Rifat Aliu/ Për partitë, Kushtetuta është si furra e Nastradinit

462
Sigal

Që në hyrjen e saj Kushtetuta i bën të qartë kujtdo, dhe aq më tepër politikanëve, qëllimin e saj dhe kujt i shërben

*Avokat, 

Nastradin Efendiu ndërtoi një furrë dhe meqë ishte e para njerëzit filluan ta vizitonin dhe të gjithë i bënin vërejtje për derën e saj. Meqë donte t’u bënte qejfin të gjithëve bëri një furrë tjetër jo mbi tokë, por mbi një karrocë dhe kur vinin vizitorët derën e saj e kthente andej nga donte çdonjëri prej tyre.

Kështu ndodhi edhe me Kushtetutën tonë. Pa asnjë kuptim disa parti u mblodhën dhe për t’u bërë qejfin disave (ose nga frika e tyre) dhe vendosën që në përbërje të KQZ-së nga 7 të ketë 9 anëtarë, duke bërë propozimin që të ndryshohet Kushtetuta. E para, nuk motivuan pse duhet bërë kjo shtesë, por edhe sikur të ishte e nevojshme duhej që më parë të ishte ndryshuar Kushtetuta sepse ndryshe kësaj i thonë nga që, nuk vajti Muhameti te mali duhet të vejë mali te Muhameti ose që vendimin e tyre ta bënin fakt duke diktuar Parlamentin. Që në hyrjen e saj Kushtetuta i bën të qartë kujtdo dhe aq më tepër politikanëve qëllimin e saj dhe kujt i shërben. Një nga një dhe me ide të kuptueshme përmend shtetin e të drejtës, demokratik dhe social, liritë themelore të njeriut, tolerancën, bashkekzistencën fetare, mbrojtjen e dinjitetit dhe prosperitetit njerëzor, prosperitetin e kombit, identitetin dhe bashkimin kombëtar, paqja dhe harmonia. Ashtu siç është formuluar dhe ndërtuar del shumë qartë se partitë dhe politika angazhohen dhe punojnë për të zbatuar Kushtetutën. Asaj edhe mund t’i bëhen ndryshime, por kurrë për një rast të tillë që të shtohen anëtarë të KQZ dhe përdoret “konsensusi” i disave për t’u bërë qejfin dyve. Përveç që në Shqipëri ka mbi 100 parti, por nuk do të thotë që 2-3 prej tyre të privatizojnë politikën e vendit. Neni 9 i Kushtetutës u ka krijuar partive politike hapësira që të formohen dhe të funksionojnë, por gjithmonë me parime demokratike kushtetuese. Disa parti që e quajnë veten “kryesore” për t’u marrë vesh dhe për të gjetur me njëra-tjetrën mundësinë e mënjanimit të krizës u mblodhën dhe mirë bënë. Natyrshëm jo në politikë, por është mirë që për çdo gjë të kuptohesh për të mirën e të gjithëve dhe meqë nuk arritën ta bënin këtë ranë në ujdi se janë të gatshëm të shkelin Kushtetutën ose të propozojnë t’i bëjnë asaj një ndryshim, të cilin jo se e do interesi i vendit, por vetëm për t’u dukur sikur janë tolerantë dhe merren vesh. Kjo jo më shumë për anëtarët ose simpatizantët apo elektoratin, por për t’u dukur ose për të plotësuar dëshirat apo urdhrat e ndërkombëtarëve. E vërteta është se nga takimi dolën të qeshur dhe i shtrënguan duart njëri-tjetrit duke e bërë çështjen të përfunduar. Me sa kuptohet kanë shpresuar se në fund të fundit për interesat e tyre nuk është ndonjë punë e madhe dhe as ndonjë shkelje për ta bërë shtatën nëntë, në nenin 154 të Kushtetutës dhe me kaq edhe anëtarët e KQZ-së shtohen dy sikur të ishte “një dosë që në vend të bënte 7, bëri 9 gica”. Na vjen mirë po të jetë se këto parti kanë mirëkuptim mes tyre, sepse nuk është për t’u besuar jo se është politika e tillë,  siç thuhet shpesh, por ngaqë politikanët tanë dhe jo pak janë të paaftë, u dikton më shumë interesi për vete, madje kanë frikë dhe janë të përulur shpesh ndaj të huajve. Ne duke qenë të vegjël dhe të varfër jemi dy herë fatkeq, por vuajmë më shumë sepse politikanët dhe shtetarët tanë ngaqë dinë pak ose aspak, janë kthyer në vegla dhe bëjnë si u thonë të huajt. Edhe këta të fundit janë në pozicione të ndryshme, duke simpatizuar herë të majtën e herë të djathtën, aq më tepër kur hiqen si të paanshëm dhe i ngatërrojnë të gjithë. Për të ndryshuar Kushtetutën, vetë ajo në n. 177/1 parashikon se ka një procedurë rigoroze, ku nisma për rishikim ndërmerret nga jo më pak se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit. Mirëpo duke marrë vendimin që të shtojnë numrin e anëtarëve të KQZ-së që më parë dhe në takimin e tyre si parti, duke përcaktuar edhe forcën politike se kujt do t’ia japin, kanë mënjanuar Kushtetutën dhe Parlamentin. Parlamenti zgjidhet nga populli dhe si rregull i shërben të gjithëve dhe nuk është e thënë që 1/5 e deputetëve të ndërmarrë këtë nismë. Pastaj është etapa tjetër që, sipas n. 177/3 e Kushtetutës, që të amendohet ajo duhen votat e të paktën 2/3 të anëtarëve të Kuvendit. Duke qenë këto kërkesa ose pengesa kushtetuese deri në ndryshimin e saj, vendimi i partive për shtimin e KQZ-së është i nxituar, ka vetëbesim dhe eufori të tepruar, kanë bindjen se Parlamenti është si furra e Nastradinit, ndërtuar mbi karrocë dhe vegël e tyre që partitë mund ta përdorin dhe ta kthejnë nga dhe si të duan. Kur vendosin më parë partitë politike në kundërshtim me Kushtetutën dhe kur ato me veprimet e tyre zëvendësojnë ose supozojnë se më e pakta 2/3 ose 92 deputetë do të bëjnë si t’u diktojë politika, është më shumë bindje dhe nuk bëhet fjalë për shtet e parlament ligjor pasi ajo ka vënë nën kontrollin e saj legjislativin duke ruajtur si përpara vitit 1990 parimin “Politika në plan të parë”. Deputeti vërtet është vënë si kandidat nga një forcë politike, por në parlament ai përfaqëson zgjedhësit, bën sipas vullnetit të tyre, u shërben dhe mbron interesat e të gjithëve, mbase më shumë të atyre që kanë votuar kundër. Pas këtij “vendimi” një kryetar i një partie të vogël, ( satelite) në një intervistë bëri pohimin se shtimi i anëtarëve të KQZ-së është në interesin e të gjithëve. Siç bëhet në të shumtën e rasteve, kjo është deklaratë politike elektorale që vetëm sa merr me të mirë ndonjë parti qeverisëse, por që nuk u bën mirë as atyre që iu premtua një anëtar në KQZ. Sipas n. 135 të Kushtetutës KQZ përgatit, mbikëqyr, drejton, verifikon aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet dhe shpall rezultatet. Është organ në qendër dhe përdor të dhënat që i vijnë nga rrethet. Prandaj si të kesh, si të mos kesh anëtarë është njësoj. Por as mund të kenë të gjithë sepse subjektet politike janë shumë më tepër se anëtarët e KQZ Subjektet politike e dinë mirë këtë por kërkojnë me qëllim që të duken të barabartë me parti më të mëdha, për tu reklamuar nëpërmjet këtij organi më shumë dhe shpresojnë se me këtë reklamë mund të marrin ndonjë votë më shumë. Lëshimi pas dhe midis konfliktit nuk e bën politikën dhe partitë më të urta përkundrazi, duke qenë fitore pas sherrit, zbutja është sa për dukje dhe përkohësisht kurse lëshimi i partive të mëdha për më të voglat të kujton ato rastet që kur ishim fëmijë dhe qanim, për të pushuar nëna na jepte një kokërr karamele. Me idetë apo mendimet e shfaqura nuk e kam fjalën që të mos ndërmerren nisma për ndryshime në Kushtetutë. Kushtetuta është ligj themeltar i çdo shteti dhe duhet të ndryshohet më pak se të tjerët mirëpo në ato rrethana si u ndërtua dhe ashtu si u miratua, vend për amendime ka bile edhe në atë pjesë që ka të bëjë me zgjedhjet. Nga viti 1990 e pas që KQZ funksionon si organizëm në kushtet e një sistemi me shumë parti dhe shumë subjekte që vënë kandidatë, asnjëherë ky institucion nuk ka pasur ndonjë kërkesë që për shkak të volumit të ketë ngarkesë pune që nuk përballohet. Në vitet 1989-1990 e këtej numri i të ikurve në emigracion ka qenë i madh dhe thuajse të gjithë kanë qenë votues, sepse duke ikur për të punuar ishin të rinj. Sot në Shqipëri ka rreth 2.200.000 banorë që sikur 70% të jenë votues janë gjithsej 1 milion e 540 mijë votues. Duke qenë organ qendror dhe i përhershëm me funksione për përgatitje, mbikëqyrje, për drejtim, verifikim dhe shpallje të zgjedhjeve, ngarkesa e punës është minimale edhe për këta shtatë anëtarë që janë kështu që po të bëhet kjo shtesë është sa për t’i hequr buxhetit 3-4 milionë lekë në vit kur qeveria pretendon të ulë shpenzimet. Duke punësuar këta dy anëtarë politika mbase do ta përdorë këtë edhe si “zbutje” të papunësisë në Shqipëri.

Në KQZ nuk ka mundësi objektive dhe, ato parti që nuk kanë anëtarë të mos kenë frikë se mund t’u vidhen votat por edhe në qoftë se venë për të vjedhur votat e të tjerëve as këtë nuk e bëjnë dot. Për KQZ deri tani nuk ka pasur ndonjë ankesë me këtë natyrë ndryshe është në qendrat e votimit dhe komisionet zgjedhore vendore. Ankesat kanë qenë për këta prandaj që procesi zgjedhor të jetë i rregullt dhe demokratik kujdesi për të mbrojtur votën duhet të bëhet më shumë atje. Këtu ankohen të gjithë dhe për këtë është e vështirë të dallosh vjedhësin nga të dëmtuarin. Edhe në atë rast kur zgjedhjet kanë qënë më të mirat, prapë janë kontestuar. Shkaqet e vëna nga subjektet kanë qenë të ndryshme por edhe sepse nuk kanë anëtar në komisione, KZV ose KQV Për të pasur një shkak më pak mund të shtrohet rasti i ndryshimit i n. 154 të Kushtetutës. Do ishte më mirë dhe do kishte më pak kontestime në rast se anëtarët e KQZ nuk do t’u takonin partive politike por shoqërisë civile, intelektualë kuptohet shumica juristë por edhe ndonjë figurë me profesion tjetër edhe emërimi i tyre të ishte i përqendruar me dekret të presidentit si figurë më e paanshme. Mbase do jetë e dobishme që kjo të bëhet edhe me komisionet e qendrave të votimit dhe KZV. Në politikën e partive çuditë janë të shumta. Në të gjitha llojet e mediave flitet për diskutimin se kur duhet të bëhen zgjedhjet e pushtetit vendor. Të gjithë japin mendime, cave u duket më mirë në dimër, ca në pranverë ose verë dhe duket sikur mjafton të bëhet sipas stinëve të vitit dhe boll të jetë njëra prej tyre, paçka se në n. 109/1 të Kushtetutës përcaktohet në mënyrë kategorike që bëhen në çdo tre vjet. Nuk është parë që nga këta politikanë qoftë edhe në një rast të vetëm të lexohet ky nen. Sipas tyre shkelja e Kushtetutës nuk sjell asnjë shqetësim por të gjejnë atë stinë që u duket më me leverdi mbase në këtë mes mundohen që shkelja të jetë por jo shumë e madhe. Për politikanët është më lehtë që Kushtetuta të shkelet ose ndryshohet se sa të zbatohet. Partitë dhe politika duhet të kuptojnë se ligji themeltar i shtetit amendohet për interesa jetike dhe nuk është si furra e Nastradinit. Po u hap kjo rrugë, vlera e Kushtetutës do ulet aq shumë dhe mund të bëhet sa e ligjit për pronat, që është ndryshuar dhe amenduar disa herë dhe në vend që Kushtetuta t’i hapi rrugë ligjshmërisë do të krijojë konflikte të shumta si edhe ligji i pronave. Në qoftë se Kushtetuta do të bëhet e lëvizshme edhe kur nuk duhet (apo për t’u bërë qejfin krahëve të ndryshme të politikës) tek ne nuk do vendoset dhe as nuk do funksionojë shteti ligjor.