Prof. Dr. Ismet Elezi:Aspekte penale-juridike në procesin gjyqësor të vrasjeve të 21 janarit

1122
Sigal

Retrospektiva e zhvillimit të këtij procesi penal dhe evidentimi i disa prej veçorive kryesore të tij

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në harmoni me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut sanksionon se: “Jeta e njeriut mbrohet me ligj” (neni 21).

Në bazë të parimeve kushtetuese dhe të Konventës Europiane, Kodi Penal i shtetit shqiptar siguron mbrojtjen e posaçme penale – juridiko të jetës së njeriut nga krimi i vrasjes në një varg dispozitash me sanksionet përkatëse (nenet 76-85) që për disa lloje të tyre arrin deri në burgim të përjetshëm.

Tërësia e këtyre normave juridike shpreh qartë qëndrimin e shoqërisë e të shtetit shqiptar në mbrojtje të të drejtave e lirive themelore të njeriut, e në plan të parë ndaj së drejtës për të jetuar, që është e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme me asgjë tjetër.

Sigurisht shpallja e këtyre normave është ana formale-juridike, kurse zbatimi i drejtë i tyre në praktikë nga ana e sistemit të drejtësisë penale përbën thelbin e sundimit të ligjit në shtetin e së drejtës, mbrojtjen efektive të jetës nga krimi i vrasjes.

Të dhënat statistikore të policisë tregojnë se gjatë vitit 2012 janë kryer 125 vrasje. Kjo gjendje shqetësuese rrit edhe më shumë përgjegjësinë e organeve të sistemit të drejtësisë penale, policisë, prokurorisë e gjykatës për luftimin e krimit të vrasjes dhe parandalimin e tij, duke respektuar e zbatuar me përpikëri e drejt Kushtetutën dhe ligjet.

Në këtë shkrim, pasi u njoha me përmbajtjen e vendimit nr.100 datë 07.02.2012 të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, lidhur me vrasjet e 21 janarit 2011, e shoh të nevojshme të sqaroj disa aspekte penale – juridike të vrasjes së kryer në rrethana të tjera cilësuese (neni 79, shkronja “ë”) për të cilën gjykata dha pafajësinë e të akuzuarve.

Para se të flitet për aspektet penale – juridike është mirë të bëhet retrospektiva e zhvillimit të këtij procesi penal dhe të evidentohen disa nga veçoritë kryesore të tij, që shërbejnë për të kuptuar përfundimin e tij në shkallë të parë.

Sipas mendimit tonë nga këndvështrimi profesional si jurist, veçoria e parë kryesore është se ky proces penal kishte për objekt hetimi e gjykimi një ngjarje tragjike, të pa ndodhur kurrë më parë në Shqipëri e pak të njohur në jurisprudencën shqiptare – vrasjen e katër demonstruesve të pafajshëm, ditën me diell, në bulevard, në qendër të kryeqytetit, që u pa nga publiku i gjerë dhe jashtë vendit.

Veçoria tjetër kryesore është se që në çastet e para të fillimit të tij, gjatë procesit hetimor dhe deri në fund, me vendimin gjyqësor u politizua in ekstremis dhe nuk u krijuan kushtet për hetime të plota objektive e gjithëpërfshirëse për të zbuluar të gjitha provat e fajtorët e tjerë, për të dhënë një vendim të drejtë e të bazuar në ligj.

Veçoria tjetër ka lidhje me përbërjen e trupit gjykues të çështjes, për të cilin ish Presidenti Alfred Moisiu, me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë bëri publike të dhëna që tregonin për papërshtatshmërinë e tyre në gjykimin e kësaj çështje tepër të rëndësishme e me interes të madh publik.

Në Shqipëri janë gjykuar me mijëra çështje penale (vetëm në vitin 2011 u gjykuan 7408 çështje me 9071 të dënuar dhe pati 305 pafajësi), por me ndonjë përjashtim (siç ishte procesi i korrupsionit të funksionarëve të lartë që përfundoi me pafajësi) dhe procesi i Gërdecit, nuk kanë ngjallur kaq shumë interesim dhe reagime të fuqishme se sa vendimi i pafajësisë për vrasjet e 21 janarit. Ndryshe nga reagimet e forta të opozitës, pozita e mbështeti vendimin dhe u shpreh që të mos bëheshin komente rreth tij. Krejt ndryshe veprohet në SHBA, ku sipas intervistës së ish kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, dr.Zef Brozi publikuar kohët e fundit “… gjyqtarët gëzojnë respektin dhe besimin e publikut, vendimet e gjykatave komentohen (pro dhe kundër), në shtyp, në media, në auditorë, në botime akademike etj. Madje këtu në Amerikë bëhen protesta edhe para Gjykatës së Lartë…”

Reagime të diferencuara kundër vendimit gjyqësor pati edhe nga ndërkombëtarët në Tiranë. Posaçërisht ambasadori amerikan Z.Arvizu u shpreh i tronditur nga vendimi, sepse ndihma amerikane në këtë proces kishte qenë e madhe (siç e pranon edhe gjykata – faqe 21 e vendimit) dhe priste të jepej drejtësi, por ndodhi e kundërta.

Për opinionin publik nuk është bërë ndonjë sondazh, por është e vështirë, në mos e pamundur, që për këtë tragjedi të cilën e pa me sytë e vet, në pjesën më të madhe të mos ketë reaguar negativisht për pafajësinë e të akuzuarve për vrasje.

Procesi gjyqësor nga pikëpamja juridike ka dy aspekte kryesore penale – juridike, që lidhen me cilësimin juridik të vrasjeve dhe procedurale penale, që kanë të bëjnë me paraqitjen e provave nga akuza dhe vlerësimin e tyre nga gjykata. Kjo çështje mbetet për t’u verifikuar e vendosur nga Gjykata e Apelit.

Nga pikëpamja e së drejtës penale me vrasje që kryhet me rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, neni 79 shkronja “ë” sipas së cilës është paraqitur akuza, por që nuk është pranuar nga gjykata, kuptohet vrasja e kryer në një mjedis të tillë ku krijohet objektivisht rrezik për jetën e shumë personave, pavarësisht se ajo mund të jetë drejtuar kundër një ose edhe dy personave të caktuar të njohur e të panjohur personalisht.

Këtë interpretim teorik dhe shembullin analog, të përmendur në tekstin tim të së drejtës penale (pjesa e posaçme) e ka përdorur avokati mbrojtës i një të akuzuari dhe është mbështetur edhe nga gjykata (f.23 e vendimit), por ky shembull nuk ka lidhje me vrasjet e 21 janarit në bulevard. Edhe sikur të kishte ngjashmëri të madhe, përsëri ka një postulat që interpretimi doktrinar (shkencor) nuk mund të ketë fuqi detyruese për gjykatën, e cila vendos në bazë të provave dhe bindjes së saj. Megjithatë po të ishin kuptuar drejt do të shërbenin për zgjidhje të drejtë. Shembujt nuk mund të përdoreshin me analogji, sepse Kodi Penal e ndalon: “Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet” (neni 1/c i KP).

Nga ana objektive krimi i vrasjes në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave kryhet me veprime konkrete aktive (me mjete të tjera të rrezikut të përbashkët: me tritol, me bombë, me zjarr, automatik etj. Por ajo mund të kryhet edhe me pushkë ose me pistoletë, si në rastin konkret që pranon gjykata: “Me anë të ekspertimit të kryer me ndihmën e ekspertëve të FBI-së … gjykata krijon bindjen që në fakt i pandehuri Ndrea Prendi me pistoletën e tij ka realizuar 11 qitje nga të cilat njëra prej tyre ka përfunduar në trupin e viktimës Faik Myrtaj (faqe 21 e vendimit).

Gjykata ka pranuar se i pandehuri me qitje me pistoletë ka sjellë si pasojë vdekjen e viktimës d.m.th. veç veprimit pranohen edhe dy elemente përbërës të figurës së krimit të vrasjes – pasoja dhe lidhja shkakësore. Elementët e tjerë, koha dhe vendi janë sqaruar, kështu që nuk paraqet problem.

Mirëpo, megjithëse pranohet objekti i vrasjes – jeta e Faik Myrtaj, ana objektive – vrasja e tij me pistoletë që i ka shkaktuar vdekjen, në vendim nuk përmendet që kjo vrasje është në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, që cilësohet sipas nenit 79 shkronja “ë” të Kodit Penal.

Gjykata edhe se nuk kishte arsye të mos bindej për këtë cilësim juridik, nga ato që ka pranuar më lart, veç asaj kishte mundësitë ligjore të bënte cilësime të tjera sipas neneve të Kodit Penal që nuk e rëndonin pozitën e të pandehurit.

Mospranimi i cilësimit juridik të bërë nga akuza si dhe i mosbërjes së ndryshimeve në cilësimin juridik dëshmojnë qartë për qëllimin e gjykatës që të jepte pafajësinë.

Kjo rezulton edhe nga një fakt tjetër me rëndësi se gjykata insiston për të provuar dashjen e drejtpërdrejtë të të pandehurit për Faik Myrtaj.

Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave kryhet me dashje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Këtë e pranon jo vetëm shkenca e së drejtës penale, por vetë Kodi Penal që në krye të vrasjes të parashikuar nga neni 79 sanksionon se: Vrasja me dashje e kryer (vazhdojnë rrethanat cilësuese, ku hyn edhe shkronja “ë” e nenit 79).

Dashja e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë konstatohet ose nga vetë pohimi i të pandehurit ose nga analiza e rrethanave objektive në të cilat kryhet vrasja dhe që janë pranuar nga vetë gjykata më lart.

Në çështjen në gjykim, duket qartë nga rrethanat se ku është kryer vrasja – qitje me pistoletë – 11 predha drejtuar kundër demonstruesve me dijeni e me vullnet të lirë, se i pandehuri i ka parashikuar pasojat e veprës penale dhe ka dëshiruar ardhjen e tyre. Edhe sikur të mos i ketë dëshiruar, ai i ka parashikuar dhe me ndërgjegje ka lejuar ardhjen e tyre (neni 15 i KP).

Të gjitha këto rrethana janë mese të mjaftueshme për të arritur në përfundime të sakta e të drejta për cilësimin juridik të krimit të vrasjes sipas nenit 79/ë të Kodit Penal, por kurrsesi jo në pafajësi absurde e të padrejtë.

Përsa u përket motiveve në vrasjet e 21 janarit dhe qëllimeve ato mund të jenë të ndryshme, por nuk kanë ndonjë rëndësi juridike për cilësimin juridik të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese.

Në përfundim nga analiza penale – juridike e figurës së krimit të vrasjes në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave gjykata mund dhe duhet të arrinte në dhënien e një vendimi të drejtë e të bazuar në ligj, të jepte drejtësi, por jo të jepte pafajësinë për të pandehurit.

Mësimet e këtij procesi gjyqësor kapërcejnë kufijtë e analizave juridike dhe kërkojnë reflektim të thellë nga politikanët dhe gjyqtarët e prokurorët për respektimin e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve, për pavarësinë e gjykatës dhe sundimin e ligjit në shtetin e së drejtës.

Realiteti objektiv i viteve pas miratimit të Kushtetutës dhe deri më sot provon se ky parim dhe pavarësia e gjykatës nuk mund të realizohen në praktikë derisa të vazhdojë trashëgimia e partisë – shtet. Pa ndryshuar këtë gjendje me Kushtetutë e me ligje, me reforma nuk mund të mendohet për pavarësi të gjyqësorit e të gjyqtarëve.

Njëkohësisht mbetet shumë për të bërë në drejtim të luftimit kundër korrupsionit, e kriminalitetit në tërësi, për integrimin moral të gjyqtarëve e prokurorëve dhe profesionalizmin e tyre, që të mund të fitohet besimi i popullit ndaj drejtësisë dhe të mund të integrohemi në Bashkimin Europian.