Përfundon dorëzimi i deklaratave të pasurisë

84
Ditën e djeshme ka përfunduar afati ligjor për dorëzimin e deklaratave të pasurisë dhe dokumentacionin justifikues pranë ILDKP nga 800 gjyqtarë dhe prokurorë, në funksion të zbatimit dhe të veprimit të ligjit të Vettingut. Përfundimi i afatit 30-ditor i hap rrugë një prej proceseve më të rëndësishme, siç është kontrolli i ligjshmërisë së pasurisë së deklaruar dhe hetimi i pasurive të fshehura, brenda apo jashtë vendit.
Dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë dorëzuan deklaratat e pasurisë. Për të përballuar fluksin, ILDKP shtoi burimet njerëzore, ndërsa vendosi të pranonte deklaratat edhe të shtunën e të dielën. Edhe ditën e djeshme, deri në orën 18:00, ILDKP ka pritur dorëzimin dosjeve të pasurive nga gjyqtarë dhe prokurorë.
Gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët nuk kanë dorëzuar dosjen e pasurisë, largohen automatikisht nga sistemi. Po ashtu, do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë edhe prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nga procesi i hetimit rezultojnë që nuk e justifikojnë pasurinë me dokumentacion ligjor, që kanë fshehur pasurinë, kanë bërë deklarim të rremë apo janë në konflikt interesi. Nga sistemi do të largohen gjithashtu edhe subjektet që kanë një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme. Për çdo rast, ILDKP do t’u propozojë institucioneve të Vettingut konfirmimin apo largimin e subjektit nga detyra.