Në pluralizëm, ligje dhe drejtësi më të dhunshme se në monizëm

521
Sigal

Roli i organeve të drejtësisë dhe atyre të rendit është katandisur në atë të kapjes, dënimit dhe bërjes së gjyqeve sido që të jenë, mjafton të ketë sa më shumë

RIFAT ALIU,  Avokat

E vërteta është së nga të gjitha anët si politika, politikanët dhe mediat kanë krijuar turbullira dhe hamendje për organet e drejtësisë dhe njerëzit që punojnë atje, por nuk është rasti për t’i nxirë të gjithë dhe për të njollosur gjithçka. Atje punojnë, edhe njerëz që duhen vlerësuar për mirë, por as edhe puna e gjykatave dhe prokurorive nuk duhet parë gjithnjë dhe e tëra si e keqe. Tani flitet për reformë, por që as dihet nëse do bëhet, as kur, por as edhe si do të bëhet, në qoftë se po. Ka një mani për të qenë të vonuar në shumë punë, me përjashtim të rasteve kur shtetarë dhe politikanë kanë interes të marrin, siç është rasti i rritjes së rrogave ose përfitimeve të tjera prej tyre. Jo për të bërë “tersin e Pojanit”, por njerëzit janë mësuar që dëgjojnë më shumë të flitet se sa të bëhet, dhe për këtë shkak janë shtuar të dënuarit dhe janë rritur konfliktet mes qytetarëve. Roli i organeve të drejtësisë dhe atyre të rendit është katandisur në atë të kapjes, dënimit dhe bërjes së gjyqeve sido që të jenë, mjafton të ketë sa më shumë. Në fillimin e çdo procesi, palëve ose të pandehurve, u bëhet e qartë nga gjykata, së kanë të drejtë të japin mendim nëse janë ose jo dakord që, çështjen e tyre ta shqyrtojë ai trup gjykues që u drejton edhe pyetjen. Deri këtu çdo gjë është normale, madje përpara se pala ose i pandehuri të bëjë këtë kërkesë, akoma më mirë gjyqtari mund të heqë edhe vetë dorë nga gjykimi i një çështjeje. Kjo është e rregulluar nga neni 72 i K.Pr.C. dhe neni 14 i K.Pr.P. Deri këtu gjërat janë normale dhe ligjet të standardeve demokratike, mirëpo, është ndryshe në pjesën tjetër se kur kërkohet dhe argumentohet përjashtimi është vetë ai gjyqtar që e shqyrton kërkesën civile dhe një gjyqtar tjetër në çështjet penale, por më e keqja është se ndaj vendimit kundër, ankimi bëhet pas përfundimit të gjyqit. Të lësh gjyqtarin të përjashtojë veten, që rrallë ndodh, është njëra e keqe, por më e madhja është që ankimin ta bësh në fund. Ai gjyqtar që kundërshton kërkesën e argumentuar, kuptohet ka synime apo interesa të cilat ndikojnë në orientimin e gabuar të procesit, i cili mund ta bëjë aq të ngatërruar që kushdo gjyqtar tjetër do ta këtë të vështirë ose të pamundur për ta riparuar. Do të ishte më e mira, të vihej në ligj, që përjashtimi, për herë të parë, të pranohej në çdo rrethanë kurse për herë të dytë të provohej, kërkesa të shqyrtohej nga trup gjykues tjetër gjithmonë me tre gjyqtarë, dhe kur ka ankim shqyrtimi i çështjes të pezullohej derisa me një gjykim të përshpejtuar çështja të shqyrtohet nga gjykata e shkallës më të lartë. Në mos përjashtoftë kjo pakëson iluzionin e qytetarit për gjykatën dhe drejtësinë, që sot për sot është shumë e përfolur nga ne, dhe të huajt. Në atë pjesë që ligji bën fjalë për prokurorin edhe pse e ka emrin palë formalisht, ai është shtet. Me të drejtat që i janë dhënë atij dhe me mohimin e të drejtës për të kërkuar përjashtimin, shteti i bën karshillëk qytetarit të tij. Pavarësisht se dyshohen apo akuzohen për një vepër atyre d.m.th. të dyshuarit, ose të pandehurit duhet të kenë të drejtën që për shkaqe të motivuara të kërkojnë përjashtimin e tij nga procesi. Nga neni 24 i K.Pr.P. del së kompetencat e prokurorit janë ndjekja penale, hetimi dhe kontrolli i tij, ngritja e akuzës dhe dërgimi në gjyq, ndjekja e gjyqit dhe kërkesat për masë sigurimi dhe dënim, ekzekutimi i vendimeve etj. Këto kompetenca që janë të shumta duhet të ekuilibrohen me të drejtën e të pandehurit që të kërkojnë përjashtimin e prokurorit dhe ankimet të shqyrtohen nga gjykata dhe jo prokurori më i lartë. Kjo më shumë së tani dhe më mirë do mënjanojë njëanësinë dhe do sjellë punë më të mira në këtë organ. Po të bëhet një krahasim qoftë edhe vetëm, të kodeve penale të vitit 1977, si kodi i fundit i atij sistemi, me kodin e vitit 1995, si i pari pas ndryshimeve,  dallojnë nga njëri – tjetri se në këtë të dytin, në krahasim me të parin, numri i dispozitave, numri minimal dhe maksimal i viteve të burgut është shumë më i lartë. Shumë nga nenet e veçanta kanë dy dënime kryesore ose edhe kur vepra është e një dënimi të dhënë, i shtohet tjetër d.m.th. se për një vepër jepet jo një, por dy dënime kryesore si praktikë që shfaqet për herë të parë dhe në kodin e parë të sistemit pluralist. Kodi penal që hyri në fuqi në vitin 1977 kishte në total 247 nene dhe të gjitha bashkë kanë në minimumin e tyre 315 vjet burg, kurse maksimumi është 1040 vjet burg, ndërsa kodi penal i vitit 1995 ka 485 nene ku për të gjitha, dënimi minimal është 1592 vjet burg kurse ai maksimal 3699 vjet burgim. Numri i neneve është dy herë më i madh, minimumi i dënimit pesë herë kurse maksimumi mbi 3.5 herë. Po të bëhet një përllogaritje me një veprim të thjeshtë aritmetik, duke pjesëtuar numrin e neneve të çdo kodi penal, me numrin minimal dhe maksimal të dënimeve, del se një person merrej në përgjegjësi penale, dërgohej në gjyq, sipas kodit penal të vitit 1977 dënimi i tij fillonte nga 1.2 – 4.2 vjet burg, kurse sipas kodit penal të vitit 1995 dhe që është në fuqi dënimi fillon nga 3.2 – 7.6 vjet burg d.m.th. sot fillohet me dy vjet më shumë dhe dënohesh me tre vjet më shumë. Ky është një ashpërsim i pamotivuar sepse bëhet fjalë për burg, që kuptohet se ka shumë pasoja si morale, fizike, ekonomike, kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe kaq kodi ynë penal dhe dënimet që ka, bëjnë fjalë për dhunën e pamotivuar të legjislativit ose të të zgjedhurve nga populli ndaj zgjedhësve të tij. Njësoj është jo vetëm për llojin dhe masën e dënimit, por edhe për themelimin në prova të kërkesave të prokurorëve dhe vendimeve të gjykatave. Nuk është fjala për të dhënë shembuj gjyqesh megjithëse ka plot, por mjafton që shteti e ka pranuar botërisht se 70 % të punonjësve të këtyre organeve nuk u besohet për shkak të paaftësisë ose se janë pak të aftë dhe 90 % për shkak të përhapjes së korrupsionit. Në pjesën që ka të bëjë me dënimet parlamenti paraqitet kontradiktor sepse hoqi dënimin më vdekje dhe shtoi dënimin me burg për të ndikuar në parandalim, sikur njerëzit të kenë më shumë frikë nga burgu sesa nga vdekja. Por edhe sikur shteti të dojë që të dijë se cila është cilësia e punës në gjykatat dhe prokuroritë për ato çështje që janë shqyrtuar nuk e mëson dot sepse në kundërshtim me Kushtetutën, sistemi gjyqësor funksionon pjesërisht dhe për këtë shkak organi gjyqësor më i ulët ka më shumë kompetenca se sa organi gjyqësor më i lartë. Po nëpërmjet kodeve të procedurës penale dhe civile nuk ekzistojnë mundësi ligjore për të goditur dhe rregulluar çdo vendim të pa bazuar sidomos kur për atë që është vendosur nuk ka provueshmëri dhe prova të mjaftueshme. Sikur kjo të ishte pak, mania për t’i bërë edhe më të dhunshme është edhe tani. Duke marrë shkas nga dëmtimet e shumta të pyjeve nga zjarri, dikush hodhi idenë e vënies në kodin penal të një dispozite që të parashikojë dënime të rënda për ata që dëmtojnë pyllin më anë zjarri. Pa përjashtuar edhe ndonjë nga zjarret që mund të jetë rast kriminal ato lidhen me ndryshimet klimaterike, me thatësirë të madhe dhe temperatura të larta. Ky rast më solli në kujtesë një ngjarje të mësuar 40 vjet më parë kur u caktova për të punuar si kryetar gjykate në një nga rrethet e jugut. Prokuroria kishte arrestuar dhe provohej se një person kishte vjedhur një dyqan fshati duke u futur nga çatia. Prokurori, një ish-partizan i ndershëm, kërkonte në kodin penal nenin dhe meqë sipas tij nuk e gjeti kërkoi ndihmë nga eprori i tij në Prokurorinë e Përgjithshme, duke iu lutur ta ndihmonte si ta cilësonte rastin sepse sipas tij, “ligji kishte «boshllëk»” dhe nuk parashikonte vjedhje nga çatia. Seksioni i tretë i Kodit Penal është një kapitull që dënon ata persona që shkatërrojnë apo dëmtojnë më armë zjarri si pronën publike dhe atë private dhe sipas nenit 151 të Kodit Penal dënohen edhe ata që shkatërrojnë pyjet. Kjo dispozitë ka tre paragrafë dhe çdo person që vepron me dashje sipas dëmit që vjen dënohet nga pesë deri pesëmbëdhjetë vjet dhe që nuk duhen quajtur dënime të lehta për të vënë një dispozitë tjetër vetëm për pyjet më dënime më të rënda. Në qoftë se ky kriminalitet nuk është goditur nuk ka penguar ligji, sepse pylli është pronë si të gjitha, por shkaqet mbase janë të tjera, por rasti i vetëm është ndryshe dhe nuk duhet përdorur si shkak për të ashpërsuar ligjin. Neni 34 i Kushtetutës, ka formulim të tillë që askush nuk mund të dënohet më shumë së një herë për të njëjtën vepër penale dhe që kuptohet së është fjala edhe se në të njëjtin gjyq për një vepër nuk mund të jepet më shumë së një dënim kryesor. Në Kodin Penal në fuqi ka disa nene që parashikojnë njëkohësisht dy dënime me burg dhe dy dënime më gjobë për një vepër. Neni 114/b i Kodit Penal ndëshkon bile ashpër dhe me të drejtë trafikimin e femrave, por nuk është sipas Kushtetutës që për këtë vepër të jepen 4 dënime, dy me gjobë dhe dy me burg, kur kjo dispozitë ka edhe dënimin maksimal me burgim të përjetshëm. Sipas këtij neni të pandehurin pasi e dënon me burg dhe gjobë njëkohësisht i shton edhe nga ¼ e çdo dënimi të dhënë veç e veç duke e dënuar katër herë. Ky rregullim jo vetëm që është antikushtetues, por i panevojshëm, sepse, po të jetë rasti që duhet dënuar rëndë, gjykata aplikon dënimin maksimal që është burgim i përjetshëm. Njësoj si ky rast janë edhe nenet 128/b, 298, 333  të Kodit Penal, kurse dispozita antikushtetuese të tjera me nga dy dënime kryesorë ka disa. Meqenëse tani flitet për reformë për drejtësi kam mendimin se është rasti që më e pakta që ligjet të harmanizohen me Kushtetutën dhe se në këtë pjesë është më i mirë rregullimi i bërë nga Kushtetuta se sa ai i Kodit Penal. Shtetit nuk duhet t’i vijë mirë kur dënon qytetarët e tij, mirëpo edhe kur është i detyruar që t’i fusë në burg, nuk duhet të marrë hak as edhe të plotësojë ndonjë vullnet nga jashtë, por të pastrojë ambientin dhe me dënimet që jep t’i korrektojë ata që bëjnë faj. Dënimi nuk është se i zgjidh të gjitha dhe po të jetë se nga burgu njerëzit dalin më keq ka dëm komuniteti, por dështon edhe drejtësia. Të gjitha dënimet janë detyruese, përdorën në demokracitë e konsoliduara dhe duke qenë më pak se dënimi me burg janë më demokratike dhe humane, por i shërbejnë edhe më shumë parandalimit.

Drejtësia: Skandali i radhës, abuzuesi i të miturës shëtit i lirë

 Laureta Roshi

 Në fshatin Krane prej dy ditësh ndodhet me leje nga burgu i Peqinit Panajot Anagnosti, i dënuar nga drejtësia shqiptare me vendim gjykatë të Rrethit Gjyqësor Sarandë në datën 5 korrik për veprën penale “vepra të turpshme” me të mitur…2 vjet. Prej një muaji në burgun e Peqinit del me leje, pa asnjë arsye të dukshme familjare, i pashoqëruar apo i kufizuar në lëvizje. Ngjarja që tronditi fshatin e qetë Krane,  ndodhi një vit më parë kur nga drejtoria e policisë, Qarku Vlorë u bë publike se, shtetasja me iniciale K. C., ka kallëzuar faktin se vajza e saj e 8-vjeçare është abuzuar seksualisht nga shtetasi  Panajot Anagnosti, vjeç 47 banues në fshatin Krane, Delvinë, me të cilin kjo shtetase bashkëjetonte së bashku me dy fëmijët e saj, (vajzën dhe një djalë). Ishte fati i Panajotit që prokurori kërkoi vetëm 18 muaj burgim, dhe gjyqtarja dha 2 vjet heqje lirie. Paragjykim dhe korrupsion, vetëm kështu i mbetet titulli lejes së shpejtë të Panajotit, nga burgu i Peqinit. Një javë më parë gruaja dhe dy fëmijët janë larguar, pavarësisht urdhrit mbrojtës që dha gjykata. Panajoti del në kafenetë e fshatit si i pafajshmi që e akuzuan kot…dhe në fakt është një vepër me rrezikshmëri shoqërore, një histori për të cilën K.C e ngriti zërin dhe kërkoi të vërtetën pastaj u tulat, ndërsa gratë e tjera bashkëjetuese me Panajotin kanë heshtur dhe kanë ikur bashkë me fëmijët e tyre.

Të gjitha rrugët të pengojnë, për mos kërkuar drejtësi…

 Renaldo BREGU

 Kur vjen puna për në Gjykatë të gjithë ne themi: sa më larg asaj, jo sepse nuk gjen dot drejtësi, por ajo të harxhon shumë kohë, lekë dhe nerva. Gjykata në biseda ndërpersonale me avokatë dhe profesionistë të fushës kërkon përveç të tjerave një rrugë të drejtë procedurale duke respektuar afatet dhe të gjithë elementët përbërës për një për një vendim gjyqi sa më të drejtë, gjë e cila përbën “lodhje” edhe për vetë njerëzit e fushës. Më datë 12.11.2012, rreth orës 9:30 – 10:00, duke kaluar, unë dhe qytetarë të tjerë tek vendkalimi i këmbësorëve në Vijat e Bardha, tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, na rrezikon jetën një automjet tip “Foristradë”, dhe të nevrikosur të gjithë sa ishim duke kaluar në ato moment i bërtitëm drejtuesit të mjetit. Fjalët tona e bënë drejtuesin e mjetit me “nerva” dhe veçanërisht shokët e tij që ishin mbrapa në makinë, të cilët ndalën makinën dhe erdhën me vrap drejt nesh, me shkopin e gomës në dorë. Qytetarët e tjerë vrapuan për t’iu larguar kanosjes që do u bëhej, dhe qëndrova vetëm unë, por bëra shumë gabim për gjendjen time fizike, dhe jo për moralin tim, sepse jam goditur prej njërit nga ata më një shkop gome duke më dëmtuar seriozisht gjymtyrën e këmbës së majtë dhe dëmtime në kokë. Menjëherë mbaj shënim targën e makinës, ngjyrën e saj dhe tipin, dhe telefonoj Policinë e Shtetit në numrin 129 dhe 112.  Policia vjen pas më shumë se 24 minuta, dhe pasi më marrin emrin shënim, më dërgojnë tek Rajoni i Policisë Nr. 3 të bëj denoncimin, ndërkohë ata vet as nuk u vunë në lëvizje të kapjes së agresorit dhe nuk bënë asnjë lloj njoftimi në radio për të ndaluar agresorët. Tek Rajoni i Policisë Nr. 3, kam harxhuar 140 minuta për të pritur ardhjen e Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) për të më marrë dëshminë, dhe kur erdhi OPGJ-ja gjatë tregimit të ngjarjes, që i bëja, më komunikonte që “do të të ndihmoj unë, mos u mërzit”, me një mënyrë sikur po më bënte nder. Më datë 29.12.2012, njihem me Vendimin e Prokurorisë për Mosfillim të Procedimit Penal, të Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Pasi bëj depozitimin e ankimimit më duhej të përballesha me një Gjyqtar aspak serioz në detyrën e tij ndaj çështjes time, duke më vënë në sedër “që ti je djalë më shkollë, me këto gjëra merresh” dhe molestime të tjera në formë presionesh kundër meje për të më viktimizuar, për të tërhequr kërkesën apo për të pranuar qorrazi ato që komunikonte ai. Pa pritur që të zbardhej Vendimi i Gjyqtarit të Shkallës së Parë, më duhej në mënyrë emergjente të bëja Kërkesë Ankimore në Gjykatën e Apelit, për të kapur afatet pasi që kisha vetëm 10 ditë kohë dhe nuk i dihej kur mund të zbardhej Vendimi, gjë që rezultoi e vërtetë sepse Vendimi u zbardh me vonesë, pothuajse në kohën limit të së drejtës time për ankimim. Më datë 02.10.2013, kisha seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit Tiranë, dhe u përgatita në masën 70% për të më rrëzuar kërkesën. Edhe fillimi i seancës drejt kësaj rruge të çonte, por ajo që vuri në mendime trupën gjykuese ishin parashtrimet e mia me shkrim, të cilat e detyruan Relatorin të pyesë Prokurorin si është çështja në themel, gjë e cila e detyroi Gjykatën më pas të pyesë përsëri Prokurorin: “Pse nuk u identifikua autori?” dhe përgjigjja e Prokurorit ishte gjithë nerva dhe përtesë: “Pse unë do ta identifikoj autorin”. Pas 10 minutash merret vendimi, Gjykata e Apelit Tiranë, më pranon kërkesën dhe detyron Prokurorinë Tiranë të rifillojë një hetimin të plotë dhe të gjithanshëm të rrethanave të çështjes. Ky rrugëtim i qytetarit për në gjykatë është vetëm fillimi i një çështjeje, e cila duhej të ishte e tillë që më Nëntor 2012, në qoftë se Prokuroria e Rrethit Tiranë do bënte detyrën për të cilën është krijuar dhe paguhet nga taksat tona!