Prof. Ismet Elezi / Problemi i gjakmarrjes, nuk është Kodi Penal por zbatimi i tij nga drejtësia

1279
Sigal

Në Kodin Penal janë të përcaktuara qartë dënimet për vrasjet në rrethana të cilësuara

Në përgjigje të disa propozimeve që ishin bërë për ndryshime radikale në Kodin Penal, më 13 gusht 2012, botova një artikull në gazetën “Telegraf” ku sqaroja dënimet për vrasjet për hakmarrje a gjakmarrje dhe vrasjet në rrethana të tjera të cilësuara. Meqenëse në datën 19 shtator 2012, në mbledhjen e Qeverisë u dhanë porosi të njëjta për të bërë ndryshime në Kodin Penal në lidhje me vrasjet për hakmarrje a gjakmarrje dhe vrasjen e policit (rasti i fundit i komisarit) të dënohen me burgim të përjetshëm.

Për këto arsye detyrohem të përsëris veten dhe të jap disa sqarime, të cilat mund të ishin dhënë nga këshilltarët ligjorë para mbledhjes së Qeverisë.

1. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon se: “Vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm” (neni 78/II).

2. Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara:

a. ndaj të miturit

……. c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, funksionarëve të tjerë publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura…….. dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Sipas këtij neni dënohet edhe vrasja e komisarit të policisë së Shijakut.

Siç rezulton nga përmbajtja e neneve të sipërme Kodi Penal është i plotë për këto lloj vrasjesh dhe nuk lind nevoja për të bërë shtesa e ndryshime, sepse janë bërë kaq shumë dhe prej tyre mjaft të pastudiuara mirë, me të drejtë shtrohet pyetja: a mos ka ardhur koha për të përgatitur një Kod Penal të ri?

Mjafton të përmendim shtesat e vitit 2012 në nenin 230 të Kodit Penal. Vepra me qëllime terroriste formuluar në një faqe e gjysmë sikur të ishte udhëzim. Ky  formulim pa precedent në kodet penale shqiptare e europiane të lë përshtypje mjaft negative. Të vjen keq që juristë të shkëlqyer në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Komisionin e ligjeve lejojnë e pranojnë formulime të tilla, vetëm se dërgohen nga ekspertët e huaj.

Në qoftë se urdhri i Qeverisë u dha për të rivendosur dënimin fiks me burgim të përjetshëm, atëherë ju rikujtojmë se dënimet fikse janë hedhur poshtë me vendim të Gjykatës Kushtetuese nr.13 datë 29.05.1997 dhe ky vendim është i formës së prerë e përfundimtar. Asnjë urdhër, vendim apo normë juridike e Kodit Penal nuk mund të vihet në zbatim që bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Dënimet fikse janë konsideruar si antikushtetuese sepse bien në kundërshtim me parimet e Kodit Penal: “Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit” (neni 1/c/I).

Dënimet fikse bien në nenin 47 të Kodit Penal ku përcaktohen mënyrat e caktimit të dënimit: “Në caktimin e dënimit ajo (gjykata) merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese” (neni 47/II).

Në nenet 48 e 49 përcaktohen përkatësisht rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.

Në këto kushte urdhri për të caktuar dënime fikse për vrasjet për hakmarrje a gjakmarrje dhe për vrasjet në rrethana të tjera të cilësuara është i pazbatueshëm, sepse bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me nenet e Kodit Penal.

Problemi kryesor nuk qëndron te mangësitë në Kodin Penal, por si zbatohen në praktikë nga prokuroria dhe gjykata, nëse jepet me të vërtetë drejtësi, apo i lihet shteg vetëgjyqësisë sipas Kanunit. Thelbi i problemit qëndron në zgjidhjen e reformës në drejtësi, për të cilën flitet shumë dhe është kërkesë absolutisht e domosdoshme që të sigurohet dhënia e drejtësisë, të forcohet besimi i popullit ndaj drejtësisë.

Në rast se ky problem nuk zgjidhet, atëherë me vetëdije lejohet të veprojë Kanuni në një shtet me Kushtetutë demokratike dhe me ligje demokratike.

Ndonëse dinamika e vrasjeve për gjakmarrje ka tendencë të përgjithshme drejt uljes (me përjashtim të këtij nëntë mujori), përsëri mbetet një fenomen tepër arkaik e primitiv që prish imazhin e Shqipërisë në opinionin ndërkombëtar. Por, më shqetësuese se sa numri i vrasjeve për gjakmarrje mbeten pasojat e saj – ngujimi i familjeve në disa zona të Veriut të Shqipërisë. Ky ngujim është një mijë herë më keq se sa burgu publik. Të ngujuarit nuk guxojnë të dalin në oborr, janë zhveshur nga të gjitha të drejtat e liritë. Fëmijët e ngujuar nuk shkojnë në shkollë e privime të tjera.

Këto plagë shoqërore nuk mjekohen e shërohen vetëm me lëvizje të shoqërisë civile, e cila është shumë pozitive, por kërkohet ndihma efektive e shtetit, roli dhe përgjegjësia e tij janë në plan të parë.

Këto plagë shoqërore nuk shërohen as me pajtimet e faljet e gjakut sipas Kanunit, të cilat, pavarësisht nga disa rezultate pozitive, tani janë përdorur për biznes nga njerëz të pandërgjegjshëm.

Luftimi i gjakmarrjes nuk mund të bëhet as me dekretin e klerit katolik të Shkodrës për të zbatuar të drejtën kanonike të mesjetës së hershme, për çkishërimin e vrasësve për gjakmarrje, pavarësisht nga qëllimi i mirë i kësaj iniciative.

Historia ka vërtetuar se në Shkodër që në fillimet e shek.XIV kanë vepruar Statutet e Shkodrës, kurse në zona të tjera Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe jo e drejta kanonike për zgjidhjen e konflikteve shoqërore. Këtë e pranon edhe z. Valentini.

Nga kjo pikëpamje nuk mund të ushqehet asnjë iluzion se me ringjalljen e të drejtës kanonike apo të kanunit, në shek.XXI, në shtetin tonë demokratik, me Kushtetutë e me ligje bashkëkohore demokratike, do të mund të zhduket gjakmarrja. Përkundrazi, duke vënë në zbatim të drejtën kanonike dhe Kanunin krijohet përfytyrimi se Shqipëria kthehet shekuj mbrapa dhe bie në kundërshtim me realitetin historik.

E drejta kanonike dhe kanuni i përkasin historisë të së kaluarës. Sfera e veprimit të së parës ka qenë e përcaktuar. E drejta kishtare dhe gjykatat fetare vepruan në Shqipëri deri në vitin 1929, të cilat gjykonin vetëm çështje të caktuara në fushën e martesës e të familjes, por jo çështje të vrasjeve. Fenomenet shoqërore sot trajtohen ndryshe, sipas ligjeve të shtetit.

Për luftimin e gjakmarrjes hallka vendimtare është marrja e masave të gjithanshme parandaluese nga shteti. Filozofia popullore na mëson: “Dili të keqes përpara”, d.m.th, të parandalohen vrasjet dhe shkaqet e tyre ekonomike, arsimore, kulturore, juridike, administrative, zbatimin e përpiktë të ligjeve dhe dhënien e drejtësisë.

Raporti i reporterit të posaçëm të OKB-së që paraqiti para pak kohe për gjakmarrjen, shtroi një varg detyrash për qeverinë dhe organet e tjera shtetërore. Zbatimi i tyre është në kuadër të parandalimit e të luftimit të gjakmarrjes.

Për luftimin dhe parandalimin ka edhe një ligj të posaçëm (2005), i cili ka mbetur letër e vdekur. Që këtej del përfundimi se aktualisht nuk është shqetësimi kryesor për ndryshime në Kodin Penal, por për angazhimin total e të qëndrueshëm të Qeverisë me organet e saj për parandalimin dhe goditjen e gjakmarrjes, duke zbuluar shkaqet e faktorët ekzogjenë e endogjenë që veprojnë për mbajtjen gjallë të saj, e sidomos detyra emergjente për t’i dhënë fund ngujimit.

Këto objektiva mund të arrihen po të krijohet një front i përbashkët i shtetit me shoqërinë civile, me klerin e besimeve fetare, me tërë opinionin publik.

Kleri i tre besimeve fetare i Shkodrës së bashku me shoqërinë civile kanë dhënë kontribut të madh në vitin 1997 kundër armatimit në masë, e kundër vrasjeve. Kjo përvojë pozitive mund të përdoret në shkallë më të gjerë e më të organizuar.

Të luftohet mentaliteti i trashëguar i së kaluarës i nënshtrimit ndaj Kanunit aq më shumë kundër deformimit të tij. Njëkohësisht të mos mendohet se ringjallja e së drejtës kanonike do na shpëtojë nga kjo e keqe. Të zhvillohet një punë e organizuar mirë, edukative e gjerë për njohjen e ligjeve, si dhe për të krijuar besim te drejtësia. Mbështetja e fuqishme në masmedia është faktor pozitiv i pallogaritshëm për parandalimin e gjakmarrjes, por jo duke e mbushur me kronika të zeza.

Në çdo rast përgjegjësia kryesore për sigurinë e jetës së njeriut bie mbi shtetin, prandaj i takon shtetit t’i kushtojë vëmendjen e duhur e të marrë masa kundër gjakmarrjes dhe ngujimit.