Prof. Dr. Ismet Elezi: Reformat ligjore të bëhen me një bazë studimore jo spontane

585
Sigal

 INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Ismet Elezi: Njerëzit e diturisë duhen respektuar për së gjalli

Dje Akademia e Shkencave e Shqipërisë, organizoi ceremoninë e dhënies së medaljes “Nderi i Akademisë” Prof. Dr. Ismet Elezit. Në këtë takim morën pjesë, akademikë, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, deputetë, miq dhe dashamirës së Profesorit të nderuar.  Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Akademisë së Shkencave, zoti Muzafer Korkuti. Për 50 vjet si pedagog, ai mbetet unik në profesionin e vet duke shkruar me qindra artikuj profesional.  Gjatë dorëzimit të medaljes ai u shpreh: “Kjo mënyrë vlerësimi është pozitive ndikon më shumë në psikologjinë e njerëzve që t’i përkushtohen shkencës, punës, veprave, pasi e ndjejnë vlerësimin për së gjalli.  Në shtetin e së drejtës ligji është i barabartë për të gjithë, ndërsa në shtetin ligjor, ligji mund të bëjë dhe privilegje disi të veçanta të klasës apo partisë në pushtet”.  Në fund të ceremonisë ekskluzivisht për “Telegraf” ne zhvilluam këtë bisedë.

 Z. Ismet si ndjeheni sot me marrjen e kësaj medaljeje speciale?

 Unë ndjehem i vlerësuar, pasi në këtë rast vlerësohen njerëzit e moshës së tretë. Ndaj dhe vlerësimi im merr një kuptim të veçantë, sepse vlerësimi më i mirë bëhet, kur personi është gjallë. Pra kur është gjallë, ai ndjen emocion, kënaqësi, vlerësim , pasi i sheh personalisht këto ndere apo falënderimet dhe mirënjohjet apo dhe përshtypjet për vlerësimet që i bëhen. Kjo mënyrë vlerësimi është pozitive ndikon më shumë në psikologjinë e njerëzve që t’i përkushtohen shkencës, punës, veprave, pasi e ndjejnë vlerësimin për së gjalli.  Kjo  nuk do të thotë që të mos nderohen dhe të vdekurit, përkundrazi, shumë prej tyre kanë shumë vlera dhe duhej t’i merrnin për së gjalli, ndaj dhe unë po bëj një apel që gjithë institucionet që merren me nderimin e figurave duhet që patjetër të kenë në konsideratë autorët dhe intelektualët që janë gjallë. Unë këtë ditë e konsideroj si dëshirë dhe produkt, të bashkëpunimit të vazhdueshëm që kam pasur me Akademinë e Shkencave. Këto lidhje  të mia kanë filluar qysh në vitet 1950.

 Si ka rrjedhur jeta juaj në drejtimin shkencor deri në këtë ditë?

Në maj të viti 1955 unë u emërova Sekretar Shkencor, i Institutit të Shkencave, i cili kishte në varësi të gjitha ato Institute që më pas i trashëgoi Akademia e Shkencave. Për shkak të detyrës si anëtar shkencor mora lidhje  me të gjitha Institutet e Shkencave. Me shkrirjen e Institutit të Shkencave në vitin 1957 me krijimin e Universitetit të Tiranës, unë u caktova, Sekretar  Shkencor i Universitetit dhe mbaja lidhjet me sektorët e Institutit të Shkencave. Këto lodhje vazhduan gjatë pasi njerëzit bënin përpjekje për studime të ndryshme, pavarësisht mundimeve dhe problemeve të shumta ideologjike. Ata bënin përpjekje të mos shkëputeshin nga puna shkencore pavarësisht sakrificave dhe problemeve të kohës. Në tetor të vitit 1972, kam patur  nderin dhe kënaqësinë që së bashku me Akademikun e madh Aleks Buda, të ishim të pranishëm në Këshillin e Ministrave, kur u vendos, krijimi i Akademisë së Shkencave. Me dorën time kam hedhur firmën për projekt-dekretin për krijimin e saj. Këtë moment e ruaj  si thesar në mendjen dhe zemrën time, se ka qenë një ndër ngjarjet më të rëndësishme për inteligjencën shqiptare. Unë personalisht mora pjesë në administratën e këtij institucioni të veçantë, por nuk kam hequr dorë kurrë, nga ana pedagogjike për asnjë çast. Më kujtohen fjalët e Dostojevskit: “U martova me drejtësinë, por kam të dashur letërsinë”. Edhe unë  pak a shumë në këto pozita kam qenë. Pra kam të njëjtën ndjesi u martova me drejtësinë, por kam dashuruar pedagogjinë dhe shkencën.

Po pas krijimit të Akademisë?

Pas krijimit të Akademisë, kam vazhduar lidhjet në me Akademinë në Konferencën Albanologjike, në vitin 1972.  Mora pjesë në komisionin për përgatitjen e fjalorit enciklopedik, me shumë  të tjerë. Mora pjesë në enciklopedinë e Korpusit “Të së drejtës zakonore” dhe së fundi kam kontribuar në “Fjalorin Enciklopedik”  në vitin 2009. Natyrisht, krahas punës pedagogjike që kam zhvilluar për 45 vjet, unë veprimtarinë time shkencore e kam zhvilluar, në këto drejtime kryesore, në fushën penale  dhe në fushën e së drejtës zakonore. Unë sot ndihem i emocionuar se në këtë takim pashë shumë ish- studentë të mi, të cilët kanë arritur rezultate të larta dhe kanë pozicione të rëndësishme në administratë dhe në shoqërinë civile.

 Ku e zhvillove veprimtarinë në fushën penale?

 Në fushën penale e zhvillova veprimtarinë, në tekstet universitare, në artikuj shkencorë, në tekste me autorë të përbashkët.  Aktualisht bilanci i punës time shkencore, përmblidhet në 14 botime që përmblidhen në tekstet, referatet shkencore, artikujt shkencorë dhe artikujt profesionalë. Ky  bilanc është pjesë përbërëse e kontributit tim modest në shkencën e jurisprudencës shqiptare, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë që ka hasur brezi im. Por sot brezi ynë krenohet për këto arritje, por megjithatë, duhet të pranojmë se shkenca juridike, ashtu si gjithë shkencat e tjera, duhet të zhvillohet më shumë, ndaj si i moshuar që jam, dhe për shaka të përvojës së gjatë pedagogjike, i bëj thirrje brezit të ri, që ta zhvilloj më tej, në sasi dhe në cilësi, shkencën  juridike, se për këtë ka nevojë drejtësia, ka nevojë konsolidimi i shtetit të së drejtës, ka nevojë  sundimi i ligjit, ka nevojë respektimi i të drejtave të njeriut në mënyrë të gjithanshme. Ka nevojë që shkenca jonë të arrijë kriteret dhe nivelet europiane. Ne duhet të integrohemi në BE, por duke ruajtur identitetin tonë kombëtar. Shpresoj dhe uroj që të forcohet  Akademia e Shkencave, pasi kjo akademi përfaqëson denjësisht, inteligjencën shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Forcimin e saj e kërkojnë  interesat e mëdha të kombit, pasi ajo do të ketë mundësi të zgjerojë  veprimtarinë e saj përfshi edhe shkencat juridike.

 Cilat janë problemet e drejtësisë shqiptare sot?

 Problemet e drejtësisë janë shumë, por në radhë të parë dhe mbi të gjitha, të kuptohet se n.q.s duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës, duhet  të sundojë ligji. Pra të sigurohet barazia e njerëzve, të  sigurohen të drejtat e shtetasve, të luftohet kriminaliteti, por  në radhë të parë të parandalohet kriminaliteti.  Reformat ligjore të bëhen me një bazë studimore jo spontane dhe duke i marrë mekanikisht, nga jashtë. Ne do të marrim nga BE-ja dhe nga gjithë shtetet e zhvilluara në këtë fushë, por t’i marrim ato në mënyrë krijuese duke i përshtatur për kushtet e vendit tonë, sepse përndryshe do të mbeten pa zbatim. Mendoj se, reformat në të gjitha drejtimet duhet të thellohen, por veçanërisht duhet të thellohet në plagën e drejtësisë, në gangrenën e saj lufta kundër korrupsionit.  Ajo kërkon  një pjesëmarrje të gjerë të shtypit,  të shoqërisë civile, të vetë qytetarëve, që ta denoncojnë korrupsionin në drejtësi, sepse  nuk mund të luftohet korrupsioni vetëm me procedimin e një personi.  Dhe ata që procedohen të ndëshkohen dhe jo të lirohen me lloj -lloj justifikimesh.  Mosndëshkueshmëria politike nuk duhet të ndikojë në drejtimin e shtetit. Të gjitha këto janë probleme që lidhen me zbatimin e ligjit, me konceptin  që shteti mund të ekzistojë dhe mund të funksionojë, në bazë të ligjit dhe të Kushtetutës dhe jo të dëshirave të politikanëve apo njerëzve me pushtet.

 Ju thatë shteti ligjor dhe shteti së drejtës. Ku ndryshon shteti i së drejtës nga shteti ligjor?

 Sigurisht që ka ndryshime. Terminologjia më e saktë e këtyre dy përcaktimeve është shteti i së drejtës. Shteti ligjor është një formë diktature, pasi ajo ka ligjet e saj ndoshta që nuk lidhen me drejtësinë, por anojnë në kahe të ndryshme. Kurse  kur themi shtet i së drejtës këtu ne presupozojmë dhe përmbledhim të gjitha të drejtat themelore të njeriut në çdo shtet, apo lloj qeverisje.  Në shtetin e së drejtës ligji është i barabartë për të gjithë, ndërsa në shtetin ligjor, ligji mund të bëjë dhe privilegje disi të veçanta të klasës apo partisë në pushtet. Ky ndryshim është esencial, dhe duhet të kuptohet në mënyrë të rregullt. Pra këto janë ndryshimet midis shtetit të së drejtës dhe shtetit ligjor. Ne, apo një demokraci e mirëfilltë duhet të përkrahë shtetin e së drejtës.

 Kjo terminologji gradualisht po hyn edh në vendin tonë, ka shumë institucione që e përvetësojnë dhe e zbatojnë, por ne duhet të jemi të kënaqur kur gjen zbatim të përgjithshëm.

 Ku nuk është kuptuar më shumë ky dallim?

Tek politikanët. Ata ende nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë këtë dallim esencial, për një shoqëri të mirëfilltë demokratike. Pra ky dallim duhet evidentuar, duhet përhapur dhe zbatuar. Megjithatë po të kenë koncepte, që politikanët të gjithë duhet të kuptojnë se duhet të sundojë ligji, prapë është i pranueshëm dhe pse që nuk përbën përkufizimin apo përcaktimin më të saktë të funksionimit në një shoqëri të vërtetë demokratike. Po të kihet koncepti, që të sundojë ligji, shteti demokratik në të gjitha levat e saj, mund të them se kemi arritur shumë dhe nuk mund të kundërshtohet, pasi po të kemi arritur deri në atë stad detyrimisht do të vijë dhe zbatimi dhe funksionimi  i shtetit të së drejtës. Nuk duhet të kemi shtet ligjor në përgjithësi, shtet të ligjeve demokratike  ahere mund të themi shtet ligjor me ligje demokratike.

 Ju diku i jeni referuar Ciceronit, çfarë thotë Ciceroni në lidhje me drejtësinë?

 “Jo çdo ligj ka brenda tij gjëra të drejtat, sepse po të pranonim se të gjitha ligjet janë të drejta,  ahere do të pranonim që  dhe ligjet e tiranëve janë të drejta”. Prandaj kjo, ka një përmbajtje të caktuar. N.q.s ne themi termin shtet ligjor,  në kuptimin e ligjit demokratik, të  barazisë, të ruajtjes të së drejtave të njeriut, ahere mund të themi se ka shtet ligjor, por më saktë do të themi shtet i së drejtës.

 Të gjitha partitë politike në fushata propagandojnë të ashtuquajturin shtet ligjor, pa e përmendur shtetin e së drejtës, por kur vijnë në pushtet vihet re se ligjet shkelen dhe korrupsioni për çdo vit lulëzon më shumë. Cili është komenti juaj?

 Në këtë rast faktorët janë të shumtë. Janë faktorë social, ekonomik, por mbi të gjitha është faktori para. Kur flitet për para mendohet se të gjithë tërhiqen para ligjit. E ke dëgjuar atë që po i dhanë Kadiut paranë e kthen qitapin kokëposhtë? Ja kjo është e vërteta e politikës shqiptare. Përpara parasë ligjin e fshehin, e ulin kokëposhtë. Pra paraja të korrupton, të bën ta degjenerosh ligjin. Ndaj puna jonë, sidomos e institucioneve të drejtësisë duhet të drejtohet në ato drejtime apo faktorë, që mund të parandalojë dhe të luftojë korrupsionin.  Këtu ka shumë çështje që duhen trajtuar, si çështje përzgjedhjesh, çështje organizimi, çështjen e seleksionimit të individëve që lidhen me këtë sistem, të zgjidhen në këto sektorë njerëz me integritet. Të gjitha këto masa duhet të bëhen dhe të zbatohen jo mbi baza militantizmi, por mbi  baza të shëndosha, ligjore, mbi baza të shëndosha dhe me një strategji, të mirëcaktuar. Të gjitha reformat, të gjitha shinat mbi të cilat duhet të mbështetet lufta kundër korrupsionit, duhet  të ketë një strategji, të detajuar, strategji afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.  Vetëm kështu mund të zgjidhen këto probleme që shqetësojnë dhe janë kthyer në gangrenë në shoqërinë tonë.

Jeta dhe vepra

Dr. Ismet Tahsin Elezi u lind në Fterrë më 5 prill 1920 . Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i mbaroi në Piqerras. Ka përfunduar Liceun e Tiranës (1942 ) dhe më 1943 filloi studimet e larta në Firence të Italisë, të cilat i ndërpreu në kushtet e luftës. Nga korriku i vitit 1943 mori pjesë aktive në rininë antifashiste në Kurvelesh. Në vitet 1946-1951 kreu studimet e larta për drejtësi në Leningrad (Petërburg) (ish- Bashkimi Sovjetik) me diplomë të shkëlqyer. Po aty kreu studimet pasuniversitare (1957-1960) për marrjen e gradës shkencore. Gjatë viteve ka pasur detyra të ndryshme: Prokuror Kasacioni pranë Gjykatës së Lartë, Sekretar Shkencor i Institutit të Shkencave, Sekretar Shkencor i Universitetit, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave (1966-1985).Ka drejtuar katedrën penale në Fakultetin e Drejtësisë (1957-1990). Për rreth 50 vjet punon si pedagog. Gradën shkencore e ka marrë në vitin 1961, kurse titullin “Profesor” më 1972. Ka krijimtari të gjerë shkencore (mbi 8000 faqe të botuara). Vepra shkencore: “E drejta zakonore penale e shqiptarëve” ka marrë çmimin e Republikës. Vepër me vlerë të veçantë është dhe “E drejta zakonore e Labërisë”. Është autor i disa teksteve të së drejtës penale (Pjesa e Posaçme) si dhe bashkautor i teksteve të tjerë. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 1998, Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar” në shkencë. Është veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.