Nevzat BOZHANI*: Bregdetasit kërcënojnë me grevë urie 3-ditore, para Gjykatës së Strasburgut

480
Me datë, 9.03.2015 Avokati i Popullit z. Igli Totozani, organizoi një takim me përfaqësitë e shoqatës “Krahina Jonë Dukat, Tragjas, Radhimë” dhe Shoqatën Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” për të marrë mendimet dhe sugjerimet tona, lidhur me “Raportin për të drejtën e pronës, të garantuar me Kushtetutë”, që ky institucion do t’i paraqesë së shpejti Kuvendit të Shqipërisë. Në të njëjtin mendim me kryesinë e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe me qëllimin për të informuar subjektet e shpronësuara që presin kthimin e pronave të tyre, të trashëguara, konform detyrimeve kushtetuese dhe sipas normave bazë të moralit njerëzor, deklarojmë publikisht se kjo veprimtari e Avokatit të Popullit, është në të mirë të shtetit ligjor dhe të zbatimit të parimeve bazë të Kushtetutës, posaçërisht të neneve 41 dhe 181. Respektimi i saktë i të drejtës së pronësisë, do të mbyllë politikën e gabuar dhe praktikën antikushtetuese, që kanë ndjekur maxhorancat prej ndryshimit të sistemit në 1991 e deri sot. 
E drejta e pronës
Respektimi i të drejtës së pronës së trashëguar është detyrimi themelor i shtetit demokratik. Kjo e drejtë kushtetuese, përcaktohet në kapitullin e të Drejtave të Njeriut dhe nuk njeh parashkrim. Kjo e drejtë është e përcaktuar qartë në detyrimet kushtetuese që në vitin 1991, por, praktikisht, e drejta e pronës, veçanërisht në zonën turistike të qarkut të Vlorës, është shkelur si në asnjë nga vendet e tjera të ish-kampit socialist që në 1990 ndryshuan sistemin. Vetëm sistemi komunist e shkelte të drejtën e shtetasve për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar, por në Shqipëri, mentaliteti i vjetër vazhdoi të mbijetojë dhe në kundërshtim me çdo parim moral dhe juridik për 24 vjet është zhvilluar dhe financuar nga institucionet ndërkombëtare dhe veprimet e paefektshme të ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve kryesorë të akredituar në Shqipëri. Shkelja e të drejtës së pronës së trashëguar është një fakt i pakundërshtueshëm, veçanërisht në qarkun e Vlorës që tregon që Shqipëria ka ndryshuar në disa drejtime dhe në aparencë, por jo në thelb. Prandaj insistojmë që kjo nismë e z. Igli Totozani, për të garantuar zbatimin e Kushtetutës të mbështetet: nga institucioni i Presidentit të Republikës, sepse ai është garanti Nr. 1 për zbatimin e Kushtetutës, porse neni 181 i Kushtetutës, prej vitit 1998 vazhdon të shkelet. Që të vendoset demokracia dhe klima e mirë për investitorët e huaj dhe zhvillimin e turizmit, kërkojmë që kjo nismë të mbështetet edhe nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, kryetari i opozitës, grupet parlamentare të të dy krahëve, të gjitha institucionet e Shtetit dhe veçanërisht nga redaksitë e mediave elektronike dhe të shkruara. 
Emërtimi “pronë shtetërore”, pa vlerë juridike
Emërtimi “pronë shtetërore” nuk mund të ketë asnjë vlerë juridike për pronat, që u janë shtetëzuar pronarëve të ligjshëm nga shteti i diktaturës, pasi atë emërtim të vendosur nga Kushtetuta e RPSSH-së e vitit 1976, e shfuqizoi Ligji 7491 datë 29.04.1991 “Për Dispozitat Kalimtare Kushtetuese”, neni 45 i të cilës thotë: “Kushtetuta e RPSSh-së, e miratuar me 28.12.1976 si dhe ndryshimet e mëvonshme të saj shfuqizohen”. Në këto detyrime kushtetuese neni 4 thotë: Republika e Shqipërisë njeh dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, …. Neni 8 përcakton: “Legjislacioni i Republikës së Shqipërisë merr parasysh, njeh dhe respekton parimet dhe normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare”. Ligji nr. 7692 datë 31.03.1993 “Për një shtojcë në dispozitat kryesore kushtetuese” në nenin 27 rithekson të njëjtin parim kur thotë: “Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me të tjerë, si dhe e drejta për të trashëguar. …- Askush nuk mund të shpronësohet, përveçse për një interes publik dhe kundrejt shpërblimit të plotë”. Megjithatë është bërë dhe po bëhet e kundërta, duke shkelur detyrimet kushtetuese të vitit 1991, si dhe detyrimet që përcakton Kushtetuta e vitit 1998, në fuqi, që në nenin 4 thotë: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërdrejti…..”; neni 5 thotë : “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”, Neni 122/2 thotë: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. 
Nuk funksionon shteti ligjor dhe demokracia
Derisa shteti bën ligje për të legalizuar, edhe në zonat turistike, ndërtimet e personave të tretë në tokat e subjekteve të shpronësuar, të cilat mbahen peng prej 24 vjetësh dhe Kuvendi nuk ka pasur vullnet të miratojë një ligj që shteti ta kthejë pronën tek i zoti, demokracia dhe shteti ligjor nuk funksionon. Pas ndryshimit të sistemit në 1991 e deri sot, Shteti ka bërë veprime të paligjshme, me pronarët autoktonë të qarkut të Vlorës, veprime që juridikisht janë “Nul ab initio”, pra, juridikisht të paqena. Me këto akte institucionet shtetërore nuk kanë zbatuar të drejtën e pronës sipas detyrimeve kushtetuese, kanë shkelur parimet e të drejtës së pronës së trashëguar, thjesht për të përfituar oligarkia politike si dhe për interesa elektorale. 
*Kryetar i Degës Tiranë për Shoqatën “Krahina Jonë” 
(Dukat, Tragjas, Radhimë)
Dekriminalizimi fillon me kthimin e pronës te i zoti
Çmontimi i kriminalizimit të shtetit duhet të fillojë me kthimin e pronës tek i zoti dhe kjo duhet të nisë me urgjencë në qarkun e Vlorës, ku aktet e paligjshme janë të shumta. E keqja që po vazhdon e ka dëmtuar rëndë popullin shqiptar, duke krijuar një shtet pseudodemokratik që vazhdon të shkelë detyrimet kushtetuese. Kuvendi ka miratuar ligje që bien ndesh me detyrimet kushtetuese dhe Kushtetutën, i ka amenduar ato ligje sipas interesave klanore, por dhe zbatimi tyre është bërë me shumë gabime, sipas porosive nga lart dhe interesave të drejtuesve të KKKP-së, AKKP-së, ZRPP-së dhe klaneve të tjera. I njëjti veprim antiligjor ka ndodhur dhe me vendimet e Qeverisë, duke shkaktuar amulli me pronat plagë të shumta popullit dhe financave të shtetit. 
“Telegraf”, në mbrojtje të Kushtetutës 
Gazeta Telegraf, në ndryshim nga shumë media të tjera të Tiranës ka shkruar pa censurë dhe ka sensibilizuar vazhdimisht për nevojën e dekriminalizimit të shtetit, duke filluar me detyrimin e shtetit për kthimin tek i zoti të pronës së trashëguar, duke u mbështetur në zbatimin e Kushtetutës. Në këtë vazhdë, redaksia e “Telegraf” më 6 Mars 2015 e pyet publikisht drejtorin e ALUIZNI-t z. Artan Lame, nëse legalizimet e bëra nga persona të tretë në zonën turistike përputhen apo jo me nenin 181 të Kushtetutës. Deri sot nuk kemi parë ndonjë përgjigje, por nuk ka asnjë nen të Kushtetutës të Kodit Civil apo ndonjë vendimi të Gjykatës Kushtetuese që të justifikojë fitimin e pronës në zona turistike nga persona të tretë duke shkelur ligjin, duke ndërtuar pa leje në tokën e tjetrit dhe kjo shkelje ligjore të shpërblehet me tokën e zënë me ndërtimin pa leje me një shkresë të firmosur nga drejtori i ALUIZNI-t. 
Lame të mos legalizojë në tokën e pronarëve
Eshtë e domosdoshme që deklarimi i zotit Artan Lame dhe vendimi i Qeverisë të ndryshohet, në mënyrë që ndërtimi pa leje të mos shembet për pronarin e tokës, kur ai ka ndërtuar pa leje në tokën e të parëve të tij, por personit të tretë që ka ndërtuar pa leje në toka që duhet t’i kthehen pronarit, legalizimi kurrë nuk mund të justifikohet si veprim i ligjshëm i Qeverisë. Pronarët autoktonë të Bregdetit e kanë besimin kryesisht tek vendimet shtrënguese të ndërkombëtarëve dhe një grup të rinjsh që po organizohen të shkojnë në Strasburg, ku do të organizojnë një grevë urie 3-ditore në sheshin para GJEDNJ, për të sensibilizuar Europën që këto padrejtësi të mos vazhdojnë të bëhen në emër të ligjit dhe të shtetit dhe të mos mbështeten politikisht dhe financiarisht nga ndërkombëtarët.

Gjykata e Strasburgut/ Qeveria vendos të paguajë detyrimet për çështjen “Karagjozi dhe të tjerë kundër Shqipërisë’’
Qeveria shqiptare vendosi në 11 nëntor, ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 8.4.2014, për çështjen “Karagjozi dhe të tjerë kundër Shqipërisë’’, për ankimet: nr.25408/06 (Karagjozi dhe të tjerë); nr.49121/06 (Koco); nr.19772/07 (Shehu); nr.46685/07 (Dovrani dhe Dume); nr.49411/07 (Sallabanda dhe Hoxha); nr.27242/08 (Goga dhe të tjerë); nr.61912/08 (Tartari) dhe nr.15075/09 (Okaj), sipas listës së ankuesve në shtojcën 1, dhe shumat e përcaktuara në shtojcat 2 dhe 3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe që janë pjesë përbërëse e tij, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme. Qeveria vendosi:
– Vlerat e përcaktuara si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës. 
– Vlerat e përcaktuara si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 8.4.2014, për secilën çështje. 
– Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të ankuesve: Karagjozi dhe të tjerë (nr.25408/06); Koco (nr.49121/06); Shehu (nr.19772/07); Dovrani dhe Dume (nr.46685/07); Sallabanda dhe Hoxha (nr.49411/07); Goga dhe të tjerë (nr.27242/08); Tartari (nr.61912/08) dhe Okaj (nr.15075/09), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i Ministrisë së Financave, brenda një afati 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar. 
– Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e mësipërme paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) për qind. 
Sigal