Shkumbini është kthyer në truall privat dhe është hipotekuar

71
Pas liqeneve të Belëshit, ku sipërfaqe të konsiderueshme të tyre janë hipotekuar si “troje private” duket se skandalet me babëzia me pronat dhe regjistrimet e tyre nuk njeh kufij. Burime zyrtare i thanë “Telegraf” se edhe shtrati dhe brigjet e lumit Shkumbin, janë kthyer në “troje private dhe janë hipotekuar”, dhe kjo ka ndodhur prej vitesh, ku autorë të këtyre skandaleve janë kryetarë komunash, bashkish dhe prefektë, por ama duke bashkëpunuar me regjistrues pronash, duke kryer edhe allishverishe, shitje dhe blerje sikur të ishin zyra imobilare. Ajo që ka ndodhur me pronat në Elbasan, ndoshta nuk është gjë, me atë që ka ndodhur me lumin Shkumbini, që prej vitesh ndotet dhe shkatërrohet. Zyrtarë lokalë, me poste të larta kanë ndërhyrë duke mbushur mijëra metra katrore të lumit dhe e kanë shitur si “truall privat”, duke mbushur xhepat me miliona. Pavarësisht se skandali është denoncuar nga banorët që jetojnë në fshatrat buzë Shkumbinit, pavarësisht se janë dorëzuar foto dhe fakte në organet e drejtësisë, duket se lidhjet e ngushta të zyrtarëve të implikuar mes tyre , aferat korruptive dhe babëzia nuk njeh kufij. Gradualisht brigjet dhe shtrati i lumit Shkumbin, po mbushen, betonohen dhe rrethohen me tela me gjemba, dhe po shiten sikur të pronë private. Shitja e lumit, përbën një krim dhe precedent penal të padëgjuar, dhe përgjegjësit kryesorë kushdo qofshin duhet të përgjigjen para ligjit. Ka raste kur këta zyrtarë të implikuar në zaptimin e lumit, kanë shitur “truallin” që llogaritet në mijëra metra katrore, kanë mbushur xhepat, dhe sot atje ngrihen magazina dhe, objekte të tjera prodhimi, ku natyrisht nuk mbetet pa shqetësim edhe ndotja e Shkumbinit. Prej vitesh vazhdon të mbahet sekret skandali me shitjen dhe hipotekimin e “trojeve” të përfituara nga ndërhyrja shtazarake që po i bëhet lumit më kryesor dhe më fitimprurës që ka zona dhe Prefektura e Elbasanit. Specialistët e tokave thonë, se në rast se kjo babëzi vazhdon, një ditë Shkumbini do të shpërfytyrohet, do të mbetet ndoshta një përrua apo do të ndryshojë drejtim, dhe kjo prish ekosistemin, dhe përbën rrezik për tokat, vaditjen, gjallesat etj. Ata që kanë përfituar miliona me shitjen e shtratit të Shkumbinit, sot kanë nisur një jetë të re, janë pasuruar, kanë madje pretendime edhe për angazhime në jetën politike e sociale. Organet e drejtësisë, policia dhe Prokuroria, kanë prej vitesh në sirtarët e tyre dhjetëra apo qindra denoncime nga banorët dhe tek-tuk edhe nga ndonjë kryetar komune për krimin e ndodhur me brigjet dhe shtratin e Shkumbinit, por deri sot asnjë zyrtar i Prefekturës së Elbasanit dhe institucioneve vartëse nuk ka marrë ndëshkim ligjor. Ata që deri dje apo edhe sot fshihen pas “gishtit” apo kostumit të postit, duhet të përgjigjen, dhe kjo duhet të nisë nga kreu deri tek regjistruesi pronave që ka marrë guximin të hipotekojë “troje” në Shkumbin.