Prof. Beqir Sadikaj/Prof. Ismet Elezi, kontribuesi i madh i mendimit juridik-penal në Shqipëri

115

Në frymën e marrëveshjes mes Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës prof. Elezi iu dekorua çmimi “Doctor Honoris Causa”

Në kuadër të frymës së 100 Vjetorit të Pavarësisë, që lamë pas, jam krenar që mu dha rasti dhe nderi të flas për një mendje të ndritur, të pavarësisë intelektuale dhe të kupolës akademike kombëtare, profesorin e nderuar Ismet Elezi, krijuesin dhe afirmuesin e vlerave shoqërore dhe shkencore.

Profesori Ismet Elezi është i madh dhe i ndritur, si njeri dhe pedagog, i cili me punën e tij ka dhënë një kontribut të madh dhe të vlefshëm të mendimit juridik e penal në shkencën shqiptare në përgjithësi. Profesor Ismeti me punën e tij të palodhur, për dekada të tëra gërshetoi natyrshëm zhvillimin dhe arritjen shkencave kriminologjike, kriminalistike, procedurale  penale e veçmas të atyre penale shqiptare me ato të vendeve me të zhvilluara, duke u radhitur në nivelin trajtimi me standarde bashkëkohore evropiane. Puna e tij, ka objektivitet dhe qëndrueshmëri shkencore jo vetëm sot por do të shërbej si udhërrëfyes dhe drite e diturisë për të ardhmen, për gjeneratat që vijnë. Kontributi i profesor Ismetit prej pedagogu e shkencëtari nuk është kontribut vetëm për Shqipërinë dhe qytetaret e saj. Ai kontribuoi për të gjithë, edhe pse jetoi në Tiranë, ashtu siç është e të gjithë shqiptareve liria e pavarësia edhe pse u shpall në Vlore. Në frymën e marrëveshjes mes Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, profesor Ismeti me idealin e tij madhor kombëtar, kontributin e vet pedagogjik e shkencor e ka dhënë edhe në Kosovë, ku në vitin 1972 ka dhënë leksionet e para në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës ku në kujtimet e veta thotë: “Pengesat ideologjike dhe politike nga regjimet në fuqi në Jugosllavi dhe në Shqipëri, nuk e preken miqësinë mes nesh. Nga pritja aq e nxehtë, miqësore dhe nga dashuria vëllazërore e pedagogeve dhe studentëve kosovare, gjithë ato ditë sa qëndrova në Kosovë, kam provuar emocione të jashtëzakonshme. Këto janë kujtimet e mia me të bukura të jetës sime, ku u njoha me afër me Kosovën dhe popullin e saj, ku vërejta ndjenjat e pathyeshme të shqiptareve të Kosovës për idealin kombëtar, për flamurin, për lirinë dhe dashurinë e pafund për Shqipërinë.

Profesor Ismeti, në shkrimet e tij, kërkesat e shqiptareve të Kosovës i ka mbrojtur në vazhdimësi. Në vitin 1987 thotë se: “serbet vazhdojnë politiken shtypëse ndaj vëllezërve kosovarë, por unë kam bindje të thella se çështja e drejtë e Kosovës, e djepit të trimërisë e të diturisë, të patriotizmit të flaktë, do të triumfojë dhe shovinistët serbomëdhenj do të dështojnë”. Nga kjo konkludojmë se profesor Ismeti ishte vizionar sepse vizioni i tij shpërtheu gjendjen reale të atëhershme dhe me parashikimet që i beri tejkaloi nivelin intelektual të kohës.

Bashkëpunimi mes Universitetit të Tiranës dhe atij të Prishtinës e ka pasur rrugëtimin e vështirë, por përkundër kësaj ka funksionuar. Në vitin 1996 është bere një marrëveshje e re e bashkëpunimit që është e dyta, kur Kosova ishte e okupuar dhe mësimi bëhej në shtëpi- shkolla. Marrëveshja e tretë e bashkëpunimit është bere në vitin 2003 mes Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë me Dekanin Prof. Kudret Çela dhe Fakultetit Juridik në Prishtinë kur unë isha Dekan i këtij fakulteti. Kjo kishte për qëllim rivendosjen e bashkëpunimit mes këtyre dy fakulteteve edhe pse bashkëpunimi faktik kishte filluar me herët menjëherë pas luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës.

Profesor Ismeti është rikthyer në Kosovë në Fakultetin Juridik me 16 prill të vitit 2002 së bashku me disa kolegë e pedagogë si Prof. Kudret Çela, i cili në atë kohe ishte Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, të ndjerët Prof. Skender Begeja, zonja e tij Ksantipi si dhe Prof. Shefki Bejko. Me rastin e kësaj vizitë profesor Ismeti mbajti leksione me studentet e Fakultetit Juridik. Dhe është pritur nga rektori i atëhershëm Zejnel Kelmendi. Më 10 Korrik të vitit 2003 profesor Ismeti se bashku me profesor Luan Omarin, Niazi Jahon, Dekanin Kudret Çela, Paskal Haxhin, profesor Skënder Kacupin dhe prof. Altin Shegani, që tani është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, erdhën përsëri Prishtinë ku do të merrnin pjese në Konferencën shkencore ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe perspektiven e saj. Gjatë qëndrimit në Kosovë profesor Kudreti dhe profesor Ismeti u nderuan me çmimin për “Merita të veçanta” nga Fakulteti Juridik i Universitetit Prishtinës, për kontributin e tyre pasi bashkëpunimi ishte i madh dhe ishin interesuar të bënin forcimin e mëtejme të miqësisë mes dy Universiteteve.

Me rastin e kthimit nga Kosova profesor Ismeti në kujtimet e tij shkruan: “Nga kjo vizitë e vitit 2003 dhe ato të mëparshmet të vitit 1972 ndjeva edhe njëherë mikpritjen kosovare, dhe mirënjohjen për atë kontribut modest që në kemi dhënë në Fakultetin Juridik. Ata ushqejnë dashuri me të vërtetë vëllazërore dhe ruajnë traditat e mira të mikpritjes, dhe se miqësia me koleget kosovarë i ka rrënjët tek dashuria vëllazërore, tek gjaku, gjuha, zakonet, traditat e përbashkëta që kemi, të cilat do t’i ruajmë me shekuj e do të zhvillohen e do të forcohen gjithë e me shume”. Profesor Ismeti edhe tani është prezent në Kosovë me mendimet, idetë, pikëpamjet e tij për shoqërinë, për shkencën, me sjelljet vëllazërore, me librat dhe fotografinë e tij në Institutin e Kriminalistikes. Personaliteti i juaj në Kosovë jo vetëm se kujtohet nga ata që ju njohin por opusi i juaj shkencor lexohet dhe citohet në përditshmëri dhe në kontinuitet. Meritat tuaja të mëdha janë në ndihmën që keni dhënë dhe ju jepni studiuesve dhe doktorantëve nga Kosova, në shume raste ju keni udhëhequr kandidatët në dokturaturë, keni qenë mentor ose anëtar jurie. Njeri prej kandidatëve që ju e keni udhëhequr ka qenë edhe profesori i nderuar Ali Bajgora për të cilin në kujtimet tuaja keni shkruar: “E mbrojti disertacionin me rezultate të shkëlqyera. Unë krenohem me ketë intelektual të ri.”

Me lejoni të them se ne jemi të gëzuar që nderojmë profesor Ismet Elezin në 100 Vjetorin e Pavarësisë qe është themeli mbi të cilin janë ngritur dhe janë zhvilluar mjaft ngjarje të mëdha të historisë me të re të kombit tonë. Mbi ketë themel të pavarësisë e të lirisë është fituar Kosova, e cila sot se bashku me Shqipërinë e feston 100 vjetorin e pavarësisë, e lire, e pavarur dhe sovrane. Me lejoni ta përfundoj ketë çast të nderimit për profesorin e nderuar Ismet Elezi me mendimin e Benjamin Franklinit, njeri nder themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili tha: “Ku ka liri aty është vendi im”. Tani Shqipëria dhe Kosova janë të lira e të pavarura, dhe trojet e tjera shqiptare vazhdojnë të avancojnë lirinë e tyre, janë vendet tona ku lirshëm mund të zgjedhim në cilën pjese duam të jetojmë.