Prokurorët dhe hetuesit tulaten para telefonatave nga shtetarët e lartë

525
Një oficer i Policisë Gjyqësore dhe një prokuror i rrethi i deklaruan për “Telegraf” se “punojmë nën presion, punojmë paralelisht me telefonatat dhe format e tjera të ndërhyrjeve, për të zvarritur, mbyllur ose dirigjuar ndryshe çështje dhe dosje të ndjeshme penale, duke nisur nga ato të korrupsionit që janë të shpeshta, e duke përfunduar tek ato të veprave të rënda penale, trafik droge, vrasje etj”. Ngadalësia e proceseve hetimore, veç shkakut teknik apo institucional, shpesh vjen edhe si pasojë e ndërhyrjeve dhe kjo nuk ndodh vetëm në qendër (Tiranë) por edhe në rrethe. Madje në këto të fundit ndërhyrjet vijnë sikur të ishin për t’i kaluar klasën ndonjë student ngelës. Çdo ditë hetuesit dhe prokurorët, marrin “porosira”, por edhe urdhëra nga kapadaijtë e institucioneve qëndrore të qeverisë dhe politikës në variantin “shikoje pak atë dosjen e X apo Y, e kam mikun tim”. I njëjti burim nga një prokuror rrethi i tha “Telegraf” se “ndërhyrjet vijnë dhe nisin nga prefektët, e vazhdojnë nga deputetët, ministrat, anëtarë KLD-je dhe mbarojnë me politikanë, madje edhe ndonjë kryetar partie që nuk ngurron t’i hipë makinës dhe të na vijë edhe në zyrë”. 
Statistika në rritje me denoncimet
Statistikat flasin për rritjen e numrit të denoncimeve dhe kallëzimeve penale kryesisht nga KLSH, por edhe Auditi Brendshëm dhe veçanarisht nga biznese dhe qytetarë të dëmtuar nga veprimtari kriminale dhe korruptive. Dosjet e ndërhyrjeve janë me peshë financiare dhe nisin nga vlera të tilla 100 milionëshe dhe mbarojnë në abuzime me 50 apo 100 milionë euro, prej të cilave akuzohen zyrtarë, bastexhinj zyrash që mbajnë padrejtësisht poste në institucionet e shtetit, etj. Ndërhyrjet për këto të fundit janë sa të shpeshta aq edhe imponuese duke krijuar stres dhe pasiguri për punën por dhe jetën e prokurorit apo hetuesit të çështjes. Dashje pa dashje këta të fundit bëhen ose palë duke ndarë fitimet e marra nga bakshishi, ose bëhen vegla të bindura duke ecur me mendimin se “t’i bëj nder të madhit sot, të më mbrojë mua nesër”. Ka kohë që presioni qeveritarëve, politikanëve, dhe drejtuesve të rrangut të mesëm në rrethe, është bërë i zakonshëm sidomos në organet e hetimit, pasi me gjyqsorin zgjidhja bëhet ndryshe. Ndërhyrjet synojnë parapritën qysh ditët e para të hetimit, qysh ditët e para të pranimit të denoncimit dhe kallëzimit. Duke vazhduar rrëfimin e tij, i njëjti burim hetimor nga një rreth i madh tha se “nga 344 dosje penale për vitin 2015 për vepra të tilla si trafik droge, dhe korrupsion, kemi patur ndërhyrje për rreth 160 prej tyre, duke nisur nga ato për drejtorë të përzierë në afera korruptive, për zyrtarë të bashkive dhe prefekturave, të pedagogëve të përgjuar prej muajsh për korrupsion, të disa biznesmenëve të hetuar intensivisht për blerjen dhe shitjen e tenderave, dhe për elementë të akuzuar për trafik droge, dhe kjo është e patolerueshme, por pavarsisht refuzimit nga ne, asnjëherë nuk ka dalë deri sot ndonjë koleg të kundërshtojë dhe diskreditojë hapur ndërhyrje të tilla, por në shumicën e rasteve ata kanë pranuar kompromisin”. Dhe faktet flasin vetë. Për vitin 2015, nga rreth 1760 dosje penale (jo administrative) të hapura dhe hetuara për trafikun e drogës dhe kryesisht korrupsionit në disa rrethe, vetëm 26 per qind e tyre kanë vajtur në gjykata, duke futur në “rreth” për ti dënuar me burg ata që nuk kanë patur përkrahje dhe mbështetje politike dhe qeveritare. Madje atyre u është faturuar edhe “shkelja ligjore, abuzimi me detyrën, dhe shpërdorimi financiar”. Mjafton të përmendim një rast. 
Tenderi i fituar nga titullari i Transporteve
Një tender i zhvilluar me vlerën e 45.6 milionë lekëve të reja, është fituar nga një drejtor drejtorie në Ministrinë e Transporteve dhe është shitur nja 3 herë, ndërkohë që nuk është kryer deri sot asnjë investim dhe nuk është bërë deri sot asnjë ditë punë nga firmat që e kanë trafikuar këtë tender. Tallje dhe abuzim i hapur me paratë e taksapaguesve dhe heshtje e plotë e drejtuesit të institucionit, një militant i majtë që në rrethin e tij njihet si “mik i ministrit”. Heshtja ka toleruar dhe shpëtuar drejtorin, por nuk ka falur vartësit e tij, që sot e kësaj dite janë objekt hetimi dhe rrezikojnë edhe burgun, që në fakt e meriton shefi i tyre. Duke dashur të mbetet një zë i ngritur për skandalet që po përjetojnë sot organet e drejtësisë, dhe duke preferuar të ruajë anonimatin, prokurori tha se “ne punojmë në një kënetë nga e cila derdhet vazhdimisht llumi i zi, i cili po mbulon gjithë institucionet dhe jetët tona, po nxjerr jashtë ligjit gjithçka ligjore dhe po e baltos me llumin e zi të ardhmen e këtij vendi. Ligjin tek ne, dhe kur them tek ne, duke nisur nga institucioni ynë e bëjnë gangsterët me kollare, janë ata që të imponohen, të detyrojnë ose të pranosh opsionin dhe ofertën e tyre ose të dorëhiqesh me dashjen tënde, ndryshe të heqin ata me mënyrat e tyre”. Shumica e atyre që sot punojnë në organet e drejtësisë dhe atyre që kanë mbetur ende të pa njollosur, nuk besojnë se “reformimi drejtësisë sipas standardeve europiane” një kusht ky për tu pranuar në BE, do të ketë rezultatet e veta, pasi sipas tyre “I bie të ikin e pakta 50 per qind e kolegëve tanë, a mundet ta bëjë njeri këtë pavarsisht vullnetit, përbetimeve dhe deklaratave mediatike, unë them se jo. 

Sigal

Ilir DURMISHI