Ministria e Drejtësisë, ja si do të vlerësohet puna e gjyqtarëve

506
Sigal

Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hartimin e projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë” me qëllim përmirësimin e performancës së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në dhënien e drejtësisë, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarit. Risitë që priten të ndodhin në këtë projektligj janë:

-Në ndryshim nga sistemi aktual sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit dhe siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent.

-Vlerësimi bëhet nga Komisioni i vlerësimit të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.  Komisioni i vlerësimit përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Ky konfigurim korrespondon me anëtarët e KLD-së, por janë përjashtuar Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë, pasi janë autoritete politike.

-Procesi i vlerësimit zhvillohet në dy nivele, në gjykatë dhe në komision.

-Gjyqtari bën vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës së tij, duke plotësuar formularin dhe tabelat statistikore, dhe i dorëzon pranë kryetarit të gjykatës në të cilën ushtron veprimtarinë, brenda datës 31 janar të çdo viti.

-Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit, bën vlerësimin e gjyqtarit në formën e një akti të shkruar, duke u bazuar edhe në formularin e vetëvlerësimit të gjyqtarit, përshkruan veprimtarinë e gjyqtarit, duke bërë një vlerësim të respektimit të disiplinës në punë, të solemnitetit në gjykim dhe të etikës.

-Vlerësimi i kryetarit të gjykatës, i njoftohet gjyqtarit dhe ky i fundit ka të drejtën për t`u dëgjuar dhe paraqitur komentet e tij në lidhje me vlerësimin.

-Materialet e vlerësimit i dërgohen Komisionit. Në ndryshim nga sistemi i vjetër, ky projektligj ia heq kryeinspektorit detyrën për të përgatitur projektaktin e vlerësimit që në shumicën e rasteve linte vend për subjektivitet. Inspektorati i KLD-së shërben në këtë rast si mbështetje teknike për përgatitjen e dokumentacionit pranë Komisionit. Komisioni brenda 90 ditëve nga përfundimi i raportit paraprak të verifikimit prej Inspektoratit, shqyrton dosjen e vlerësimit të gjyqtarit apo kryetarit të gjykatës dhe projektaktin e vlerësimit, duke vendosur përfundimisht për vlerësimin e tyre.

-Projektligji parashikon të drejtën e gjyqtarit për t`u dëgjuar nga Komisioni, ku diskutohen elementë të ndryshëm të vlerësimit të punës së tij. Ai ka të drejtë të parashtrojë kundërshtimet e tij dhe t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.

-Ndaj vlerësimit përfundimtar të Komisionit, gjyqtari ka të drejtë të ankohet, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit, në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë. Për gjyqtarët e gjykatës administrative të Apelit, ankimi bëhet në gjykatën e apelit, të një rrethi tjetër më të afërt. Ky parashikim shërben si garanci për mbrojtën e të drejtave të gjyqtarit që procesi të zhvillohet në mënyrë sa më transparente dhe sa më objektiv.

-Procedura e vlerësimit të përshpejtuar, përdoret në rastet kur kërkohet transferimi i gjyqtarit apo në rastet e ngritjes në detyrë. Eliminim të mungesës së vlerësimeve për një gjyqtar që konkurron të ngrihet në detyrë. Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë, që konkurron për gjyqtar në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatat për Krimet e Rënda, i nënshtrohet një vlerësimi me procedurë të përshpejtuar sipas kreut III të ligjit.

Ministria e Drejtësisë fton këdo që të përcjellë komente mbi projektin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit, me qëllim dhënien e kontributit për përmirësimin e projektit.

Gjykatat vonojnë zbardhjen e vendimeve, monitorimi: Tejkalohen afatet deri në disa vite

Rasti i gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë Durrës, Neritan Tabaku, i cili vonoi shpalljen e një vendimi gjyqësor nuk është i vetmi në sistemin e drejtësisë shqiptare. Një monitorim i Qendrës për Çështje të informimit Publik, INFOÇIP, tregoi se situata është problematike thuajse në të gjitha gjykatat e vendit. “Rasti Tabaku është flagrant, por a është ai një precedent i izoluar? Për fat të keq strukturat kontrolluese shtetërore nuk kanë disponuar akoma instrumente, burime apo ndoshta nuk kanë vullnet për të skanuar fenomenin të paktën deri sot që flasim. Ankimet gjyqësore për vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore kanë ardhur duke u shtuar dhe këtë e vërteton jurisprudence e viteve të fundit e gjykatës së lartë dhe Kushtetuese. Rasti i vonesave nuk është fenomen shqiptar, këtë e provon edhe jurisprudenca”, tha Gerti Shella, drejtor i qendrës ÇIP. Një drejtësi jo efikase dhe e vonuar çon në dëmtimin e besimit të qytetarëve tek institucionet e shtetit. Drejtësia e vonuar është e njëjtë me drejtësinë e mohuar (Magna Carta). Një vendim i vonuar madje mund të zhbëjë edhe vetë arsyen për të cilën është dhënë vendimi, pasi dhënia e tij në vonesë,mund të bëjë që ai të jetë krejt i pavlefshëm për palën e interesuar. Siç edhe është parashtruar më sipër në këtë vendim, në çështjet gjyqësore periudha e arsyeshme që merret në konsideratë për zhvillimin e procesit të rregullt ligjor fillon me ngritjen e padisë dhe përfundon kur vendimi i arsyetuar merr forme të prerë. Lidhur me afatet e arsyetimit të vendimeve, penale dhe civile, në të tria shkallët e gjyqësorit, duket se Shqipëria aplikon standarde ligjore “të mjegullta”, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera evropiane. “Shpresojmë që analizat, vlerësimet dhe rekomandimet e këtij studimi voluminoz, të realizuar nga INFOÇIP në bashkëpunim me ekspertë dhe profesionistë të njohur të sistemit gjyqësor, të shërbejnë si një instrument efikas për gjyqtarët dhe autoritetet përgjegjëse të shtetit shqiptar, në orientimin më të mirë të përpjekjeve të tyre në përmirësimin e sistemit gjyqësor”, përfundoi z. Shella.

KLD emëron kryetarët e rinj të disa gjykatave në rrethe

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani, në mbledhjen e tij të radhës, nisi diskutimet për zgjidhjen e situatës së organikës në lidhje me numrin e gjyqtarëve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, duke mbajtur parasysh Dekretin e Presidentit të Republikës. Këshilli shqyrtoi kandidaturat për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës. Pasi dëgjuan platformat e dy kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si Kryetar të Gjykatës së Apelit Durrës, të z. Petrit Çeno.

Më tej mbledhja e Këshillit vijoi me shqyrtimin e kandidaturave për emërimin e kryetarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Dibër. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin përkatësisht si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër të z. Halil Vani.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe votimin e kandidaturës së znj. Gentiana Xhelili, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, për emërim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e znj. Gentiana Xhelili, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.

Këshilli, duke pasur parasysh numrin e madh të çështjeve për diskutim në rendin e ditës si dhe duke qenë i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka diskutimi i procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve, vendosi shqyrtimin e propozimeve të Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor për pesë gjyqtarë në një seancë plenare të veçantë, e cila do të mbahet ditën e martë, 15 prill 2014.