Ndue Pjetra:Avokatia shqiptare gjen terren, por pjesa më e madhe e tyre janë sekserë

932
Sigal

INTERVISTA/  Flet avokat Ndue Pjetra: “Ne akoma jemi me gjygjtarë dhe me prokurorë të kohës komuniste”

Drejtësia shqiptare sot ndodhet në udhëkryq. Gjyqtarët disa herë për një çështje japin 20 dënime të ndryshme. Ende në Shqipëri nuk është aprovuar ligji për detektivët privat. Para se të nxirrte pasaportat e reja shteti shqiptar duhet të bënte një marrëveshje me Greqinë. Sot në Shqipëri është e domosdoshme të krijohet Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptar. Këto janë disa nga problemet që janë trajtuar në këtë bisedë me avokatin Ndue Pjetra.

 -Gjatë regjimit komunist u hoq si profesion avokatia, a solli probleme kjo në shoqërinë shqiptare?

Është hequr me të vërtetë dhe në atë kohë ishte një regjim i egër komunist ku edhe dënimet i jepte në emër të popullit. Punën e avokatisë nuk kishte mundësi njeri që ta bënte, sepse çdo veprim që do të kundërshtoje në formën e avokatisë mund të  dënohej nga format nga më të ndryshmet kushdo që do t’i jepte ndihmën klientit.

Kjo e ka dëmtuar shumë shoqërinë shqiptare sa kjo për 23 vjet asnjë qytetar sot nuk mund të kërkojë të drejtat e tij nga frika dhe nga mënyra e gjykimit në sistemin monist ku shumë prej nesh ende kanë të rrënjosur idenë e regjimit. Ne akoma jemi me gjyqtarë dhe me prokurorë të asaj elite dhe nuk kemi akoma një brez të ri që të ketë orientime të qarta europiane prandaj sipas meje do edhe 10 vite për tu ndryshuar.

 Ju mendoni se shumë drejtues në gjykatë janë me prejardhje në poste drejtuese nga sistemi monist?

Janë po të njëjtit vetëm se kanë ndryshuar vendin e punës. Dikush që dje ishte gjyqtar i thjeshtë sot është po në sistem drejtësie, por në një vend tjetër pune.

 Sot avokatia shqiptare a po gjen në terren bazën e së drejtës?

Avokatia shqiptare gjen terren, por pjesa më e madhe sot janë sekserë. Drejtësia është e korruptuar. Avokati ka vetëm rolin e sekserit që t’i thotë gjyqtarit se sa para do për këtë apo tjetri për çështjen.

 -Po organizmat ndërkombëtarë nuk kanë ndikuar në këtë drejtim?

Nuk kanë luajtur asnjë rol deri më sot, vetëm flasin kot. Nuk kanë dhënë asnjë detyrë konkrete.

 -Si mund të zgjidhet ky ngërç?

Sipas mendimit tim ngërçi ka shumë mënyra për tu zgjidhur. Në 2001 unë i kërkova shtetit shqiptar që të ratifikonte me ligj detektivin privat. Nuk e pranuan. Se do ishin ata të parët që do të binin në kurthin e detektivit privat. Unë tani kam marrë një iniciativë, ku së shpejti do të krijoj shoqatën e avokatëve antikorrupsion shqiptar, e cila do të marrë në mbrojtje të gjithë korrupsionin në gjykata dhe në administratë. Kjo është një iniciativë e një grupi avokatësh nga Tirana.

 Ku do ta gjeni mbështetjen?

Ne nuk mund të gjejmë mbështetje për momentin nga shteti shqiptar por do t’i kërkojmë Strasburgut dhe ambasadave angleze, amerikane që të vijnë në ndihmë dhe në të kundërt ne të vetëm të botojmë një buletinin tonë mujor ku të gjitha vendimet e gjykatave që ne i konsiderojmë të padrejta ose korruptive do t’i bëjmë prezente. Ky buletin mujor do të jetë një dritare e hapur për të gjithë, ku gjithkush do të gjejë një rreze drejtësie.

Një gjyqtar jep 20 vendime për të njëjtin çështje dhe i jep të ndryshme ndaj ne do t’i krijojmë çdo qytetari që ta ketë buletinin në dorë dhe ta shikojë kur të shkojë në seancën gjyqësore dhe të flas me gjyqtarin.

 Po problemi i detektivëve nuk është zgjidhur ende?

Nuk është zgjidhur dhe është shumë e nevojshme që të zgjidhet. Nuk e ka ngritur zërin asnjëri, as BE. Unë do të them se në shoqërinë shqiptare një strukturë apo institucion i tillë është mese i domosdoshëm.

 Ka një status të veçantë special kjo strukturë?

Normal që ka status. Madje ato janë të domosdoshme t’i njoh çdokush.

 Po në qoftë se ka një problem, dikush do të bëjë më shumë zgjidhje të problemit me detektivë privat apo me drejtësinë dhe anën  ligjore?

Detektivi privat me mënyrat e veta mund ta gjejë një provë, një person, një bashkautor, ndërsa shteti korruptohet. Edhe sot policia e shtetit është palë me hajdutin, e mbron hajdutin ndërsa detektivi privat nuk ka asnjë interes. Ai merr shpërblimin e vet direkt për punën që bën. Ai kurrë nuk mund të korruptohet pasi pazarin e bën me njërën palë, pa e ditur tjetra. Nëse ai do të bëjë ortakëri me palën tjetër, nuk ka fare interes.

 A ka besim populli shqiptar te avokatët shqiptarë që ata i mbrojnë me ndërgjegje, pa njëanësi?

Populli shqiptar e ka humbur besimin tek avokatët. Edhe avokati e ka humbur besimin tek gjykata dhe tek prokuroria sepse e shikon se çfarë ndodh. Nuk mund të themi se është në udhëkryq gjithë drejtësia, por shpirtërisht është në udhëkryq.

 Ju keni botuar para ca kohësh një libër “Të jesh avokati i vetvetes” çfarë problemesh kryesore mund të mësojë në praktikën e përditshme një njeri që merr këtë libër?

Po të shikosh vitet ‘90 shqiptarët nuk njihnin asnjë lloj ligji. Edhe sot jemi përsëri si në vitin ‘90 që nuk kanë njohuritë elementare qytetare lidhur me kërkesat e tyre dhe përgjegjësitë që kanë ndaj punonjësve të policisë apo të punonjësve shtetërorë ndaj tyre. Me anë të këtij libri çdokush mund të kuptojë se cilat janë të drejtat e tyre dhe kompetencat e tyre. Me anë të këtij libri mësohen detyrat që ka një polici rrugore, gjyqësore, një prokuror dhe gjyqtar, dhe ashtu dhe vetëm ashtu një person mund të mbrohet. Pra është koshient për atë që bën.

 Çfarë duhet të dijë një njeri i zakonshëm në të përditshmen e vet që të jetë avokat i vetvetes?

Të jesh avokat i vetvetes do të thotë që të mbrosh veten në momentet që je avokat, por kjo nuk do të thotë që të dish të gjitha kodet, ligjet dhe mënyrat për tu mbrojtur. Qytetarët zakonisht kur dalin në rrugë nuk janë të pajisur me mjete identifikimi që i krijon probleme policisë. Të gjithë refugjatët duhet të dinë se çfarë detyrimesh kanë në doganat shqiptare, sa valutë, çfarë peshe, çfarë ushqimesh, pije, dhe valixhe duhet të ketë me vete. Janë të paraqitura në ligj se një refugjat që kthehet nga Italia çfarë duhet të sjelli me vete .

 Një problem që ka dalë kohët e fundit për emigrantët është që kalimi i fëmijëve me emra qytetesh grekë që nuk përkojnë me gjuhën greke të ndalen. Kush është fajtor?

Fajtorë janë organet e ministrisë së jashtmeshqiptare, ambasadat që duhet të sinjalizojnë. Ata kanë shumë të drejtë që i kërkojnë këto sepse ashtu i duan ato organe. Që para se të dilnin pasaportat tona ne duhet të kishim bërë me qeverinë greke një marrëveshje. Ose sot të bëjnë një marrëveshje dhe në qoftë se nuk i respektojnë palët kthehen në probleme. Pra nuk ka një marrëveshje dypalëshe që të lejohen këta fëmijë me pasaportat e vendit të origjinës të lëvizin në të dy shtetet, pavarësisht se në to emërtimi është në gjuhën shqipe. Për mendimin tim nuk kanë faj autoritetet greke.

 Sot dokumentet, apo certifikatat për një fëmijë në Greqi legalizohen në ministrinë tonë të jashtme, por nuk marrin fuqi vepruese nëse nuk kalojnë dhe në legalizim nga Ambasada Ggreke. A është e drejtë kjo?

Nga ana faktike nuk është e drejtë, pasi institucioni që e legalizon atë është Ministria e Jashtme, ajo është organ kompetent. Por në qoftë se ne nuk kemi një marrëveshje si shtet, me shtetin grek lidhur me të gjithë ato probleme që dalin, gjithmonë do të përsëritet e njëjta situatë. Pra është e domosdoshme një marrëveshje midis palëve. Përderisa tek vendet e tjera nuk funksionon kështu, edhe tek ne nuk duhet të ndodhë, pasi Ministria jonë e Jashtme është institucioni që mban përgjegjësi për dokumentacionin e qytetarëve të vetë, por faktikisht ndodh fenomeni që thoni ju.