Prof. Ismet Elezi, “Njeriu Ndërkombëtar në Shkencë”

840
Sigal

Para disa ditësh në sallën e madhe të “Bar BrauHaus”  u shfaq dokumentari mbi veprimtarinë pedagogjike dhe shkencore të Prof. Dr Ismet Elezi. Në këtë dokumentar morën pjesë, akademikë, shkencëtarë, pedagogë, pjesëtarë të familjes, miq dhe të afërm të Profesorit. Ky film u realizua me skenar dhe regji të gazetarit të mirënjohur Guro Zeneli dhe me operator Ilir Buçpapaj. Pas shfaqjes së filmit, ne morëm shumë prononcime për veprimtarinë shumëplanëshe të Prof. Ismet Elezit.

 Prof. Ismet Elezi mbetet model i njeriut të dijes, i cili arrihet të njihet e të çmohet si shkencëtar në fushën e Drejtësisë, deri në nivel ndërkombëtar. Ndaj dhe Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli), në vitin 1998, mes 2 000 shkencëtarëve më të shquar të shekullit të XX-të, ka shpallur Prof. Ismet Elezin “Njeriu Ndërkombëtar në Shkencë”. Çelësi i jetës për Ismet Elezin ka qenë puna mendore, puna intelektuale, puna studiuese, puna shkencore dhe puna mësimore në Universitet për 60 vjet rresht.  Jeta e Prof. Ismet Elezit e ka emrin punë, por dhe puna është jeta e tij.

Jeta

Ismet Elezi ka lindur në Fterrë më 1920 nga një familje patriotike. Babai i tij Tasin Elezi ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftën e Vlorës më 1920. Madje ka qenë pjesëmarrës  në lëvizjen fanoliste në qershor 1924, shkak për të cilën u internua nga regjimi monarkist i Zogut. Ismeti u rrit në Fterrë me dashurinë për vendlindjen. Për Ismetin, dashuria për Fterrën ka qenë e përjetshme. Pushimet vjetore, Ismet Elezi përherë në Fterrën e tij. Ismeti që në moshën e fëmijërisë e të rinisë iu përkushtua mësimit e edukimit. Meritën, Ismeti ia kushton babait të tij, që i dha këshillën: “Bir! Mendjen e ke në kokë, por mendja do futur në punë”. Dhe këtë këshillë nuk e harroi kurrë.  Dhe mbasi mbaroi klasat e fillores në Fterrë, me mësuesin e shquar Neim Zani, në moshën 10-11 vjeç, i ati, Tasin Elezi, e dërgoi një vit në klasën e pestë në Piqerras e Lukovë. Nga këtej, arriti të futet në gjimnazin e Tiranës, Shkodrës e të Gjirokastrës.  Në konkursin që është bërë në këto shkolla, ka dalë ndër të parët. Ndaj e dërguan në shkollë në Firence (Itali), në degën Letërsi-Filozofi, ku studioi në vitet 1942-43. Në Firence, në Lice Ismeti zgjodhi degën klasike ku bëheshin, latinishtja, greqishtja e vjetër, italishtja.

 Rrugët e jetës

Të lexuarit dhe të shkruarit nuk iu nda gjithë jetën e tij. Madje dhe tani s’ka ditë që të mos lexojë e të mos shkruajë, në mos shumë, pak. “Po lashë të lexuarit dhe të shkruarit, -thotë Profesori, -atëherë kam lënë jetën”. Drejtësia dhe shkenca në drejtësi, kanë qenë e janë mendja dhe shpirti i profesor Ismet Elezit.

 Lufta Nacional Çlirimtare

Por ishin vite lufte. U bë thirrje nga Fronti Nacional Çlirimtar për të gjithë studentët dhe patriotët që ishin jashtë, të ktheheshin në atdhe. “U mblodhëm 80 studentë të cilët iu përgjigjëm thirrjes së Frontit Nacional-Çlirimtar”. Ismeti preferoi të shkonte në vendlindje, për t’i shërbyer sadopak Fterrës ku u aktivizua me rininë dhe ku u zgjodh Sekretar i Komitetit të Rinisë të Kurveleshit të poshtëm. Pastaj u thirr në Komitetin qarkor të Gjirokastrës në Agjiprop, ku punoi deri në vitin 1945. Ndërsa në Kongresin e Rinisë Shqiptare, foli në emër të rinisë së Kurveleshit.  Ndërkaq u emërua në gazetën “Rinia” dhe në vitin 1946 shkoi vullnetar në Aksionin e Rinisë, në rrugën Peshkopi-Kukës, në shtabin e zonës.

 Studimet

Nga aksioni i Rinisë u dërgua për studime në BS, në degën e Drejtësisë. Studimet i filloi në Leningrad (Petërsburg), ku iu përvesh me pasion studimit. Me mençurinë e vullnetin e tij arriti që në vitin e parë të dalë me notën “Shkëlqyer”.  Dhe kështu në të pesë vitet e studimit doli Atlinço -shkëlqyer. Kjo, sepse mendjen dhe shpirtin Ismeti e kishte tek studimi, dijet, pasi ai kishte kuptuar mrekullinë e librave. Njëherazi Ismeti arriti të mbrojë dhe gradën shkencore në Universitetin e Leningradit të udhëhequr nga Prof. me famë botërore, Mihail Shargorodski të vilën e mbrojti po shkëlqyer.  Ndaj në Universitetin e Leningradit u shkrua me germa të arta “ Ismet Elezi, Atlinço-student dhe Sllavni Çallavjek” (shkëlqyer dhe i mrekullueshëm), emër që është i shkruar sot e kësaj dite në ballë të studentëve shembullorë. Jo më kot, Ismeti e kujton atë ditë kur Rektori i Universitetit së Leningradit, përpara 250 studentëve dhe gjithë pedagogëve i dha Ismetit diplomën “Shkëlqyer”. Kur Ismeti u kthye në Tiranë, u emërua Sekretar Shkencor në Universitetin e Tiranës. Kjo qe një fat për Ismetin, se në këtë detyrë gjeti veten. Sepse tani do të merrej me shkencë. Dhe në ato vite fitoi titullin “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” dhe docent me veprën “Bazat e shtetit të së drejtës”. Njëherazi Ismeti jepte dhe leksione në Fakultetin Ekonomik e kryesisht në Juridik, ku dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë udhëheqës shkencor. Në vitin 1972 fitoi titullin e lartë shkencor “Profesor”. Ismet Elezi, 70 vjet aktive nga jeta e tij, ia ka kushtuar Shkencës në Drejtësi.

 Botimet Shkencore

Profesor Ismet Elezi është shquar edhe për botimet shkencore.  Është autor i mbi 300 botimeve nga të cilat 34 janë libra, 23 monografi, 10 monografi, 10 janë tekste shkollore universitare. Por Profesori ka dhe jo pak botime me bashkëpunim. Shquhet vepra shkencore “Zhvillimi historik i mendimit teoriko-juridik shqiptar” që është në bashkëpunim me studiuesen Ela Elezi (Tiranë 2010). Eshtë për t’u nënvizuar detyra e lartë e Profesor Elezit për gati 29 vjet me radhë 1996-1985, kur ka kryer detyrën e vështirë shtetërore, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave, me barrë të rëndë ligjore administrative, ku projekteve të ligjeve të ashpra përpiqej t’u vinte “mjakoznak”, duke i zbutur sa më shumë të ishte e mundur. Vepra e tij “E Drejta zakonore Penale e Shqiptarëve” u laurua me çmimin e “Republikës”, ashtu siç është me vlerë të veçantë dhe vepra “E Drejta zakonore e Labërisë”, e sidomos kodifikimi “Kanuni i Labërisë” (2006) e cila është përkthyer në gjermanisht dhe në italisht. Të çmuara janë dhe tekstet universitare “E drejta Penale” (pjesë e posaçme) dhe “Historia Shtetit dhe luftimi i Kriminalitetit” që është me bashkautor me prof. Vesel Latifi dhe Profesore Vasilika Hysi. Mendja e mendjes së mençur, së bashku me mendjen shkencore të Njeriut Ndërkombëtar në Shkencë, Profesori me emër të madh Ismet Tasin Elezi mbetet simbol i shkencëtarit në drejtësi. Para disa kohësh Universiteti “Justinani i I-rë”, organizoi një Konferencë shkencore “Zhvillimi i Shkencave Penale” ku Prof Ismet Elezi u shpall “Dekan i përjetshëm i të Drejtës Penale” me pjesëmarrjen e profesorëve nga Universitetit i Romës, Prishtina, Tetova dhe nga shumë Universitete shqiptare. Së fundi ai mori titullin “Nderi i Akademisë Shqiptare”, një titull i veçantë për një personalitet të tillë.

 Luan Omari-jurist

Kam kohë që e kam njohur Profesor Ismet Elezin,  kam qenë me të në San Petërsburg  për studime në ish BS dhe lidhjet  e mia kanë qenë jo vetëm profesionale, por edhe shoqërore, njerëzore. Nga të gjitha njohjet, ajo që dua të vë në dukje, është se profesor Ismet Elezi është lavdëruar nga pedagogët më të shquar të së Drejtës Penale, kur ne bënim seminare apo merrnim leksione. Këtë e kam deklaruar jo vetëm unë, por të gjithë studentët shqiptarë që kanë studiuar në “Leningrad”.

 Njazi Jaho-jurist

Ndihem dhe unë mirë që u bë kjo ceremoni, për promovimin e filmit dokumentar për një ndër figurat më të shquara të jurisprudencës shqiptare. Ky vlerësim u bë tani për së gjalli dhe ky është vlerësim. Asgjë nuk do të ishte në këtë shkallë vlerësimi në qoftë se do bëhej pas vdekjes. Të gjitha sa janë në filmin dokumentar janë të vërteta dhe mund të them se Profesor Ismet Elezi është një personalitet i shquar i jurisprudencës sonë. Është një diçka e habitshme, që Prof Ismeti dhe pse në një moshë të madhe, ka një kujtesë të freskët, të mprehtë, dhe që punon në vijimësi me atë përgjegjësi dhe pathos. Kjo rrallë ndodh tek intelektualë të tjerë. Ai i ka dhënë shumë drejtësisë shqiptare, me librat e tij, referatet e tij, kumtesat shkencore të cilat janë vlerësuar kudo në botë. Unë do shkëpus dy gjëra nga vepra e tij; e para, kontributin në të Drejtën Penale (ku zë një vend të pazëvendësueshëm) dhe e dyta, është personalitet që ka shkruar më shumë për të drejtën zakonore shqiptare (kryesisht për labërinë). Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm, mund të them, shembullor.

 Besnik Bare-deputet i PS

 Ndonëse nuk jam i fushës së drejtësisë, do të veçoja disa tipare që janë thelbësore, nga pikëpamja njerëzore dhe intelektuale. Së pari, qoftë edhe me një takim, mjafton të kalosh pesë minuta bisedë me Prof Ismet Elezin,  të bën  përshtypje njeriu, sepse ai e rrezaton njeriun me përmasa të jashtëzakonshme, me modesti. Ndonëse është një ikonë e fushës së drejtësisë në Shqipëri, është jashtëzakonisht modest dhe e dyta, është që ka një racionalitet të admirueshëm, gjë që ne e vumë re sot  në fjalën që mbajti, që padyshim e ka rritur vlerën intelektuale të tij.

  Sherif  Delvina-studiues

Profesor Ismet Elezi duhet të propagandohet kudo në mediat shqiptare, si një nga intelektualët që spikat për ndershmëri, vetëmohim, korrektësi. Ai ka bërë një punë  serioze në të gjitha fushat, edhe në drejtësi, por edhe në histori, por edhe në folklor, por edhe në çështjet sociale. Një intelektual që çdo fjalë e kthen në vlerë. Ndaj, ne duhet të ndjekim shembullin e tij. Për mua mbetet një intelektual tepër i veçantë që rrallë i vijnë shoqërisë sonë.

Guro Zeneli-publicist

 Ishte një film i realizuar me shumë këmbëngulje, pasi Prof. Ismet Elezi, me modestinë e tij nuk ka dashur kurrë që ne ta realizonim këtë film. Por unë e ndjeja si detyrim qytetar, si detyrim i të qenit bashkëfshatar, që për këtë personalitet të lëmit të drejtësisë, duhej patjetër që të realizohej ky film. E ndjeja, pasi të gjithë njerëzit e letrave, por sidomos ata të jurisprudencës kanë ç’të mësojnë nga jeta e tij, kanë ç’të mësojnë nga veprat e tij. E mora këtë nismë pasi si bashkëfshatar, di shumë gjëra për të, e di jetën e tij, i di mirë rezultatet e tij. Ai mbetet një personalitet i padiskutuar, jo vetëm në  Shqipëri, por edhe në botë. Ai ka marrë disa vlerësime nga Universitete prestigjioze Ndërkombëtarë, pasi me veprën e tij korrekte, shkencore e ka lartësuar emrin e Shqipërisë. Qysh student, tek ai ka spikatur, korrektësia, ndershmëria, studimi i thellë, puna e palodhur, të cilat kanë bërë që të dalë me rezultate të shkëlqyera. Për mua, vështirësia ka qëndruar sidomos në mbledhjen e materialit, në seleksionimin e tij, pasi jeta e tij është e vrullshme, dinamike, plot arritje, ashtu sikundër janë botimet e pafundme të tij. Dua të falënderoj me këtë rast dhe operatorin Ilir Buçpapaj, i cili me korrektësi, me profesionalizëm bëri që ky film të realizohej në një periudhë, relativisht të shkurtër, por me shumë sukses. Operatorë të tillë janë të rrallë.

 Profesor Ismet Elezi

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë film dokumentar të jetës sime. Unë s’kam dashur kurrë që të realizohej ky film, por me këmbënguljen e gazetarit të talentuar Gurio Zeneli, patriotit tim, të operatorit Ilir Buçpapaj, ky film u realizua sa unë kurrë s’e besoja. I falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në realizimin e këtij filmi, që më kanë kushtuar kaq kohë. Ju uroj të gjithëve suksese kudo në punën tuaj dhe ky film modest t’u shërbejë sadopak atyre që punojnë e veprojnë në lëmin e drejtësisë. Ajo që dua të theksoj më tepër është se, dhe pse punojmë në kohën e globalizmit, në kohën e zhvillimeve të mëdha elektronike, në punën tonë, me dijet tona, në veprat tona, të ruajmë individualitetin, të ruajmë identitetin tonë kombëtar, duke iu shmangur ultranacionalizmave të ngushta. Identiteti kombëtar të jetë mbi gjithçka.

Problemet e drejtësisë shqiptare sot, sipas Prof. Ismet Elezi

 Problemet e drejtësisë janë shumë, por në radhë të parë dhe mbi të gjitha, të kuptohet se n.q.s duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës, duhet të sundojë ligji. Pra të sigurohet barazia e njerëzve, të sigurohen të drejtat e shtetasve, të luftohet kriminaliteti, por në radhë të parë të parandalohet kriminaliteti. Reformat ligjore të bëhen me një bazë studimore jo spontane dhe duke i marrë mekanikisht, nga jashtë. Ne do të marrim nga BE-ja dhe nga gjithë shtetet e zhvilluara në këtë fushë, por t’i marrim ato në mënyrë krijuese duke i përshtatur për kushtet e vendit tonë, sepse përndryshe do të mbeten pa zbatim. Mendoj se, reformat në të gjitha drejtimet duhet të thellohen, por veçanërisht duhet të thellohet në plagën e drejtësisë, në gangrenën e saj lufta kundër korrupsionit. Ajo kërkon një pjesëmarrje të gjerë të shtypit, të shoqërisë civile, të vetë qytetarëve, që ta denoncojnë korrupsionin në drejtësi, sepse nuk mund të luftohet korrupsioni vetëm me procedimin e një personi. Dhe ata që procedohen të ndëshkohen dhe jo të lirohen me lloj -lloj justifikimesh. Mosndëshkueshmëria politike nuk duhet të ndikojë në drejtimin e shtetit. Të gjitha këto janë probleme që lidhen me zbatimin e ligjit, me konceptin që shteti mund të ekzistojë dhe mund të funksionojë, në bazë të ligjit dhe të Kushtetutës dhe jo të dëshirave të politikanëve apo njerëzve me pushtet.

 Ku ndryshon shteti i së drejtës nga shteti ligjor?

 Sigurisht që ka ndryshime. Terminologjia më e saktë e këtyre dy përcaktimeve është shteti i së drejtës. Shteti ligjor është një formë diktature, pasi ajo ka ligjet e saj ndoshta që nuk lidhen me drejtësinë, por anojnë në kahe të ndryshme. Kurse kur themi shtet i së drejtës këtu ne presupozojmë dhe përmbledhim të gjitha të drejtat themelore të njeriut në çdo shtet, apo lloj qeverisje. Në shtetin e së drejtës ligji është i barabartë për të gjithë, ndërsa në shtetin ligjor, ligji mund të bëjë dhe privilegje disi të veçanta të klasës apo partisë në pushtet. Ky ndryshim është esencial, dhe duhet të kuptohet në mënyrë të rregullt. Pra këto janë ndryshimet midis shtetit të së drejtës dhe shtetit ligjor. Ne, apo një demokraci e mirëfilltë duhet të përkrahë shtetin e së drejtës.

Dekorimi

Para disa ditësh, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, organizoi ceremoninë e dhënies së medaljes “Nderi i Akademisë” Prof. Dr. Ismet Elezit. Në këtë takim morën pjesë, akademikë, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, deputetë, miq dhe dashamirës së Profesorit të nderuar. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Akademisë së Shkencave, zoti Muzafer Korkuti. Për 50 vjet si pedagog, ai mbetet unik në profesionin e vet duke shkruar me qindra artikuj profesional. Gjatë dorëzimit të medaljes ai u shpreh: “Kjo mënyrë vlerësimi është pozitive, ndikon më shumë në psikologjinë e njerëzve që t’i përkushtohen shkencës, punës, veprave, pasi e ndjejnë vlerësimin për së gjalli. Në shtetin e së drejtës, ligji është i barabartë për të gjithë, ndërsa në shtetin ligjor, ligji mund të bëjë dhe privilegje disi të veçanta të klasës apo partisë në pushtet”