Prof. Ismet ELEZI/ Imazhi negativ për drejtësinë në Shqipëri, pengesë për dhënien e statusit kandidat në BE

522
Sigal

Sigurisht që drejtësia në Shqipëri ka probleme që kërkojnë zgjidhje me anë të reformave të studiuara mirë e të konsultuara

  Koncepti universal i drejtësisë dhe kultura juridike janë udhërrëfyes për rregullimin e sjelljes e të marrëdhënieve midis njerëzve në familje, në shoqëri e në shtet.

Aty ku këto sundojnë, janë të forta themelet e shoqërisë civile të përparuar, të shtetit të së drejtës, zhvillohet demokracia, mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, barazia para ligjit, parimi i ndarjes së pushteteve, respektohet pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe realizohet misioni i dhënies së drejtësisë nga gjykatat.

Qëllimi i këtij shkrimi synon të argumentojë se ky imazh negativ për drejtësinë në Shqipëri nuk ka baza që të bëhet pengesë për dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë për në Bashkimin Europian.

Sigurisht që drejtësia në Shqipëri ka probleme që kërkojnë zgjidhje me anë të reformave të studiuara mirë e të konsultuara. Tani është koha për të vepruar. Me këtë shkrim nuk mendoj të jap “receta” se si të përmirësohet sistemi i drejtësisë mbi bazën e vlerave morale profesionale, por të tregoj se imazhi negativ nuk është fatalisht i pandryshueshëm.

1. Me kalimin e Shqipërisë në pluralizëm politik pas viteve 90-të të shekullit të kaluar, koncepti universal i drejtësisë dhe kultura juridike kanë marrë zhvillime të reja me orientim europiano – perëndimore.

Ato kanë gjetur shprehje konkrete në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (1998), të bazuar në parime demokratike, në Kodet dhe ligjet e rëndësishme, të përgatitura sipas modelit dhe rekomandimeve të Këshillit Europian.

Kështu për ilustrim po marrim si shembull Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë (1995), të përgatitur me ndihmën e specialistëve të Bashkimit Europian.

Nga viti 1995 dhe deri në vitin 2013 në Kod janë ërë reforma ligjore të rëndësishme në vitet 2001, 2003-2004, 2007-2008, 2012 dhe së fundi në vitin 2013, ku u pasqyruan rekomandimet e GRECO-së, në konsultim dhe me ndihmën e ekspertëve të BE në Tiranë.

Gjithashtu Kodi i Procedurës Penal është ndërtuar sipas modelit të Kodit të Procedurës Penale të Italisë.

Që këtej del konkluzioni se kushti kryesor i vendosur nga Këshilli Europian për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian është realizuar në një masë të kënaqshme jo vetëm në fushën e drejtësisë penale, por edhe në fusha të tjera të së drejtës.

Natyrisht, reformat janë në proces të vazhdueshëm dhe kjo është krejt e nevojshme, sepse diktohen nga praktika dhe nga rekomandimet e Bashkimit Europian ku duam të hyjmë.

Prandaj, për të bërë vlerësim objektiv e për të krijuar imazh të qartë e të saktë për drejtësinë aktuale në Shqipëri merret për bazë faktori i parë kryesor – niveli i legjislacionit, standardet që janë arritur me anë të reformave ligjore në pajtim me rekomandimet e Bashkimit Europian.

Në këto kushte shtrohet pyetja se përse atëherë nuk iu dha statusi i kandidatit Shqipërisë kur reformat janë kryer, përse është krijuar ky imazh negativ për drejtësinë në Shqipëri, për shkak të mosnjohjes mirë të realitetit apo nga paragjykimet dhe politika tradicionale njëqind vjeçare e padrejtësive historike ndaj kombit shqiptar?

Le të shpresojmë që kjo politikë e vjetër të mos përsëritet dhe imazhi për drejtësinë në Shqipëri të bëhet më objektiv.

2. Faktori tjetër që ka ndikuar në krijimin e imazhit negativ për drejtësinë në Shqipëri mendohet se ka qenë “ligjet janë të mira, por nuk zbatohen në praktikë, nuk kanë efektivitet”.

Në këtë konstatim ka të vërteta të pamohueshme, por ky fenomen nuk është vetëm shqiptar.

Megjithatë analiza objektive e fakteve na ndihmon për të njohur gjendjen e vërtetë dhe për të krijuar një imazh sa më të saktë e të drejtë.

Po t’i referohemi përsëri drejtësisë penale rezulton se: Sqarimi i efektivitetit të legjislacionit penal në luftimin e kriminalitetit bëhet nëpërmjet të dhënave statistikore, si një nga metodat e pranuar botërisht.

Bazuar në statistikat e Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë për vitin 2013, gjendja paraqitet si vijon:

Viti Regjistruar Përfunduar Dërguar për gjykim
2011 24975 11330 7411
2012 27626 11654 7263

Sipas Vjetarit statistikor të Ministrisë së Drejtësisë, procedimet e përfunduara në vitet 2011- 2012 paraqiten si vijon:

Viti Çështje penale të përfunduara Të dënuar
2011 8590 9071
2012 8947 6446

Nga të dhënat e sipërme rezulton se policia, prokuroritë dhe gjykatat kanë funksionuar dhe zbatuar ligjin penal kundër kriminalitetit në tërësi dhe atij të organizuar në veçanti, sidomos kundër trafikut të drogës etj.

Në rast se nuk do të ishte zbatuar ligji atëherë do të krijohej anarki e arbitraritet, kriminelët do të ishin të lirë dhe nuk do futeshin në burg.

Ligji penal dhe procedural penal kanë gjetur zbatim në praktikë, pa mohuar që ka edhe vepra penale e subjekte të tyre që ende nuk janë zbuluar, ashtu siç ka pushime të çështjeve penale ose pafajësi të pabazuar dhe haptazi të padrejta si p.sh. vendimet për vrasjet e 21 janarit.

Gjithsesi imazhi negativ i krijuar te anëtarë të Bashkimit Europian ose të ndërkombëtare të tjerë për moszbatimin e ligjit, duke e absolutizuar këtë, nuk ka baza dhe nuk kishte arsye të krijoheshin pengesa nën gjithfarë pretekstesh për mosdhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë. Pretekste mund të gjenden sa të duash (siç u tha edhe për fenë myslimane të shqiptarëve, ndonëse dihet botërisht toleranca fetare në Shqipëri si model edhe për shtete të tjerë), por vendimet merren mbi bazën e fakteve, provave konkrete dhe jo të imazheve të pasakta.

3. Imazhi negativ për drejtësinë në Shqipëri që u bë pengesë për dhënien e statusit ka lidhje me sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Krahas reformave në legjislacion janë realizuar edhe reforma në sistemin e drejtësisë, siç ishte krijimi i gjykatave administrative. Reforma organizative e strukturore janë në proces, por vetë sistemi në tërësi është sipas modelit të shteteve europiane. Përmirësimi i tij është i nevojshëm, por kurrsesi nuk mund të përmbyset siç flitet apo të jetë pengesë për dhënien e statusit derisa reformat janë në vazhdim.

4. Imazhi negativ për drejtësinë në Shqipëri ka lidhje me pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Problemi tjetër me rëndësi parimore që është shtruar nga Këshilli Europian dhe mekanizmat e tjerë të Bashkimit Europian lidhet me pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ky problem nga pikëpamja formale-juridike ka gjetur zgjidhje të plotë e të drejtë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në ligjet në fuqi.

Në Kushtetutë sanksionohet se: Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve” (neni 145/I).

Pushteti gjyqësor, një nga tre pushtetet, sipas Kushtetutës, ka organizimin dhe strukturat e tij.

Çështja kryesore qëndron në faktin nëse pushteti gjyqësor në realitet është ose jo i pavarur, nëse respektohet parimi i ndarjes së pushteteve, nëse jepet në të vërtetë drejtësi ose jo, nëse mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nga pushteti gjyqësor.

Përgjigja e plotë dhe e saktë e këtyre problemeve është e vështirë dhe komplekse, pasi kemi të bëjmë me faktorin politik si më kryesori që jo gjithnjë respekton pavarësinë e pushtetit gjyqësor, e kryesisht me ekzekutivin.

Faktet gjatë periudhës 20 vjeçare tregojnë se në këtë drejtim lë shumë për të dëshiruar. Presionet dhe ndërhyrjet e faktorit politik ndaj pushtetit gjyqësor kanë qenë jo të pakta, të shoqëruara me sulme kundër drejtuesve të institucioneve të pavarura dhe deri shkarkimin nga puna. Veçanërisht kur janë marrë nën përgjegjësi penale funksionarë të lartë publikë ose kur janë dhënë vendime që nuk u kanë pëlqyer, presionet e sulmet janë shtuar. Ndërsa kundër vendimeve haptazi të padrejta, publiku ka të drejtë të protestojë e të kërkojë prishjen e tij në rrugë ligjore.

Veç asaj, pavarësia e pushtetit gjyqësor në realizimin e misionit të dhënies së drejtësisë, si vend i vogël që jemi, për shkak të lidhjeve miqësore e farefisnore, të njohjeve të shumta, është cenuar nga ndërhyrjet e tyre.

Këta faktorë e të tjerë, që lidhen me guximin, qëndrueshmërinë e integritetin moral të gjyqtarëve e të prokurorëve ndaj presioneve e ndërhyrjeve, kanë ndikuar fuqishëm në shkeljen e ligjit në mosdhënien e drejtësisë sipas tij, në dëm të interesave të personave të gjykuar për çështje penale apo civile. Nuk përjashtohen edhe gabimet njerëzore.

Në këto rrethana ka qenë dhe është e vështirë, por jo e pamundur, që të sigurohej pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe të realizohej dhënia e drejtësisë në çdo rast. Prandaj luftohet nga organet qendrore të drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile e opinioni publik për të denoncuar e kundërshtuar në rrugë ligjore vendime të pabazuara e të padrejta të gjykatave ose veprimet e kundërligjshme të prokurorisë. Forcimi i kontrollit shtetëror nga organet kompetente do të parandalojë shkelje të tilla.

Duke e paraqitur gjendjen reale sipas mendimit tim, nuk ka pasur baza krijimi i imazhit kaq negativ dhe vendimi për mosdhënien e statusit Shqipërisë, sepse edhe në vende të zhvilluara ndeshen mjaft raste të presioneve mbi drejtësinë dhe vendime gjyqësore të padrejta si rezultat i tyre ose i paaftësisë profesionale.

6. Krijimi i imazhit negativ për drejtësinë në Shqipëri është rezultat i informacionit dhe i retorikës politike, media, opinionet e të pakënaqurve, thashethemet dhe sondazheve brenda vendit për korrupsionin në drejtësi.

Ky imazh negativ ka qenë një nga pengesat kryesore për mosdhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë.

Në përgjigje të këtij imazhi le t’i referohemi gjendjes. USAID e ka përshkruar sistemin gjyqësor shqiptar të renditur në një nivel të lartë korrupsioni, sipas sondazheve të realizuara për këtë aspekt.

Se sa reale janë këto vlerësime, se me cilat kategori personash është realizuar sondazhi, kur është kryer ky sondazh etj. etj. mbeten objekt diskutimi. Sondazhi tjetër që u bë me gjyqtarët nga Ambasada Britanike tregon se 25% e gjyqësorit në Shqipëri pranon se është i korruptuar dhe 7% mendon se gjyqësori është i varur nga politika, kurse shumica e tyre e konsideron perceptim.

Pavarësisht nga sondazhet që kanë vlerën e tyre për të krijuar imazh negativ apo pozitiv për drejtësinë në Shqipëri dhe nivelin e tij në sistemin e saj është fakt i pamohueshëm se në sistemin e drejtësisë, ashtu sikurse në politikë, në arsim, shëndetësi, administratë (sidomos tatime e dogana) ka korrupsion. Ky fakt vërtetohet nga të dhënat statistikore për vitet 2011 – 2012. Gjykatat kanë dënuar gjithsej 66 persona për korrupsion, ndërsa të dënuarit për korrupsion në drejtësi janë vetëm 2 persona. Këto shifra flasin vetë.

Duke u mbështetur në të dhënat, e sidomos në opinionin publik arrihet në konkluzionin se në drejtësi ka të korruptuar, por kurrsesi nuk mund të pranohet opinioni se i gjithë sistemi e të gjithë gjyqtarët e prokurorët janë të korruptuar. Po të pranohet kjo nuk do të kishim rezultate në luftimin e kriminalitetit. Shteti ka detyrë të zbulojë të korruptuarit dhe t’i vërë para përgjegjësisë penale e t’i dënojë rëndë.

Por problem shqetësues ka qenë dhe mbetet se nga presionet e faktorit politik nuk janë dënuar funksionarë të lartë publikë. Edhe në ato raste kur kanë shkuar në gjykatë kanë marrë pafajësi ose çështjet janë pushuar nga prokuroria.

Muajt e fundit është vënë re një lëvizje për të vënë para përgjegjësisë penale funksionarë të lartë publikë dhe gjyqtarë e prokurorë (shembulli i Pukës). Ky është një sinjal pozitiv në vështrim të sundimit të ligjit dhe të barazisë përpara ligjit, por mbetet për të parë se sa efektive do të jetë kjo lëvizje.

Kodi Penal përmban 19 nene kundër korrupsionit dhe parashikon sanksione nga 2-5 deri 12 vjet burgim për funksionarët e lartë dhe për gjyqtarët e prokurorët, fajtorë për krimin e korrupsionit pasiv.

Korrupsioni ka karakter ndërkombëtar dhe nuk është fenomen unikal në drejtësinë shqiptare. Fakti që ky fenomen vlerësohet si një e keqe e madhe për shtetin, shoqërinë dhe interesat e shtetasve, fakti që bëhen përpjekje serioze për të luftuar kundër korrupsionit, meritojnë të vlerësohen pozitivisht dhe jo të bëhen pengesë për dhënien e statusit.

Këtë qëndrim të drejtë mbajti edhe Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës së Gjyqtarëve në mbledhjen e datës 27.12.2013, i cili mori angazhime konkrete për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Komisioni Europian, nga Këshilli i Përgjithshëm i OSBE-së në Vjenë më 17 dhjetor 2013, si dhe nga Konventa Europiane “Për korrupsionin”. Këto veprime dëshmojnë për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e lartë të pushtetit gjyqësor në luftimin e korrupsionit jashtë e brenda sistemit të tij. Përgjegjësi të madhe ka edhe faktori politik.

Marrja e këtyre masave të shumanshme edukative, organizative, strukturore në sistemin e drejtësisë, pa dyshim që do të ndryshojnë imazhin negativ brenda vendit, do të forcojë besimin e popullit te drejtësia dhe në anëtarët e Bashkimit Europian e më gjerë.

Por është një paradoks i madh kur sheh që Shqipërisë nuk i jepet statusi, ndërsa u harrua shpejt gjenocidi e krimet e luftës së Serbisë së Milosheviçit në vitet 90-të të shekullit të kaluar. Edhe në kohën e sotme, ndonëse ka pranuar të bëjë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, ajo trashëgon jo pak shfaqje të një politike antishqiptare, sidomos kundër pavarësisë së shtetit e popullit të Kosovës, kundër të cilit kreu vrasje në masë e masakra të papara, dëbime nga trojet e tyre dhe nuk ka kërkuar as falje për krimet e kryera, dhe as tregon varrezat masive për mijëra viktima të shkaktuara prej saj, pa folur për krimet në Kroaci e gjenocidin në Bosnje. E megjithatë, Bashkimi Europian e konsideroi të rehabilituar, të preferuar dhe e pret me krahë hapur në gjirin e tij. Çështja shtrohet për të bërë reflektim të thellë në paralelizmat në marrjen e vendimeve dhe jo për të mos shqyrtuar kërkesat e Serbisë, por pse të pengohet Shqipëria.

Le të kujtojmë thënien latine: “Fiat justitia et pereat mundus”. Shqipëria do e fitojë statusin se e meriton si shtet europian e me kulturë europiane.