Prof. Dr. Maksim R. HAXHIA/ Aktiviteti financiar i Dhomës Kombëtare të Avokatëve është menaxhuar kolegjialisht nga organet kom

577
Sigal

DHOMA KOMBËTARE E AVOKATËVE TË SHQIPËRISË

KËSHILLI DREJTUES

 Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatëve, i mbledhur në datën 16.09.2013, pasi analizoi me përgjegjësi artikullin, date 13.09.2013, botuar në gazetën “Telegraf” me titull: “ Skandali i Avokatisë me 21 milionë USD”, vlerëson të nevojshme që me anën e kësaj deklarate t’ju bëjë prezent gjithë anëtarëve të Komunitetit të Avokatëve dhe njëkohësisht mbarë opinionit sa më poshtë: Këshilli Drejtues i DHKA në referim dhe analizë të problemeve dhe të dhënave që paraqiteshin në artikullin në fjalë, në ballafaqim me të dhënat financiare konkludoi se artikulli është një shtrembërim i qëllimshëm dhe i paskrupullt i realitetit dhe i të dhënave financiare që disponon DHKA. Paraqitja e të dhënave të rreme si ato lidhur me të ardhurat, gjendjen financiare ashtu edhe me masën e pagesave në vite te  asistent-avokatëve  dhe avokatëve,  bëhet me qëllimin e vetëm për të njollosur dhe zhvlerësuar gjithë arritjet e DHKA  në vite. Arritje këto, të cilat startojnë në vitin 2000 në një komunitet i cili ishte  pa kuadër ligjor, i paorganizuar, pa eksperiencë edhe pa financa. Falë kontributit të gjithë anëtarëve dhe organeve drejtuese të komunitetit të avokatëve u bënë realitet një sërë arritjesh. Arritje këto të cilat  kulmohen me anëtarësimin e Avokatisë Shqiptare në strukturat e Bashkimit Europian (ÇBE), në ngritjen dhe funksionimin e strukturave bashkëkohore disiplinore, në ngritjen  dhe startimin e Shkollës së Avokatisë si një qendër e kualifikuar për trajnimin fillestar  dhe vazhdues të avokatëve si dhe në ngritjen dhe funksionimin së shpejti të sistemit të sigurimit profesionial të Avokatit, të gjitha këto të rregulluara nga një kuadër ligjor bashkëkohor. Këto  arritje  janë një vlerë dhe kontribut i gjithë anëtarëve të përkushtuar të DHKA, të cilat e bëjnë avokatinë shqiptare të radhitet me dinjitet në krah të organizatave homologe të rajonit dhe më gjerë. Me këtë rast sqarojmë dhe bëjmë me dije gjithë opinionin në përgjithësi dhe komunitetin e Avokateve në veçanti se, bazuar në kërkesat e ligjit nr.9109, datë 17.7.2013, “ Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, në kërkesat e Statutit dhe Kodit Etik të Avokatit të Dh.K.A, gjithë aktiviteti financiar është menaxhuar audituar dhe miratuar institucionalisht dhe kolegjialisht nga organet kompetente të DhKA, konform legjislacionit financiar në fuqi. Këto të dhëna janë pasqyruar në përputhje të plotë në pasqyrat financiare të hartuara sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, si dhe janë raportuar në vazhdimësi në vite, të depozituara rregullisht në organet tatimore dhe ato të autorizuara nga ligji, së bashku me raportin e auditit të eksperteve kontabël të pavarur. E për këtë arsye, këto të dhëna jo vetëm që janë të evidentuara dhe prezente, por ato kanë qenë dhe janë në dispozicion të çdo avokati, anëtar i komunitetit të Avokatëve, i cili ka shlyer detyrimet e anëtarësimit, por në asnjë rast të institucioneve apo shoqatave që nuk e disponojnë këtë të drejtë të fiksuar në aktet që rregullojnë veprimtarinë e DHKA, përfshirë këtu edhe ata që janë pjesë e dukshme apo e padukshme e artikullit në fjalë.

Këshilli Drejtues i Dh.K.A

*Kryetari