Ryshfeti, mjeti kryesor me të cilin shqiptarët i zgjidhin problemet

472
Sigal

RAPORTI/ Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike: Vlerësimi i korrupsionit në Shqipëri

Shqipëria konsiderohet si një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropën Juglindore, sidomos në gjyqësor, Doganë dhe politikë. Është ky perceptimi i një raporti të publikuar, dje, në Tiranë, nga Qendra Shqiptare e Kërkimeve Ekonomike. Raporti flet për përhapjen e korrupsionit në Shqipëri për vitin 2014 dhe është bazuar në anketime drejtpërdrejt me qytetarët. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkimet Ekonomike, thotë se në 15 vjet niveli i korrupsionit në vendin tonë ka rënë me vetëm 11 %. Referuar përgjigjeve të qytetarëve, 63 % e tyre mendojnë se korrupsioni është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet e tyre në çdo sektor. Nga ana tjetër, 45.3 % pohojnë se iu është kërkuar ryshfet, ndërsa 38.9 % kanë paguar ryshfet. Për më tepër, 74 % e qytetarëve shqiptarë mendojnë se punonjësit e sektorit publik janë të korruptuar.

“Gjatë 15 viteve të fundit më shumë se 2/3 e qytetarëve shqiptarë e shohin korrupsionin si një nga barrierat më të mëdha për përshpejtimin e zhvillimit ekonomiko-shoqëror për integrimin evropian të vendit. Sfida të tjera kryesore mbeten papunësia, krimi dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave familjare. Sipas indeksit të përfshirjes në korrupsion dhe indeksit të korrupsionit me matjet e kryera në vitin 2001, 2002 dhe 2014 vihet re një ulje e ndjeshme gjatë kësaj periudhe, por ende mbetet shumë i lartë numri i qytetarëve që iu është kërkuar ryshfet 45.3 % dhe atyre që kanë paguar ryshfet 38.9 %. Perceptimet e qytetarëve mbi përhapjen e korrupsionit , domethënë nivelin e përhapjes së praktikave korruptive tek punonjësit e sektorit publik janë mjaft të larta 74 % e qytetarëve të intervistuar,” tha Zef Preçi, drejtor i Qendra Shqiptare për Kërkimet Ekonomike.

Sa i përket sektorëve dhe profesioneve më të korruptuar në vend të parë qëndrojnë gjyqtarët, nëpunësit e doganave, prokurorët dhe politikanët, ndërsa më pak të korruptuar janë gazetarët dhe mësuesit. “Vrojtimi tregon se ende në një shkallë mjaft të lartë 63 % , qytetarët shqiptarë vazhdojnë ta shohin korrupsionin si mjet eficent për zgjidhjen e problemeve të tyre në marrëdhënie me institucionet shtetërore, në 15 vjet ky tregues është zvogëluar me 11 %. Në renditjen e institucioneve bazë të perceptimit publik rreth përfshirjes ose jo të tyre në korrupsion rezulton se gjyqtarët dhe nëpunësit e doganave konsiderohen si më të korruptuarit në nivelin 3.3 në një shkallë nga 0 në 4, të ndjekur nga prokurorët dhe nëpunës të administratës gjyqësore dhe liderët partiakë. Ndërsa më pak të korruptuar konsiderohen gazetarët dhe mësuesit, niveli 2.2 në shkallë vlerësimi nga 0 në 4”, tha Zef Preçi. Sipas Qendrës Shqiptare për Kërkimet Ekonomike, ky raport synon të nxisë mirëqeverisjen, forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e transparencës në menaxhimin e fondeve dhe të pasurive publike, forcimin e dialogut qeveri-komunitet biznesi dhe përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi, si dhe avancimin e Shqipërisë në procesin e Integrimit Evropian.

 

Pritjet për korrupsionin

Indeksi i pritjeve të korrupsionit regjistron vlerësimet e qytetarëve mbi kapacitetin (potencial) e shoqërive të tyre për të përballur me problemin e korrupsionit, dhe vlerat shkojnë nga 0 (korrupsioni mund të çrrënjoset), deri në vlerën më të lartë të mundshme 10 (korrupsioni nuk mund të reduktohet). Pritshmëritë për korrupsionin duket se janë përkeqësuar në vitin 2014 duke kapur vlerën 6.3 krahasuar me 5.5 në vitet e mëparshme. Ky rezultat është në përputhje edhe me rezultatet e mëparshme mbi përhapjen e korrupsionit, i cili është përkeqësuar në vitin 2014, apo edhe me rritjen e rasteve korruptive kur dikush ka patur kontakt me një zyrtar publik. Sa më shumë njerëz të mendojnë se korrupsioni është i përhapur, aq më të prirur janë ato që të kenë pritshmëri të ulët mbi reduktimin e korrupsionit.

Perceptimet mbi realizueshmërinë e të politikave të korrupsionit

Të anketuarit janë pyetur për perceptimet e tyre mbi realizueshmërinë e politikave kundër korrupsionit. Në vitin 2014, në krahasim me 2001 dhe 2002 rezulton se pjesa e popullsisë që mendojnë se korrupsioni mund të reduktohet ndjeshëm ose të zhduket, ka ardhur në rënie. Nga ana tjetër, pjesa e popullsisë që percepton se korrupsioni nuk mund të reduktohet ndjeshëm ka qenë në rritje. Ky rezultat është në përputhje me rezultatin e mësipërm në lidhje me pritshmërinë ndaj korrupsionit.

Strategjitë, planet e veprimit dhe programet aktuale të zbatueshme antikorrupsion

Në qershor 2013, Shqipëria mbajti zgjedhjet kombëtare të përgjithshme, të cilat çuan në ndryshimin e partisë politike në pushtet. Gjysma e dytë e vitit 2013, ka qenë një periudhë ndryshimesh të vazhdueshme në kuadër të reformave legjislative dhe institucionale dhe fillimi i viti 2014, ndoqi të njëjtën linjë.

Në nëntor 2013 qeveria e emëroi Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit për të koordinuar aktivitetet kundër korrupsion të institucioneve shtetërore dhe institucioneve të pavarura, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal. Për më tepër, u krijua një rrjet i pikave fokale në të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura. Strategjia e re Kundër Korrupsion (2014-2020) është përgatitur me asistencën teknike të pranisë së OSBE në Shqipëri dhe është shumë më e shkurtër dhe më e thjeshtë se strategjia e mëparshme. Kjo u bë me qëllim që strategjia të ishte një dokument më i shkurtër dhe më orientues, me objektiva të qarta dhe specifike. Strategjia dhe planet e veprimit mbeten për tu zbatuar.

Disa nga risitë pozitive të Strategjisë së re:

–          Një fokus i veçantë i është dhënë harmonizimit të statistikave dhe të dhënave mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar ndërmjet agjencive ligjzbatuese;

–          Strategjia fokusohet në tre përqasje kryesore: parandalim, sanksionim dhe rritje e ndërgjegjësimit;

–          Një vëmendje më e madhe iu është vënë transparencës dhe llogaridhënies publike;

–          Për herë të parë strategjia ka parashikuar krijimin e kuadrit të përshtatshëm rregullator mbi ‘’bilbilëfryrësit’’, i cili mungon aktualisht;

–          Ankesat publike janë konsideruar si një element tejet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit;

–          Strategjia parashikon një vlerësim të përgjithshëm të legjislacionit mbi korrupsionin dhe institucionet e ngarkuara për zbatimin e legjislacionit kundër korrupsion, dhe një corruption proofing të legjislacionit, një praktikë e cila do të përdoret për herë të parë në Shqipëri;

–          Parashikohet një analizë sistemike e riskut, trendeve të korrupsionit, dhe efektivitetit të masave antikorrupsion dhe monitorim i zbatimit të tyre;

–          Politika anti-korrupsion në njësitë vendore/qeverisjen lokale si një prioritet: qeverisja lokale nuk duhet të shikohet si një pjesë e shkëputur nga qeverisja qendrore.