Ministria e Drejtësisë, procedim penal për 2 prokurorë dhe 5 gjyqtarë

536
Sigal

Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë, nga data 13 – 20 gusht 2012  ushtroi kontroll në Prokurorinë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në Prokurorinë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës si dhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”, Tiranë. Ky kontroll verifikoi ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve, gjyqtarëve dhe të administratës së sistemit penitenciar në procedimet penale kundër të pandehurit/të dënuarit Aldo Hoxha, për periudhën 01.01.2010-13.08.2012. I pandehuri Aldo Hoxha është hetuar në 4 procedime penale për veprat penale të vjedhjes në bashkëpunim, të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të prishjes së qetësisë publike,të vjedhjes së thjeshtë,  të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje. Dy procedime penale janë përfunduar edhe nga gjykata. Më konkretisht, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me 8 muaj burgim. Ndërsa në rastin e dytë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të prishjes së qetësisë publike me 1 vit burgim. Procedimi penal i tretë për veprën penale të vjedhjes së thjeshtë është në proces gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

1. Në organin e prokurorisë u kontrolluan 3 procedime penale, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 4 prokurorëve. Në procedimet e kontrolluara u verifikuan me shkelje 2 prokurorë. Shkeljet lidhen me rregullat për fillimin e ndjekjes penale, kryerjes jo të rregullt të veprimeve hetimore, si dhe aplikimin e një politike të butë penale në gjykim. Konkretisht nuk është respektuar rregullshmëria dhe vijueshmëria e veprimeve hetimore dhe për rrjedhojë prokurori nuk ka zbatuar detyrimin ligjor për fillimin e ndjekjes penale, duke ndikuar kështu në efektivitetin e politikës penale. Gjithashtu, është konstatuar se politika penale e ndjekur nuk është në raport të drejtë me rëndësinë e veprës, rrezikshmërinë e saj dhe autorit të veprës penale, si dhe nuk i përgjigjet qëllimeve parandaluese të dënimit. Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 2 prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.

2. Në dy gjykatat e inspektuara janë kontrolluar 3 çështje penale themeli, si dhe dy kërkesa penale të lidhura me to, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 5 gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore në funksion të tyre. Janë konstatuar shkelje në 2 çështje themeli, shkelje të cilat ju atribuohen 2 gjyqtarëve në rrethet gjyqësore Tiranë dhe Durrës. Shkeljet lidhen me zvarritjen e procedurave gjatë gjykimit dhe të meta në përpilimin e akteve. Ministria e Drejtësisë, në mbështetje të ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar do të fillojë procedimin disiplinor për këta 2 gjyqtarë.

3. Nga kontrolli i praktikës dokumentare të administruar në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”, Tiranë, rezulton se në rastin e të dënuarit A.H procedura e ndjekur nga momenti i pranimit dhe i regjistrimit të të dënuarit deri në momentin e lirimit të tij, është në përputhje me ligjin.

Raporti me shkeljet e konstatuara i është dërguar Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm, prokurorive dhe gjykatave të kontrolluara, gjyqtarëve të konstatuar me shkelje.