipas deputetit socialist Ndriçim Hysa, ky koncesion mbart shumë probleme, madje duke shkuar më tej ai e quajti këtë koncesion korrupsion të pastër politik. “Sot, të nderuar kolegë, kemi përpara një projekt për të miratuar një koncesion për 1000 hektarë, në një kohë kur kjo sipërfaqe shtrihet buzë detit me një nivel nga bregu deri 150 m. Kjo për Qeverinë aktuale, kur i kanë ngelur edhe 130 ditë, më duket thjesht një utopi. Zoti Gjana, ky është një korrupsion i pastër, i mbuluar me një utopi joshëse për fermerët, por mbi të gjitha për të dalë gjoja që ju jeni promotor i mbjelljes së ullirit në Shqipëri” është shprehur deputeti socialist Hysa.

Deputeti i majtë pyeti ish ministrin Gjana për Task Forcën, pasi sipas tij në përbërje të saj ka individë që kanë konflikt interesi. “Mu bë qejfi që më në fund deklaruat profesor Ukën, nuk kam asgjë me të, por unë po ju them që Hajri Ismaili është përfaqësuesi i Agroblendit dhe ka një ullishte. Pra, po, por është përcaktuar që tani ku do të merren fidanët” u shpreh Hysa, duke akuzuar edhe për paracaktim të blerjes së fidanëve të ullirit nga persona që zotërojnë ullishte, të cilët ishin pjesë e Task Forcës së këtij koncesioni. Më herët në diskutim, ish ministri Gjana i kishte bërë të njohur z. Hysa përbërjen e Task Forcës.

 Detaje

Koncesioni: Ullishtat e komunave Gos, Luz i Vogël, Synej dhe Kryevidh në Kavajë

Koncesionari: “AGROTAL 1”+ 30 % BERZH

Çmimi: 1 euro

Kohëzgjatja: 99 vjet

Tarifa e koncesionit: 1 200 lekë për 1 ha në vit

Ledjana Saliu