Paketa e Reformës se Procedimit Penal në Shqipëri

487
Sigal

Ministria e Drejtësisë, së bashku me disa organizata partnere, prej 1 viti janë duke punuar për një nga reformat më të rëndësishme në drejtësinë penale

Një grup ekspertesh në Ministrinë e Drejtësisë, së bashku me disa organizata partnere, prej 1 viti janë duke punuar për një nga reformat më të rëndësishme në drejtësinë penale: Reformimin e Kodit të Procedurës Penale. Drafti final do të jetë shumë shpejt për konsultim me aktorët e drejtësisë. Kodi do të pësoje ndryshime të mëdha, më thelbësoret në këto 15 vjet, të cilat paraqiten prej ministrit Halimi si më poshtë:

1. Procesi i hetimit të krimeve duhet të reformohet, që hetimi të jetë më efikas, më i shpejtë në zbulimin e së vërtetës. Ajo që qytetarët kanë nevojë të dinë një orë e më parë është e vërteta e një ngjarje, pa pritur me vite të tëra për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve. Policia gjyqësore dhe institutet e marrjes, kërkimit dhe analizimit të provave duhen reformuar.

2. Të implementojmë Institutin e “marrëveshjes paraprake të pranimit të fajit”. Një model që do të përshpejtojë hetimet dhe do të lehtësojë gjykimin dhe dhënien e drejtësisë penale efektive.

3. Duhet reformuar Instituti i gjykimit të shkurtuar. Qëllimi për të cilin u vendos shumë vite më parë ka deformuar dhënien e drejtësisë. Në pjesën më të madhe të rasteve, ky institut ka shërbyer për shmangien e dënimit dhe dhënies së një drejtësie penale efektive.

4. Korrupsioni duhet të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Renda. Qytetarët duhet të shohin çdo ditë se ata që abuzojnë me fonde publike apo shërbime ndaj tyre, qofshin në administratën qendrore apo lokale, të gjykohen shpejt, por dhe me dënim të gjatë si shprehje e një drejtësie penale efektive. Këto çështje, por dhe shumë të tjera, të cilat do t’i diskutojmë në javët në vijim, do të përbëjnë reformën më të thellë në fushën e hetimit penal në këto 15 vjet. Reforma e Kodit të Procedurës Penale, do të jetë një nga ligjet e para që do të miratojmë në shtator të këtij viti. Ju lutem jepni komentet tuaja në lidhje me këto çështje, që ekspertët të njihen me to, sepse drejtësia dhe reformimi i saj ka nevojë për të gjithë ju.

Ish prokurorja Rama e paditur për shpërdorim detyre

Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë ish-prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, me akuzën e shpërdorimit te detyrës. Ky është vendimi i dhënë nga gjyqtari Altin Abdiu, më 18 prill 2013. Padia është ngritur nga Bardhyl Shehu, prokuror për shumë vite në Kurbin, i shkarkuar nga Ina Rama dhe i pa riemëruar edhe pas vendimeve të formës së prerë nga gjykatat për kthimin e tij në detyrë. Shehu dhe disa prokurorë të tjerë u emëruan në detyrat e mëparshme nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pak kohë pas marrjes së detyrës nga ana e tij. Ai deklaroi se zbatoi vendimet e gjykatave, që i cilësonin të padrejta shkarkimet e prokurorëve nga Ina Rama. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, përfundimi i Prokurorisë së Tiranës i datës 19 dhjetor 2012 se Ina Rama nuk ka kryer vepër penale, nuk qëndron. Gjykata thekson se ka disa elementë në veprimet e ish-kryeprokurores që duhet të hetohen edhe një herë nga Prokuroria e Tiranës. Konkretisht, gjykata kërkon hetim për moskthimin në punë të prokurorit Shehu nga viti 2011, kur fitoi gjyqin deri në 2013-ën, kur vendimet e gjykatave u zbatuan nga kryeprokurori Adriatik Llalla. Në padi thuhet se Ina Rama e shkarkoi Shehun, edhe pse kontrolli që iu bë punës së tij nuk gjeti shkelje për të cilat ligji parashikon shkarkim nga detyra.

Gjin Gjoni anëtari i ri KLD, Zaganjori: Gjyqësori duhet të krijojë një imazh të ri

Me 226 vota pro, Gjin Gjoni u zgjodh anëtari më i ri  i KLD-së, nga Konferenca e Gjyqësore, e cila çeli punimet para dy ditësh. Krahas Gjin Gjonit kandidonte edhe Genc Shala. Xhezair Zaganjori, Kreu i Gjykatës së Lartë në fjalën e tij, si drejtues i kësaj konference tha se gjyqësori duhet të krijojë një imazh të ri. Sipas tij, “sistemi gjyqësor përballet me shumë probleme, si nevojën e përfundimit të reformës të organizimit të sistemit gjyqësor, sidomos administrimit të çështjeve administrative, duke rritur transparencën si dhe forcimin e luftës ndaj korrupsionit”. Zaganjori gjithashtu foli dhe për arritjet e sistemit gjyqësor. “Në progres-raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë për vitin e kaluar theksohet se ka arritje lidhur me paanshmërinë dhe pavarësinë e gjyqësorit, shtoi Zaganjori. Nga konferenca gjyqësore zgjidhen pjesa më e madhe e anëtarëve të KLD-së. Pak vite më parë, konferenca nuk mblidhej, për shkak të vakancës në ligj, çka atë kohë krijoi dhe jo pak probleme në zëvendësimin e emrave në “qeverinë” e gjyqësorit. Por pas shumë debatesh dhe kundërshtish, gjykatësit vendosën të mblidhnin konferencën dhe të votonin përfaqësuesit e tyre në KLD.

Shkarkimi i tre gjeneralëve: Ligji u injorua!

Tre gjeneralët Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi, të shkarkuar pak ditë më parë nga presidenti Bujar Nishani e quajnë të paligjshëm dekretin për shkarkimin e tyre. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, gjeneralët nënvizojnë se dekretet janë publikuar me vonesë duke akuzuar kreun e shtetit se injoroi ligjin. Ish-gjenerali, Abaz Lleshi i ka kërkuar kreut të shtetit që të tregojë se në cilin nen është mbështetur për të marrë vendimin për shkarkimin e tyre, ndërkohë që ka ngritur dyshimet se Forcat e Armatosura kryejnë punë të rëndësishme, por që nuk u përket.  Një injorim kaq i rëndë i ligjit, i kryer nga presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura kërkon minimalisht shpjegimet përkatëse, zyrtare dhe publike, nga ana e këtij të fundit. Ne mendojmë se vendimi i presidentit vetëm për të liruar gjeneralët nga detyra dhe mos dekretimi i zëvendësuesve në funksionet përkatëse përbën precedent serioz. Ne kemi të drejtë të besojmë se dekretet paraqesin një reagim emotiv, ndaj disa shqetësimeve serioze që i janë paraqitur Presidentit të Republikës, Kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare në Parlament, me datën 25 Mars 2013 zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Sandër Lleshi, me anë të një shkrese zyrtare e cila ende ka mbetur pa përgjigje, u shpreh Lleshi.
Ministria e Mbrojtjes i ka cilësuar si të pabaza pretendimet e 3 gjeneralëve të shkarkuar nga presidenti i Republikës Bujar Nishani. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes hodhi poshtë akuzat, duke sqaruar se pretendimi për mos vënien në dijeni më parë të 3 gjeneralëve për lirimin nga detyra nuk është i vërtetë, pasi ato jo vetëm janë njoftuar, por madje kanë refuzuar organizmin e një ceremonie largimi nga Ministria e Mbrojtjes.